Kërkojini Atit tuaj qiellor

31 Dhjetor 2006 | prej Xhon Pajpër | Shkrimi: Mateu 7:712 | Tema: Lutja

Mateu 7:712

Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket. A ka midis jush ndonjë njeri që, po t’i kërkojë i biri bukë, t’i japë një gur? Ose po t’i kërkojë një peshk, t’i japë një gjarpër? Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

Kur ndaloni të konsideroni faktin që Perëndia është pafundësisht i fortë dhe mund të bëjë gjithë sa i pëlqen, që është pafundësisht i drejtë dhe bën vetëm atë që është e drejtë, që ai është pafundësisht i mirë dhe kështu gjithë sa ai bën është përsosmërisht e mirë, që ai është pafundësisht i urtë dhe gjithmonë e di në mënyrë të përsosur çfarë është e drejtë dhe e mirë, që ai është pafundësisht i dashur dhe kështu në gjithë forcën, drejtësinë, mirësinë dhe urtësinë e tij e ngre gëzimin e atyre që i do sa më lart që të jetë e mundur – kur ndaloni të konsideroni këtë gjë, atëherë ftesat bujare të këtij Perëndie për të kërkuar gjëra të mira prej Tij, me premtimin që do të na i japë, janë në mënyrë të paimagjinueshme gjë e mrekullueshme.

Tragjedia e mungesës së lutjes

Kjo do të thotë që një prej tragjedive të mëdha në kishë është sa pak prirje kemi për t’u lutur. Ftesa më e madhe në botë na ofrohet ne, dhe në mënyrë të pakonceptueshme ne rregullisht kthehemi tek gjërat e tjera. është sikur Perëndia të na dërgonte një ftesë për në banketin më të madh që është shtruar ndonjëherë dhe ne t’i kthenim përgjigje, “Kam blerë një arë dhe duhet të shkoj ta shoh,” ose “kam blerë pesë pëndë qe dhe duhet t’i provoj,” apo “Tani sa u martova me gruan time dhe nuk mund të vij” (Luka 14:18-20).

Një prirje e re për t’u lutur

Kështu ishte atëherë. Por lutja ime është që Perëndia ta përdorë këtë mesazh dhe këtë fjalë nga Mateu 7, bashkë me ndikime të tjera në jetën tuaj, për të zgjuar një prirje të re për t’u lutur në vitin e ardhshëm. Shpresoj t’i kërkoni Perëndisë ta bëjë këtë gjë ndërsa shohim këtë pjesë të shkrimit.

Këtë do ta bëjmë në dy hapa. Së pari, do të shohim tetë inkurajime për t’u lutur nga Mateu` 7:7-11. Së dyti, do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjes si duhet t’i kuptojmë premtimet që do të marrim atë për të cilën jemi lutur, do të gjejmë atë që kemi kërkuar, dhe që do të na hapet dera kur të trokasim.

Tetë inkurajime nga Jezusi për t’u lutur

Gjashtë prej këtyre inkurajimeve janë të qarta në tekst dhe dy nënkuptohen. Mua më duket i qartë që qëllimi kryesor i Jezusit në këto vargje është të na inkurajojë dhe motivojë të lutemi. Ai dëshiron që të lutemi. Si na inkurajon Ai?

1. Ai na fton të lutemi

Ai na fton të lutemi tri herë – ose nëse e dëgjojmë me dashuri mund të themi, ai na urdhëron tri herë të lutemi – t’i kërkojmë Atij çfarë kemi nevojë. Fakti sesa herë na fton që të lutemi është ai që na tërheq vëmendjen. Vargjet 7-8: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.” Përsëritja ka për qëllim të thotë, “e kam seriozisht”. Dëshiroj që ta bëni këtë gjë. Lutjuni Atit tuaj për ato që keni nevojë. Kërkojini Atit tuaj ndihmë kur keni nevojë. Trokitni tek dera e shtëpisë së Atit tuaj që t’ua hapë dhe t’ju japë atë që keni nevojë. Lutuni, kërkoni, trokisni. Po ju ftoj tri herë për shkak se me të vërtetë dëshiroj që të përjetoni ndihmën e Atit.

