Kënaqu me të gjitha premtimet e Perëndisë!

24 Dhjetor

prej John Piper

Kënaqu me të gjitha premtimet e Perëndisë!

“Por ti, o Betlehem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë”. Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellur; atëherë kusuri i vëllezërve të saj do t’u kthehet bijve të Izraelit. Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës.

Mikea 5:2–4

Krishti është “po-ja” e gjithë premtimeve të Perëndisë, prandaj nëse i besoni atij, ato të gjitha kanë për të qenë trashëgimia juaj. Mikea tashmë e ka bërë të qartë që Krishti do t’i sigurojë për ne premtimet e Perëndisë. Si na e tregoi Mikea këtë gjë?

Çdo person Jude në atë kohë, kur e dëgjonte Mikean të parathoshte ardhjen e një sundimtari nga Betlehemi i cili do të ushqente tufën e tij në fuqinë e Zotit, menjëherë do të mendonte për dy njerëz: për Mbretin David dhe për Birin e Davidit që do të vinte, Mesia. Në këtë tekst ka të paktën tri lidhje me Davidin:

1. Davidi ishte nga Betlehemi – prandaj dhe u quajt “qyteti i Davidit.”

2. Davidi ishte sundimtar në Izrael – ai ishte sundimtari më i madh, një burrë sipas zemrës së Perëndisë.

3. Davidi ishte bari kur ishte djalë i ri dhe më vonë u thirr që të ishte bariu i Izraelit (Psalmi 78:71)

Ideja e këtyre tri lidhjeve me Davidin është kjo: Mikea është duke ritheksuar sigurinë e premtimit të Perëndisë dhënë Davidit. Mbani mend që tek 2 Samueli 7:12-16 Perëndia i tha Davidit, “unë do të ngre mbas teje pasardhësit e tu që do të dalin nga barku yt dhe do të vendos mbretërinë tënde. Ai do të ndërtojë një shtëpi në emrin tim dhe unë do ta bëj të qëndrueshëm për gjithnjë fronin e mbretërisë së tij… Shtëpia jote dhe mbretëria jote do të bëhen të qëndrueshme për gjithnjë para meje, dhe froni yt do të jetë i qëndrueshëm për gjithnjë.”

Gjëja e mahnitshme rreth Mikeas është që ai e ritheksoi sigurinë e këtij premtimi jo në një kohë kur Izraeli ishte duke u rritur në fuqi por në një kohë kur Izraeli po shkonte drejt shfarosjes. Mbretëria e veriut ishte shkatërruar, dhe mbretëria e jugut do të bjerë nën gjykimin e Perëndisë. Premtimet e Perëndisë dukeshin të pamundura.

Ideja e Mikeas është kjo: ardhja e Krishtit ishte konfirmimi i premtimeve të Perëndisë. Ja sesi e tha Pali tek Romakëve 15:8, “Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve.” Apo siç thotë tek 2 Korintasve 1:20, “Sepse të gjitha premtimet e Perëndisë janë në atë ‘po’ dhe në atë ‘amen’”.

Nëse jeni “në të” përmes besimit, do të trashëgoni të gjitha premtimet e Perëndisë. Profecia e Mikeas u vërtetua në Jezusin. Kështu të gjitha premtimet u konfirmuan. Perëndia ka thënë të vërtetën. Krishtlindja është konfirmimi i madh i Perëndisë për të gjitha premtimet e tij. Nëse Krishti ka ardhur Perëndia është i vërtetë. Nëse Perëndia është i vërtetë, që të gjitha premtimet do të realizohen për të gjithë ata që besojnë. Pranoje këtë dhuratë të pashpjegueshme.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*