Mendime Shtjelluese Mateu 21

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 21

nga J. C. Ryle

Mateu 21:1-11

Këto vargje përmbajnë një pjesë shumë të veçantë në jetën e Zotit tonë Jezu Krisht. Ato përshkruajnë hyrjen e Tij publike në Jerusalem kur Ai erdhi për herë të fundit para se të kryqëzohej. Ka diçka shumë të veçantë në këtë incident në historinë e Zotit tonë. Tregimi lexohet si rrëfimi i një ngadhënjimtari mbretëror që kthehet në qytetin e tij. “Një turmë shumë e madhe” e shoqëronte në një lloj procesioni triumfues. Klithma të mëdha dhe shprehje të lavdërimit dëgjohen përreth Tij. “I gjithë qyteti ishte trazuar.” E gjithë kjo ndodhi është shumë e ndryshme me gjithë tonin e shkuar të jetës së Zotit tonë. Kjo është vërtet shumë e ndryshme nga udhët e Atij që nuk “klithi dhe as nuk e ngriti zërin nëpër rrugë” – i Cili u tërhoq larg turmës në rastet e tjera – dhe u tha atyre që shëroi, “sigurohu që të mos i tregosh askujt.” (Marku 1:44). E megjithatë e gjithë kjo ndodhi e ka një shpjegim. Arsyet e kësaj hyrjeje publike nuk janë të vështira të gjenden. Le të shohim se cilat ishin ato.

E vërteta e qartë është që Zoti ynë e dinte shumë mirë që kohës së shërbesës së Tij tokësore po i vinte fundi. Ai e dinte që po afronte ora kur Ai duhej të përfundonte veprën e pushtetshme për të cilën erdhi ta kryente, domethënë të vdiste në kryq për mëkatet tona. Ai e dinte që udhëtimi i Tij i fundit ishte plotësuar dhe që tani nuk mbetej asgjë për të bërë në shërbesën e Tij tokësore përveçse të ofrohej si flijim në kodrën e Kalvarit. Duke e ditur të gjithën këtë Ai nuk vazhdoi të vepronte në fshehtësi sikurse kishte bërë në të shkuarën. Duke e ditur të gjithën këtë Ai mendoi që ishte mirë të hynte në vendin ku do të dorëzohej në vdekje me një solemnitet dhe publicitet të veçantë. Nuk ishte e përshtatshme që Qengji i Perëndisë të vinte dhe të therrej në kodrën e Kalvarit në mënyrë private dhe të heshtur. Përpara se të ofrohej flijimi i madh për mëkatet e botës ishte e drejtë që çdo sy të fokusohej tek viktima. Ishte me vend që veprimi kurorëzues i jetës së Zotit tonë të bëhej me sa më tepër famë që të ishte e mundur. Prandaj Ai bëri këtë hyrje publike. Kjo ishte arsyeja pse ai tërhoqi pranë vetes sytë e turmave të mahnitura. Kjo ishte arsyeja pse gjithë Jerusalemi u trazua. Gjaku shlyes i Qengjit të Perëndisë do të derdhej së shpejti. Kjo vepër nuk do të “bëhej në një cep.” (Veprat 26:26).

Është mirë t’i kujtojmë këto gjëra. Kuptimi i vërtetë i sjelljes së Zotit tonë në këtë periudhë të historisë së tij nuk konsiderohet mjaftueshëm nga shumë lexues të kësaj pjese. Nga ne kërkohet që të konsiderojmë mësimet praktike që këto vargje duket se na në në dukje.

Së pari, le të vëmë re nga këto vargje një shembull të njohurisë së përsosur të Zotit tonë Jezu Krisht. Ai i dërgon dy dishepujt e Tij në një fshat. Ai iu thotë që atje do të gjejnë gomarin mbi të cilin duhej të hipte Jezusi. Ai u siguron një përgjigje për pyetjen që do t’u bënin pronarët e gomarit. Ai ju thotë atyre që do t’ua japin gomarin se do ta kthejnë sërish. Dhe gjithçka ndodh saktësisht sikurse Ai e kishte parathënë.

