Çfarë janë sakramentet apo urdhëresat?
Pyetja 43
Çfarë janë sakramentet apo urdhëresat?
Sakramentet apo urdhëresat e dhëna nga Perëndia dhe të themeluara prej Krishtit, pagëzimi dhe Darka e Zotit, janë vula dhe shenja të dukshme që ne jemi të lidhur së bashku si komunitet besimi përmes vdekjes dhe ringjalljes së Tij. Përmes përdorimit të tyre prej nesh Fryma e Shenjtë i shpall dhe i vulos në mënyrë edhe më të plotë premtimet e ungjillit për ne.
Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.
Romakëve 6:4
Pastaj mori bukën, falënderoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: ”Ky është trupi im, që është dhënë për ju; bëni këtë në përkujtimin tim”. Po kështu, pas darkës, mori kupën duke thënë: ”Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që është derdhur për ju.
Luka 22:19–20
Komentim
Ja se çfarë mendoj për pagëzimin dhe Darkën e Zotit: “Ato nuk mund të vlerësohen mjaft lart në përdorimin e tyre të caktuar dhe të duhur; por nëse abuzohen për qëllime për të cilat nuk ishin dhënë, nëse i shohim sikur ato vetë përmbajnë dhe përcjellin shpëtim tek njeriu, kështu ato përdhosen.” Prandaj, tani e tutje le të mësojmë sesi t’i përdorim ceremonitë e Perëndisë. Ne duhet të jemi mirënjohës për to; duhet t’i nderojmë; përmes tyre duhet të shohim drejt Perëndisë dhe përmes tyre të presim që Perëndia do të na shprehë hirin dhe paqen e tij. Sakramentet duhet të nderohen dhe jo të idhullizohen; ato duhet të përdoren si mjete dhe të mos mbështetemi tek ato si synime në vetvete. Askush nuk duhet ta imagjinojë veten për më të mirë thjesht për shkak se ka marrë pjesë në ndonjërën prej këtyre ceremonive.
Darka e Zotit ashtu si është themeluar prej Krishtit. Mbi këtë temë dëshiroj t’i mbështes këshillat e mëposhtme:
1. Fito pikëpamjet e duhura për këtë ceremoni – asnjë prej atyre që dëshiron t’i shërbejë dhe ta nderojë Perëndinë nuk duhet të heqë dorë prej kësaj ceremonie. Megjithatë, askush nuk duhet të mendojë që kryrja e kësaj detyre ka ndonjë përfitim në vetvete, si për ta lartësuar personin para Perëndisë… vetëm Krishti mund të na shpëtojë, prej tij forcohemi për çdo bindje të shenjtë.
2. Kërko të kuptosh të vërtetat e mëdha të shpallura në të – Në këtë ceremoni ju shihni Krishtin që dha veten për ju. Në bukën e thyer dhe në verën e derdhur ju soditni agonitë e tij deri në vdekje, madje ato agoni që kanë shlyer fajin tuaj dhe kanë fituar faljen për mëkatet tuaja. Ju mbushtë kjo pamje me gëzim dhe mirënjohje të shenjtë; iu inkurajoftë që t’i afroheni Perëndisë.
3. Shihni drejt banketit të përgatitur për ju në qiej – Shpejt, shumë shpejt ju do të thirreni në “dasmën e Qengjit në qiell,” dhe atje do të shihni Shpengimtarin dhe gjithë të shpenguarit e tij që po festojnë së bashku në shkëlqim të pafund. Prandaj, priteni me padurim këtë ditë të bekuar dhe përpjekja juaj e vetme tani qoftë që të merrni “rrobën e dasmës” e cila ka për t’iu kaulifikuar për të qenë një mik i pranueshëm në atë tryezë.
Çarls Simeon (Charles Simeon, 1759–1836). Rektor për 49 vjet i Kishës së Trinitetit në Kemrixh. Çarls Simeonit iu ofrua udhëheqja e kishës ndërsa ishte duke u bërë gati për t’u diplomuar nga Universiteti. Në fillim anëtarët e bashkësisë nuk e pëlqyen predikimin e tij duke e ndërprerë shpesh dhe duke i mbyllyer derickat e vogla të radhëve të karrigeve në mënyrë që askush të mos ulej. Simeon njihet më së shumti për 21 volumet e tij Horae Homilecticae (Ora e Predikimit) – një përmbledhje e pasqyrave të zgjeruara të predikimeve nga të 66 librat e Biblës (prej nga është nxjerrë edhe ky citim).
Lutje
O Jezus, i varfër dhe i përulur, i panjohur dhe i përbuzur, ki mëshirë për mua dhe bëj që të mos kem turp të të ndjek ty. O Jezus, i urryer, i përfolur dhe i përndjekur; ki mëshirë për mua dhe bëj që të mos kem frikë të të ndjek ty. O Jezus, i tradhëtuar dhe i shitur me një çmim qesharak, ki mëshirë për mua dhe bëj që të jem i kënaqur ashtu si Zotëria im. O Jezus, i mbuluar me përbuzje dhe turp, ki mëshirë për mua dhe bëj që të mos kërkoj lavdinë time. O Jezus, i ofenduar, i tallur dhe i pështyrë, ki mëshirë për mua dhe bëj që të vrapoj me durim në garën që gjendet përpara meje. O Jezus, i lidhur pas kollonës, i rrahur me kamxhik dhe i përgjakur, ki mëshirë për mua dhe bëj që të mos më lënë fuqitë në sprovën e zjarrit. O Jezus, i kurorëzuar me gjemba dhe i çnderuar me përbuzje; O Jezus, i ngarkuar me mëkatet tona dhe me mallkimet e popullit; O Jezus, i fyer, i shkelur me këmbë, i goditur, i mbingarkuar me lëndime, brenga dhe poshtërime; O Jezus, i varur në pemën e mallkuar, me kokën e përkulur dhe duke dhënë frymën tënde të fundit, ki mëshirë për mua dhe përshatete gjithë shpirtin tim me frymën tënde të shenjtë, të përulur dhe të përvuajtur. O Ti që për dashurinë që pate për mua ke përjetuar një pafundësi të tillë vuajtjesh dhe poshtërimesh, bëj që të jem plotësisht i “zbrazur prej vetes,” në mënyrë që të gëzohem ndërsa e marr kryqin tim çdo ditë dhe të ndjek Ty.
Xhon Uesli (John Wesly, 1703–1791). Predikues dhe teolog Anglez. Ueslit dhe vëllait të tij i dedikohet themelimi i lëvizjes Metodiste Angleze. Në përgjithësi ai udhtonte me kalë, predikonte dy apo tri herë në ditë dhe thuhet që ka dhënë më tepër se 40,000 predikime. Ai gjithashtu ishte një shkrimtar i njohur himnesh të krishtera.
New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.