Mendime Shtjelluese Mateu 10

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 10

nga J. C. Ryle

Mateu 10:1-15
Ky kapitull ka një solemnitet të veçantë. Këtu kemi regjistrimin e shugurimit të parë që ka ndodhur ndonjëherë në kishën e Krishtit. Zoti Jezus zgjodhi dhe dërgoi dymbëdhjetë apostuj. Këtu kemi tregimin e nxitjes së parë që ju dha shërbëtorëve të krishterë të sapocaktuar. Vetë Zoti Jezus është Ai që e përcjell këtë nxitje. Nuk ka pasur ndonjëherë një shugurim kaq të rëndësishëm. Nuk ka pasur kurrë një nxitje më solemne se kjo!

Këtu gjejmë tre mësime që duken shumë qartë në pesëmbëdhjetë vargjet e para të këtij kapitulli. Le t’i marrim sipas radhës.

Së pari, na mësohet që të gjithë shërbëtorët nuk janë domosdoshmërisht burra të shpëtuar. Këtu shohim që Zoti ynë zgjodhi një Judë Iskariot që të ishte apostull i Tij. Nuk mund të dyshojmë se Ai që i njihte të gjitha zemrat, e njihte mirë edhe karakterin e burrave që zgjodhi. Në këtë listë të apostujve Ai përfshin edhe një i cili ishte tradhtar!

Bëjmë mirë që ta mbajmë mend këtë fakt. Shugurimi nuk të jep hirin shpëtues të Frymës së Shenjtë. Burrat e shuguruar nuk janë domosdoshërisht të konvertuar. Nuk duhet t’i konsiderojmë ata si të pagabueshëm, qoftë në doktrinë ashtu dhe në praktikë. Nuk duhet që këta burra t’i bëjmë papë apo idhull dhe kështu të tregohemi pa mend duke i vendosur në vend të Krishtit. Duhet t’i konsiderojmë si “njerëz me të njëjtat pasione” si veten tonë, të prekshëm nga të njëjtat dobësi dhe që çdo ditë kanë nevojë për të njëjtin hir. Nuk duhet ta konsiderojmë të pamundur që ata të bëjnë gjëra shumë të këqija apo të presim që ata të jenë të mbrojtur nga lëndimi i lajkave, nga lakmia dhe nga bota. Duhet që mësimin e tyre ta testojmë me fjalën e Perëndisë dhe t’i ndjekim deri në atë pikë që ata ndjekin Krishtin, por jo më tej. Mbi të gjitha, duhet të lutemi për ta, që ata të mos jenë pasues të Juda Iskariotit por të Jakobit dhe Gjonit. Është gjë vërtet e frikshme që të jesh shërbëtor i Ungjillit! Shërbëtorët kanë nevojë për shumë lutje.

Së dyti, na mësohet që puna e madhe e një shërbëtori të Krishtit është që të bëjë mirë. Ai është dërguar që të kërkojë “delet e humbura,” – të shpallë lajme të gëzueshme, të ndihmojë ata që po vuajnë, të pakësojë brengën dhe të shtojë gëzimin. Jeta e tij duhet të jetë një jetë që “jep,” në vend që të jetë një jetë që merr.

Ky është një standard i lartë dhe shumë i veçantë. Le ta peshojmë mirë dhe ta shqyrtojmë me kujdes. Së pari, është e qartë që jeta e një shërbëtori besnik të Krishtit nuk mund të jetë një jetë rehatie. Ai duhet të jetë i gatshëm të tretë trupin, mendjen, kohën dhe fuqinë në punën në të cilën e ka thirrur Krishti. Përtacia dhe kotësia janë mjaft të këqija në çdo lloj zanati, por janë edhe më të këqija në rastin e rojtarit të shpirtrave. Së dyti, është e qartë që pozita e shërbëtorëve të Krishtit nuk është ajo që nganjëherë u veshin njerëzit e paditur dhe të cilën nganjëherë e pranojnë pa qejf për veten e tyre. Ata nuk janë caktuar aq shumë që të sundojnë sa të shërbejnë. Ata nuk janë caktuar aq shumë që të kenë sundim mbi kishën sesa të plotësojnë nevojat e saj dhe t’u shërbejnë anëtarëve të saj (2 Korintasve 1:24). Do ishte shumë mirë për çështjen e besimit të vërtetë nëse këto gjëra do kuptoheshin më mirë! Gjysma e sëmundjeve të krishterimit janë shfaqur nga idetë e gabuara rreth ofiqit të pastorit!