Nuk ka asgjë të fshehur nga sytë e Zotit. Për Të nuk ka asnjë sekret. Vetëm apo në shoqëri, natën apo ditën, në privatësi apo në publik, Ai i njeh të gjitha udhët tona. Ai i cili e pa Natanaelin poshtë fikut nuk ka ndryshuar. Kudo që të shkojmë, sado që të tërhiqemi nga bota, nuk jemi kurrë të fshehur nga sytë e Krishtit.

Ky është një mendim i cili duhet të ushtrojë një efekt kufizues dhe shenjtërues mbi shpirtin tonë. Ne të gjithë e njohim ndikimin që ka prania e sundimtarëve të kësaj bote mbi qytetarët e tyre. Vetë natyra na mëson që t’i vëmë fre gjuhës, qëndrimit dhe sjelljes tonë kur gjendemi përpara syve të mbretit. Ndjesia e njohurisë së përsosur të Zotit tonë Jezu Krisht për të gjitha udhëto tona duhet të ketë të njëjtin efekt mbi zemrat tona. Le të mos bëjmë asgjë të cilën nuk do të donim që Krishti ta shihte dhe le të mos themi asgjë të cilën nuk do të donim që Krishti ta dëgjonte. Le të përpiqemi të jetojmë, të lëvizim dhe të kemi qenien tonë nën kujtesën e vazhdueshme të pranisë së Krishtit. Le të sillemi sikurse do të bënim po të kishim qenë duke ecur përkrah Tij, bashkë me Jakobin dhe Gjonin buzë liqenit të Galilesë. Kjo është mënyra për t’u trajnuar për qiellin. Në qiell, “do të jemi përgjithmonë me Zotin.” (1 Thesalonikasve 4:17).

Së dyti, le të vëmë re në këto vargje një shembull të mënyrës në të cilën u përmbushën profecitë e thëna për ardhjen e parë të Zotit tonë. Na thuhet që hyrja e Tij publike përmbushi fjalët e Zakarias, “Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare.”

Duket që ky parashikim u përmbush në mënyrë të saktë dhe të drejtpërdrejtë. Fjalët që foli profeti përmes Frymës së Shenjtë nuk morrën ndonjë përmbushje figurative. Ashtu sikurse tha, ashtu ndodhi. Ashtu sikurse e parashikoi, ashtu u bë. Kishin kaluar pesëqind e pesëdhjetë vite që nga koha kur ishte bërë parashikimi dhe pastaj arriti koha e caktuar, Mesia i premtuar prej shumë kohës me të vërtetë hyri në Sion i hipur mbi një gomar. Nuk ka dyshim që pjesa më e madhe e banorëve të Jerusalemit nuk dalluan ndonjë gjë në këtë rrethanë. Mbi zemrat e tyre gjendej një vel. Por ne nuk jemi lënë në dyshim në lidhje me përmbushjen e profecisë. Ne na thuhet qartë, “e gjithë kjo ndodhi që të përmbushej.”

Nga përmbushja e fjalës së Perëndisë në kohët e shkuara me siguri duhet të mësojmë diçka për sa i përket përmbushjes së saj në kohën e ardhshme. Ne kemi të drejtë të presim që profecitë në lidhje me adhjen e dytë të Krishtit të përmbushen në mënyrë të drejtpërdrejtë sikurse ato që kishin të bënin me ardhjen e Tij të parë. Ai erdhi në këtë tokë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe personale herën e parë. Ai do të vijë në këtë tokë për herë të dytë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe personale. Një herë Ai erdhi në përulësi për të vuajtur me të vërtetë. Ai do të vijë sërish në lavdi për të mbretëruar me të vërtetë. Çdo parashikim në lidhje me gjërat që do të shoqëronin ardhjen e Tij të parë u përmush në mënyrë të drejtpërdrejtë. E njëjta gjë ka për të ndodhur edhe kur Ai të kthehet. Gjithë sa është parathënë për ripërtëritjen e Judenjve – gjykimet e të paudhëve – mosbesimin e botës, mbledhjen e të zgjedhurve – do të plotësohet me hollësi. Le të mos e harrojmë këtë gjë. Në studimin e profecive të papërmbushura parimi i qëndrueshëm i interpretimit ka një rëndësi parësore.

