Perëndia nuk e kurseu Birin e vet

18 Gusht 2002 | prej Xhon Pajpër

Romakëve 8:28-32

Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse ata që ai i ka njohur që më parë, edhe i ka paracaktuar që të jenë të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij, kështu që ai të jetë i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve. Dhe ata që ai i paracaktoi edhe i thirri; dhe ata që i thirri edhe i shfajësoi; dhe ata që i shfajësoi, ata edhe i përlëvdoi. Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?

Disa të vërteta na lënë pothuaj pa fjalë. Romakëve 8:28-32 e la Palin pothuaj pa fjalë. Të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirën tuaj – Perëndia sigurohet që të ndodhë kështu, për shkak se ju njohu që më parë, ju paracaktoi për lavdi me Krishtin, ju thirri kur ishit të vdekur në shkelje dhe mëkate, ju drejtësoi falas përmes hirit të tij vetëm me anë të besimit, dhe tani po ju përlëvdon pak e nga pak deri në ditën e ardhjes së tij e cila do të kurorëzohet me një trup si trupi i lavdishëm i ringjallur i Krishtit.

Kjo e la Palin pothuaj pa fjalë. Pothuaj. Ai thotë, “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra?” Në ato fjalë dëgjoj dy gjëra për Palin dhe për ne. Dëgjoj, “Është e vështirë të gjejmë fjalë për këto gjëra madhështore.” Dëgjoj, “Duhet të gjejmë fjalë për këto të vërteta madhështore.” Mendoj se kur Pali thotë, “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra?” përgjigja e tij është: Duhet ta themi sërish në një mënyrë tjetër. Duhet të gjejmë fjalë të tjera dhe ta themi sërish. Këtë bën ai me fjalët, “Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?” Këtë ka qenë duke thënë gjithë kohën. Por duhet ta thotë në një mënyrë tjetër.

Po kështu duhet të bëjmë edhe ne. Nëse keni ndarë ungjillin e lavdishëm me një fëmijë, një prind apo mik shumë herë, duhet ta thoni sërish, ta thoni në një mënyrë tjetër. Duhet të shkruajmë nje imeil tjetër, të diktojmë një letër tjetër, të japim një mësim tjetër, të vendosim një pllakatë tjetër, të shkruajmë një poemë tjetër, të këndojmë një këngë tjetër, të themi një fjali tjetër për lavdinë e Perëndisë pranë shtratit të vdekjes së babait. “Çfarë të themi, pra, për këto gjëra?” Do t’i themi në një mënyrë tjetër, herë pas here deri sa të vdesim, dhe pastaj gjithë përjetësinë. Nuk do të pushojnë të jenë të denja për një mënyrë tjetër shpalljeje të kësaj lavdie.

 Perëndia është me ne

Si e thotë Pali këtë herë në vargun 31? Ai thotë, “Në qoftë se Perëndia është me ne?” Synimi i tij është të përmbledhë atë që është thënë më parë: Perëndia është me ne dhe si rrjedhim askush nuk mund të jetë kundër nesh. Perëndia na paranjohu në dashuri, na paracaktoi në birësim, na ngriti nga vdekja, na shpalli të drejtë dhe po punon në ne nga një masë lavdie tek tjetra deri në ditën madhështore dhe të gëzuar të Krishtit. Si ta themi këtë gjë sërish? Do të themi, “Perëndia është me ne.”

Oh sa të çmuara janë këto dy fjalë “me ne.” Në univers nuk ka fjalë më të frikshme se fjalët “Perëndia është kundër nesh.” Nëse një zemërim pafundësisht i pushtetshëm është kundër nesh, shfarrosja do të ishte një dhuratë e ëmbël e hirit. Kjo është arsyeja pse ata që përpiqen të na bindin se gjykimi do të thotë shfarrosje dhe jo ferr, janë aq larg së vërtetës. Shfarrosja nën zemërimin e Perëndisë nuk është gjykim, është çlirim dhe lehtësim (shih Zbulesa 6:16). Jo. Nuk ka shfarrosje të asnjë qënieje njerëzore. Ne do të jetojmë përjetë duke patur Perëndinë me ne ose kundër nesh. Të gjithë ata që janë në Krishtin mund të thonë pothuaj me një gëzim të patregueshëm “Perëndia është me ne.” Ai është në anën tonë.

Nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus (Romakëve 8:1). Perëndia është plotësisht për ne dhe asnjëherë kundër nesh. Asnjë prej sëmundjeve tona nuk është gjykim prej një gjykatësi ndëshkues. Asnjë prej makinave apo paisjeve tona të prishura nuk është ndëshkim prej Perëndisë. Asnjë prej përleshjeve tona martesore nuk është shenjë e zemërimit të tij. Asnjë prej punëve tona të humbura nuk është dënim për mëkatin. Asnjë prej fëmijëve tanë rebelë nuk është fshikullimë e kamzhikut të shpagimit të Perëndisë. Nëse jemi në Krishtin. Jo. Perëndia është me ne dhe jo kundër nesh, në çdo gjë, përmes çdo gjëje, në lehtësi apo dhimbje.

Kush është kundër nesh?

E cila do të thotë, për ta thënë në një mënyrë tjetër, “Kush është kundër nesh?” Jemi ende në vargun 31, “Në qoftë se Perëndia është me ne?” Përgjigja që Pali pret kur bën këtë pyetje është, “Askush nuk mund të jetë kundër nesh.” Gjë për të cilën priremi të themi, “Vërtet?” Çfarë do të thotë kjo? Vargu 35 thotë që do të ketë shtrëngim, pikëllim, persekutim dhe shpatë. Vargu 36 thotë që të krishterët po vriten gjithë ditën, ata po numërohen si dele për therje. Pali e tha këtë. Prandaj çfarë do të thotë ai me fjalët, “Kush mund të jetë kundër nesh?” Mendoj se ai do të thotë që askush nuk mund t’ja dalë me sukses kundër nesh.

Djalli dhe njerëzit mëkatarë mund t’ju sëmurin, t’ju vjedhin makinën, mund të mbjellin fara zënkash në martesën tuaj, mund t’ju lënë pa punë, dhe t’ju privojnë prej fëmijës suaj. Por vargu 28 thotë, Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirën tuaj nëse e doni Atë. Dhe nëse këto gjëra përfundimisht bashkëveprojnë për të mirën tuaj, planet e kundërshtarit prishen dhe synimi i tij për të qenë kundër jush kthehet në një të mirë të dhimbshme që thellon besimin, shenjtëron shpirtin dhe lartëson Krishtin. Nëse Perëndia është me ju ai nuk ju kursen prej këtyre gjërave. Por ai planifikon të mirën atje ku kundërshtari planifikon të keqen (Zanafilla 50:20, 45:7).

Gjërat që janë kundër jush ai i planifikon të jenë për ju. Askush nuk mund t’ja dalë me sukses kundër jush. Çfarë ndikimi duhet të ketë kjo në jetën tonë! Nuk duhet të jemi si bota nëse këto gjëra janë kështu. Pjesa më e madhe e botës e zgjedh stilin e jetës për shkak se ka frikë nga sëmundja, vjedhja, terrori, humbja e punës dhe një tufë gjërash të tjera. Ju kërkoni më së pari mbretërinë (shih Mateu 6:32-33). Perëndia do t’ju japë atë që keni nevojë. Ajo që humbisni apo ju mungon në shërbesën e mbretërisë me dashuri, sakrificë dhe vuajtje do të punojë për të mirën tuaj dhe do të kthehet tek ju njëqind fish, në një mënyrë të planifikuar prej Perëndisë.

Të qëndroni para kundërshtarit tuaj dhe të flisni ungjillin, qoftë në Kankan të Guinesë, në Stamboll të Turqisë, në Tentara të Indonezisë po në Miniapolis të Minesotës. Madje t’u thoni atyre që planifikojnë t’ju marrin jetën: “Bëni atë që duhet të bëni, por në fund të gjitha fjalët dhe lëndimet tuaja vetëm sa do ta rafinojnë besimin tim, do të shtojnë shpërblimin tim dhe do më çojnë në parajsë me Krishtin e ringjallur.” Oh sa të ndryshëm do të jemi nëse besojmë se Perëndia është me ne dhe askush nuk mund të jetë kundër nesh!

Logjika e palëkundshme e Qiellit

Çfarë të themi tani për këtë? Çfarë do t’i shtojë apostulli Pal kësaj? Ai do ta thotë edhe në një mënyrë tjetër. Ai do ta thotë në një mënyrë të re në vargun 32 që jo vetëm nuk u premton sukses kundërshtarëve, por gjithashtu premton një bujari totale, të bollshme dhe të pafund prej Perëndisë; të gjithë këtë në bazën e palëkundshme të vdekjes së Birit të tij për mëkatarët. “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?”

Një herë këtë e quajta “Logjika e palëkundshme e Qiellit.” Ky është argument nga më e madhja tek më e vogla. Nga më e vështira tek më e lehta. Nga pengesa pothuaj e pakalueshme tek ajo lehtësisht e kalueshme. Përderisa ai nuk e kurseu Birin e tij – kjo është gjëja më e madhe, gjëja e vështirë, pengesa e pakalueshme për shpëtimin tonë – por e dha Birin e vet të torturohej, tallej dhe të vdiste për të mbartur mëkatet. Nëse kjo mund të bëhet, atëherë edhe gjëja më e vogël, gjëja më e lehtë sigurisht që do të bëhet: që do të na dhurojë të gjitha gjërat që Krishti bleu për ne – të gjitha gjërat! Kjo është logjika e palëkundshme e qiellit.

