A mund të ketë etje për Perëndinë një person frymërisht i vdekur?
nga Pastor John Piper
Pastor John, a është me vend të themi që, a) çdo njeri ka një etje në shpirtin e tij për Perëndinë të cilën po përpiqet ta mbushë përmes mëkatit dhe, b) çdo njeri është frymërisht i vdekur? A është me vend të flasim për një dëshirë frymërore e cila po mbushet përmes mëkatit tek një person që është i vdekur frymërisht?
Për këtë pyetje kam tri lloje reagimesh.
Çfarë do të thotë të jesh frymërisht i vdekur?
1) Përkufizimet janë gjithmonë thelbësore. Pyetja është: A është e drejtë të flasim për një dëshirë frymërore tek një person frymërisht i vdekur – nënvizojeni fjalën frymërore – domethënë një person që nuk ka rilindur? Nëse me shprehjen person frymërisht i vdekur, nëse po pyesim: A mund të ketë një dëshirë fetare personi frymërisht i vdekur? Atëherë përgjigja është po. Në fakt, kjo është shtysa e feve: dëshira dhe ëndje të cilat i kanë njerëzit frymërisht të vdekur, këto janë dëshira, vendime, zgjedhje dhe pasione shumë të thella.
Por nëse qëndrojmë me përkufizimin më të përshtatshëm të Dhiatës së Re – A është e drejtë të flasësh për një dëshirë frymërore në një person frymërisht të vdekur? – përkufizimi më i përshtatshëm për këtë gjë është që ta marrësh termin dëshirë frymërore në të njëjtën mënyrë si frymërisht i vdekur, dhe kjo do të thotë që frymëror do të thotë të jesh i gjallëruar, i nxitur, i formuar dhe i drejtuar prej Frymës së Shenjtë. Ky është kuptimi i fjalës frymëror.
Teksti kyç është 1 Korintasve 2:13-14. E kundërta e frymëror nuk është laik apo jo-fetar, e kundërta është natyror apo “pa Perëndinë” – një qenie njerëzore pa Perëndinë, një qenie njerëzore pa Frymën. Prandaj teksti thotë, “Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore,” – kjo është fraza – “gjërat frymërore për ata që janë frymërorë.” (Përkthim i drejtpërdrejtë nga versioni Anglisht ESV). Dhe pastaj në vargun 14 e qartëson duke thënë: “Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.”
Tani pyetja është kjo: A është e drejtë të flasim për një dëshirë të gjallëruar, të nxitur, të formuar dhe të drejtuar prej Frymës së Shenjtë në një shpirt që nuk ka jetë që i është dhënë prej Frymës së Shenjtë? Dhe përgjigja është jo. Shpirtra të tillë nuk kanë dëshira të tilla. Ky është vëzhgimi im i parë, i cili në fakt është për të qartësuar përkufizimin e frymëror. Por ka më shumë që duhet thënë për të plotësuar tablonë e asaj që duam të themi me person frymërisht i vdekur.
Çfarë mund të bëjnë njerëzit frymërisht të vdekur
2) Ky është vëzhgimi im i dytë. Shumë njerëzve u tingëllon e çuditshme të mendojmë për një shpirt të vdekur kur shohin sasinë e pabesueshme të aktivitetit që ushtron një shpirt i vdekur sipas Dhiatës së Re. Nëse shihni tekstin kryesor që flet për të qenit frymërisht i vdekur, Efesianëve 2 – i vdekur dhe i ndarë nga Krishti – ky shpirt i vdekur është në mënyrë të mahnitshme tepër energjik. Le ta lexojmë dhe të dëgjojmë.
Efesianëve 2:1-3, “Ai ju dha jetë edhe juve, që ishit të vdekur në faje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur, – ja tek kemi një të vdekur që ecën – “sipas ecjës së kësaj bote, sipas prijësit të pushtetit të erës,” – ky shpirt qenka shumë reagues ndaj botës dhe djallit – “ndërmjet të cilëve edhe ne dikur jetuam.” Ky shpirt jeton. Bën zgjedhje. Po vepron në mënyra që përputhen me natyrën e tij “në lakmitë e mishit tonë.” Dhe pastaj thotë, “duke i plotësuar dëshirat e mishit dhe të mendjes.” Prandaj, ka shumë dëshira. Ka shumë aktivitet. Ka shumë jetë. Ka shumë të ecur. Ky është një shpirt jashtëzakonisht aktiv.
Kjo nuk është e veçantë vetëm tek Efesianëve 2. Sikurse tha edhe Jezusi tek Gjoni 3:6, “Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.” Me fjalë të tjera, lindja jonë e parë na bën thjesht mish, dhe lindja jonë e dytë na bën të gjalë ndaj Frymës së Shenjtë – fryma jonë bëhet e gjallë. Por, kur jemi thjesht mish, kur jemi thjesht natyrorë, nëse përdorim gjuhën e Palit, ka shumë vepra të mishit. Ai thotë, “Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja, idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet, smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto.” (Galatasve 5:19-21). Me fjalë të tjera, një shpirt i vdekur është një shpirt shumë aktiv dhe kjo është e çuditshme. Nuk duhet ta ngatërrojmë vdekjen e frymës, të shpirtit apo të zemrës me mungesën e aktivitetit apo me faktin që nuk ka asnjë lloj pushteti. Shpirti i vdekur natyror është i mbushur me energji për të dëshiruar dhe për të bërë, dhe kjo na çon tek qartësimi i tretë dhe i fundit që dëshiroj të bëj.
