7 Tregues të një Zemre të Drejtë Para Perëndisë

1) Zemra e drejtë është një zemër e RE (Eksodi 36:26).

Nuk është zemra me të cilën personi lind – por një zemër tjetër që është vendosur në ta prej Frymës së Shenjtë. Kjo është një zemër që ka shije të reja, gëzime të reja, trishtime të reja, dëshira të reja, shpresa të reja, frikëra të reja, pëlqime të reja, mospëlqime të reja. Ka pikëpamje të reja për shpirtin, mëkatin, Perëndinë, Krishtin, shpëtimin, Biblën, lutjen, qiellin, ferrin, botën dhe shenjtërinë. Ajo është si një kopësht me një kopshtar të ri dhe të mirë. “Gjërat e vjetra shkuan. Ja të gjitha gjërat e bunë të reja” (2 Korintasve 5:17).

2) Zemra e re është e THYER dhe e PENDUAR. (Psalmi 51:7).

Ajo është e thyer prej krenarisë, mburrjes për veten dhe vetëdrejtësisë. Mendimet e saj të shkuara të larta për veten janë plasaritur, shkërrmoqur dhe shpërndarë si atome. E sheh veten si fajtore, të padenjë dhe të prishur. Kokëfortësia, ngurtësia edhe pandjeshmëria e saj e shkuar është shkrirë, është zhdukur, ka shkuar tej. Nuk mendon më mendime që e ofendonë Perëndinë. Ajo është e butë, e ndjeshme dhe druhet me xhelozi që të mos hyjë në mëkat (2 Mbretërve 22:19). Kjo zemër është e përulur në vetvete,

3) Zemra e drejtë është zemra që BESON vetëm në Krishtin për shpëtim, dhe në të cilën Perëndia banon përmes besimit (Rom 10:10, Efes 3:17).

Ajo e mban gjithë shpresën e saj për falje dhe jetë të përjetshme në shlyerjen e Krishtit, në ndërmjetësimin e Krishtit, dhe në ndërhyrjen e Krishtit. Ajo është pastruar prej ndërgjegjes së ligë me anë të gjakut të Krishtit. (Hebrenjve 10:22). Ajo kthehet nga Krishti ashtu si gjilpëra e busullës kthehet nga Veriu. Sheh drejt Krishtit për paqen, mëshirën dhe hirin e përditshëm, ashtu si lulja e diellit kthehet nga dielli. Ajo ushqehet në Krishtin për nevojat e çdo dite, ashtu si Izraeli u ushqye me mana në shkretëtirë. Kjo zemër sheh tek Krishti një aftësi të veçantë për të plotësuar gjithë nevojat dhe kërkesat e saj. Mbështetet tek Ai, varet prej Tij, ngjitet pas Tij si mjeku, ruajtësi, bashkëshorti dhe miku i saj.

4) Zemra e drejtë është një zemër e PASTRUAR (Veprat 15:9, Mateu 5:8).

Ajo e do shenjtërinë dhe urren mëkatin. Përpiqet çdo ditë që ta pastrojë veten nga fëlliqësitë e mishit dhe të frymës. (2 Korintasve 7:1). E urren të ligën dhe kapet fort pas të mirës. Kënaqet me ligjin e Perëndisë; ky ligj është zgdhendur në të që të mos e harrojë (Psalmi 119:11). Kjo zemër dëshiron ta respektojë ligjin në mënyrë më të përsosur, kënaqet me ata që e duan ligjin. Do Perëndinë dhe njerëzit. Dëshirat e saj janë për gjërat që janë lart. Nuk ndihet kurrë më e lehtë dhe e lumtur se sa kur është më e shenjtë; ajo e pret qiellin me gëzim si vendi ku më në fund do të arrihet shenjtëria e përsosur.

5) Zemra e drejtë është një zemër që LUTET.

Ajo ka brenda saj “Frymën e birërise me anë të të cilës ne thërrasim Aba o At” (Romakëve 8:15). Qëndrimi i saj i përditshëm është “O Zot, unë kërkoj fytyrën tënde” (Psalmi 27:8). Ajo ka një prirje të zakonshme që të flasë me Perëndinë për gjëra frymërore – ndoshta në mënyrë të dobët dhe jo të përsosur – por gjithsesi i duhet të flasë. E sheh të nevojshme që t’i hapet Perëndisë ashtu si para një miku, dhe të sjellë para Tij gjithë nevojat dhe dëshirat. I tregon Atij gjithë sekretet e saj. Nuk u fsheh asnjë gjë. Përpjekja për ta bindur një person me zemër të drejtë që të mos lutet, do të ishte sikur të përpiqeni ta bindni një person të jetojë pa marrë frymë.

6) Zemra e drejtë është ajo që ndjen KONFLIKT brenda saj (Galatasve5:17).

Ajo zbulon brenda vetes dy parime të kundërta që luftojnë për zotërim – mishi ka dëshirat kundër frymës dhe fryma ka dëshira kundër mishit. E njeh nga përjetimi i vet atë që Pali thotë, “Por shoh një ligj në gjymtyrët e mia që lufton kundër ligjit të mëndjes time” (Romakëve 7:23). Zemra e gabuar nuk e ka idenë për këtë përleshje. Njeriu i fortë dhe i armatosur e mban zemrën e gabuar si fortesën e tij, kështu gjërat janë të sigurta (Luka 11:21). Por ku Mbreti i duhur zotëron zemrën, nis një përleshje që nuk përfundon deri në vdekje. Zemra e drejtë mund të njihet prej betejës së saj, po aq sa edhe prej paqes së saj.

7) Zemra e drejtë është e NDERSHME, e PADYZUAR dhe e VËRTETË (Luka 8:15, 1 Kron 12:33, Heb 10:22).

Në këtë zemër nuk ka falsitet, hipokrizi apo shtirje. Nuk është e ndarë apo e dyzuar. Është me të vërtetë çfarë rrëfen se është, ndjen atë që rrëfen se ndjen, dhe beson atë që rrëfen se beson. Besimi i saj mund të jetë i dobët. Bindja e saj mund të mos jetë fare e përsosur. Por një gjë ka për ta dalluar gjithmonë zemrën e drejtë. Feja e saj ka për të qenë e vërtetë, reale, e plotë dhe e sinqertë.

Përmbledhje:

Një zemër e tillë siç e kam përshkruar ka qenë gjithmonë zotërimi i gjithë të Krishterëve të vërtetë nga çdo komb, popull dhe gjuhë. Ata ndryshonin nga njëri-tjetri në shumë gjëra – por që të gjithë kanë patur një zemër të drejtë. Disa prej tyre janë rrëzuar për një farë kohe, si Davidi dhe Pjetri, por zemra e tyre nuk është larguar kurrë prej Zotit. Shpesh kanë treguar se kanë qenë burra dhe gra të mbushur me dobësi por zemrat e tyre kanë qenë të drejta para Perëndisë. Ata e kanë kuptuar njëri-tjetrin mbi tokë. Kanë zbuluar që përjetimi i tyre ka qenë i njëjtë. Do ta kuptojnë njëri-tjetrin edhe më mirë në botën që po vjen. Të gjithë ata që kanë patur zemra të drejta mbi tokë do të zbulojnë se kanë një zemër kur të hyjnë në qiell.

J.C. Ryle

Old Paths, “The Heart”, [Carlisle, PA: Banner of Truth, 1999], 348-351.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*