Jezusi i flet Romës

prej David Mathis / 9 Tetor 2012

Ju keni dëgjuar që të lashtëve u ishte thënë, “Lutjuni Marisë dhe përgjërojuni Shenjtorëve,” Por Unë po ju them që ka vetëm një ndërmjetës mes Perëndisë dhe njeriut (1 Timoteu 2:5). Nuk keni nevojë për asnjë ndërmjetës tjetër përveç meje. A nuk e dini që tashmë keni një avokat tek Ati (1 Gjoni 2:1)? A nuk e dini që unë jam udha, e vërteta dhe jeta, që askush nuk shkon tek Ati veçse nëpërmjet meje (Gjoni 14:6)? Prandaj kur luteni, kërkoni në emrin tim që Ati të përlëvdohet në Birin (Gjoni 14:13).

Ju keni dëgjuar që është thënë, “Gjunjëzohuni përpara të shenjtëruarve dhe adhuroni atë që u sakrifikua gjatë meshës.” Por Unë po ju them që kur ofrova një herë e për gjithmonë sakrificën e vetme për mëkatet, u ula në të djathtën e Perëndisë, dhe qysh atëherë po pres që gjithë armiqtë e mi të bëhen stoli i këmbëve të mia. Sepse me një ofertë të vetme i përsosa përgjithmonë ata që po shenjtërohen (Hebrenjve 10:12-14). A nuk e keni dëgjuar që atje ku ka falje për mëkatet nuk ka më nevojë për ofertë për mëkatin (Hebrenjve 10:18)? E kisha me gjithë mend kur thashë në kryq, “U KRYE” (Gjoni 19:30).

Ju keni dëgjuar që është thënë, “Nderoni papën.” Por Unë po ju them që ky fatkeqësisht është një kuptim i gabuar rreth rolit që dishepullit im Pjetri luajti dhe realitetit të vazhdimësisë në kishë. Shkëmbi mbi të cilin kam ndërtuar kishën time (Mateu 16:18) për dy mijëvjeçarë nuk është vetëm Pjetri, por gjithë grupi i apostujve (Efesianëve 2:20). Të gjithë apostujt e mi të vajosur, jo vetëm Pjetri, janë lajmëtarët autoritarë të caktuar prej meje për kishën time (Gjoni 14:26; 15:26-27, 16:3). Autoriteti i tyre nuk është i tyre por imi. Unë jam ai që ka autoritetin (Mateu 7:29), dhe jo skribët tuaj kishtarë. Kur unë i ngjita në qiell, ishin të gjithë apostujt së bashku, jo vetëm Pjetri, që shërbyen si lajmëtarët e mi me autoritet mbi tokë gjatë brezit të parë të kishës. Me autoritetin tim, fjalët e folura dhe të shkruara të apostujve shërbyen si autoriteti përfundimtar i kishës së hershme – dhe kur apostujt u larguan, ishin shkrimet e tyre që u ruajtën ato që e përcollën zërin tim si autoritein përfundimtar për këto dy mijë vjet dhe jo traditat e grumbulluara të kishës.

Sërish, ju keni dëgjuar që u ishte thënë të parëve, “Priftërinjtë nuk lejohen të martohen.” Por Unë po ju them, e vlerësoj faktin që po e dëgjoni 1 Korintasve 7, po ato gjëra të tjera që dua t’ju them përmes lajmëtarëve të mi të frymëzuar? Unë kam thënë dy herë që një peshkop duhet të jetë bashkëshort i një gruaje të vetme (1 Timoteu 3:2, Titi 1:6) – pa i përjashtuar në asnjë mënyrë beqarët (si unë dhe Pali) nga postet në kishë, por në të njëjtën kohë nuk përjashtohen aspak të martuarit. Përse i përjashtoni ata nga priftëria, përveç rasteve të veçanta? Beqaria është një thirrje e veçantë dhe nuk duhet të bëhet e detyrueshme me ligjet e kishës. A nuk kam qënë po aq i qartë që është më mirë të martohesh sesa të digjesh nga dëshira (1 Korintasve 7:9)?

