Si mund t’ia jap jetën time Perëndisë?

nga Pastor John Piper

Disa prej pyetjeve më të mira që na vijnë në adresën tonë janë shumë të shkurtra dhe të drejtpërdrejta, sikurse kjo pyetje nga Elizabeta nga Tempe, Arizona. “Pastor John, çfarë do të thotë t’ia ‘japësh jetën tënde Perëndisë’? Dëgjoj për këtë gjë gjithë kohën. Cilat janë disa kategori biblike të cilat do t’i përdornit ju për ta shpjeguar këtë frazë?”

Nuk mund ta them me siguri se për se e kanë fjalën të tjerët kur thonë se ja kanë dhënë jetën e tyre Perëndisë, apo dëshirojnë t’ia japin Atij jetën e tyre, por mund të të them se çfarë dua të them unë me këtë frazë, dhe pastaj të të tregoj nga Shkrimi pse besoj që kjo është një mënyrë biblike për të folur, dhe se çfarë ka për qëllim Bibla të përcjellë një lloj gjuhe e tillë dhe sesi duhet të jetë përjetimi. Këtë gjë do të bëj.

Nëse i them Perëndisë në lutje, “O Zot, unë ta jap veten time Ty,” ajo që dua të them është kjo: Jam duke thënë një “Po” plot zell dhe nga zemra ndaj faktit që Perëndia më ka blerë përmes vdekjes së Birit të Tij dhe prandaj i përkas Atij. Ai më bleu prandaj unë i përkas Atij, jo vetëm për shkak se Ai ka paguar një çmim për mua, por gjithashtu edhe për shkak të dorëzimit tim të vullnetshëm ndaj Tij. Këtë gjë jam duke bërë kur them, “Ta dorëzoj veten time Ty.” Jam duke thënë, “Nuk jam më pronari i vetes, nuk jam zoti i vetes dhe as bariu. Ti je Pronari im, Zotëria im, Bariu im, Ati im, thesari im, urtësia ime, shpresa ime, burimi i kënaqësisë time të plotë dhe të përhershme. Heq dorë nga përpjekja për t’i gjetur të gjitha këto në veten time. Tani i kërkoj të gjitha këto gjëra në Ty për shkak se jam krejtësisht i yti.”

“Krishti ju bleu jo vetëm për shkak se pagoi një çmim, por gjithashtu edhe përmes dorëzimit tuaj të vullnetshëm ndaj Tij.” #JohnPiper

Gjëja thelbësore këtu është pyetja, A e dha Perëndia Birin e Tij për të më blerë për Veten e Tij? Nëse e bëri këtë gjë, atëherë fjalët “Ja jap veten time Perëndisë” kanë kuptimin “Bie dakord me gëzim me atë fakt. Jam i lumtur, shumë i lumtur, vërtet i lumtur për këtë gjë.” Këtë duam të themi. “Këtë gjë dëshiroj që të jetë e vërtetë për mua. Dëshiroj ta pranoj dhe të jetoj në realitetin e asaj blerjeje. Dëshiroj të heq dorë nga të gjitha të drejtat e mia mbi jetën time. Dëshiroj t’i dorëzohem plotësisht mbrojtjes, sigurimit, udhëheqjes, kënaqjes dhe atij përqafimi final për të cilin do të kem aq shumë nevojë kur të vdes. Këtë gjë dëshiroj.” Këtë gjë dua të përcjell kur them, “Unë ja jap veten time Atij.” Ja cila është baza biblike për këtë lloj të menduari.

Blerja hyjnore
Kemi ngjarjen e madhe të blerjes hyjnore. 1 Korintasve 6:19 thotë, “A nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë që është në ju, të cilin e keni nga Perëndia, dhe se nuk i përkitni vetvetes?” Sepse u bletë me një çmim!

Përlëvdoni Perëndinë, pra, në trupin tuaj dhe në frymën tuaj, që i përkasin Perëndisë.” Ky është fakt. Perëndia e bëri këtë gjë. Perëndia ka blerë një popull për veten e tij. Ata nuk i përkasin vetes. Ata i përkasin Perëndisë. Domethënë, ata ekzistojnë që të përlëvdojnë dhe të kënaqen përgjithmonë në Perëndinë. Mëkatet e tyre janë falur, Faji i tyre është hequr tej. Rebelimi i tyre është mposhtur. Ajo që thonë është “Jam i lumtur për këtë gjë. Bie dakord me këtë gjë. Ja jap veten time lirshëm dhe me gëzim Atij që më bleu.” Ju thjesht po bini dakord me atë që Perëndia tashmë ka arritur për njerëzit e Tij kur thoni, “Jam i yti.” Ai thotë, “Sigurisht që je i imi: Unë të kam blerë.”

