Pse vdiq Jezusi dhe u ringjall sërish?

03 Tetor, 1999 | prej Xhon Pajpër

Romakëve 4:22-25

Prandaj edhe kjo iu llogarit atij për drejtësi. Dhe nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte llogaritur, por edhe për ne, të cilëve do të na llogaritet, neve që besojmë në atë që ka ringjallur prej së vdekurish Jezusin, Zotin tonë, i cili u dorëzua për shkeljet tona dhe u ringjall për drejtësimin tonë.

Tri pyetje për javën e ardhëshme

Si fillim kisha për qëllim të jepja vetëm një predikim për këto katër vargje të shkurtra, 22-25. Por ndërsa po meditoja rreth tyre, në mënyrë të veçantë në lidhje me të Dielën e darkës së Zotit dhe si arritja e një kulmi në fund të këtij kapitulli. Mendova se duhet të kalojmë dy të Diela me këtë tekst madhështor. Ja ku janë pyetjet që dua të shtroj, një sot dhe tre të Dielën tjetër.

  1. Pse besimi ju llogarit Abrahamit si drejtësi? Cili është kuptimi i fjalës “prandaj” në fillim të vargut 22, “Prandaj edhe kjo iu llogarit atij për drejtësi.”
  2. Çfarë lloj besimi iu llogarit Abrahamit si drejtësi? A ishte veprimi i parë i besimit kur Perëndia i foli për herë të parë dhe i tha të largohej nga Uri i Kaldeasve, apo besimi i Zanafillës 15:6 kur Perëndia i premtoi t’i bënte pasardhësit e tij si yjet, apo besimi i Zanafillës 17 kur Perëndia i premtoi se pas një viti do kishte një bir pavarësisht moshës së tij dhe shterpësisë së Sarës, apo besimi i Zanafillës 22 kur Abrahami ofroi birin e tij Isakun? A drejtësohemi ne që në momentin e parë të besimit apo përmes një stili jete besimi?
  3. Si i numërohet besimi Abrahamit dhe ne? Mos vallë numërimi i besimit si drejtësi do të thotë që vetë besimi është ajo lloj drejtësie që e kryejmë ne dhe Perëndia e numëron këtë si mjaft të mirë për të merituar drejtësimin – sikur drejtësimi të kushtonte pesë milionë dollarë dhe unë kam mundësi të siguroj një milionë, prandaj Perëndia thotë me mëshirë se do ta numërojë një milionshin tim si pesë milionë dhe anulon pjesën tjetër? Apo mos vallë drejtësimi në të vërtetë është që më është dhënë vetë drejtësisa e Perëndisë në Krishtin, nëse është kështu, çfarë do të thotë që besimi numërohet si drejtësi?

Për të gjitha këto do të flasim javën e ardhëshme.

Kë apo çfarë duhet të besojmë në mënyrë që të drejtësohemi?

Ajo tek e cila dua të fokusohemi këtë javë është kjo, Kë apo çfarë duhet të besojmë në mënyrë që të drejtësohemi? Prandaj këtë gjë do nisim ta shohim në mes të vargut 24. Vargjet 23-24 thonë se arsyeja pse tek Zanafilla 15:6 u shkrua se besimi i Abrahamit iu numërua si drejtësi ishte për hirin tonë, jo vetëm për të. “Dhe nuk u shkrua vetëm për të, që kjo i ishte llogaritur, por edhe për ne.” Kjo të mos ju shpëtojë. Këtu kemi apostullin e Jezu Krishtit që po na thotë se Perëndia na kishte në mendje ne kur e frymëzoi Moisiun të shkruante fjalët “kjo iu llogarit atij për drejtësi.” Perëndia dëshiron që ta marrësh këtë gjë shumë personalisht. Ai dëshiron që ti ta lexosh, ta dëgjosh këtë dhe të dish që po të flet shumë personalisht.

Perëndia po të thotë tani: “Besimi do të vërë në pozitë të drejtë para meje. Më beso. Unë do ta llogarit besimin tënd si drejtësi.” A e dëgjoni atë? “Më beso. Pusho në mua. Mbështetu në mua. Më prit mua. Gjithçka do jetë mirë. Unë kam një drejtësi për ty. Ti nuk ke asnjë për mua. Unë kam drejtësinë time për ty. Më beso. Ajo do të llogaritet si drejtësia jote.”