Së fundi, na mësohet që është gjë shumë e rrezikshme të neglizhosh ofertat e Ungjillit. Ditën e gjyqit do të vërtetohet që “Sodoma dhe Gomorra do të gjykohen më pak se ata që kanë dëgjuar të vërtetën e Krishtit dhe nuk e kanë pranuar atë.

Kjo është një doktrinë e cila është anashkaluar në mënyrë të frikshme dhe që meriton të konsiderohet seriozisht. Fatkeqësisht njerëzit janë të prirur ta harrojnë që nuk kërkohet të kryesh mëkate të mëdha flagrante në mënyrë që një shpirt të humbasë përgjithmonë. Mjafton të vazhdojnë të dëgjojnë pa besuar, të dëgjojnë pa u penduar, të shkojnë në Kishë pa shkuar tek Krishti, dhe më në fund do ta gjejnë veten në ferr! Ne të gjithë do të gjykohemi sipas dritës tonë. Do të na duhet të japim llogari për mënyrën sesi i përdorëm privilegjet fetare. Të dëgjosh për “shpëtimin e madh” e megjithatë ta neglizhosh atë, ky është një prej mëkateve më të këqija që mund të kryejë njeriu (Gjoni 16:9).

Çfarë jemi duke bërë ne me Ungjillin? Kjo është pyetja të cilën kushdo që po e lexon këtë pjesë duhet t’i bëjë ndërgjegjes së vet. Le të supozojmë që jemi njerëz të mirë dhe të respektueshëm, korrektë dhe me moral në të gjitha marrëdhëniet tona, të rregullt në pjesëmarrjen formale në mjetet e hirit. Gjithçka është mirë me aq sa dimë. Por a është kjo gjithçka që mund të thuhet për ne? A jemi vërtet duke e marrë dashurinë e të vërtetës? A po banon Krishti në zemrat tona me anë të besimit? Nëse jo gjendemi para një rreziku të frikshëm. Jemi shumë më tepër fajtorë se njerëzit e Sodomës të cilët nuk e dëgjuan kurrë Ungjillin. Mund të zgjohemi dhe të zbulojmë që pavarësisht rregullsisë tonë, moralit dhe korrektësisë e kemi humbur shpirtin për përjetësinë. Nuk ka për të na shpëtuar nëse jetojmë nën shkëlqimin e fortë të privilegjeve të krishtera dhe ta kemi dëgjuar Ungjillin e predikuar me besnikëri javë pas jave. Duhet të ketë një njohje përjetuese me Krishtin. Duhet të ketë një pranim personal të së vërtetës së Tij. Duhet të ketë bashkim jetësor me Të. Ne duhet të bëhemi shërbëtorët dhe dishepujt e Tij. Pa këtë gjë, predikimi i Ungjillit vetëm sa na shton përgjegjësitë, na rrit fajin, dhe më në fund ka për të na zhytur edhe më thellë në ferr. Këto janë fjalë të rënda. Por fjalët e Shkrimit që sapo kemi lexuar janë të qarta dhe të pagabueshme. Ato janë të gjitha të vërteta.

Mateu 10:16-23
Të vërtetat që gjenden në këto vargje duhet t’i meditojnë të gjithë ata që përpiqen të bëjnë mirë në këtë botë. Për njeriun egoist që nuk e vret mendjen për gjë tjetër veç rehatisë së tij këto mund të duken si fjalë pa vlerë. Për shërbëtorin e Ungjillit dhe për këdo që përpiqet të shpëtojë shpirtra këto vargje duhet të përbëjnë një interesim të madh. Nuk ka dyshim që në to ka shumë gjëra që vlejnë në mënyrë të veçantë për kohën e apostujve. Por ka gjithashtu shumë gjëra që vlejnë për çdo kohë.

Së pari, ne shohim që ata që dëshirojnë t’u bëjnë mirë shpirtrave duhet të jenë të përkorë në pritjet e tyre. Nuk duhet të mendojnë që mundimi i tyre do të pasohet nga suksesi universal. Duhet të llogaritin që do të përballen me shumë kundërshtim. Duhet ta ndajnë mendjen e tyre që do të “urrehen,” do të përndiqen, do keqtrajtohen dhe kjo do t’ju bëhet edhe nga njerëzit e tyre më të afërt. Shpesh do të jenë si “delet në mes të ujqërve.”