Birin e tij

Konsiderojini pjesët e kësaj. Së pari, frazën “Birin e tij.” Jezu Krishti nuk ishte një njeri të cilin Perëndia e gjeti dhe e birësoi për të qenë biri i tij në tokë. Jezu Krishti është imazhi hyjnor i Atit, që ka ekzistuar që më parë, në të vërtetë ka ekzistuar gjithmonë, njëlloj i përjetshëm, i pa krijuar, në të cilin banon e gjithë plotësia e hyjnisë (Kolosianëve 2:9). Mbani mend prej Romakëve 8:3 se Perëndia “e dërgoi Birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar.” Me fjalë të tjera, Biri ekzistonte para se të merrte mish njerëzor. Ky nuk është thjesht profet. Ky është Perëndia Bir.

Dhe kur vargu 32 e quan atë Birin “e tij” ideja është që nuk ka të tjerë dhe që ai është pafundësisht i çmuar për Atin. Të paktën dy herë ndërsa Jezusi ishte mbi tokë Perëndia tha, “Ky është Biri im i dashur” (Mateu 3:7, 17:5). Tek Kolosianëve 1:13 Pali e quan atë “Birin e tij (Perëndisë) të dashur.” Vetë Jezusi tregoi shembëlltyrën e qiramarrësve në të cilën shërbëtorët e zotërisë u rrahën dhe u vranë kur shkuan për të marrë pjesën e tij. Pastaj Jezusi tha, “Duke pasur, pra, edhe një: birin e tij të dashur.” (Marku 12:6). Ati kishte vetëm një bir. Dhe atë e donte shumë. Atë dërgoi Ai.

Unë kam katër djem. Nuk ka dashuri si ajo e atit për një bir. Mos më keqkuptoni. Unë e dua gruan time. E dua vajzën time. E dua babain tim dhe shokët në stafin e kësaj kishe, ju dua ju. Nuk dua të them që dashuria e një ati për bijtë e tij është më e mirë se këto dashuri. Dua të them, është e ndryshme. Edhe ato janë të ndryshme. Por unë flas vetëm për këtë, nuk ka dashuri si dashuria e një ati për një bir.

Ideja e vargut 32 është që kjo dashuri e Perëndisë për Birin e tij të vetëm ishte si një pengesë masive si Mali Everest që qëndronte mes tij dhe shpëtimit tonë. Këtu kishim një pengesë pothuaj të pakalueshme. A mundej Perëndia, a do ta bënte, të mposhtte këtë lidhje të zjarrtë, të çmuar, admiruese, kënaqësie me Birin e tij dhe ta jepte atë që ta gënjenin, tradhëtonin, braktisnin, tallnin, ta rrihnin me kamzhik, të pështyhej, të gozhdohej në një kryq, të tejshpohej me shtizë ashtu si një kafshë që e therin. A do ta bëntë këtë me të vërtetë? A do ta dorëzonte Birin e dashurisë së tij? Nëse do ta bënte, atëherë çfarëdo synimi që të ndjekë nuk do të ndalet kurrë. Nëse kjo pengesë u mposht në kërkim të të mirës së tij, çdo pengesë do të mposhtet. A e bëri? Përgjigja e Palit është po, dhe ai e thotë në mënyrë negative dhe pozitive: “Nuk e kurseu Birin e vet, por edha për të gjithë ne.” Në fjalët, “nuk e kurseu,” dëgjojmë jashtëzakonshmërinë e vështirësisë dhe pengesës. Perëndia nuk u kënaq në dhimbjen dhe çnderimin e Birit të tij. Kjo ishte një gjë pafundësisht e tmerrshme që Biri i Perëndisë të trajtohej në këtë mënyrë. Në ato orë mëkati arriti pikën e vet më të keqe. U ekspozua si është në të vërtetë, sulm kundër Perëndisë. Gjithë mëkati, mëkati ynë, është një sulm kundër Perëndisë. Një mohim i Perëndisë. Një sulm ndaj të drejtave të tij, të vërtetës dhe bukurisë së tij. Por Perëndia nuk ia kurseu Birit të vet një trajtim të tillë.