Më së fundi, le të vëmë re në këto vargje një shembull të jashtëzakonshëm të kotësisë së favorit të njeriut. Nga të gjitha turmat që e rrethuan Zotin tonë kur Ai hyri në Jerusalem asnjë nuk qëndroi pranë Tij kur Ai u dorëzua në duart e njerëzve të ligj. Shumë klithën “Hosana!” që pas katër ditësh klithën “largoje, të kryqëzohet!”

Por kjo është një tablo besnike e natyrës njerëzore. Kjo është provë e marrëzisë totale e të menduarit më tepër për lavdërimin e njeriut sesa për lavdërimin e Perëndisë. Asgjë nuk është aq e dobët dhe e pasigurt sa popullariteti. Ai është këtu sot dhe zhduket nesër. Ky është një themel rranor dhe është e sigurt që ka për t’i lënë në baltë ata që ndërtojnë mbi të. Le të mos shqetësohemi për të. Le të kërkojmë favorin e Atij që është “i njëjti dje, sot dhe përjetë.” (Hebrenjve 13:8). Krishti nuk ndryshon kurrë. Ata të cilët Ai i do, i do deri në fund. Favori i Tij zgjat përjetë.

Mateu 21:12-22

Në këto vargje kemi tregimin e dy ndodhive të jashtëzakonshme në historinë e Zotit tonë. Në të dyja ndodhitë kishte diçka shumë figurative dhe tipike. Secila ishte një emblemë e gjërave frymërore. Poshtë sipërfaqes së secilës gjenden mësime me udhëzime serioze.

Ndodhia e parë që kërkon vëmendjen tonë është vizita e Zotit tonë në tempull. Ai e gjeti shtëpinë e Atit të Tij në një gjendje që në mënyrë shumë të vërtetë portretizonte gjendjen e përgjithshme të gjithë bashkësisë Judease – gjithçka ishte rrëmujë dhe nuk po funksiononte si duhej. Ai i gjeti oborret e asaj ndërtese të shenjtë të përdhosura në mënyrë të shëmtuar me punërat e botës. Tregtia, blerja dhe shitja po ndodhnin brenda murreve të saj. Atje kishte tregtarë që ishin gati t’i furnizonin Judenjtë që vinin nga vende të largëta me çfarëdo kafshe flijimi që të dëshironin. Atje ishin ulur shkëmbyesit e parave të gatshëm për të shkëmbyer paranë e huaj me monedhën e tempullit. Dema, dele, dhi dhe pëllumba ishin ekpozuar për shitje sikur ky vend të ishte pazar. Atje mund të dëgjoje tringëllimën e parasë sikur këto oborre të shenjta të kishin qenë bankë apo zyrë shkëmbimi.

Këto ishin skenat me të cilat u përballën sytë e Zotit tonë. Ai e pa të gjithën këtë me një indinjatë të shenjtë. Ai i “përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave.” Nuk hasi asnjë rezistencë serpse njerëzit e dinin që Ai kishte të drejtë. Nuk kishte asnjë kundërshtim, sepse të gjithë e dinin që Ai thjesht po sillte reformimi mes një abuzimi të paparë i cili ishte lejuar pa asnjë bazë për hir të fitimit. Është e sigurt që veshët e atyre që po largoheshin nga temulli e dëgjuan tingullin e fjalëve të Tij, “Është shkruar: “Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje”, por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh!”

