Vdekja e shkatërruar – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Unë do t’i shpengoj nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja. O vdekje, unë do të jem murtaja jote. O Sheol, unë do të jem shkatërrimi yt. Pendimi është fshehur nga sytë e mi.” – Osea 13:14

“Është e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.” – Psalmi 116:15

Në të parin nga këto “mendime të çmuara,” Perëndia paraqitet në përjetësinë e shkuar duke parë horizontin e së ardhmes. Ai sheh një botë të skllavëruar dhe të dënuar me shkatërrim; sheh milionat e saj të lidhur me zinxhirë duke shuar drejt vdekjes dhe varrit. Ai e dëgjon klithmën e tyre. Kjo gjë ja trazon mendimet dhe dëshirat e zemrës së Tij hyjnore. “Unë do t’i shpengoj,” deklaron Ai, “nga pushteti i Sheolit, do t’i shpëtoj nga vdekja!” Ky nuk ishte një mendim kalimtar, një emocion i momentit, i ngjashëm me keqardhjen njerëzore e cila ngjallet në një moment nga një shfaqje dhimbjeje apo mjerimi. Shumë ‘mendime bujare dhe bamirëse të njeriut’ nuk janë mishëruar kurrë në vepra. Shumë vendime fisnike vdesin që në momentin që lindin, “atë ditë humbasin mendimet e tij.”

Por atë që Perëndia e mendoi – atë bëri. Ai dha provën më të kushtueshme që mund të jepte Gjithëfuqia, për realitetin dhe intensitetin e këtyre mendimeve. Çmimi i shpengimit që ai pagoi për “të shpenguar nga vdekja” ishte gjaku i vetë Birit të Tij. Përmes veprës dhe vdekjes së Jezusit tani Vdekja është bërë për besimtarin një armik i mposhtur – jo, në realitet ora e vdekjes është fillimi – ditëlindja e një jete më fisnike! Është momenti kur bie lulja – për ta lejuar frytin të rritet; këputja e hekurave të burgut – për ta nxjerrë shpirtin në dritën dhe lirinë e gëzueshme. Mund të shohim drejt asaj ore me gëzim dhe shpresë triumfante, kur ky ‘mendim’ i përjetshëm do të plotësohet në gjithë madhësinë e vet sublime. Turmat e panumërta do të ngrihen nga varri – çdo zinxhir i tyre do të jetë këputur – mbreti i tmerrit do jetë hequr nga froni. Kënga triumfante e të vdekurve të ringjallur do të ngrihet lart, “Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht!”

Lexues, koha e vdekjes tënde është një moment solemn – do të jetë momenti kur do të jesh gati për të hyrë në realitetet e botës së përjetshme. Por ai moment është i çmuar në sytë dhe mendimet e Perëndisë! Ka të ngjarë që në atë moment do të largohesh nga mendimet e dashura të të tjerëve. Zërat e dashur mund të ndahen nga largësia kur armiku i fundit të të vërë poshtë. Por do të ketë mendime hyjnore dhe një Prani hyjnore e cila nuk mund të të hiqet kurrë. Atëherë kur nuk mund të dëgjohen më fjalë – kur të jesh tepër i dobët për të dëgjuar, tepër i brishtë për të folur – siguria e bekuar dhe e gëzueshme do të jetë jotja, “Perëndia im mendon për mua!”

Sikurse mendimet më të buta të një ati tokësor janë me fëmijën e tij që po vdes – kështu është edhe me Atin qiellor. Jeta e njerëzve të Tij, është nën kujdesin e Tij të dashur; por në mënyrë të veçantë vdekja e tyre “është e çmuar në sytë e Zotit.” Mendimet më të gëzueshme të një ati tokësor, janë tek momenti i pritjes sërish në shtëpinë e tij të fëmijës së tij që ka qenë larg për një kohë të gjatë. Po kështu, është e çmuar dhe e gëzueshme në sytë e Zotit momenti kur çdo anëtar i familjes së Tij të shpenguar do të qëndrojë në pragun qiellor, gati për të hyrë në Shtëpinë e Përjetshme; si fëmijë i birësuar, si trashëgimtari i çmuar – gati për të marrë në zotërim Trashëgiminë e Përjetshme!

Mos vallë është vdekja e një anëtari të familjes së besimit i cili është i afërt dhe i dashur për ty? Edhe vdekja e tyre është e çmuar në sytë e Zotit. Jastëku i tyre zbutet prej duarve Hyjnore, “Kështu Ai u jep prehje të dashurve të Tij.” Ata tani mund të jenë të çmuar vetëm në kujtesën tuaj – por ama janë të çmuar në “sytë” e Perëndisë. Po! “Të dashurit e Zotit do të banojnë në siguri.” “Mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*