A më zgjodhi Perëndia sepse më deshi apo më do sepse më zgjodhi?

nga Pastor John Piper

Në desiringGod.org ne besojmë në sovranitetin e Perëndisë – e besojmë sepse e shohim këtë gjë në Shkrim. Jo vetëm që besojmë në sovranitetin e Perëndisë mbi të gjitha gjërat por edhe e kremtojmë këtë gjë. Gjithashtu përleshemi me pyetje të rëndësishme se çfarë kuptimi ka kjo për jetën tonë. Pyetja e sot është e shkurtër dhe e thjeshtë por shumë e thellë dhe na vjen nga një dëgjuese e quajtur Zena. “Pastor John, a më zgjodhi Perëndia sepse më do? Apo më do sepse më zgjodhi?” Pastor John, çafër përgjigje do t’i japësh Zenës?

Si shumë pyetje të tjera, kjo pothuaj i jep përgjigje vetes sapo të përkufizojmë termat apo sapo të qartësojmë se çfarë kuptimi kanë këto dy pyetje. Në fakt, arsyeja pse mendoj që kjo pyetje ia vlen t’i përgjigjemi është saktësisht për të qartësuar termat. Nëse termave u japim kuptime të caktuara mund të shfaqen mësime shumë të gabuara.

Pula apo veza?
Për shembull, dikush mund të pyesë “A më zgjodhi Perëndia për shkak se më do?” – duke hamendësuar që Perëndia pa diçka të dashur në mua dhe pastaj m’u afrua në bazë të kësaj gjëje. Pastaj, për shkak të asaj prirjeje ndaj meje, dhe për shkak të vlerës time të veçantë gjë të cilën ai e dallon, më zgjodhi si pjesë të familjes së Tij.

Kjo do të ishte një tabllo tmerrësisht e gabuar – sikur Perëndia të shihte njerëzimin dhe çdo njeri për të zbuluar se kush është i denjë për t’u birësuar prej Tij apo të kërkonte njerëz që kanë kualifikimet e nevojshme për t’u zgjedhur nga njerëzimi i rënë në mëkat dhe i dënuar. Kjo nuk është tablloja që na paraqet Dhiata e Re. Sapo ta kemi qartësuar këtë gjë, përgjigja nis të qartësohet.

Dikush mund të pyesë, “A më do Perëndia sepse më ka zgjedhur?” – duke hamendësuar që Perëndia në zgjedhjen e tij është disi neutral apo indiferent kur bie fjala për anën emocionale. Që zgjedhja jonë prej Tij në fillim fare është pa qejf apo pa zemër ose gëzim. Dhe vetëm pas i ka mbledhur të zgjedhurit e Tij duke mos patur ndonjë kënaqësi në zgjedhjen e tyre, në një farë mënyre ia del t’i dojë për shkak se i ka zgjedhur. Edhe kjo më duket që do ishte një përshtypje tmerrësisht e gabuar nga Dhiata e Re.

Të gjitha të mësipërmet
Le të shohim disa pjesë për të parë nëse mund të fitojmë pak qartësi nga fjalët e Shkrimit rreth marrëdhënies mes zgjedhjes dhe dashurisë. Tablloja e zgjidhjes së popullit të Perëndisë në Dhiatën e Vjetër është e tillë:

“Perëndia yt; Zoti, Perëndia yt, të ka zgjedhur për të qenë thesari i tij i veçantë midis tërë popujve që ndodhen mbi faqen e dheut. Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve; por sepse Zoti ju do.” (Ligji i Përtërirë 7:6-8)

Moisiu përmend zgjedhjen dhe dashurinë, por nuk tregon apo të përshkruajë një sekuencë. Në fakt, fjalët lexohen sikur termat të jenë plotësisht të shkëmbyeshëm. “Zoti Perëndia juaj ju ka zgjedhur të jeni një popull.” Pse? Për shkak se ju ka dashur; domethën, Ai ju zgjodhi.

Nuk mund të sforcosh një radhë kohore në frazën “Zoti e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, ju ka zgjedhur.” në të njëjtën mënyrë sikurse nuk mund të bëni një radhë kohore nga deklarata, “I bëra betimet para teje dhe u martova me ty.” Duke i zgjedhur Ai i deshi. Duke i dashur i zgjodhi. Dashuria e Tij ishte zgjedhja e Tij; zgjedhja e Tij ishte dashuria e Tij.”