Le të shohim në veprimet e Zotit tonë në këtë rast një tablo të qartë të asaj që Ai do të bëjë kur të vijë sërish për herë të dytë. Ai do ta pastrojë kishën e Tij të dukshme sikurse pastroi edhe tempullin. Ai do ta pastrojë nga çdo gjë që e ndot dhe që kryen paudhësi, Ai ka për ta dëbuar çdo rrëfyes sipas botës nga tufa e Tij. Ai nuk do të lejojë asnjë adhurues të parasë, dëshirues të fitimit, që të ketë një vend në atë tempull të lavdishëm të cilin Ai më në fund do ta prezantojë përpara botës. U përpjekshim të gjithë ne që të jetojmë në pritjen e përditshme të asaj ardhjeje! E gjykofshim veten tonë në mënyrë që të mos dënohemi bashkë me botën dhe të mos hidhemi jashtë në atë ditë zhbirimi dhe sitjeje! Duhet t’i studiojmë shpesh ato fjalë të Malakias – “Po kush do të mund të durojë ditën e ardhjes së tij? Kush do të mund të qëndrojë më këmbë ditën kur ai do të shfaqet? Ai është si zjarri i shkrirësit, si soda e larësve.” (Malakia 3:2).

Ndodhia e dytë që kërkon vëmendjen tonë në këto vargje është mallkimi që Zoti ynë i bëri pemës së fikut. Na thuhet që duke qenë se e kishte marrë uria Ai shkoi tek pema e fikut që ishte buzë rrugës dhe “nuk gjeti asgjë përveçse gjetheve.” Ky është një incident që nuk ka paralel në gjithë shërbesën e Zotit tonë. Ky është pothuaj i vetmi rast në të cilin shohim që Ai e bëri një prej krijesave të Tij të vuante, në mënyrë që të jepte mësim një të vërtetë frymërore. Tek ajo pemë fiku e tharë gjendet një mësim që të heton zemrën. Ajo pemë jep një predikim të cilin bëjmë mirë ta dëgjojmë.

Pema e fikut, plot me gjethe, por shterpër dhe pa frut, ishte një emblemë e goditur për bashkësinë Judease, kur Zoti ynë ishte këtu mbi tokë. Bashkësia Judease kishte gjithçka për të prezantuar një shfaqje të jashtme. Ajo kishte tempullin, priftërinë, flijimet e përditshme, festat vjetore, Shkrimet e Dhiatës së Vjetër, ritualet e Levitëve, flijimin e mëngjesit dhe të mbrëmjes. Por poshtë këtyre gjetheve të perëndishme bashkësia Judease ishte krejtësisht pa asnjë frut. Ajo nuk kishte hir, nuk kishte besim, as dashuri, as përulësi, as përshpirtshmëri, nuk kishte shenjtëri të vërtetë, dhe as gatishmëri për ta pranuar Mesian e vet. (Gjoni 1:11). Prandaj, sikurse pema e fikut, bashkësia Judease do të thahej së shpejti. Asaj do t’i hiqeshin të gjitha zbukurimet e saj të jashtme dhe anëtarët e saj do të shpërndaheshin mbi gjithë faqen e dheut. Jerusalemi do të shkatërrohej. Tempulli do të digjej. Flijimet e përditshe do të hiqeshin. Pema do të thahej krejtësisht. Kështu ndodhi. Asnjëherë tjetër nuk pati një tip i cili të realizohej në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë. Në çdo Jude që endet nëpër botë shohim një degë të pemës që u tha.

Por mund të mos ndalojmë këtu. Mund të gjejmë edhe më shumë udhëzime në ndodhinë që po konsiderojmë. Këto gjëra u shkruan si për hirin tonë, ashtu dhe për Judenjtë.

A nuk gjendet çdo degë e pafrytshme e kishës së dukshme të Krishtit para të njëjtit rrezik të tmerrshëm për t’u bërë një pemë fiku e tharrë? Nuk ka dyshim që po. Rrëfimet e larta kishtare, pa shenjtëri mes njerëzve, një besim mbitheksuar tek këshillët, peshkopët, liturgjitë dhe ceremonitë ndërsa neglizhohet pendimi dhe besimi, këto gjëra kanë rrënuar shumë kisha të dukshme në të shkuarën dhe mund të rrënojnë edhe shumë të tjera. Ku janë tani kishat e famshme të Efesit, Sardës dhe Kartagjenës së Hipos? Ato të gjitha kanë humbur. Ato kishin gjethe por jo frute. Mallkimi i Zotit tonë erdhi mbi to. Ato u bënë pemë të thara fiku. Dekreti u shpall, “Të priten.” (Danieli 4:23). Le ta mbajmë mend këtë gjë. Le të kemi kujdes nga krenaria e kishës. Le të mos mbahemi me të madh por të kemi frikë. (Romakëve 2:20).