Le ta kemi këtë gjë vazhdimisht në mendje. Kur predikojmë, kur mësojmë apo kur bëjmë vizita shtëpi më shtëpi, qoftë kur shkruajmë apo kur japim këshillë, ose çfarëdo që të jemi duke bërë le të jetë parim i qartë që të mos presim më tepër nga sa na garanton Shkrimi dhe përjetimi. Natyra njerëzore është shumë herë më e ligë dhe e prishur nga sa mendojmë. Fuqia e ligësisë është shumë herë më e madhe nga sa supozojmë. Është gjë e kotë të imagjinojmë që të gjithë do ta dallojnë se çfarë është e mirë për ta dhe të besojnë atë që u themi. Nëse presim atë që nuk do ta gjejmë atëherë do të zhgënjehemi. Lum ai punëtor për Krishtin që i di këto gjëra që nga fillimi dhe nuk i duhet t’i mësojë përmes përjetimit të hidhur! Këtu gjendet shkaku i fshehtë pse shumë janë kthyer pas të cilët dikur dukeshin plot zell për të bërë të mirën. Ata filluan me pritje ekstravagante. Nuk e llogaritën koston. Ata ranë në gabimin e madh të Reformatorit të madh Gjerman i cili rrëfeu që një herë harroi se “Adami i vjetër ishte tepër i fortë për Melanktonin e ri.”

Së dyti, shohim që ata që dëshirojnë të bëjnë mirë kanë nevojë të luten për urtësi, gjykim të mirë dhe mendje të shëndoshë. Zoti ynë u thotë dishepujve të Tij të jenë “të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.” Ai u thotë atyre që përndiqen në një vend që me të drejtë mund të “shkojnë në një tjetër.”

Ka pak udhëzime të Zotit tonë të cilat të jenë aq të vështira për t’u përdorur si duhet sa ky që kemi para nesh. Për ne është caktuar një shteg mes dy ekstremeve i cili kërkon një gjykim të madh që të përcaktohet. Të evitojmë përndjekjen duke i vënë fre gjuhës dhe ta mbajmë fenë tonë krejtësisht për vetë është njëri ekstrem. Nuk duhet të gabojmë në këtë drejtim. Të ftosh përndjekjen duke ua përplasur fenë tonë kujtdo që takojmë, pa marrë parasysh vendin, kohën dhe rrethanat është ekstremi tjetër. Edhe në këtë drejtim paralajmërohemi që të mos gabojmë sikurse dhe në drejtimin e parë. Me të vërtetë që mund të themi, “kush është i zoti për këto gjëra?” Kemi nevojë t’i përgjërohemi Perëndisë të vetëm të urtë që të na japë urtësi.

Ekstremi në të cilin shumica e njerëzve priren të bien në kohën e sotme është ai i heshtjes, frikës dhe i lënies rehat të njerëzve. E ashtuquajtura maturia jonë ka prirjen të përfundojë në një sjellje kompromisi, apo dhe në pabesi flagrante. Jemi tepër të gatshëm të supozojmë që nuk ka vlerë të përpiqemi t’u bëjmë mirë disa njerëzve. E justifikojmë veten nga përpjekjet për t’i bërë mirë shpirtit të tyre duke thënë që do jetë pa takt apo pa vlerë, ose ka për t’i ofenduar pa qenë nevoja, ose madje ka për t’i lënduar. Le të hapim sytë të gjithë ne dhe të ruhemi nga kjo lloj fryme. Përtacia dhe djalli shpesh janë shpjegimet e vërteta për këtë lloj qëndrimi. Nëse i hapim udhë këtij qëndrimi nuk është çudi që kënaqim mishin dhe gjakun, dhe i kursejmë vetes shumë telashe. Por ata që i hapin udhë këtij qëndrimi shpesh hedhin tej mundësi të mëdha për të qenë të dobishëm.