A mund të kenë dëshira frymërore personat që janë frymërisht të vdekur?
3) Pyetja që mendoj se po na bën personi është kjo: Një person frymërisht i vdekur a mund të ketë etje për Perëndinë të cilën po përpiqet ta mbushë përmes mëkatit, në atë kuptim, a është e drejtë të flasim për një dëshirë frymërore – domethënë, për një dëshirë reale për Perëndinë e vërtetë? Mendoj që e ka fjalën për një person frymërisht të vdekur dhe të pa rilindur. Me fjalë të tjera, personi na pyet: A ekziston një gjë e tillë si një kërkues i vërtetë? Shumë kisha janë ndërtuar rreth pikëpamjeve të kishës së ndjeshme ndaj kërkuesve. Ja përgjigja që jep Pali. Por prisni se ka edhe më tepër. Përgjigja e tij është Romakëve 3:9-10, “Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat, siç është shkruar: ”Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.”
Çfarë do të thotë kjo? Për shkak se nuk duam të themi më tepër nga sa duhet të themi. Mendoj që Romakëve 8:7-8 dhe 1 Korintasve 2:14 e shpjegojnë kuptimin e kësaj që thotë Pali. Ai thotë, “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.” (Romakëve 8:7-8). Ose 1 Korintasve 2:14, “njeriu natyror nuk i rrok” apo nuk i mirëpret, nuk i pranon “gjërat që janë të Frymës së Shenjtë,” dhe këta janë ata që siç thotë Romakëve 1:18, “mbysin të vërtetën në padrejtësi.”
Prandaj, mendoj se ajo që Pali do të thotë me fjalët, asnjë person natyror, i parigjeneruar, apo i pa lindur sërish nuk e kërkon Perëndinë është kjo: Po, ata kanë ëndje dhe dëshira të zjarrta të zemër dhe po kjo zemër që ka ëndje dhe dëshira u krijua nga Perëndia dhe për Perëndinë. Po, kjo dëshirë për diçka më teprë se ajo që gjejmë në këtë botë është e vërtetë. Sikurse tha edhe C. S. Ljuis, kjo është tregues që ne jemi “bërë për një botë tjetër.” Kjo uri është provë që ne jemi ata lloj njerëzish që u krijuam për ushqim. Ky sëmbim dhe kjo dëshirë për të cilën nuk e dimë se çfarë është duket se na drejton tek fakti që u krijuam për diçka tjetër. Dhe po, kjo dëshirë dhe ëndje do të kënaqet vetëm prej Perëndisë. Mendoj që Pali do ta thoshte të gjithën këtë. Mendoj që do të binte dakord me gjithë sa kemi thënë.
Por pastaj ai do thoshte: Jo, dëshirat dhe ëndjet tona në këtë kuptim nuk janë për Perëndinë; domethënë, ne nuk e dëshirojmë Perëndinë e vërtetë. Ne nuk e respektojmë Perëndinë e vërtetë. Nuk i besojmë Perëndisë së vërtetë. Nuk gjejmë kënaqësi në Perëndinë e vërtetë. Dëshirat dhe ëndjet tona janë për atë që mendojmë se mund të jetë ky Perëndi, për atë që duhet të jetë apo mund të jetë. Dhe kjo kthehet në refuzim. Sapo Perëndia i vërtetë nis ta bëjë veten e Tij të njohur Romakëve 1:18 na thotë që ne e mbysim të vërtetën. Ne e shtypim – veçse po të lindemi sërish. Nëse Fryma nuk na i hap sytë për të parë që Perëndia i vërtetë është i bukur dhe i dëshirueshëm, nuk do ta kërkojmë Atë. Do të vazhdojmë të kërkojmë pa pushim pa e ditur as vetë se çfarë po kërkojmë por nuk do të kërkojmë Perëndinë e vërtetë. Në masën që Perëndia i vërtetë nis të bëhet i dukshëm për ne, në atë masë e shtypim atë njohur derisa Fryma e Shenjtë të veprojë në ne.
Prandaj, pyetja e fundit sërish është: A është e drejtë të flasim për një dëshirë frymërore për Perëndinë e vërtetë në një person frymërisht të vdekur? Jo. Jo nëse themi që një person frymërisht i vdekur mund ta perceptojë Perëndinë e vërtetë dhe ta dëshirojë për atë që Ai është. Ky person nuk mundet. Nuk mund ta shohë dot Perëndinë. Nuk mund ta dëshirojë dot Atë. Është armiqësor ndaj Tij. Dhe nuk mund t’i pëlqejë dot Perëndisë duke e përqafuar dhe duke e kërkuar Atë si Perëndinë e vërtetë. Shpirti i vdekur nuk e dëshiron Perëndinë për atë që Ai është. Shpirti i vdekur e shtyp njohurinë se kush është Perëndia dhe krijon perëndi të tjerë.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!