Perëndia merr lavdinë – Ju merrni paqen!

Lindi një Shpëtimtar!

Perëndia merr lavdinë – Ju merrni paqen

prej John Piper

Disa nga fjalët më të njohura dhe më të gëzueshme për Krishtlindjen janë këto:

“Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd.” Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij! (Luka 2:11-14)

Le të ngazëllojmë së bashku për mrekullitë e këtij teksti. Duke shkuar drejt lavdisë dhe paqes në vargun 14 ka shumë mrekulli që mund t’i shohim.

“Sepse sot… lindi për ju një Shpëtimtar…” Kjo gjë ndodhi një ditë. Në një ditë në histori. Nuk ishte një ditë në një histori imagjinare apo mitologjike, por një ditë kur Cezar Augusti ishte perandori i Romës “dhe Kuirini ishte qeveritari i Sirisë” (v.2).

Kjo ishte një ditë e planifikuar qysh nga përjetësia para krijimit të botës. Në të vërtetë i gjithë universi – me vite të panumërta dritë hapësirë dhe me miliarda galaksi – u krijua dhe u bë e lavdishme për këtë ditë dhe për kuptimin e saj për historinë njerëzore.

Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken:frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të. (Kolosianëve 1:16)

Për të! Për shfaqjen e tij. Për këtë ditë të shfaqjes së tij. “Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit” (Galatasve 4:4). Kjo ndodhi në një ditë. Në ditën e përsosur. Kur u mbush koha. Koha e përsosur e caktuar prej Perëndisë para themelimit të botës.

“Sepse sot…lindi për ju një Shpëtimtar!”

“…në qytetin e Davidit…” Kjo gjë ndodhi në një qytet. Jo në botën e Narnias. Jo në Tokën e Mesdheut. Jo në një galaksi diku shumë larg. Kjo gjë ndodhi në një qytet në Izrael. Ky qytet ekziston edhe sot. Mamaja ime vdiq në një aksident me autobus afër këtij qyteti. Ky është një qytet real.

Emri i qytetit është Betlehem (Luka 2:4, “Luka 2:4, “Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem.”) Betlehemi gjendet 10 kilometra larg Jerusalemit. Betlehemi, ishte qyteti ku jetonte Jeseu, babai i Davidit, mbretit të madh të Izraelit. Betlehemi është qyteti për të cilin profetizoi Mikea,

Por ti, o Betlem Efratah,megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës,
nga ti do të dalë për mua
ai që do të jetë sundues në Izrael,
origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta,
nga ditët e përjetësisë”. (Mikea 5:2)

Kjo gjë ndodhi në një qytet. Në një qytet real, ashtu si qyteti ku jetoni ju.

Shpëtimtari, Mesia, Zoti

“… një Shpëtimtar…” “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar.” Një Shpëtimtar. Nëse keni mëkatuar ndonjëherë kundër Perëndisë, keni nevojë për një Shpëtimtar. Engjëlli i tha Jozefit, “Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre.” (Mateu 1:21). Vetëm Perëndia mund të falë mëkatet kundër Perëndisë. Kjo është arsyeja pse Perëndia dërgoi Birin e përjetshëm të Perëndisë në botë, për shkak se ai është Perëndi. Kjo është arsyeja pse Jezusi tha, “Biri i njeriut ka kushtet për të falur mëkatet.” Prandaj lindi një Shpëtimtar.

…që është Krishti…” “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti.” Krisht vjen nga fjala Greqishte Christos, që do të thotë “i vajosuri,” dhe ky është kuptimi i fjalës “Mesia” (Gjoni 1:41, 4:25). Ky është i shumëprituri, ai për të cilin ishte profetizuar, ai që ishte i vajosur mbi gjithë të tjerët (Psalmi 45:7). Ky është mbreti përfundimtar i vajosur. Ky është profeti përfundimtar i vajosur. Ky është prifti përfundimtar i vajosur. Në Të të gjitha premtimet e Perëndisë janë po! (2 Korintasve 1:20). Ai do t’i përmbushë të gjitha shpresat dhe ëndrrat e Izraelit të perëndishëm. Por ai është jashtëzakonisht më shumë se kaq. Për shkak se Ai gjithashtu është…

…Zoti.” “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Sundimtari, sovrani, Perëndia i fuqishëm, Ati i përjetshëm. Zoti i universit.