Së fundi, a nuk është para një rreziku të frikshëm për t’u bërë një pemë e tharë fiku çdo rrëfues i pafrytshëm i Krishterimit? Nuk ka asnjë dyshim. Për aq kohë sa dikush kënaqet me gjethet e fesë – me emrin se jeton ndërsa është i vdekur, me një formë të perëndishmërisë por pa fuqi – për aq kohë shpirti i atij njeriu është në rrezik të madh. Për aq kohë sa ai është i kënaqur me të shkuarit në kishë apo bashkësi, me marrjen e darkës së Zotit, me faktinqë e quan veten i krishterë, ndërkohë që zemra e tij nuk ka ndryshuar, dhe mëkatet e tij nuk janë braktisur – gjatë gjithë kësaj kohe ai person është e provokuar çdo ditë Perëndinë që ta presë pa asnjë zgjidhje. Fruti – fruti i Frymës është e vetmja provë e sigurt që jemi bashkuar me Krishtin në mënyrë shpëtuese dhe jemi duke ecur në udhën drejt qiellit. U ngulittë kjo gjë thellë në zemrat tona dhe mos e harrofshim kurrë!

Mateu 21:23-32

Këto vargje përmbajnë një bisedë mes Zotit tonë Jezu Krisht dhe krye priftërinjve dhe pleqve të popullit. Ata armiq të betuar të drejtësisë e dalluan ndjesinë që kishin prodhuar hyrja publike në Jerusalem dhe pastrimi i tempullit. Ata menjëherë u mblodhën përreth Zotit tonë si bletët dhe u përpoqën të gjenin një rast për ta akuzuar.

Së pari, le të vëzhgojmë sa të gatshëm janë armiqtë e të vërtetës për të vënë në dyshim autoritetin e të gjithë atyre që bëjnë më tepër të mira se ata. Krye priftërinjtë nuk mund të thonë qoftë edhe një fjalë kundër mësimit të Zotit tonë. Ata nuk sjellin asnjë akuzë kundër jetës apo sjelljes së Tij dhe ndjekësve të Tij. Pika ku kapen ata është misioni i Tij, “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?”

E njëjta akuzë është ngritur shpesh kundër shërbëtorëve të Perëndisë ku ata janë përpjekur të pengojnë përhapjen e korruptimit kishtar. Kjo është arma e vjetër përmes të cilës bijtë e kësaj bote e kanë përdorur shpesh për të penguar përhapjen e rizgjimeve dhe reformimeve. Kjo është arma që u përdor shpesh kundër Reformatorëve, Puritanëve dhe Metodistëve të shekullit të kaluar. Është shigjeta e helmuar e cila shpesh iu ngulet misionarëve të qytetit dhe shërbëtorëve në kohën e sotme. Ka shumë njerëz që nuk interesohen fare për bekimin e dukshëm të Perëndisë mbi punën e njëriut për aq kohë sa ai nuk është dërguar nga grupi apo rrethi i tyre. Nuk ka fare rëndësi për ta që disa punëtorë të përulur në të korrat e Perëndisë mund të tregojnë konvertimet e shumta të shpirtrave përmes punës së tyre. Ata ende këlthasin, “Me çfarë autoritet i bën këto gjëra?”

Suksesi i Tij nuk vlen fare për ta, ata kërkojnë të ditën kush ia ka dhënë autoritetin. Shërimet e tij nuk vlejnë asgjë, ata kërkojnë të shohin diplomën e Tij. Le të mos habitemi apo të lëkundemi kur të dëgjojmë për gjëra të tilla. Kjo është akuza e vjetër që u ngrit kundër Vetë Krishtit. “Nuk ka asnjë gjë të re nën diell.” (Predikuesi 1:9).