Nga ana tjetër, është e pamundur të mohojmë që ekziston një gjë e tillë si një zell i drejtë dhe i shenjtë i cili “nuk është sipas njohurisë.” Është shumë e mundur të shkaktosh shumë ofendime të panevojshme, të bësh gabime të mëdha, dhe të nxitësh shumë kundërshtim gjëra të cilat mund të ishin evituar duke treguar pak maturi, mençuri dhe gjykim. Le të kemi kujdes të gjithë që të mos jemi fajtorë në këtë aspekt. Mund të jemi të sigurt që ekziston një gjë e tillë si urtësia e krishterë e cila është shumë e dallueshme nga mashtrimi Jezuit apo nga politikat mishore. Këtë urtësi le të kërkojmë. Zoti ynë Jezus nuk kërkon që të hedhim tej gjykimin tonë të shëndoshë, kur marrim përsipër të punojmë për Të. Do ketë mjaft ofendime në lidhje me fenë tonë, pavarësisht se çfarë bëjmë; por le të mos i shtojmë këto gjëra pa shkak. Le të përpiqemi që “të ecim me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit” (Efesianëve 5:15).

Duhet të shqetësohemi me të drejtë që besimtarët në Zotin Jezus nuk luten mjaftueshëm për frymën e njohurisë, gjykimit dhe mendjes së shëndoshë. Ata janë të prirur të hamendësojnë që nëse kanë hir kanë gjithçka që u nevojitet. Ata harrojnë që një zemër e hirshme duhet të lutet që të mund të jetë plot me urtësi, sikurse edhe plot me Frymën e Shenjtë. (Veprat 6:3). Le ta mbajmë mend këtë gjë të gjithë ne. Hiri i madh dhe gjykimi i shëndoshë ka të ngjarë të jetë një prej kombinimeve më të rralla. Për faktin që ato mund të shkojnë bashkë kemi si prova të spikatura jetën e Davidit dhe shërbesën e apostullit Pal. Megjithatë, në këtë gjë, ashtu si në çdo aspekt tjetër, vetë Zoti ynë Jezu Krisht është shembulli ynë më i përsosur. Askush nuk ka qenë ndonjëherë aq besnik sa Ai. Por askush nuk ishte aq vërtet i urtë sa Ai. Le ta kemi Atë si modelin tonë dhe të ecin në gjurmët e Tij.

Mateu 10:24-33
Për t’u bërë mirë shpirtrave në këtë botë është gjë shumë e vështirë. Të gjithë ata që e provojnë e zbulojnë këtë gjë në përjetimin e tyre. Kërkohet shumë guxim, besim, durim dhe këmbëngulje. Satani do luftojë pa u lodhur për ta ruajtur mbretërinë e tij. Natyra njerëzore është jashtëzakonisht e ligë. Është e lehtë të lëndosh. Është e vështirë të bësh mirë.

Zoti Jezus e dinte mirë këtë gjë kur i dërgoi dishepujt e Tij të predikonin Ungjillin për herë të parë. Ai e dinte se çfarë i priste edhe pse ata nuk e dinin. Ai u kujdes që t’i pajiste me një sërë inkurajimesh në mënyrë që t’i nxiste kur të ndiheshin të rrëzuar. Misionarët e lodhur në vende të huaja apo shërbëtorët e këputur në shtëpi, mësuesit e shkurajuar në shkolla, vizitorët e dëshpëruar të lagjeve do bënin mirë t’i studionin shpesh këto nëntë vargje që sapo i kemi lexuar. Le të vëmë re se çfarë përmbajnë këto vargje.

Ata që përpiqen t’u bëjnë mirë shpirtrave nuk duhet të presin që të trajtohen më mirë se Zotëria i tyre. “Dishepulli nuk del mbi mësuesin, as shërbëtori mbi zotin e tij.” Zoti Jezus u përqesh dhe u mohua nga ata të cilëve erdhi t’u bënte mirë. Nuk kishte asnjë gabim në mësimin e Tij. Nuk kishte defekte në metodën e Tij për të dhënë udhëzime. Megjithatë, shumë e urryen dhe “e quajtën Belzebub.” Pak ishin ata që besuan në Të dhe u interesuan për atë që Ai tha. Sigurisht që ne nuk kemi asnjë të drejtë të habitemi nëse ne vetë, përpjekjet më të mira të të cilëve janë të përzjera me shumë papërsosmëri, të trajtohemi njëlloj sikurse u trajtua edhe Krishti. Nëse e lëmë botën rehat, ka të ngjarë që edhe ajo do na lërë rehat. Por nëse përpiqemi t’i bëjmë të mira frymërore ajo do të na urrejë ashtu sikurse urreu edhe Zotërinë tonë.