Sepse na ka lindur një fëmijë,
një djalë na është dhënë.
Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria
dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm,
Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.
Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij
dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij,
për ta vendosur pa u tundur dhe për ta përforcuar
me anë të mençurisë dhe të drejtësisë, tani dhe përjetë.
Këtë ka për të bërë zelli i Zotit të ushtrive. (Isaia 9:6-7)

Krishtlindja e përmbledhur

Zoti i qeverisjes sovrane dhe të pafundme.

Zoti i zotërve.

Një ditë – në historinë reale.
• Në një qytet – në një botë reale.
• Shpëtimtari – për të larguar gjithë fajin tonë.
• Krishti – për të përmbushur gjithë shpresat tona.
• Zoti – për të mundur gjithë armiqtë tanë, për të na mbajtur të sigurt dhe për të na kënaqur përjetë.

Prandaj ngazëllohem bashkë me ju këtë Krishtlindje që kemi një Shpëtimtar të madh, Jezusin, Krishtin, Zotin, i cili lindi në një ditë të caktuar në një qytet për të na shpëtuar ne prej mëkateve tona – prej mëkateve tona të shumta.

Dy qëllime të mëdha për këtë Lajm të Madh

Pasi engjëlli ua shpalli këtë lajm barinjve (Luka 2:11) dhe iu tregoi kasollen e kafshëve ku gjendej foshnja, papritur një ushtri engjëjsh u shfaq në qiell. Me sa duket një engjëll mund ta sjellë lajmin, por nuk mjafton vetëm një engjëll për të reaguar ndaj këtij lajmi. Kuptimi i këtij lajmi – rezultati përfundimtar i këtij lajmi – kjo kërkon një ushtri engjëjsh.

Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore,
që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:
Lavdi Perëndisë në vendet më të larta,
dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët
qëndron mirëdashja e tij! (v. 13-14)

Lajmi i gëzueshëm që një ditë, në plotësinë e përsosur të kohës, në qytetin e profetizuar, lindi një Shpëtimtar, i cili ishte Krishti, Zoti – ky lajm ka dy rezultate të mëdha. Dy qëllime të mëdha. “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!”

Lavdia e Perëndisë dhe Paqja jonë

Ardhja e këtij fëmije do të ishte zbulesa më e madhe e lavdisë së Perëndisë edhe në qiejt më të lartë, ardhja e këtij fëmije do t’i sjellë paqe popullit të Perëndisë – i cili një ditë do ta mbushë tokën me drejtësi dhe paqe. “Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij.” (Isaia 9:7).

Së pari dhe më së shumti, Perëndia përlëvdohet për shkak se lindi ky fëmijë. Së dyti, paqja do të përhapet kudo që do të pranohet ky fëmijë. Këto janë qëllimet e mëdha për ardhjen e Jezusit: lavdia që vazhdimisht ngrihet nga njerëzit tek Perëndia. Paqja që zbret vazhdimisht nga Perëndia tek njerëzit. Mes njerëzve këndohet lavdia e Perëndisë për hir të emrit të tij. Paqja e Perëndisë jetohet mes njerëzve për hir të emrit të tij.

Zor se mund të gjejmë dot një mënyrë më të mirë për të përmbledhur atë që Perëndia kishte për synim kur krijoi botën, apo kur erdhi që ta fitonte botën në Jezu Krishtin – për lavdinë e tij, për paqen tonë. Madhështia e tij, gëzimi ynë. Bukuria e tij, kënaqësia jonë. Qëllimi i krijimit dhe shpengimit është që Perëndia është i lavdishëm dhe dëshiron që ta njohim dhe përlëvdojmë për lavdinë e tij përmes një njerëzimi të mbushur me paqe.