Ju keni dëgjuar që është thënë, “Pranimi juaj prej Perëndisë nuk bazohet vetëm në mirësinë e një tjetri por gjithashtu edhe në tuajën.” Por Unë po ju them, mos më mohoni lavdinë time të plotë në pranimin tuaj të plotë para Perëndisë. Lërmëni të jem i nderuar si i vetmi që i fal mëkatet tuaja (Marku 2:10), dhe i vetmi që siguron drejtësinë e përsosur që keni nevojë të pranoheni prej Perëndisë (Filipianëve 3:9). Është e vërtetë që ju përfshiheni në shenjtërinë tuaj të vazhdueshme ndërsa ju jepet drejtësia ime pasi jeni pranuar plotësisht (Romakëve 6:12-14). Por mos mendo që mund të bëhesh mjaft i shenjtë që të fitosh pranimin prej Perëndisë trefish të shenjtë. Ati im nuk shfajëson të perëndishmit, por të paudhët (Romakëve 4:6). A nuk e dini sa thellësisht mëkatarë që jeni (Romakëve 3:23), saqë është e pamundur për ata që janë në mish që t’i pëlqejnë Perëndisë (Romakëve 8:8), që asnjë përpjekje njerëzore nuk mund të të shfajësojë para Atit tim (Romakëve 3:20)? Ju keni nevojë për punën e një Tjetri – jetën, vdekjen e përsosur të Perëndisë-njeri që erdhi në tokë që të arrinte për ju pranimin me Perëndinë gjë të cilën ju nuk mund ta arrini për veten tuaj.

Ju keni dëgjuar që është thënë, “Shkrimet janë produkt i Kishës. Tradita e autorizuar qëndron përkrah Shkrimeve si autoriteti juaj përfundimtar.” Por Unë po ju them, për hir të traditës tuaj ju keni anuluar fjalën e Perëndisë (Mateu 15:6). Në martesën time të beslidhjes së re me nusen time, Dhëndri është ai që thotë fjalën me autoritet përfundimtar, jo Nusja. Delet dëgjojnë dhe ndjekin zërin tim (Gjoni 10:3-4, 27), jo zërin e kishës.

Apustujt unikë dhe të pazëvendësueshëm janë ata të cilët i stërvita për mëse tre vjet dhe i caktova që të jenë lajmëtarët e mi me autoritet. Profetët e besëlidhjes së vjetër dhe apostujt e besëlidhjes së re kanë folur prej meje dhe për mua (Gjoni 5:39, 46; Luka 24:25-27, 44-45; Efesianëve 3:5, 2 Pjetri 3:1-2). Zëri im në fjalët e tyre të shkruara është autoriteti juaj përfundimtar për doktrinën dhe praktikën. Kur them që autoriteti juaj përfundimtar është vetëm Shkrimi – sola Scriptura – e kam fjalën për shkrimet e apostujve dhe profetëve (Efesianëve 2:20). Kur them apostujt dhe profetët, dua të them që Unë vetë jam Fjala (Gjoni 1:1). Fjala përfundimtare e Perëndisë (Hebrenjve 1:2). Unë jam autoriteti përfundimtar i Kishës, dhe mënyra si e kam caktuar që ta përcjell këtë autoritet tek ju nuk është përmes traditave të vazhdueshme të kishës, por vetëm përmes fjalës profetike dhe apostolike.

Duke vënë traditat tuaja të grumbulluara përkrah Shkrimeve ju ja keni hequr fuqinë fjalës time (Mateu 15:6). Ju jeni zënë rob prej filozofive dhe mashtirmeve të kota, sipas traditave të njerëzve, sipas elementeve bazë të botës dhe jo sipas Krishtit (Kolosianëve 2:8). Nëse i vendosni traditat e njerëzve përkrah fjalëve të Perëndisë do të thotë që humbisni fjalët e Perëndisë. Nuk ka rëndësi sa shumë përpiqeni që t’i mbani zbulesat hyjnore si të barabarta me traditat njerëzore si autoritetin tuaj përfundimtar, në fund të fundit fjalët e njeriut në mënyrë të paevitueshme shtrembërojnë dhe zbehin fjalët e Perëndisë.

Read it in English

(c) DesiringGod.org

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*