Ata që përpiqen të bëjnë mirë duhet të presin me durim ditën e gjyqit. “Nuk ka gjë të fshehtë që të mos zbulohet dhe asnjë sekret që nuk do të nijhet.” Ata duhet të jenë të kënaqur në këtë botë të tanishme që të keqkuptohen, keqpërfaqësohen, të përfliten, të përgojohen dhe të abuzohen. Ata nuk duhet të heqin dorë nga puna për shkak se gjykohen motivet e tyre dhe karakteri i tyre sulmohet ashpër. Ata duhet të mbajnë mend vazhdimisht që gjithçka do të vendoset në vendin e vet ditën e fundit. Atë ditë do të zbulohen të fshehtat e çdo zemre. “Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.” (Psalmi 37:6). Pastërtia e synimeve të tyre, urtësia e mundimeve të tyre, drejtësia e kauzës së tyre, më në fund do të bëhen të qarta për të gjithë botën. Le të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulje dhe qetësi. Njerëzit mund të mos na kuptojnë dhe mund të na kundërshtojnë me hidhësi. Por dita e gjyqit po afrohet. Më në fund do të na jepet e drejta. Kur Zoti të vijë sërish, “do të nxjerrë në dritë gjërat e fshehta të errësirës dhe do të shfaqë këshillat e zemrave; dhe atëherë secili do të ketë lavdërimin e vet nga Perëndia” (1 Korintasve 4:5).

Ata që përpiqen të bëjnë mirë duhet të kenë frikë Perëndinë më tepër se njeriun. Njeriu mund të lëndojë trupin por aty i vjen fundi armiqësisë së tij. Ai nuk mund të bëjë gjë tjetër. Perëndia “mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në ferr.” Ne mund të kërcënohemi me humbjen e karakterit, pasurisë dhe gjithçkaje që e bën jetën të kënaqshme nëse ndjekim shtegun e detyrës së krishterë. Nuk duhet t’ua vëmë veshin kërcënimeve të tilla kur shtegu ynë është i qartë. Sikurse Danieli dhe tre shokët e tij Hebrenj duhet të durojmë çdo gjë në vend që të mos i pëlqejmë Perëndisë dhe kështu të lëndojmë ndërgjegjen tonë. Zemërimi i njerëzve mund të jetë i vështirë për t’u duruar por zemërimi i Perëndisë është edhe më i vështirë. Frika e njerëzve me të vërtetë përbën një lak, por ne duhet të bëjmë që kjo frikë t’i hapë udhë pushtetit të jashtëzakonshëm të një parimi më të fuqishëm, frikës së Perëndisë. Ishte thënie vërtet me mend ajo e Kolonel Gardinerit, “Kam frikë nga Perëndia prandaj nuk ka asnjë tjetër prej të cilit duhet të kem frikë.”

Ata që përpiqen të bëjnë mirë duhet të mbajnë mend kujdesin e provanisë së Perëndisë mbi jetën e tyre. Asnjë gjë nuk mund të ndodhë në botë pa lejen e Tij. Nuk ka ndonjë gjë të tillë si në realitet si shansi, aksidenti apo fati. “Të gjitha flokët e kokës tuaj janë numëruar.” Shtegu i detyrës nganjëherë mund t’i çojë në rrezik të madh. Shëndeti dhe jeta mund të duket se janë në rrezik nëse vazhdojnë përpara. Le të ngushëllohen në mendimin që gjithçka rreth tyre është në dorën e Perëndisë. Trupat e tyre, shpirtrat e tyre, karakteri i tyre janë të gjitha në sigurinë e ruajtjes së Tij. Asnjë sëmundje nuk mund t’u bjerë, asnjë dorë nuk mund t’i lëndojë nëse Ai nuk i lejon. Me guxim mund t’i thonë çdo gjëje të frikshme me të cilë përballen, “Nuk do kishe kurrfarë pushteti mbi mua nëse nuk do të ishte dhënë prej së larti.”