2. Ai në jep premtime nëse lutemi

Më e mirë dhe më e mahnitshme se tri ftesa janë shtatë premtimet.

Vargjet 7-8: “Lypni dhe [#1]do t’ju jepet; kërkoni dhe [#2] do të gjeni; trokitni dhe [#3] do t’ju çelet. Sepse kush lyp [#4] merr, kush kërkon [#5] gjen dhe [#6] do t’i çelet atij që troket. Dhe në fund të vargut 11b [#7] “aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.”

Shtatë premtime. Do t’ju jepet. Do të gjeni. Do t’ju çelet. Kush lyp merr. Kush kërkon gjen. Atij që troket do t’i çelet dera. Ati juaj do t’ju japë gjëra të mira. Sigurisht që ideja e kësaj tufe bujare premtimesh është të na thotë, “Inkurajohu për të ardhur. Lutju Atij. Lutja nuk është e kotë. Perëndia nuk po luan me ty. Ai përgjigjet. Ai na jep gjëra të mira kur lutemi. Inkurajohu. Lutu shpesh, lutur rregullisht, lutu me siguri.

3. Perëndia e vë Veten në dispozicion në nivele të ndryshme

Jezusi na inkurajon jo vetëm me faktin sa herë na fton dhe sa premtime na jep, por edhe me larminë e trefishtë të ftesave. Me fjalë të tjera, Perëndia është i gatshëm të reagojë pozitivisht kur e gjeni në nivele të ndryshme afërsie.

Lutu, Kërko. Trokit. Nëse babai i një fëmije është i pranishëm ai i kërkon atë që ka nevojë. Nëse babai i fëmijës është diku në shtëpi por fëmija nuk e sheh, ai e kërkon babain e tij për çfarë ka nevojë. Nëse fëmija e kërkon dhe e gjen babain në dhomën e tij të punës, troket që të marrë atë që ka nevojë. Ideja duket se është që nuk ka rëndësi nëse e gjeni Perëdinë menjëherë aty pranë, thuajse mund ta prekni afërsinë me të, ose kur është e vështirë ta shihni dhe madje mund të ketë pengesa ndërmjet, ai do t’ju dëgjojë, ai do t’ju japë gjëra të mira për shkak se shihni drejt tij dhe jo drejt dikujt tjetër.

4. Kushdo që lutet merr

Jezusi na inkurajon të lutemi duke e bërë të qartë që kushdo që lutet merr, jo vetëm disa prej tyre. Vargu 8 thotë, “Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.” Kur ai shton fjalën kush tek vargu 8, dëshiron të mposhtë ngadalësinë dhe hezitimin tonë që në një farë mënyre kjo do të funksionojë për të tjerët po jo për ne. Sigurisht, këtu ai është duke folur për fëmijët e Perëndisë, dhe jo për të gjithë njerëzit. Nëse nuk e kemi Jezusin si Shpëtimtar dhe Perëndinë si Atin tonë, atëherë këto premtime nuk vlejnë për ne.

Gjoni 1:12 thotë, “por të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij.” Për t’u bërë bij të Perëndisë duhet të pranojmë Birin e Perëndisë, Jezu Krishtin, i cili na jep autoritetin e birësimit. Për të tillë njerëz janë këto premtime.