Pastaj në mes të vargut 24 ai nis të na thotë kush është ai të cilit duhet t’i besojmë, “atë që ka ringjallur prej të vdekurve Jezusin, Zotin tonë, i cili u dorëzua për shkeljet tona dhe u ringjall për drejtësimin tonë.” Ky është ai në të cilin kemi besim për t’u drejtësuar. Pali e identifikon Perëndinë në të cilin besojmë përmes asaj që ai ka bërë. Prandaj kur ai thotë, “Besimi llogaritet [prej Perëndisë] si drejtësi,” dhe thotë që kjo u shkrua për ne që kemi besim dhe pastaj na tregon çfarë ka bërë Perëndia, ne duhet të besojmë bazat dhe përmbajtjen e besimit tonë.

Le ta përmbledhim këtë në tri deklarata rreth Perëndisë.

  1. Perëndia që besojmë ushtron fuqi të paimagjinueshme.
  2. Perëndia që besojmë kryen shpengimin e mëshirshëm.
  3. Perëndia që besojmë kryen drejtësinë triumfuese.

I gjithë ky kapitull ka folur për mjetet e drejtësimit, jo për bazën e drejtësimit me anë të besimit. Por tani në fjalinë e fundit të këtij kapitulli, Pali i kthehet bazave (atje ku ishte tek Romakëve 3:24-26) të drejtësimit me anë të besimit. Baza e drejtësimit është ajo që Perëndia bëri në veprën e Krishtit në histori. Mjeti i drejtësimit është mënyra si lidhemi me atë vepër të madhe përmes besimit. Që të dyja janë jashtëzakonisht të rëndësishme, por baza është më e rëndësishmja nga të gjitha.

Xhon Mëri që tani është me Zotin, por dikur jepte mësim në Seminarin Uestminster, shkroi një libër të vogël shumë të mirë që e titulloi Shpengimi: I Arritur dhe Zbatuar. E lexova afërsisht 25 vjet më parë. Do të doja që secili prej jush ta lexonte. Kjo ka për ta forcuar besimin tuaj. Ato dy fjalë, “arritur dhe zbatuar” i referohen bazës dhe mjetit për të cilat po flas këtu.

Shpengimi i arritur – kjo është baza e asaj që Perëndia bëri në Krishtin, kjo është arritur veçmazi dhe jashtë nesh.

Shpengimi i zbatuar – kjo është ajo që Perëndia bën për të na lidhur ne me veprën madhështore të kryer të shpengimit, diçka që ai na e bën ne dhe në ne.

Pali e mbyll këtë kapitull me një deklaratë të fortë rreth shpengimit të arritur – bazës, themelit për gjithë pjesën tjetër të kapitullit, gjë e cila ka trajtuar zbatimin e shpengimit përmes besimit. Ai tek i cili besojmë është ai që e realizoi shpengimin për ne para se ne madje të ekzistonim. Ai është Ai tek i cili besojmë, Atij i zëmë besë, tek Ai vendosim besimin tonë.

Ja pra se çfarë do të trajtojmë thjesht dhe shkurt. Ai është dikush që ushtron fuqi të paimagjinueshme, kryen shpengim të mëshirshëm dhe drejtësi triumfuese. Le t’i shohim këto një e nga një në tekst dhe t’i shijojmë me mendjen dhe zemrën tonë.

1. Ne i besojmë Atij që ushtron fuqi të paimagjinueshme

Vargu 24b thotë që ne “ besojmë në atë që ka ringjallur prej së vdekurish Jezusin, Zotin tonë.” Ideja pse ringjallja e Jezusit vendoset e para është që kjo lidhet me fuqinë që u kërkua për lindjen e Isakut në vargun 17. Shihni sërish ato fjalë në vargun 17, “është ati i të gjithë neve para Perëndisë që ai besoi, i cili i jep jetë të vdekurve dhe thërret gjërat që nuk janë sikur të ishin.” Abrahami besoi tek ai që u jep jetë të vdekurve dhe sjell në ekzistencë atë që nuk ekziston. Për Abrahamin fokusi i drejtpërdrejtë ishte tek premtimi i Perëndisë për të lindur Isakun kur Abrahami ishte 100 vjeç dhe gruaja e tij ishte shterpë. Kjo ishte e pamundur. Por kjo është ajo që e bëri besimin e Abrahamit shumë të veçantë. Vargu 19, “Dhe, duke mos qenë aspak i dobët në besim, nuk i kushtoi kujdes trupit të tij, i bërë tashmë si i vdekur (ishte pothuaj njëqind vjeç) as barkut të vdekur të Sarës.”

Prandaj tani, Pali thotë, ne sot i besojmë të njëjtit Perëndie dhe besimi që Ai llogarit për drejtësi është besimi në një Perëndi që ringjall të vdekurit, domethënë Zotin tonë Jezu Krisht. Tek Ky besojmë, Ai që e ringjalli Zotin tonë Jezu Krisht prej së vdekuri.