Së dyti, le të vëzhgojmë urtësinë e madhe me të cilën Zoti ynë iu përgjigj pyetjes që i bënë. Armiqtë e Tij e kishin pyetur për autoritetin e Tij në gjërat që po bënte. Nuk ka dyshim që ata kishin për qëllim që ta shfrytëzonin përgjigjen e tij si mundësi tjetër për ta akuzuar. Ai e dalloi synimin e pyetjes së tyre dhe u tha, “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra. Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?”

Duhet të kuptojmë në mënyrë të qartë që në këtë përgjigje të Zotit tonë nuk kishte asnjë dredhi. Të mendosh kështu është gabim i madh. Pyetja që Ai iu bëri ishte në realitet përgjigje për pyetje e armiqve të Tij. Ai e dinte që ata nuk do të guxonin të mohonin që Gjon Pagëzori ishte një burrë i dërguar nga Perëndia. Ai e dinte që sapo ta pranonin këtë gjë Ai thjesht mund t’u kujtonte dëshminë që Gjoni kishte dhënë për të. A nuk kishte deklaruar Gjoni që Ai ishte “Qengji i Perëndisë që heq mëkatin e botës?” A nuk e kishte shpallur ai Krishtin si të Pushtetshmin që do të “pagëzonte me Frymën e Shenjtë?” Me pak fjalë, pyetja e Zotit tonë ishte një ndihmë për ndërgjegjen e armiqve të Tij. Nëse ata do të pranonin autoritetin hyjnor të misionit të Gjon Pagëzorit, do të duhej që gjithashtu të pranonin edhe autoritetin hyjnor të misionit të Tij. Nëse e pranonin që Gjoni u dërgua nga qielli duhej të pranonin që Jezusi Vetë ishte Krishti.

Le të lutemi që në këtë botë të vështirë të mund të na jepet i njëjti lloj urtësie që u shpalos këtu nga Zoti ynë. Nuk ka dyshim që duhet të veprojmë sipas nxitjes së Pjetrit, “jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur në mbrojtjen tuaj kujtdo që ju kërkon shpjegime për shpresën që është në ju, por me butësi e me druajtje.” (1 Pjetri 3:15). Ne duhet t’u largohemi pyetjeve në lidhje me parimet e besimit tonë të shenjtë dhe duhet të jemi gati në çdo kohë të mbrojmë dhe shpjegojmë sjelljen tonë. Por pavarësisht gjithë kësaj nuk duhet të harrojmë kurrë që “urtësia është e dobishme për të na drejtuar,” dhe se duhet të përpiqemi të flasim me urtësi në mbrojtje të kauzës tonë të mirë. Fjalët e Solomonit meritojnë të konsiderohen, “Mos iu përgjegj budallait sipas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.” (Fjalët e Urta 26:4).

Së fundi, le të vëzhgojmë në këto vargje çfarë inkurajimi të madh që Zoti ynë u ofron atyre që pendohen. Këtë gjë e shohim që theksohet në mënyrë të goditur në shëmbëlltyrën e dy bijve. Që të dy duhej të shkonin të punonin në vreshtin e babait të tyre. Njëri, sikurse tagrambledhësit e shthurur, për një farë kohe refuzoi hapur të bindej, por më pas u pendua dhe shkoi. Tjetri, sikurse Farisenjtë formalë u hoq sikur ishte i gatshëm të shkonte, por në realitet nuk shkoi. Zoti ynë thotë, “Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?” Edhe armiqtë e Tij ishin të detyruar të thoshin “i pari.”

Qoftë ky një parim i qartë në Krishterimin tonë që Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht është pafundësisht i gatshëm t’i pranojë mëkatarët e penduar. Nuk ka rëndësi se çfarë ka qënë dikush në të shkuarën. A po pendohet dhe po vjen tek Krishti? Atëherë, gjërat e vjetra kalojnë tutje dhe të gjitha gjërat janë bërë të reja. Nuk ka rëndësi sa i lartë dhe me vetësiguri është rrëfimi i fesë së dikujt. A po heq vërtet dorë nga maketet e tij? Nëse jo, rrëfimi i tij është i neveritshëm në sytë e Perëndisë, dhe ai vetë është ende nën mallkim. Le të inkurajohemi vetë edhe nëse kemi qenë mëkatarë të mëdhenj deri tani. Vetëm le të pendohemi dhe të besojmë në Krishtin dhe ka shpresë. Le të inkurajojmë të tjerët që të pendohen. Le ta mbajmë derën plotësisht të hapur edhe për kreun e mëkatarëve. Ajo fjalë nuk ka për të rënë kurrë poshtë. “Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.” (1 Gjoni 1:9).