Njëra nënkupton tjetrën
Tani le të shohim nëse kjo gjë konfirmohet në Dhiatën e Re.
1 Thesalonikasve 1:4 thotë, “duke ditur, vëllezër të dashur prej Perëndisë, të zgjedhurit tuaj.” Kjo duket se ka kuptimin që duke parë faktin se ata janë të dashur, kjo është prova e zgjedhjes së tyre të mëparshme. Pastaj kthehet në anën tjetër tek Romakëve 11:5, “Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.” Këtu duket sikur zgjedhja erdhi nga një akt pararendës hiri apo dashurie.

Tek Efesianëve 1:4-5 lexojmë, “sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij.” Prandaj, duket që në thelb është e njëjta gjë. Në zgjedhje Ai na paracaktoi, dhe në dashuri na paracaktoi.

Tek Romakëve lexojmë për zgjedhjen e Jakobit në vend të Esaut para se ata të kishin lindur – para se të kishin bërë ndonjë gjë të mirë apo të ligë. Asnjë gjë tek të dy ata nuk tërhoqi praninë e Perëndisë tek njëri dhe jo tek tjetri.

“Sepse para se t’i lindnin fëmijët dhe para se të bënin ndonjë të mirë a të keqe, që të mbetej i patundur propozimi i Perëndisë për të zgjedhur jo sipas veprave, po prej atij që thërret, iu tha asaj: ”Më i madhi do t’i shërbejë më të voglit”, siç është shkruar: ”E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun”. (Romakëve 9:11-13)

Fjalët “E desha Jakobin” qëndrojnë realisht në vedn të fjalëve “Jakobin e zgjodha.” Kjo ndodhi para se ata të kishin lindur apo të kishin bërë ndonjë gjë të mirë apo të ligë.

Përputhje e përsosur
Ja dhe një tekst tjetër – dhe mendoj që ky tekst siguron një frazë e cila mund të na ndihmojë të arrijmë ekuilibrin që na nevojitet në lidhje me dy realitetet e dashurisë dhe zgjedhjes.
Tek Romakëve 11:28 Pali thotë kështu për popullin Jude, “Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve.”

Tani, fraza “për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur” thotë se të qënurit i dashur përputhet me zgjedhjen. Nuk thotë se cila vjen e para apo cila e shkakton tjetrën. Thjesht thotë që ato të dyja përputhen. Përputhen me njëra-tjetrën në mënyrë të përsosur. Ato gjithmonë shkojnë bashkë në harmoni.

Dashuri për një botë të rënë
Konkluzioni im është që zgjedhja është akti i Perëndisë ndërsa ai parasheh një botë të rënë mëkatarësh të padenjë – dhe plotësisht për hir të Krishtit (këtë e them në bazë të Efesianëve 1:5) – Perëndia vendosi dashurinë e Tij mbi disa me një liri totale të motivuar vetëm prej këshillave të Tij të fshehta. Nuk mund të dalloj dot ndonjë garanci në Bibël për t’i vendosur në një rend të caktuar dashurinë e Perëndisë për ata që zgjodhi dhe zgjedhjen e atyre që do t’i shpëtojë. Nuk ka zgjedhje që të mos jetë dashuri, dhe nuk ka dashuri fillestare nismëtare që të mos jetë zgjedhje.

Të thuash që zgjedhja nuk është e bazuar tek dashuria, dhe kjo është ajo që unë po argumentoj që nuk duhet ta themi, nga mbron nga keqkuptimi i mundshëm që jemi zgjedhur për shkak të diçkaje të dashur tek ne. Të thuash që dashuria nuk është e bazuar tek zgjedhja na mbron nga keqkuptimi që zgjedhja e Perëndisë ishte në një farë mënyre pa zemër apo emocionalisht neutrale. T’i thuash të dyja këto duhet ta mbushë çdo fëmijë të Perëndisë me një ndjesi padenjësie të skajshme dhe me një mahnitje ekstre që Perëndia u kënaq të na bënte të Tijtë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*