Për ata që e pranojnë Jezusin, kushdo prej tyre që kërkon merr gjëra të mira prej Atit të tij. Ideja është që asnjë prej fëmijëve të tij nuk përjashtohet. Të gjithë janë të mirëpritur dhe nxiten që të vijnë. Martin Luteri e dalloi mënyrën sesi Jezusi po na motivon në këtë rast:

Ai e di që ne jemi hezitues dhe të turpshëm, që ndihemi të padenjë dhe të papërshtatshëm për t’ia paraqitur nevojat tona Perëndisë… Ne mendojmë që Perëndia është aq i madh dhe ne jemi aq të vegjël saqë nuk guxojmë të lutemi… Kjo është arsyeja pse Krishti dëshiron të na tërheqë larg mendimeve të tilla hezituese, të largojë dyshimet tona, dhe të bëjë që të shkojmë përpara me guxim dhe siguri.” (The Sermon on the Mount, translated by Jaroslav Pelikan, Vol. 21 of Luthers Works, [Concordia, 1956], p.234.)

5. Ne po shkojmë tek Ati ynë

Këtë gjë e kemi nënkuptuar por tani le ta themi hapur me gjithë forcën e saj: Kur shkojmë tek Perëndia përmes Jezusit, jemi duke shkuar tek Ati ynë. Vargu 11: “Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.” Fjala Atë nuk ishte thjesht një etiketë për Jezusin. Kjo është një prej të vërtetave më të mëdha. Perëndia është Ati ynë. Rrjedhoja është që ai nuk do të na japë kurrë atë që është e keqe për ne. Asnjëherë. Ai është Ati ynë.

6. Ati ynë qiellor është më i mirë se etërit tanë tokësorë

Pastaj Jezusi na inkurajon të lutemi duke na treguar që Ati ynë qiellor është më i mirë se etërit tanë tokësorë dhe ka për të na dhënë shumë më tepër gjëra të mira nga sa na dhanë ata. Tek Ati ynë qiellor nuk ka ligësi ashtu si tek ati ynë tokësor.

Sërish vargu 11, “Në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.”

Jam i vetëdijshëm dhe Jezusi ishte edhe më tepër për faktin që etërit tanë tokësorë janë mëkatarë. Kjo është arsyeja pse Bibla na tërheq vëmendjen jo vetëm tek ngjashmëritë mes etërve tokësore dhe Atit qiellor, por gjithashtu tregon edhe ndryshimet mes tyre (p.sh. Hebrenjve 12:9-11; Mateu 5:48).

Prandaj Jezusi shkon përtej inkurajimit duke thënë thjesht që Perëndia është Ati ynë, ai thotë që Perëndia është gjithmonë më i mirë se ati juaj tokësor, për shkak gjithë etërit tokësorë janë të këqij kurse Perëndia jo. Jezusi është shumë i drejtpërdrejtë dhe pa lajka në këtë pikë. Ky është një rast i qartë që Jezusi besonte në mëkatshmërinë universale të qënieve njerëzore. Ai supozon që të gjithë dishepujt e tij janë të këqij – ai nuk zgjedh një fjalë më të butë (si mëkatarë apo të dobët). Ai thjesht thotë që të gjithë dishepujt e tij janë të këqij (ponēroi.).

Mos e kufizoni kurrë kuptimin e Atësisë së Perëndisë tek përjetimi me atin tuaj tokësor. Përkundrazi, merrni zemër që Perëndia nuk ka asnjë prej mëkateve, kufizimeve, dobësive apo mangësive të babait tuaj.

Pika që po thekson Jezusi është: Edhe baballarët e rënë mëkatarë zakonisht kanë mjaft hir për t’ju dhënë gjëra të mira fëmijëve të tyre. Ka baballarë tmerrësisht abuzues. Por në pjesën më të madhe të botës baballarët janë xhelozë për të mirën e fëmijëve të tyre, edhe kur nuk janë të qartë për faktin se çfarë është e mirë për ta. Por Perëndia është gjithmonë më i mirë. Tek ai nuk ka ligësi. Prandaj, argumenti është i fortë: nëse babai juaj tokësor ju dha gjëra të mira (apo edhe nëse nuk ju dha!) sa më shumë Atij juaj qiellor do t’ju japë gjëra të mirë – gjithmonë do t’ju japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.

