Çfarë do të thotë të jesh bërë në shëmbëlltyrën e Perëndisë?

nga John Piper

Doni nga Nju Meksiko shkruan dhe pyet, “Pastor John çfarë do të thotë të jesh bërë në shëmbëlltyrën e Perëndisë? Cilat janë ndryshimet e kësaj ngjashmërie para rënies së njeriut në mëkat, pas rënies dhe pasi ka lindur sërish?

Ne jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë dhe rënia e qënieve njerëzore në mëkat tek Zanafilla 3 nuk e shkatërroi këtë shëmbëlltyrë por e shpërfytyroi. Kjo është premisa ime. Teksti që tregon se jemi në shëmbëlltyrën e Perëndisë dhe vazhdojmë të jemi në këtë shëmbëlltyrë do ishte Zanafilla 1:27. “Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.” Prandaj si mashkulli dhe femra janë krijuar njëlloj në shëmbëlltyrën e Perëndisë. Pastaj shkojmë tek Zanafilla 9:6 pas rënies në mëkat thuhet, “Cilido që derdh gjakun e një njeriu, gjaku i tij do të derdhet nga një njeri, sepse Perëndia e ka krijuar njeriun simbas shëmbëlltyrës së tij.” Me fjalë të tjera këtu tek Zanafilla 9 shohim që shëmbëlltyra e Perëndisë funksionon në mënyrë etike dhe morale si garancia për dënimin kapital edhe pse tani të gjitha qeniet njerëzore janë bërë mëkatare. Prandaj të jesh mëkatar nuk do të thotë që kemi pushuar të jemi në shëmbëlltyrën e Perëndisë.

E njëjta gjë thuhet edhe tek Jakobi 3. Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Pra, me fjalë të tjera, Jakobi e përdor të qenurit në ngjasim apo në shëmbëlltyrën e Perëndisë si gjendjen tonë të tanishme si argument pse nuk duhet ta mallkojmë njëri-tjetrin. Pra, po, ne jemi krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë, po, ne vazhdojmë të jemi në shëmbëlltyrën e Tij. Arsyeja pse them që kjo shëmbëlltyrë është shpërfytyruar dhe ka nevojë për riparim apo ripërtëritje është për shkak se kështu përshkruhet shpëtimi ynë prej Palit tek Kolosianëve 3. Ai thotë “Veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shembullit të atij që e krijoi.” Prandaj, mendësia e Palit është kjo: Ne jemi në shëmbëlltyrën e Perëndisë, por, sa e prishur, e rënë, mëkatare dhe e shpërfytyruar që është kjo shëmbëlltyrë dhe tani me shpengimin tonë në Krishtin kemi veshur njeriun e ri. Ne kemi veshur Krishtin dhe tani ky bëhet një proces që na formon, dhe na bën sërish në shëmbëlltyrën e krijuesit tonë.

Prandaj, gjëja e fundit është kjo, çfarë është shëmbëlltyra? Kjo ishte pyetja. Për çfarë e ke fjalën? Në çfarë kuptimi jemi në shëmbëlltyrën e Perëndisë? Historikisht njerëzit kanë përmendur gjëra si morali, ndjenja jonë për të drejtën dhe të gabuarën, arsyeja jonë, aftësia për të logjikuar apo përshpirtshmëria, aftësia jonë për t’u lidhur me Perëndinë apo ndjesia jonë për të bukurën. Nuk shikon shumë majmunë që të pikturojnë Mona Lizën. Apo ndjesia jonë gjyqësore, i gjithë sistemi ligjor sipas të cilit jemi krijuar, një ndjesi për të drejtën dhe të gabuarën, për drejtësinë dhe padrejtësinë. Me sinqeritet mendoj që të gjitha këto janë të vërteta dhe aspekte të asaj se çfarë do të thoë të jesh në shëmbëlltyrën e Perëndisë.

Por gjëja më e thjeshtë, gjëja më e qartë, në fakt, gjëja më praktike për mua, mënyra sesi ka pasur një efekt real në jetën time është që shëmbëlltyrat janë krijuar për të shëmbëllyer. Nëse krijoni një shëmbëlltyrë, nëse bëni një skulpturë të dikujt e bëni këtë për të shfaqur diçka rreth atij personi. Pastaj e vendosni në një shesh në mes të qytetit dhe dëshironi që njerëzit ta shohin, ta vënë re, të mendojnë për atë person, të mendojnë diçka për të, që ishin fisnikë, të fortë, të mençur, kurajozë apo diçka tjetër. Tani, çfarë kuptimi ka nëse krijoni shtat miliardë statuja të vetes tuaj dhe i shpërndani ato nëpër botë? Do të thotë që dëshironi që njerëzit t’ju vënë re. Perëndia na krijoi në shëmbëlltyrën e Tij në mënyrë që të shfaqim, të reflektojmë apo të komunikojmë se kush është Ai, sa i madh është Ai dhe si është Ai. Ja tabloja që kam në mendje. Unë u krijova si një pasqyrë. Një pasqyrë që duhej të ishte në kënd 45 gradë me anën e pastër reflektuese të kthyer për lart në mënyrë që ndërsa Perëndia do të shkëlqente mbi të në kënd 45 gradë drita do të kërcente për të bërë një kthesë 90 gradë dhe për t’u reflektuar kështu në botë. Kur rashë në mëkat Satani ma mbushi mendjen që imazhi im është më i bukur se imazhi i Perëndisë prandaj e kthej pasqyrën nga ana tjetër. Tani ana e pasme e zezë është kthyer nga Perëndia. Kjo anë nuk reflekton asnjë gjë, përkundrazi pasqyra hedh në tokë një hije me formën e saj dhe unë bie në dashuri me hijen. Kjo është ajo çfarë ndodh. Kështu që nga ajo ditë kemi qenë duke dashur veten.

Në shpëtim ndodhin dy gjëra. Pasqyra kthehet nga ana e duhur dhe tani shohim sërish lavdinë e Perëndisë dhe ndotjet që kanë zënë vend mbi pasqyrë pastrohen dhe gradualisht nisim të reflektojmë Perëndinë. Prandaj unë mendoj që të jesh i krijuar në shëmbëlltyrën e Perëndisë do të thotë që ne shëmbëllejmë Perëndinë. Ne reflektojmë Perëndinë. Ne jetojmë në një mënyrë të caktuar, mendojmë në një mënyrë të caktuar, ndiejmë në një mënyrë të caktuar, flasim në një mënyrë të caktuar që tërheq vëmendjen tek shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*