“T’ja japësh veten Perëndisë do të thotë të dëshirosh fort që ai të të zotërojë, të të sundojë dhe të të kënaqë plotësisht, dhe të të përdorë për qëllimet e Tij.” #JohnPiper

Një mënyrë për ta shprehur këtë gjendet tek Romakëve ku Pali thotë, për shembull në kapitullin 12 vargu 1, “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur” “Ja jap veten time Perëndisë” do të thotë, “Bëj këtë gjë: bëj atë që thotë Romakëve 12:1. Marr dhembshuri, e paraqes trupin tim si fli të gjallë. Ky është një veprim adhurimi. Dëshiroj fort që Perëndia të më zotërojë, sundojë, kënaqë dhe përdorë plotësisht për qëllimet e Tij.”

Reagimi njerëzor
Pastaj, nëse ktheheni tek Romakëve 6:13 ai e thotë në këtë mënyrë, “As mos i jepni gjymtyrët tuaja” – krahët, këmbët, gjuhën e kështu me radhë – “në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.” Kur e lexojmë këtë gjë dhe dëshirojmë t’i bindemi jemi duke thënë, “O Perëndi, po të paraqes veten time, kujtesën time, krahët e mi, këmbët e mia, duart e mia, sytë e mi, gjuhën time, në mënyrë që Ti t’i zotërosh si të tuat dhe të plotësosh qëllimet e tua të mira dhe të shenjta duke më përdorur mua, trupin tim, shpirtin tim si instrumente të drejtësisë. Unë ta dorëzoj veten time ty.”

Ka një histori të bukur tek 2 Korintasve sesi Maqedonasit e bënë këtë gjë. Atje thuhet që ata “na u lutën, pa na u ndarë, ta pranojmë dhuratën dhe pjesëmarrjen në ofertën për shenjtorët. Dhe jo vetëm vepruan ashtu si shpresonim, po dhanë veten më përpara te Perëndia dhe pastaj te ne sipas vullnetit të Perëndisë.” (2 Korintasve 8:4-5). Pali ishte thjesht i mahnitur nga bukuria e bindjes së këtyre të krishterëve të rinj. Ata e dhanë veten e tyre tek Zoti. Pastaj, me sigurinë që i përkisnin Perëndisë, ata e dhanë veten tek Pali dhe tek qëllimet e tij të mëshirës për të varfërit në Jerusalem.

Pastaj kemi dhe shembullin madhështor të Jezusit. “Dhe Jezusi bërtiti me zë të lartë dhe tha: ‘O Atë, në duart e tua po e dorëzoj frymën tim!’. Dhe, si tha këto, dha frymën.” (Lluka 23:46). “Në duart e tua po e dorëzoj frymën tim” është një mënyrë tjetër për të thënë, “Ta jap veten time Ty. Po vdes. Nëse do të jetoj sërish ka për të qenë për shkak se Ti më zotëron, Ti më mban, Ti më ruan. Ta jap veten time Ty që të kujdesesh për mua.”

“Ju thjesht po bini dakord me atë që Perëndia tashmë ka arritur për njerëzit e Tij kur thoni, ‘Jam i yti.’” #JohnPiper

Prandaj, nuk është e habitshme kur të krishterët e hershëm i përshkruan vuajtjet dhe vdekjen e tyre në këtë mënyrë. 1 Pjetri 4:19 thotë, “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën.” T’ia besosh shpirtin tënd një Krijuesi besnik do të thotë, “Ta dorëzoj veten time Ty. Ta jap veten time Ty. Perëndi, Ti je besnik. Ti je i fuqishëm. Ti je Krijuesi im. Unë të përkas Ty. Ti më ke krijuar. Kujdesu për mua tani. Jam duke vdekur.”

Mendoj që çelësi për Elizabetën kur e bën këtë pyetje, çelësi për të gjithë ne, është që ta vendosim në mendjen dhe zemrën tonë nëse e besojmë që jemi blerë nga Perëndia përmes Krishtit apo jo – A e besojmë këtë gjë? – dhe që si rrjedhim nuk i përkasim vetes, që jemi krejtësisht të varur prej Perëndisë për jetën, për zgjedhjet, për gjërat që kemi nevojë, për mbrojtjen, për kënaqësinë, për kuptimin, për shpresë dhe për gëzimin tonë të përjetshëm. Nëse është fakt që Perëndia na ka blerë për këtë gjë, atëherë fjalët “O Perëndi, po ta jap veten time Ty” kanë kuptimin, “Po, po, po. I them Po faktit që më ke blerë. Jam shumë i ngazëlluar që jam krejtësisht i yti, që jam blerë me çmimin e Birit tënd në këtë mënyrë. Prandaj, unë heq dorë nga mbështetja tek vetja dhe nga lartësimi i vetes. Ta jap veten time krejtësisht Ty që të më përdorësh për qëllimet e Tua përgjithmonë.”


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*