Mateu 21:33-46

Shëmbëlltyra që gjendet në këto vargje u dha duke ju referuar specifikisht Judenjve. Ata janë vreshtarët që përshkruhen në të. Mëkatet e tyra paraqiten para nesh në këtë tablo. Për këtë gjë nuk ka pikë dyshimi. Është shkruar që “Ai po fliste për ta.”

Por nuk duhet t’i bëjmë qejfin vetes që kjo shëmbëlltyrë nuk përmban asgjë për Johebrenjtë. Ka mësime që janë parashtruar për ne ashtu sikurse për Judenjtë. Le të shohim se cilat janë këto mësime.

Së pari, ne shohim se çfarë privilegjesh të veçanta i pëlqen Perëndisë të vendosë mbi disa kombe. Ai e zgjodhi Izraelin të ishte një popull i veçantë për Të. Ai i veçoi ata nga kombet e tjera të dheut dhe hodhi mbi ta bekime të panumërta. Ai u dha atyre zbulesa të Vetes së Tij ndërsa gjithë pjesa tjetër e botës ishte në errësirë. Ai u dha ligjin, besëlidhjet dhe orakujt e Perëndisë, ndërsa gjithë kombet e tjera i la mënjanë. Me pak fjalë, Perëndia i trajtoi Judenjtë ashtu sikurse një njeri trajton një copë tokë të cilën e rrethon dhe e kultivon, ndërsa gjithë fushat e tjera përreth i lë të papunuara dhe të shkreta. Vreshti i Zotit ishte shtëpia e Izraelit. (Isaia 5:7).

Po ne a kemi privilegje? Nuk ka dyshim që kemi shumë të tilla. Kemi Biblën dhe lirinë për ta lexuar atë. Kemi Ungjillin dhe leje për t’jua shpallur të gjithëve që ta dëgjojnë. Kemi mëshira të bollshme frymërore, për të cilat pesëqind milionë njerëz të tjerë nuk e kanë fare idenë. Sa mirënjohës duhet të jemi! Njeriu më i vargër në Angli mund të thotë çdo mëngjes, “Ka pesëqind milionë shpirtra të pavdekshëm në gjendje më të keqe se unë. Kush jam unë që të jem ndryshe? Shpirti im, beko Zotin.”

Gjëja tjetër që shohim është se sa keq i përdorin ndonjëherë kombet privilegjet e tyre. Kur Zoti i veçoi Judenjtë nga popujt e tjerë, Ai kishte të drejtë të priste që ata t’i shërbenin Atij dhe t’u bindeshin ligjeve të Tij. Kur dikush është lodhur duke punuar në vresht ka të drejtë të presë frut prej tij. Por Izraeli nuk ia shpërbleu Perëndisë për gjithë mëshirat e Tij. Ata u përzienë me paganët dhe mësuan udhët e tyre. Ata e ngurtësuan veten në mëkat dhe mosbesim. Ata u larguan dhe shkuan drejt idhujve. Ata nuk i respektuan porositë e Perëndisë. Ata e përbuzën tempullin e Perëndisë. Ata refuzuan t’i dëgjonin profetët e Tij. Ata abuzuan me ata që Perëndia u dërgoi për t’i thirrur në pendim. Më së fundi ligësia e tyre arriti kulmin kur e vranë Vetë Birin e Perëndisë, Krishtin Zotin e tyre.

