Çfarë është Kisha?

Pyetja 48

Çfarë është Kisha?

Perëndia zgjedh dhe ruan për Vete një komunitet të zgjedhurish për jetën e përjetshme, që të bashkuar prej besimit dhe dashurisë mësojnë prej Perëndisë dhe e adhurojnë Atë së bashku. Perëndia e dërgon këtë komunitet të shpallë ungjillin dhe të reflektojë mbretërinë e Krishtit përmes cilësisë së jetës së tyre së bashku dhe prej dashurisë së tyre për njëri-tjetrin.

Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën.

2 Thesalonikasve 2:13

Komentim

Vëllezërit e mi, më lejoni t’ju them, jini si Krishti gjatë gjithë kohës. Imitojeni atë në publik. Shumica prej nesh jetojmë në një farë mase në publik; shumë prej nesh jemi thirrur të punojmë para njerëzve të tjerë çdo ditë. Ne na shohin; fjalët tona dëgjohen; jetët tona shqyrtohen dhe zhbirohen. Bota me sy shqiponje vëzhdon gjithë sa bëjmë, dhe kritikët janë të shpejtë për të folur kundër nesh. Le ta jetojmë jetën e Krishtit në publik. Le të kujdesemi që të reflektojmë Zotërinë tonë dhe jo veten, në mënyrë që të mund të themi, “nuk rroj më unë por Krishti rron në mua.” Kini kujdes që këtë gjë ta tregoni edhe në kishë… Jini si Krishti në kishë. Sa prej jush kërkojnë të kenë parësinë? Sa prej jush kërkojnë të kenë pozitë dhe pushtet mbi të Krishterët e tjerë, në vend që të kujtoni se rregulli bazë i të gjitha kishave është që të gjithë njerëzit janë të barabartë – po aq vëllezër, po aq të denjë për t’u pranuar si të tillë. Prandaj përcilleni frymën e Krishtit në kishat tuaja, kudo që të gjendeni, le të thonë anëtarët e tjerë për ju, “Ai ka qenë me Jezusin.”

Çarls Hadën Spërxhën (Charles Haddon Spurgeon, 1834–1892). Predikues Baptist Anglez. Spërxhën u bë pastori i Kishës Nju Park Strit (që më vonë u njoh si Tabernakulli Metropolitan) kur ishte 20 vjeç. Ai u predikonte rregullisht më shumë se 10,000 vetëve pa pasur sistemet moderne të zërit. Spërxhën ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe veprat e tij të shtypura janë tepër voluminoze. Gjatë jetës së tij ai predikoi 3,600 predikime dhe botoi 49 volume komentarësh, thëniesh, himnesh dhe leximesh devocionale.

Lutje

Vëllezër të nderuar, lutja ime e përditshme do të jetë që në ditët kur të shohim shumë njerëz të largohen nga e vërteta dhe ta kundërshtojnë atë, kur të shohim një indiferencë të madhe ndaj gjërave të Perëndisë që skllavëron shumë njerëz, dhe nga ana tjetër të shohim që mbeten fare pak njerëz të dobishëm për Perëndinë në brezin e tyre përmes zellit për të vërtetën dhe aftësisë për ta mbrojtur atë, për këto ditë lutem që të merrni ndihmë prej së larti, inkurajim për t’u përfshirë në çdo mënyrë në përhapjen e aromës së ungjillit të Jezu Krishtit, dhe që të punoni vazhdimisht në mënyrë që të vërtetat e Perëndisë të mos hidhen poshtë, të mos shkelen me këmbë. Lutem që të mos lodheni apo t’ju shterin fuqitë, pavarësisht kundërshtimit, përbuzjes, talljes me të cilat mund të përballeni, të mos ktheheni drejt qejfeve të prishura me gabim dhe gënjeshtër… por që të qëndroni pranë fjalëve të shëndosha, të përshtateni me modelin e doktrinës së ungjillit në të cilën jeni formuar, që të mund të shkëlqeni si pishtarë, në mes të një brezi të mbrapshtë dhe të prishur; duke e ditur që ka ngelur edhe pak kohë dhe ai që duhet të vijë do të vijë dhe nuk do të vonojë; po, eja Zot Jezus, eja.

Gjon Ouen (John Owen, 1616–1683). Teolog Puritan Anglez. Ouen shkoi të studionte në Universitetin e Oksfordit në moshën 12 vjeçare, fitoi doktoraturën në moshën 19 vjeçare dhe u bë pastor në moshën 21 vjeçare. Vite më vonë ai u caktua nën President i Universitetit. Ai predikoi në parlamentin Anglez një ditë pas ekzekutimit të Mbretit Çarls I duke e plotësuar këtë detyrë pa iu referuar direkt ngjarjes së një dite më parë. Gjon Ouen shkroi shumë vepra voluminoze ku përfshihen edhe trajtime historike për fenë dhe disa studime për Frymën e Shenjtë.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*