Pse ishte e nevojshme që Krishti Shpengimtari të vdiste?
Pyetja 24
Pse ishte e nevojshme që Krishti Shpengimtari të vdiste?
Përderisa vdekja është ndëshkimi për mëkatin, Krishti vdiq vullnetarisht në vendin tonë për të na çliruar prej fuqisë dhe dënimit të mëkatit dhe për të na kthyer sërish tek Perëndia. Vetëm Ai na shpengon prej ferrit dhe fiton për ne faljen e mëkateve, drejtësinë dhe jetën e përjetshme përmes vdekjes së tij shlyese zëvendësuese.
“Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija, tani ju pajtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë juve përpara vetes së tij shenjtorë, faqebardhë dhe të pafajshëm.”
Kolosianëve 1:21-22
Komentim
Ati i drejtë dhe i dashur e përuli veten që në dhe përmes Birit të tij të vetëm të bëhej njeri, mëkat dhe mallkim për ne, në mënyrë që të na shpengonte pa bërë kompromis me karakterin e tij. Ungjilli biblik i shlyerjes është ky, Perëndia kënaqi drejtësinë e vet duke zënë vetë vendin tonë. Prandaj mund të themi që koncepti i zëvendësimit qëndron në thelb të mëkatit dhe shpëtimit. Thelbi i mëkatit është që njeriu vendos veten në vendin e Perëndisë, ndërsa thelbi i shpëtimit është që Perëndia vendos veten në vendin e njeriut. Njeriu ngrihet kundër Perëndisë dhe vendos veten në vendin në të cilin meriton që të jetë vetëm Perëndia; Perëndia sakrifikon veten për njeriun dhe e vendos veten e vet atje ku vetëm njeriu meriton të jetë. Njeriu kërkon të drejta të cilat i takojnë vetëm Perëndisë; Perëndia pranon ndëshkime të cilat i përkasin vetëm njeriut.
Gjon Stot (John Stott, 1921–2011). Predikues Anglikan Anglez që për shumë vite shërbeu si rektori i All Souls Church në Londër. Stot ishte një prej ideatorëve kryesorë të Konventës së Lozanës (1974). Mes librave të tij të panumërt përfshihen edhe Bazat e Krishterimit si dhe disa komentarë nga seria Bibla Flet Sot të cilët janë të disponueshëm edhe në gjuhën Shqip.
Lutje
O At Perëndi, nuk mund të mendohet që më krijove për të më shkatërruar prandaj ki mëshirë për mua. O Perëndia Bir, Ti që duke e ditur vullnetin e Atit erdhe në botë për të më shpëtuar, ki mëshirë për mua. O Perëndia Frymë e Shenjtë, Ti që për të njëjtin synim shumë shpesh ke fryrë mendime të shenjta në mua, ki mëshirë për mua. O Trini e shenjtë dhe e bekuar, Ty që ekziston në tre persona të adhuroj si një Perëndi, ki mëshirë për mua.
O Zot, a nuk shqetësohesh që po humbas? Ti që dëshiron që të gjithë të shpëtohen! Ti që nuk dëshiron që asnjë të humbasë! A do ta shfrysh zemërimin tënd kundër një krimbi, një gjetheje, kundër një avulli që humbet para teje? Kujto sa e shkurtër është koha ime dhe mos e lër shpirtin tim nën pushtetin e ferrit. Harro që jam treguar i pabindur dhe kam provokuar zemërimin tënd dhe ki mëshirë pasi jam i pështjelluar dhe të këlthas ty për ndihmë.
Mos më shiko siç jam një mëkatar; por më mëshiro si krijesën tënde. Sa me vend është për Ty që të shpëtosh! Ky është emri yt. Sa e përshtatshme është që Ti të vish në botë pasi kjo ishte vepra jote. Kur mendoj që jam kreu i mëkatarëve, a nuk mund të të përgjërohem ty o At dhe të them, A do të lihet pa u kryer puna më e madhe? Larg teje qoftë një gjë e tillë! Ki mëshirë për mua! O At, pranoje pendimin tim të papërsosur, ki dhembshuri për dobësitë e mia, fale paudhësinë time, pastro papastërtinë time, më forco në dobësinë time, rregullo paqëndrueshmërinë time dhe lëre Frymën tënde të mirë të më ruajë përherë, lëre dashurinë tënde ta sundojë përherë zemrën time, përmes meritave, vuajtjeve dhe dashurisë së Birit tënd, në të cilin Ti je gjithmonë i kënaqur.
Xhon Uesli (1703–1791). Predikues dhe teolog Anglez. Ueslit dhe vëllait të tij i dedikohet themelimi i lëvizjes Metodiste Angleze. Në përgjithësi ai udhëtonte me kalë, predikonte dy apo tri herë në ditë dhe thuhet që ka dhënë më tepër se 40,000 predikime. Ai gjithashtu ishte një shkrimtar i njohur himnesh të krishtera.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.