Përjetimi i paqes që sjell Ai

“Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!” Një përkthim tjetër e thotë kështu vargun 14b, “dhe mbi tokë paqe, dashamirësi për njerëzit.” Pothuaj të gjitha përkthimet moderne bien dakord që ky nuk është përkthim i saktë. Një përkthim thotë, “… dhe mbi tokë paqe njerëzve mbi të cilët qëndron favori i tij.” Një tjetër thotë, “…dhe mbi tokë paqe mes njerëzve me të cilët Ai është i kënaqur.” Kurse një tjetër, “…dhe mbi tokë paqe mes atyre me të cilët Ai është i kënaqur!”

Ideja është që edhe pse oferta e paqes së Perëndisë shkon tek të gjithë, vetëm populli i tij i zgjedhur – ata që e pranojnë Krishtin dhe besojnë tek Ai si Shpëtimtar, Mesia dhe Zot do të përjetojnë paqen që sjell Ai.

Kjo qartësohet paksa tek Luka 10:5-6, ku Jezusi u thotë dishepujve të tij, “Dhe në cilëndo shtëpi ku të hyni, më përpara thoni: “Paqe në këtë shtëpi”. Dhe nëse është aty një bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet tek ju.”

Paqja e Perëndisë në Krishtin i ofrohet gjithë botës. Por vetëm “bijtë e paqes” e marrin atë. Nga ta dish nëse je një “bir i paqes”? Si ta dish nëse je pjesë e premtimit të engjëjve, “Paqe mbi tokë mes atyre me të cilët ai është i kënaqur”? Përgjigja: ju e mirëprisni Paqebërësin; e pranoni Jezusin.

Ideja kryesore e paqes

Qëllimi i Perëndisë është që t’ju japë paqe duke qenë personi më i lavdishëm në jetën tuaj. Pesë herë në Dhiatën e re Ai quhet “Perëndia i paqes” (Romakëve 15:33, 16:20, Filipianëve 4:9, 1 Thesalonikasve 5:23, Hebrenjve 13:20). Jezusi tha, “Paqen time po jua jap” (Gjoni 14:27). Dhe Pali tha, “[Jezusi] vetë është paqja jonë” (Efesianëve 2:14).

Kuptimi i kësaj është që paqja e Perëndisë, apo paqja e Krishtit, nuk mund të ndahet kurrë prej vetë Krishtit dhe Perëndisë. Nëse dëshirojmë që paqja të mbretërojë në jetën tonë, aty duhet të mbretërojë vetë Perëndia. Krishti duhet të sundojë në jetën tonë. Qëllimi i Perëndisë nuk është që t’iu japë paqe veçmas vetes së tij. Qëllimi i tij është t’ju japë paqe duke qenë personi më i lavdishëm në jetën tuaj.

Çelësi i paqes është të mbajmë së bashku ato që engjëjt i mbajnë së bashku: lavdi Perëndisë dhe paqe njerëzve. Një zemër e dhënë drejt shfaqjes së lavdisë së Perëndisë ka për ta njohur paqen e Perëndisë.

Çfarë i mban të lidhura bashkë – Perëndinë që merr lavdi dhe ne që marrim paqe – është të besuarit e premtimeve të Perëndisë të cilat janë fituar prej Jezusit. Romakëve 15:13 është një prej teksteve themelore që tregon drejt këtij roli kritik të besimit: “Dhe Perëndia i shpresës le t’ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë!” Me anë të besimit. Me fjalë të tjera, mënyra sesi premtimet e Perëndisë bëhen reale për ne, mënyra sesi ato prodhojnë paqe në ne dhe përmes nesh është “me anë të besimit.” Kur i besojmë këto premtime. Kjo është e vërtetë nëse jemi duke folur për paqe me Perëndinë, paqe me veten apo paqe me të tjerët.

Tri marrëdhënie paqeje

Dëshira ime e madhe këtë Krishtlindje është që ju ta gëzoni këtë paqe. E dimë që ka aspekte globale për këtë paqe të cilat mbeten për të ardhmen kur “toka do të mbushet me njohurinë dhe lavdinë e Zotit ashtu si ujërat mbushin detin” (Habakuku 2:14). Kur ashtu si thotë dhe Isaia, “Nuk do të ketë të sosur rritja e perandorisë së tij dhe paqja mbi fronin e Davidit dhe në mbretërinë e tij” (Isaia 9:7).