Së fundi, ata që përpiqen të bëjnë mirë duhet që vazhdimisht të kujtojnë ditën kur do të takohen me Zotin e tyre për të marrë shpërblimin e tyre final. Nëse duan që Ai t’i pranojë si të vetët dhe t’i rrëfejë para fronit të Atit të Tij, ata nuk duhet të turpërohen ta pranojnë dhe “rrëfejnë Atë” përpara njerëzve të kësaj bote. Nëse e bëjmë kjo mund të na kushtojë shumë. Mund të na sjellë përqeshje, tallje, përndjekje dhe përbuzje. Por le të mos mbetemi jashtë qiellit nga frika e përqeshjeve. Le të kujtojmë ditën e madhe dhe të frikshme të llogaridhënies dhe të mos kemi frikë t’u tregojmë njerëzve që e duam Krishtin dhe se duam që edhe ata ta njohin dhe duan Atë.

Le të ruhen këto inkurajime në zemrat e të gjithë atyre që punojnë në kauzën e Krishtit cilado qoftë pozita e tyre. Zoti i njeh sprovat e tyre dhe i ka thënë këto gjëra për ngushëllimin e tyre. Ai kujdeset për të gjithë njerëzit e tij besimtarë, por jo aq sa kujdeset për ata që punojnë për kauzën e Tij dhe përpiqen të bëjnë mirë. Le të përpiqemi që të jemi mes tyre. Çdo besimtar mund të bëjë diçka nëse përpiqet. Ka gjithmonë diçka që mund ta bëjë secili nga ne. Paçim të gjithë sy për ta parë dhe vullnet për ta bërë.

Mateu 10:34-42
Në këto vargje Kreu i madh i Kishës e përmbyll nxitjen e tij të parë drejtuar atyre që Ai po i dërgon të shpallin Ungjillin e Tij. Ai shpall tre të vërteta të mëdha të cilat formojnë një konkluzion të përshtatshëm për gjithë këtë mesazh.

Së pari, Ai na bën thirrje të kujtojmë që Ungjilli i Tij nuk do të shkaktojë paqe dhe marrëveshje kudo që të shkojë. “Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën.” Qëllimi i ardhjes së Tij të parë në tokë nuk ishte që të ngrinte një mbretëri njëmijëvjeçare në të cilën të gjithë do të ishin në një mendje, por të sillte Ungjillin i cili do të çonte në grindje dhe ndarje. Nuk kemi të drejtë të habitemi nëse shohim që kjo gjë të përmbushet vazhdimisht. Nuk duhet të na duket gjë e habitshme nëse Ungjilli i ndan familjet dhe shkakton ndarje mes njerëzve më të afërm. Është e sigurt që këtë do të bëjë në shumë raste për shkak të prishjes së thellë të zemrës së njeriut. Për aq kohë sa dikush beson dhe tjetri vazhdon të qëndrojë në mosbesim, për aq kohë sa dikush është i vendosur të mbahet fort pas mëkateve të tij dhe tjetri dëshiron të heqë dorë prej tyre, rezultati i predikimit të Ungjillit duhet që të shkaktojë ndarje. Por për këtë nuk e ka fajin Ungjilli por zemra e njeriut.

Në këtë gjë ka një të vërtetë të thellë e cila vazhdimisht harrohet dhe anashkalohet. Shumë flasin në mënyrë të mjegullt rreth unitetit, harmonisë dhe paqes në kishën e Krishtit sikur këto të ishin gjëra që duhet t’i presim gjithmonë, dhe për hir të të cilave duhet që të sakrifikojmë gjithçka. Njerëz të tillë do bënin mirë të kujtonin fjalët e Zotit tonë. Nuk ka dyshim që uniteti dhe paqja janë bekime të mëdha. Ne duhet t’i kërkojmë, të lutemi për to, dhe të heqim dorë nga gjithçka për t’i arritur por nuk duhet kurrësesi të braktisim të vërtetën dhe ndërgjegjen e pastër. Është ëndërr e kotë të supozojmë që kishat e Krishtit do të gëzojnë shumë unitet dhe paqe para se të vijë mijëvjeçari.