Këtë unë e quaj fuqi të “paimagjinueshme” jo sepse mund të mos jeni në gjendje ta imagjinoni, por sepse po arrijmë në fundin e një shekulli të karakterizuar prej natyralizmit – një pikëpamje, apo besim që nuk ka asnjë realitet që nuk është pjesë e natyrës – besimi që nuk ka asnjë realitet të mbinatyrshëm. Ata thonë kjo është e paimagjinueshme. Evolucioni natyralistik është forma më mbizotëruese e besimit – përpjekjes për të shpjeguar origjinën e të gjitha gjërave pa besuar në një Krijues të mbinatyrshëm jashtë natyrës. Gjithashtu në këtë shekull ka patur edhe një mënyrë natyraliste mbizotëruese për studimin e historisë. Në studimet Biblike ky besim është shkatërrimtar. Një prej deklaratave më të famshme të këtij besimi u bë prej Rudolf Bultman i cili tha, “Një fakt historik që përfshin një ringjallje prej së vdekurish është plotësisht i paimagjinueshëm” (Cituar në Carl F. H. Henry, God, Revelation, And Authority, Vol. IV [Wheaton: Crossway Books, 1999, orig. 1979], p. 333). Nga kjo e kam marrë fjalën “e paimagjinueshme.”

Besimi që Perëndia na llogarit ne si drejtësi është besimi tek ai që ushtron fuqi të paimagjinueshme. Ai bën tamam atë që Bultman tha se është “e paimagjinueshme” – ai ringjall të vdekurit. Ai bën atë që njerëzit thotë se nuk mund të bëhet. Ai nxori Isakun prej barkut të vdekur të një gruaje 90 vjeçare. Ai nxori Jezu Krishtin nga varri pas tri ditësh dhe e bëri Zot të universit. Kështu Perëndia mund të plotësojë çdo premtim. Prandaj ne i besojmë Atij.

2. Ne i besojmë Atij që kryen shpengimin e mëshirshëm

Vini re pjesën e parë të vargut 25, “ i cili u dorëzua për shkeljet tona.” Gjëja kryesore që duhet parë këtu është që vdekja e atij që Perëndia ringjalli është një vdekje e planifikuar. Nuk ishte thjesht që Perëndia dëshironte të demonstronte fuqinë e tij të paimagjinueshme dhe kështu gjeti një person të vrarë për ta ringjallur prej së vdekuri. Vetë Perëndia e planifikoi këtë vdekje me një qëllim.

Këtë mund ta shihni në dy fraza kyçe në vargun 25a, “(1) i cili u dorëzua (2) për shkeljet tona.” Jezusi u dorëzua, prej kujt? Prej ushtarëve? Prej Pilatit? Prej Herodit? Prej turmës së Judenjve? Përfundimisht jo prej ndonjërit prej tyre për shkak se thuhet që ai u dorëzua “për shkeljet tona.” Ushtarët, Pilati, Herodi dhe Judenjtë nuk e dorëzuan Jezusin “për shkeljet tona.

Veprat 2:23 jep një përgjigje të qartë dhe të drejtpërdrejtë, “ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve.” Perëndia e dorëzoi atë në vdekje. Romakëve 8:3 thotë, “Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish.” Romakëve 8:32 thotë, “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne…” Prandaj vdekja e Jezu Krishtit ishte sipas planit të Perëndisë. Perëndia e planifikoi vdekjen e tij. Nuk ishte që ai thjesht vdiq. Ai u dorëzua në vdekje prej Perëndisë.

Plani kishte një qëllim (vargu 25a), “për shkeljet tona.” Plani i Perëndisë ishte të merrej me shkeljet tona. Ai donte të bënte diçka për shkeljet tona. Çfarë? Ai dëshironte të siguronte një vdekje zëvendësuese në mënyrë që ne të mos na duhej të vdisnim për shkeljet tona. E vetmja vdekje që mund ta bënte këtë ishte vdekja e Birit të tij. Prandaj Romakëve 8:3 thotë, “Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish.” Prandaj shkeljet tona nuk futen poshtë rrogozit. Nuk anashkalohen. Ato dënohen. Ato shkaktojnë një ekzekutim. Por jo ekzekutimin tonë. Atë të Krishtit.

Në këtë mënyrë ne shpengohemi prej vdekjes së Krishtit. Kjo do të thotë që ne jemi shpëtuar nga mëkatet tona. Kemi shpëtuar prej ndëshkimit të ferrit. Jemi shpenguar prej gjykimit të Perëndisë. Por ky është një shpengim i mëshirshëm. Ky është Perëndia tek i cili besojmë në mënyrë që të drejtësohemi, Perëndia që kryen një shpengim të mëshirshëm. Ai planifikoi të na shpëtonte nga shkeljet tona përmes vdekjes së Birit të Tij.