Çfarë po bëjmë ne me privilegjet tona? Kjo është me të vërtetë një pyetje serioze e cila duhet të na bëjë të mendohemi. Me të drejtë mund të shqetësohemi nëse po jetojmë si komb sipas dritës që na është dhënë dhe nëse po ecim në mënyrë të denjë në përputhje me gjithë mëshirat që na janë treguar. A nuk duhet të rrëfejmë me turp që miliona njerëz në kombin tonë duken që janë krejt pa Perëndi në këtë botë? A nuk duhet ta pranojmë që në shumë qyteza dhe fshatra Krishti duket se nuk ka asnjë dishepull dhe Bibla nuk duket sepo po besohet? Është e kotë të mbyllim sytë ndaj këtyre fakteve. Fruti që Zoti ynë po merr nga vreshti i Tij, Britania e Madhe për të ardhur keq është shumë i vogël i krahasuar me atë që duhet të jetë. Me të drejtë mund të dyshojmë nëse edhe ne nuk jemi po aq provokues ndaj Tij sa dhe Judenjtë.

Së treti shohim se çfarë gjykimi të frikshëm që Perëndia ushtron ndonjëherë me kombet dhe kishat që i keqpërdorin privilegjet e tyre. Erdhi një moment kur durimit të Perëndisë ndaj Judenjve i erdhi fundi. Dyzetë vjet pas vdekjes së Zotit tonë kupa e paudhësive të tyre u mbush plot dhe ata morrën një ndreqje të ashpër për mëkatet e tyre të shumta. Qyteti i tyre i shenjtë Jerusalemi u shkatërrua. Tempulli i tyre u dogj. Ata vetë u shpërndanë mbi faqen e dheut. “Mbretëria e Perëndisë u hoq prej tyre dhe iu dha një kombi që do të japë frut.”

A do të na ndodhë e njëjta gjë edhe ne? A do të bjerë ndonjëherë gjykimi i Perëndisë mbi kombin e Anglisë, për shkak të pabesisë së tij pavarësisht gjithë këtyre mëshirave? Kush mund ta dijë? Edhe ne mund të thërrasim bashkë me profetin, “Zot Perëndi, vetëm Ti e di.” Ne dimë vetëm që gjykimet kanë ardhur mbi shumë kisha dhe kombe këto 1800 vite të vundit. Mbretëria e Perëndisë është hequr nga kishat Afrikane. Fuqia Muhamedane i ka mundur shumicën e kishave të Lindjes. Për këtë arsye u ka hije të gjithë besimtarëve që të ndërmjetësojnë shumë për llogari të vendit tonë. Asnjë gjë nuk e ofendon Perëndinë aq shumë sa neglizhimi i privilegjeve. Ne na është dhënë shumë prandaj do të na kërkohet shumë.

Së fundi ne shohim pushtetin e ndërgjegjes edhe tek njerëzit e ligj. Krye priftërinjtë dhe pleqtë më në fund zbuluan që shëmbëlltyra e Zotit tonë u dha në mënyrë të veçantë për ta. Ideja e fjalëve të Tij përmbyllëse ishte tepër e fortë për t’u shpëtuar. “Ata e dinin Ai po fliste për ta.”

Ka shumë dëgjues të Ungjillit në çdo bashkësi të cilët janë saktësisht në gjendjen e këtyre njerëzve të mjerë. Ata e dinë që ajo që po dëgjojnë të Diele pas të Diele është e gjitha e vërtetë. Ata e dinë që vetë e kanë gabim dhe që çdo predikim i dënon. Por ata nuk e kanë vullnetin dhe as guximin për ta ndryshuar këtë gjë. Ata janë tepër krenarë dhe shumë të kapur pas botës për të rrëfyer gabimet e tyre të shkuara, për të marrë kryqin dhe për të ndjekur Krishtin. Le të jemi të gjithë të vetëdijshëm për këtë gjendje të frikshme të mendjes. Dita e fundit do të vërtetojë që në ndërgjegjet e dëgjuesve ndodhën më shumë gjëra nga sa dalluan predikuesit. Mijëra dhe dhjetëra mijëra sikurse krye priftërinjtë do të bëhet e qartë që ishin bindur nga ndërgjegjja e tyre e megjithatë vdiqën pa u konvertuar.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*