Së dyti, Zoti ynë na thotë që të krishterët e vërtetë duhet ta ndajnë mendjen që do kenë vështirësi në botë. Qofshim shërbestarë apo dëgjues, qofshim nëse mësojmë apo marrim mësim, kjo nuk ka rëndësi. Ne duhet të mbajmë “një kryq.” Duhet të jemi të kënaqur të humbasim edhe vetë jetën për hir të Krishtit. Duhet të pranojmë humbjen e favorit të njeriut, duhet të durojmë vështirësi, duhet të mohojmë veten në shumë gjëra, ose ndryshe nuk do ta arrijmë kurrë qiellin. Për aq kohë sa ekzistojnë bota, djalli dhe zemrat tona në gjendjen që janë, këto gjëra do vazhdojnë të jenë kështu.

Do të shohim që është shumë e dobishme t’ia kujtojmë këtë mësim vetes dhe t’ua ngulitim të tjerëve. Ka pak gjëra që na lëndojnë aq shumë në besim sa pritjet e ekzagjeruara. Njerëzit kërkojnë një masë ngushëllimi sipas botës në shërbimin e Krishtit gjë të cilën nuk kanë të drejtë ta presin, dhe duke mos gjetur atë që dëshirojnë tundohen që të heqin dorë me përbuzje nga feja e tyre. Lum ai që e kupton plotësisht që krishterimi në fund na premton një kurrorë dhe tani përgjatë udhës na jep një kryq për ta mbartur.

Së fundi, Zoti ynë na inkurajon duke na thënë që edhe shërbimi më i vogël që u bëhet atyre që punojnë në kauzën e Tij dallohet dhe shpërblehet prej Perëndisë. Ai që i jep një besimtari edhe gjënë më të vogël “një gotë ujë të freskët në emër të një dishepulli nuk ka për ta humbur shpërblimin e tij.”

Në këtë premtim ka diçka shumë të bukur. Ai na mëson që sytë e Mjeshtrit të madh janë përherë mbi ata që mundohen për Të dhe përpiqen të bëjnë mirë. Ata ndoshta duket se punojnë pa u vënë re dhe pa u konsideruar. Arritjet e predikuesve, misionarëve, mësuesve dhe vizituesve të të varfërve mund të duken shumë të vogla dhe të parëndësishme nëse krahasohen me lëvizjet e mbretërve, parlamenteve, ushtrive dhe burrave të shtetit. Por ato nuk janë të parëndësishme në sytë e Perëndisë. Ai e vë re se kush i kundërshton shërbëtorët e Tij, dhe kush i ndihmon ata. Ai e dallon kush tregohet i mirë me ta, sikurse Lidia ndaj Palit dhe kush sjell vështirësi në shtegun e tyre, siç bëri Diotrefi me Gjonin. I gjithë përjetimi i tyre i përditshëm regjistrohet ndërsa ata mundohen në të korrat e Tij. Gjithçka është shkruar në librin e Tij të madh të kujtimit dhe do të nxirret në dritë në ditën e fundit. Krye kupë mbajtësi e harroi Jozefin kur u rivendos në vendin e tij. Por Zoti Jezus nuk harron kurrë asnjë nga njerëzit e Tij. Mëngjesin e ringjalljes Ai ka për t’u thënë shumë njerëzve që e presin më pak t’i dëgjojnë këto fjalë, “Isha i uritur dhe ju më dhatë për të ngrënë. Isha i etur dhe ju më dhatë për të mirë.” (Mateu 25:35).

Ndërsa e mbyllim këtë kapitull le të pyesim veten nën çfarë drite e konsiderojmë veprën dhe kauzën e Krishtit në botë? A jemi duke ndihmuar apo duke penguar? A i ndihmojmë në ndonjë mënyrë “profetët dhe njerëzit e drejtë”? A i ndihmojmë “të vegjlit” e Tij? Ai i pengojmë punëtorët e Tij apo i inkurajojmë? Këto janë pyetje serioze. Ata që japin “gotën me ujë të freskët” kurdoherë që kanë mundësi bëjnë një gjë të mirë dhe me mend. Por edhe më mirë bëjnë ata që punojnë në mënyrë aktive në vreshtin e Zotit. U përpjekshim të gjithë që ta lëmë botën një vend më të mirë nga sa ishte kur lindëm ne! Kjo do të thotë të kesh mendjen e Krishtit. Kjo do të thotë të zbulosh vlerën e mësimeve që gjenden në këtë kapitull të mrekullueshëm.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*