Por Jezusi ka ardhur ta inaugurojë këtë paqe mes Perëndisë dhe njerëzve. Ka tri marrëdhënie në të cilat ai dëshiron që ta kërkoni dhe gëzoni këtë paqe. Paqe me Perëndinë. Paqe me shpirtin tuaj. Paqe me njerëzit e tjerë, për aq sa varet prej jush.

Me fjalën paqe dua të them jo vetëm mungesën e konfliktit dhe armiqësisë por gjithashtu praninë e qetësisë së gëzueshme, dhe potencialin maksimal të marrëdhënieve personale për të cilin jemi të aftë.

Prandaj le të shohim shohim secilën prej këtyre tri marrëdhënieve paqësore dhe të sigurohemi që po përjetoni aq shumë sa të jetë e mundur. Çelësi për secilën prej këtyre marrëdhënieve është që të mos ndajmë ato që engjëjt i mbajtën të bashkuara: lavdia e Perëndisë dhe paqja të cilën e dëshironi. “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve.”

Paqe me Perëndinë

Nevoja më bazë që kemi është për paqe me Perëndinë. Kjo është themelore për të gjitha dëshirat tona për paqe. Nëse nuk e trajtojmë këtë të parën, të gjitha përjetimet e paqes do të jenë sipërfaqësore dhe të përkohshme.

Pjesa kyçe për këtë është Romakëve 5:1, “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit [ky është veprimi kritik i besimit], kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.” “Shfajësuar” do të thotë që Perëndia ju shpall të drejtë para tij duke ju llogaritur juve drejtësinë e Jezusit.

Ai e bën këtë gjë vetëm përmes besimit, “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit” (Romakëve 5:1). Jo përmes veprave. Jo përmes traditave. Jo përmes pagëzimit. Jo përmes anëtarësisë në kishë. Jo përmes përshpirtshmërisë. Jo nga prindërit. Por vetëm përmes besimit. Kur ne besojmë në Jezusin si Shpëtimtar dhe Zot, si thesarin suprem të jetës tonë ne bashkohemi me të dhe drejtësia e tij llogaritet prej Perëndisë si drejtësia jonë. Ne shfajësohemi apo drejtësohemi përmes besimit.

Rezultati është paqja me Perëndinë. Zemërimi i Perëndisë kundër nesh për shkak të mëkatit tonë është hequr tej. Rebelimi ynë kundër tij është mposhtur. Perëndia na birëson në familjen e tij. Tani e tutje të gjitha gjërat që ai bën janë për të mirën tonë. Ai nuk ka për të qenë kurrë kundër nesh. Ai është Ati ynë dhe miku ynë. Ne kemi paqe. Nuk ka pse të kemi më frikë. Ky është themeli për të gjitha llojet e tjera të paqes.

Paqe me veten

Për shkak se kemi paqe me Perëndinë sepse jemi shfajësuar përmes besimit, mund të nisim të rritemi në përjetimin e paqes me veten – këtu përfshij çdo ndjenjë faji apo ankthi që priret të na paralizojë apo të na bëjë të ndihemi pa shpresë. Edhe këtu sërish çelësi është besimi i premtimeve të Perëndisë për lavdinë e Perëndisë.

Filipianëve 4:6-7 është një prej pjesëve më të çmuara që flet për këtë gjë, “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim. Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.”

Tabloja në këto vargje është që zemra dhe mendja jonë janë nën sulm. Faji, shqetësimet, kërcënimet, konfuzioni, pasiguritë – që të gjitha këto e kërcënojnë paqen tonë. Pali thotë që Perëndia dëshiron t’i “ruajë” zemrat dhe mendjet tona. Ai i ruan ato me paqen e tij. Ai i ruan ato në një mënyrë që është përtej asaj që mund të kuptojë njeriu – “që ia tejkalon çdo zgjuarsie.”

Mos e kufizoni paqen e Perëndisë me atë që mund të dallojë zgjuarsia juaj. Ai na jep një paqe të pashpjegueshme, një paqe që është përtej arsyes. Ai e bën këtë gjë kur ne ia çojmë atij ankthet tona në lutje dhe i besojmë që ai do t’i mbartë ato (1 Pjetri 5:7) dhe që ai do të na mbrojë.