Por e dha

Përkundrazi, “e dha për të gjithë ne.” Kjo të mos ju shpëtojë. Pothuaj gjithçka në univers që është e rëndësishme dhe e çmuar përmblidhet këtu në këtë moment të pashoq në kohë. Dashuria hyjnore për njeriun dhe urrejtja hyjnore ndaj mëkatit takohen këtu. Sovraniteti absolut hyjnor dhe pesha e përjetshme e përgjegjësisë njerëzore dhe veprimit moral takohen këtu. Urtësia dhe fuqia hyjnore e pafundme takohen këtu, kur Perëndia e dorëzoi Birin e tij në vdekje.

Bibla thotë që Juda e dorëzoi (Marku 3:19), dhe Pilati ua dorëzoi (Marku 15:15), Herodi, populli Jude dhe Johebrenjtë e dorëzuan (Veprat 4:27-28), dhe ne e dorëzuam (1 Korintasve 15:3, Galatasve 1:4, 1 Pjetri 2:24). Madje thuhet që vetë Jezusi e dorëzoi veten (Gjoni10:17, 19:30). Por Pali në vagun 32 po thotë gjënë përfundimtare. Në, pas dhe poshtë gjithë këtyre dorëzimeve njerëzore, Perëndia po dorëzonte Birin e tij në vdekje. “ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.” (Veprat 2:23). Në Judën, Pilatin, Herodin, turmat e Judenjve, ushtarët Romakë, në mëkatet tona, në nënshtrimin e Jezusit porsi qengj, Perëndia e dorëzoi Birin e vet. Asnjë gjë më e madhe se kjo nuk ka ndodhur.

Nëse kjo është e vërtetë, çfarë të themi?

Çfarë të themi për këtë gjë? Do të themi, “Logjika e qiellit qëndron!” Nëse Perëndia e dorëzoi kështu Birin e vet, atëherë… Çfarë? Përgjigja: Bashkë me të ai do të na dhurojë falas të gjitha gjërat. Nëse Perëndia nuk e kurseu Birin e tij, nuk do të na privojë nga asnjë gjë e mirë. Kjo është blerja dhe përmbushja përfundimtare e Psalmit 84:11, “ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt”. Ky është premtimi dhe themeli i 1 Korintasve 3:21-23, “sepse të gjitha gjërat janë tuajat; Pali, Apoli, Kefa, bota, jeta, vdekja, gjërat e tanishme dhe gjërat e ardhshme, të gjitha gjërat janë tuajat. Dhe ju jeni të Krishtit dhe Krishti është i Perëndisë.” Kjo është vula e premtimit të Efesianëve 1:3, “I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin.” Kjo është siguria e premtimit të Jezusit me fjalët, “Mos u shqetësoni, pra duke thënë: “Çfarë do të hamë ose çfarë do të pimë, ose me çfarë do të vishemi?”… Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra. Por para së gjithash kërkoni mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij dhe të gjitha këto gjëra do t’ju shtohen.” (Mateu 6:31-33).

Përderisa ai nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, ai do të na japë të gjitha gjërat bashkë me të me një siguri morale absolute. Vërtet? Të gjitha gjërat? Po “Pikëllimi, a ngushtica, a përndjekja, a uria, a të zhveshurit, a rreziku, a shpata?” (Romakëve 8:35). Përgjigja është në këtë citim madhështor prej Xhon Flavel 350 vjet më parë:

Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të? (Romakëve 8:32). Si mund të imagjinohet që pas kësaj Perëndia të privojë popullin e tij nga bekime frymërore apo të kësaj jete? Si nuk do t’i thërrasë në mënyrë të efektshme, si nuk do t’i drejtësojë falas, si nuk do t’i shenjtërojë plotësisht, dhe t’i përlëvdojë përjetësisht? Si nuk do t’i veshë, si nuk do t’i ushqejë, si nuk do t’i mbrojë dhe çlirojë? Sigurisht, nëse nuk i kurseu Birit të vet edhe një fshikull, një lot, një rënkim, një psherëtimë, një rrethanë mjerimi, nuk mund të imagjinohet kurrë që pas kësaj ai t’i mohojë apo t’i privojë popullit të tij – për hir të të cilëve ai vuajti – mëshirat, ngushëllimet, privilegjet, frymërore dhe të jetës, të cilat janë mirë për ta.

Perëndia gjithmonë bën atë që është e mirë për ne. Nëse besoni që ai dha Birin e tij për ju, këtë besoni. Gjithë jeta e krishterë është thjesht fryt i këtij besimi. Shihni drejt Krishtit. Shihni drejt dashurisë së Perëndisë. Jetoni në dashuri. Dhe mos kini më frikë.

Seria: Romakëve: Letra më madhështore e shkruar ndonjëherë

Tema: Dashuria e Perëndisë

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*