Këtu ka diçka që nënkuptohet gjë e cila gjendet në bazë të inkurajimit #4 – fjala kush – “Kush lyp merr.” Nëse Jezusi u thotë dishepujve të tij, “Ju jeni të këqij,” atëherë të vetmit njerëz që mund të shkojnë në lutje para Perëndisë janë bijtë e këqij të Perëndisë. Ju jeni fëmijë të Perëndisë. Ju jeni të këqij. Me fjalë të tjera, edhe pasi birësoheni prej Perëndisë në familjen e tij, mëkati ende qëndron në ju. Por Jezusi thotë, kushdo do të marrë – gjithsecili prej fëmijëve të këqij të Perëndisë! Do të mësojmë pse pas një momenti.

7. Ne mund t’i besojmë mirësisë së Perëndisë për shkak se Ai tashmë na ka bërë fëmijët e Tij

Këtu kemi një inkurajim tjetër të nënkuptuar për t’u lutur: Perëndia do të na japë gjëra të mira ne që jemi fëmijët e tij për shkak se tashmë na ka dhënë dhuratën për të qenë fëmijë të tij.

Ky zbulim më erdhi prej Shën Augustinit: “Çfarë nuk do t’ju japë Ai bijve të tij kur i kërkojnë, kur tashmë u ka dhënë këtë gjë, domethënë, mundësinë për të qenë bij?” Tashmë e kemi parë që të jesh një bir i Perëndisë është dhuratë që e marrim kur vijmë tek Jezusi (Gjoni 1:12). Jezusi u tha Farisenjve tek Gjoni 8:42, “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit.” Por Perëndia nuk ishtë Ati i tyre. Ata e mohojnë Jezusin. Prandaj nuk janë të gjithë bij të Perëndisë. Por nëse Perëndia në lirinë e tij na ka bërë bij, sa më tepër do të na japë ato që kemi nevojë?

8. Kryqi është themeli i lutjes

Më në fund, i nënkuptuar në këto vargje është kryqi i Krishtit si themeli për të gjitha përgjigjet e lutjeve. Arsyeja pse e them këtë është për shkak se ai na quan të këqij e megjithatë thotë që jemi bij të Perëndisë. Si ka mundësi që njerëz të këqij të birësohen prej një Perëndie plotësisht të shenjtë? Si mund të hamendësojmë që jemi fëmijë të Tij, pa folur pastaj për lutjen dhe pritjen që do të marrim, të kërkojmë dhe të gjejmë, të trokasim dhe të na çelet dera?

Jezusi e dha përgjigjen disa herë. Tek Mateu 20:28 ai thotë, “Biri i Njeriut nuk erdhi për t’i shërbyer por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën si shpagim për shumë veta.” Ai e dha jetën e tij për të na shpenguar prej zemërimit të Perëndisë dhe për të na vendosur në pozitën e fëmijëve që marrin vetëm gjëra të mira. Tek Mateu 26:28 ai u tha gjatë darkës së fundit, “ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë për faljen e mëkatëve.” Për shkak të gjakut të Krishtit, na janë falur mëkatet dhe besojmë tek Ai. Kjo është arsyeja që edhe pse Jezusi na quan të këqij mund të jemi fëmijë të Perëndisë dhe të presim që Ai të na japë gjëra të mira kur i kërkojmë.

Vdekja e Jezusi është themeli i të gjitha premtimeve të Perëndisë dhe i të gjitha përgjigjeve që marrim për lutjen. Kjo është arsyeja pse themi “në emrin e Jezusit.” në fund të lutjeve tona. Gjithçka varet prej Tij.

Përmbledhja e atyre që kemi thënë deri tani është që Jezusi me të vërtetë dëshiron të na inkurajojë të lutemi. Përse të fliste kështu rreth lutjes nëse synimi ynë për çdo vit të jetës tonë nuk është që të lutemi. Prandaj Ai na inkurajon herë pas here, duke e bërë këtë gjë të paktën tetë herë.

Një pyetje e fundit

Një pyetje e fundit: Si t’i kuptojmë këto gjashtë premtime tek vargjet 7 dhe 8, “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet. Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t’i çelet atij që troket.”?

