Si mund ta përlëvdojmë Perëndinë?
Pyetja 6
Ne e përlëvdojmë Perëndinë duke u kënaqur në Të, duke e dashur, duke i besuar dhe duke iu bindur vullnetit, urdhërimeve dhe ligjit të Tij.
Duaje, pra, Zotin, Perëndinë tënd, dhe respekto gjithnjë rregullat e tij, statutet e tij, dekretet e tij dhe urdhërimet e tij.
Ligji i Përtërirë 11:1
Komentim
E gjithë jeta e një të krishteri nuk duhet të jetë gjë tjetër veçse lëvdim dhe falenderim ndaj Perëndisë. Ne nuk duhet të hamë, të pimë apo të flemë veçse të hamë për Perëndinë, të flemë për Perëndinë, të punojmë për Perëndinë dhe të flasim për Perëndinë; të gjitha këto t’i bëjmë për lavdinë dhe lëvdimin e Tij… Ashtu si e marrim gjithçka prej Perëndisë, në të njëjtën mënyrë duhet ta vendosim gjithçka para këmbëve të tij dhe të themi, “Nuk do të jetoj një jetë mëkati që nuk përputhet me favorin e Perëndisë tim”… Ne e përlëvdojmë Perëndinë kur e lartësojmë në shpirtin tonë përmbi gjithë krijesat e botës, kur i japim vendin më të lartë në dashurinë dhe gëzimin tonë, kur të gjitha ndjenjat tona janë fokusuar tek Ai si mirësia më e madhe. Kjo duket gjithashtu edhe atëherë kur nuk e ulim Perëndinë para asnjë krijese, kur ndjenjat tona thonë, “Cilin kam në qiell veç teje?”
Perëndia është Perëndia ynë përmes beslidhjes, pasi ai na ka dhënë veten e tij. Çdo besimtar i krishterë ka pjesën e vet dhe kështu Perëndia është pjesa dhe trashëgimia e tij. Ka më tepër ngushëllim në faktin që Perëndia është Perëndia ynë nga sa mund ta konceptojë zemra e njeriut. Kjo është më e madhe se zemra e tij, prandaj edhe pse nuk mund të themi që kemi pasuri, nderime apo miq, por nëse jemi në gjëndje të themi përmes Frymës së besimit që Perëndia është trashëgimia jonë atëherë kemi gjithçka në Të. Urtësia e tij është jona për të gjetur mënyrën për të na bërë mirë… nëse jemi nën fajin e mëkatit mëshira e tij është jona për të na falur; nëse na mungon diçka gjithëmjaftueshmëria e tij është e jona për të na furnizuar apo për të na bërë të mirë. Nëse Perëndia është yni atëherë gjithçka që Perëndia mund të bëjë është jona, dhe gjithçka që Perëndia ka është e jona… Perëndia dëshiron që ta bëjmë lavdinë e tij synimin tonë në mënyrë që ai të na japë veten e tij.
Richard Sibbes (1577–1635). Teolog Puritan Anglez që në fillim të shekullit të 17-të njihej në Londër si “Doktori Qiellor Sibes.” Ai predikoi në Greis In në Londër dhe në Selinë ‘Master of Kathrin’ në Kembrixh. Vepra e tij më e famshme ishte Kallami i Thyer dhe Kandili që bën tym.
From “Divine Meditations” in The Complete Works of Richard Sibbes, Volume VII (Edinburgh: James Nichol, 1864), 185–186, 216, 221.
Lutje
O Perëndi, bëj që të jemi pjesë e atij numri të bekuar. Nëse mund ta quajmë Perëndinë, Perëndia ynë, do të përpiqemi përmes Frymës së Shenjtë të jemi si Perëndia. Do ta kemi shëmbëlltyrën e tij hyjnore të vulosur në shpirtin tonë dhe do përpiqemi të jemi ndjekës të atij Perëndie që është Ati ynë… Nëse hamë apo pimë, nëse bëjmë ndonjë gjë tjetër do t’i bëjmë të gjitha për lavdinë e Perëndisë… Ju që e quani atë Perëndinë tuaj, ju ndihmoftë Ai vetë tani e tutje që ta përlëvdoni Atë gjithnjë e më tepër; dhe nëse Perëndia është Perëndia juaj… nëse dashuria e Perëndisë gufon në zemrat tuaja, atëherë do të jeni të gatshëm në çdo rast për të bërë gjithçka për ta lartësuar nderin dhe lavdinë e Tij… O Perëndi ji Ti Perëndia i tyre! Bëj që Ti o Perëndi të jesh lavdia e tyre. Ashtu qoftë Zot Jezus! Amen.
George Whitefield (1714 –1770). Predikues Anglikan. Ai e kaloi Oqeanin Atlantik 13 herë dhe për 34 vjet predikoi nëpër Angli dhe Amerikë (duke qënë pjesë e atij që njihet si Rizgjimi i Madh). Zëri i Uitfildit mund të dëgjohej nga largësi të mëdha dhe një herë tregohet që u dëgjua nga 30,000 njerëz teksa predikonte në natyrë të hapur. Uitfildi predikoi më shumë se 18,000 predikime gjatë jetës së tij por sot kemi më pak se 90 prej tyre.
From “Sermon LXXIII: God a Believer’s Glory” in Sermons on Important Subjects by the Rev. George Whitfield (London: Fisher, Son & Jackson, 1832), 764–768.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.