3. Përfundimisht ne besojmë tek Ai që kreu një drejtësi triumfuese

Ne i besojmë Atij që ushtron fuqi të paimagjinueshme, që kryen shpengim të mëshirshëm dhe tani një drejtësi triumfuese. Çfarë dua të them me këtë dhe nga e gjej? Këtë e gjej në pjesën e fundit të vargut 25. Cili është Perëndia të cilit i besojmë? Ai është Perëndia që e ringjalli Jezusin “për drejtësimin tonë.” Këtë e kuptoj kështu, që kur Jezusi vdiq për shkeljet tona, u bë një pagim i plotë dhe i mjaftueshëm për faljen dhe drejtësimin tonë. Prandaj, do ishte e padrejtë që Krishti të lihej në varr, përderisa kishte paguar kaq plotësisht për mëkatin tonë. Prandaj Perëndia e ringjalli prej së vdekuri për të lartësuar përsosmërinë e bindjes dhe shlyerjes së Krishtit. Ringjallja e Jezusit ishte deklarata që ajo që ai arriti në vdekjen e tij ishte përsosmërisht e suksesshme, domethënë blerja e shfajësimit tonë. Ndoshta mund ta themi kështu, Kur Krishti vdiq dhe derdhi gjakun e tij për shkeljet tona ai bëri shlyerjen për mëkatet që e vranë atë. Përderisa tani ato mëkate janë shlyer dhe paguar, nuk ka arsye që Krishti të ngelet i vdekur. Vdekja e tij ishte vetëm për të paguar për mëkatet tona. Kur u bë shpagimi i përsosur për ne nuk kishte më asnjë përligjje për vdekjen e tij. Do ishte e padrejtë të ngelej në varr. Ai nuk mund të qëndronte në varr, “nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë” (Veprat 2:24).

Prandaj Perëndia tek i cili besojmë është Ai që kryen një drejtësi triumfuese. Ringjallja e Jezusit është triumfuese për shkak se mposht vdekjen. Është drejtësi triumfuese për shkak se drejtësia kërkonte që Jezusi të ringjallej prej së vdekuri. Ai kishte paguar për mëkatet në mënyrë të përsosur, domethënë mëkatet që e çuan në vdekje. Nëse mëkatet që e çuan në vdekje – mëkatet tona – u shlyen dhe u paguan në mënyrë të përsosur në kryq, atëherë e vetmja arsye për vdekjen e Krishtin ishte në të shkuarën. Drejtësimi ynë u sigurua plotësisht (nuk ishte vënë ende në efekt përmes besimit, por u sigurua dhe u pagua). Prandaj do ishte e padrejtë që Krishti të ngelej i vdekur. Ky do ishte një dënim pa shkak. Prandaj, ishte e drejtë dhe në rregull që Perëndia ta ringjallte Krishtin prej së vdekuri. Kjo ishte drejtësi triumfuese. (Shih Hebrenjve 13:20.)

Kujt duhet t’i besojmë për t’u drejtësuar

Prandaj po e mbyll me pyetjen që shtrova në fillim, Kujt apo çfarë duhet të besojmë në mënyrë që të drejtësohemi – të jemi të drejtë para Perëndisë? Përgjigja është që ne duhet të besojmë në Perëndinë që,

  1. ushtroi fuqi të paimagjinueshme kur e ringjalli Birin e Tij prej së vdekuri,
  2. kreu një shpengim të mëshirshëm kur planifikoi vdekjen e Birit të tij për të na shpëtuar nga shkeljet tona,
  3. kreu një drejtësi triumfuese duke e ringjallur Jezusin prej së vdekuri për të treguar se baza e drejtësimit tonë u realizua në mënyrë të përsosur në vdekjen e Birit të Tij.

Prandaj besojini atij sot. Hapeni zemrën tuaj dhe pranoni lavdinë e këtij shpëtimi, fuqi e paimagjinu- eshme, shpengim i mëshirshëm, drejtësi triumfuese. Besojeni këtë dhe Perëndia do ta llogaritë besimin tuaj për drejtësi. Do të jeni të sigurt me të. Do të keni një drejtësi jo nga vetja dhe një shkëmb të palëkundshëm dhe të përjetshëm mbi të cilin mund të qëndroni.

Seria: Romakëve: Letra më madhështore e shkruar ndonjëherë

Tema: Ungjilli

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*