Kur e bëjmë këtë gjë, kur shkojmë tek ai – dhe kujtojmë që tashmë kemi paqe me të! – dhe i besojmë atij si Ati ynë i dashuri dhe i plotfuqishëm qiellor i cili do të na ndihmojë, atëherë paqja e tij do të vijë tek ne, do të na mbështesë dhe do të na mbrojë prej efekteve paralizuese të frikës, ankthit dhe fajit. Pastaj do të jemi në gjendje të vazhdojmë, Perëndia ynë do të marrë lavdinë për atë që bëjmë për shkak se i kemi besuar atij. Bëjeni këtë gjë gjatë kësaj Krishtlindjeje. Jepjani ankthin tuaj Perëndisë. I tregoni atij për këto gjëra. Kërkojini t’ju ndihmojë. Kërkojini t’ju mbrojë. Kërkojini t’jua ripërtërijë paqen. Pastaj kërkojini që t’ju përdorë për të sjellë paqe.

Paqe me të tjerët

Marrëdhënia e tretë në të cilën Perëndia dëshiron që ta gëzojmë paqen e tij është në marrëdhëniet tona me të tjerët. Kjo është sfera në të cilën kemi më pak kontroll. Prandaj duhet ta themi me kujdes ashtu si bën edhe Pali tek Romakëve 12:18. Ai thotë, “Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.”

Për shumë prej jush, kur takoheni me familjen për Krishtlindje, ka për të pasur disa marrëdhënie të sikletshme dhe të dhimbshme. Një pjesë e dhimbjes është shumë e vjetër. Një pjesë e dhimbjes është e re. Në disa marrëdhënie e dini çfarë të bëni, s’ka rëndësi sa e vështirë është. Nëse disa marrëdhënie të tjerë jeni konfuzë dhe nuk e dini se çfarë kërkohet për të ecur në shtegun e paqes.

Në të dyja rastet çelësi është besimi i premtimeve të Perëndisë me një vetëdije zemre për mënyrën sesi Ai na ka falur përmes Krishtit. Mendoj që teksti që herë pas here e prezanton këtë gjë në mënyrën më të fuqishme për mua është Efesianëve 4:31-32, “Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. 32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri- tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.”

Vazhdimisht kultivoni një ndjesi mahnitjeje që pavarësisht gjithë mëkateve tuaja, Perëndia ju ka falur përmes Krishtit. Mrekullohuni që tani keni paqe me Perëndinë. Kjo ndjesi mrekullimi, që unë një mëkatar kam paqe me Perëndinë, ma zbut zemrën, më bën të mirë dhe falës. Këtë gjë përcilleni tek të tjerët shtatëdhjetë herë shtatë herë.

Njerëzit mund t’jua kthejnë të mirën me të keqe. Sigurisht që kështu ndodhi me Jezusin në kryq. Kjo gjë të lëndon dhe nëse nuk keni kujdes mund të pushtoheni prej hidhërimit. Mos e lejoni. Vazhdoni të mrekulloheni që të ligat tuaja janë falur dhe mos u fokusoni tek fakti që po ju bëjnë keq. Mahnituni që keni paqe me Perëndinë. Keni paqe në shpirtin tuaj. Faji juaj është larguar tej.

Vazhdoni t’i besoni Perëndisë. Ai e di çfarë është duke bërë. Ruajeni lavdinë e tij – jo marrëdhëniet tuaja, suksesin apo efektshmërinë tuaj në paqebërje – si gjënë më supreme në sëndyqin e thesarit të zemrës tuaj.

Atëherë do të jeni si engjëjt: lavdi Perëndisë në vendet shumë të larta është gjëja e parë. Paqe mes popullit të tij është gjëja e dytë.

“Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Kjo është arsyeja pse ai erdhi – një ditë, në një qytet, si Shpëtimtar, si Mesia dhe si Sovrani. Ai erdhi që Perëndia të marrë lavdinë dhe ju të përjetoni paqen. Vetë Perëndia i paqes ju dhëntë paqe dhe martë lavdinë.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*