A do të thotë kjo që një fëmijë i Perëndisë do të marrë gjithçka për të cilën lutet?

Mendoj që konteksti është i mjaftueshëm për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje. Jo, ne nuk marrim gjithçka për të cilën lutemi, nuk duhet të presim këtë gjë, dhe as do të donim të ndodhte kështu . Arsyeja pse them që nuk duhet është për shkak se nëse Perëndia do të bënte gjithçka që i kërkojmë të bëjë atëherë do të ishim ne Perëndi. Ne nuk duhet të jemi Perëndi. Perëndia duhet të jetë Perëndi. Dhe arsyeja pse them që nuk do të donim të merrnim gjithçka për të cilën lutemi është për shkak se atëherë do të na duhej të mbanim barrën e një urtësie të pafundme gjë të cilën nuk e kemi. Ne thjesht nuk dimë mjaftueshëm që të vendosim në mënyrë të pagabueshme sesi do të dalë çdo vendim, cila do jetë ngjarja tjetër në jetën tonë, për të mos folur fare për historinë.

Por arsyeja pse them që nuk marrim gjithë sa kërkojmë është për shkak se teksti e nënkupton këtë gjë. Jezusi thotë në vargjet 9-10 që një at i mirë nuk do t’i japë të birit një gur nëse i kërkon bukë, dhe nuk ka për t’i dhënë një gjarpër nëse i kërkon peshk. Ky ilustrim na shtyn të pyesim, “Po sikur i biri t’i kërkojë një gjarpër?” A na thotë teksti nëse Ati qiellor do të na e japë këtë gjë? Po, e thotë. Në vargun 11, Jezusi nxjerr këtë të vërtetë nga shembujt: “aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë.”

Ai jep vetëm gjëra të mira

Ai jep gjëra të mira. Vetëm gjëra të mira. Ai nuk u jep fëmijëve gjarpërinj. Prandaj, vetë teksti na çon larg konkluzionit që premtimi “Lutu dhe do të marrësh” do të thotë “Lutu dhe do të marrësh gjënë për të cilën u lute, në mënyrën që e kërkove.” Teksti nuk e thotë këtë gjë. Dhe nuk e ka këtë kuptim.

Nëse e shohim këtë tekst si një të tërë, ai thotë që kur lutemi, kërkojmë dhe trokasim – kur lutemi si fëmijë në nevojë duke e larguar vështirmin nga burimet tona drejt Atit tonë të besueshëm qiellor – Ai do të na dëgjojë dhe do të na japë gjëra të mira. Nganjëherë do na japë vetëm atë që kërkojmë. Nganjëherë vetëm kur kërkojmë. Nganjëherë sipas mënyrës që dëshirojmë. Dhe herë të tjera Ai na jep diçka më të mirë, në një moment që Ai e di që është më mirë apo në një mënyrë që Ai e di që është më e mirë.

Sigurisht, kjo e sprovon besimin tonë. Për shkak se po të mendojmë që diçka tjetër do ishte më e mirë, do ta kishim kërkuar këtë gjë që në fillim. Por ne nuk jemi Perëndi. Nuk jemi pafundësisht të fortë, pafundësisht të drejtë, apo pafundiësisht të mirë, pafundësisht të urtë, pafundësisht të dashur. Prandaj, është një mëshirë e madhe karshi nesh dhe karshi botës që të mos i marrim të gjitha ato që kërkojmë.

Besojani fjalën Jezusit

Por nëse e besojmë fjalën e Jezusit, oh sa shumë bekime që na shpëtojnë për shkak se nuk lutemi, nuk kërkojmë dhe nuk trokasim – bekime për veten, për familjet tona, për kishën, për kombin, për botën tonë.

Prandaj a do të bashkoheni me mua në një përkushtim të ri për të veçuar kohë lutjeje vetëm, në familje dhe në komunitet?

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: