Fejesa e përjetshme – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Do të fejohesh me mua përjetë; do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në mirësi dhe në dhembshuri.” – Osea 2:19

Marrëdhënia më e dashur dhe më e lartë mbi tokë përdoret për të ilustruar dhe simbolizuar dashurinë e Perëndisë për popullin e Tij. Ai paraqitet si:

ngushëllues si një nënë;
i mëshirshëm si një baba;
simpatizues si një mik;
shërues si një doktor;
bamirës si një mbret.

Në këtë varg Ai përshkruhet duke hyrë në një fejesë të përjetshme me Kishën e Tij, dhe me çdo anëtar të shpenguar të saj – në thellësitë e përjetësisë së shkuar, duke i dhënë betimin e Tij Nuses së Tij me të cilën është fejuar – duke i vendosur unazën e fejesës në gisht; duke u bërë thirrje Drejtësisë, Paanshmërisë, Mirësisë dhe Dhembshurisë – si dëshmitare të ceremonisë së madhërishme, që ta firmosë dhe vulosë besëlidhjen e martesës.

Sa të pasigurta janë edhe lidhjet në dukje më të forta të tokës! Vëllai mund të ndahet nga vëllai, bashkëshorti nga gruaja, fëmija nga prindi, miku nga miku. Por në bashkimin tonë me Perëndinë – të lidhur me Të në lidhjet e besëlidhjes së përjetshme – dhimbja e ndarjes nuk mund të ndihet dhe as ka pse t’i druhemi. Mosha nuk mund t’i shkaktojë rrudha ballit. Sëmundja nuk mund t’i skuqë dot faqet. Vdekja nuk mund ta hapë dot kurrë burimin e lotëve. Varri nuk mund të mbyllet dot kurrë mbi “të dashurit dhe të humburit” tanë. “Do të fejohesh me mua përjetë.”

Sikurse në bashkimin njerëzit i cili këtu sikurse në pjesë të tjera shërben si tip dhe simbol i besëlidhjes më fisnike – fejesa Hyjnore bazohet mbi bazën e dyfishtë të NDERIT dhe DASHURISË. Drejtësia dhe Paanshmëria, dy përfaqësueset e nderit të Perëndisë vijnë të parat; Mirësia dhe Dhembshuria i ndjekin. Është një bashkim i themeluar mbi të vërtetën, drejtësinë dhe nderin e përjetshëm. Këto dëshmitare vërtetuese firmosin kontratën rreth Kryqit të Kalvarit. Atje “mëshira dhe e vërteta u takuan, drejtësia dhe paqja puthën njëra-tjetrën.” “Krishti e deshi Kishën dhe e dha Veten për të.” Çfarë paje të pafundme që bleu dhe siguroi ajo Sakrificë e madhërishme për Nusen e Qiellit!

Shumë shpejt do të vijë dita e dasmës; kur nusja e premtuar do t’i paraqitet Dhëndrit qiellor – do të hyjë në tendën e pranisë së Tij! Kremtimet e martesës janë duke u përgatitur. Karvani po i afrohet pallatit të Mbretit. Drejtësia, Paanshmëria, Mirësia, Dhembshuria – këto janë katër pishtar-mbajtëset që ndriçojnë udhën për në odën e gëzimit! A e kemi dëgjuar dhe a i jemi bindur thirrjes në mesnatë, “Ja po vjen Dhëndri! Dilni dhe takoheni!” “Por kush lavdërohet të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra”, thotë Zoti.


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*