Le të shkojmë me Jezusin duke bartur poshtërimin

Let Us Go with Jesus Bearing Reproach
28 Shtator 1997 | prej Xhon Pajpër

Hebrenjve 13:12-16

Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij. Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur. Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij. Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.

Shko drej nevojës, jo drejt rehatisë

Ideja e Hebrenjve 13:12-16 është mjaft e qartë: të krishterët shkojnë drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë! Shko drejt nevojës, jo drejt rehatisë!

Thirrja qëndrore për ne gjendet në vargun 13: “Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.” Kjo do të thotë, lëviz me Jezusin drejt nevojës, jo drejt rehatisë. Ky urdhërim në vargun 13 bazohet në vdekjen e Jezusit, në mënyrën si ndodhi dhe në atë që arriti. Vargu 12, “Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet [kjo është ajo që arriti], pësoi jashtë derës (së qytetit) [kështu ndodhi].” “Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës…” Me fjalë të tjera, ai thotë, “Të krishterë, bashkohuni me Jezusin në vuajtjet e tij!” Për shkak se Jezusi vuajti jashtë derës, dilni prej kampit të sigurisë, familjaritetit dhe rehatisë, dhe të jeni të gatshëm të bartni poshtërim bashkë me të në udhën e Kalvarit. Për shkak se ai vdiq atje për t’iu shenjtëruar juve, mos e bëni këtë gjë në forcën apo virtytit tuaj thjesht si një veprim imitimi; bëjeni në forcën dhe shenjtërinë që Krishti bleu për ju në vdekjen e tij. Ndryshe nuk ka për të qenë një veprim besimi por një veprim heroizmi; kështu lavdinë do ta marrësh ti dhe jo Krishi, kjo nuk ka për t’i pëlqyer Perëndisë. Për shkak se pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Perëndisë (11:6).

Prandaj pika kryesore është: i krishterë, me një Shpëtimtar të tillë, ja sesi duhet të jetosh – lëviz drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë.

E di që kjo këshillë mund të keqpërdoret. Një vajzë beqare mund të thotë, “Atëherë unë duhet të kërkoj burrin më të dobët dhe më në nevojë që mund të gjej dhe të martohem me të me shpresën që të mund t’i bëj mirë.” Ose një profesionist i ri mund të thotë, “Në rregull, tani duhet të kërkoj kompaninë më të dobët dhe më të paqëndrueshme në biznesin e kompjuterave dhe të përpiqem të zë punë atje me shpresën që ta kthej nga falimentimi.” Apo nëse makina juaj ka nevojë për riparime mund të thoni, “Duhet të kërkoj atë mekanik që është gati për të falimentuar për shkak se nuk është fare kopetent, ta çoj makinën atje që kështu ta ndihmoj.” “Mjafton si shtjellim; lëviz drejt nevojës, jo drejt rehatisë.”

Thirrja radikale e Jezusit

Problemi me këto keqpërdorime të thirrjes së Jezusit është që ato nuk janë mjaft radikale. Ato janë thjesht marrëzi. Përse madje të hamendësosh që duhet të martohesh? Ndoshta thirrja e Jezusit për të lëvizur drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë është një thirrje drejt beqarisë së parkushtuar për hir të një shërbimi më të madh. Ose ndoshta është një thirrje për t’u martuar me atë lloj personi që është mjaft i fortë dhe mjaft radikal për të dalë jashtë kampit bashkë me ty dhe të vuajë përkrah teje, që ta maksimalizoni jetën tuaj së bashku për të mirën e të tjerëve në vend që të zhyteni në pellgun e vogël të rehatshëm të preokupimit për veten ku kanë përfunduar shumë martesa.

Përse mendoni që duhet të kërkoni një punë në Amerikë – me një kompani të donët apo të fortë – kur punë të ngjashme ka edhe në vende ku zor se ka të krishterë dhe ku drita juaj nevojitet dëshpërimisht. Ose ndoshta duhet të punoni për një kompani të fortë këtu për shkak se ka njerëz që po humbasin apo për shkak se do të ketë mundësi për një ndikim të gjerë në përhapjen e vlerave të mbretërisë dhe t’i bëni raportet t’i shërbejnë përparësisë së Perëndisë në të gjitha gjërat.

Përse të hamendësoni që duhet të keni një makinë? Ndoshta thirrja e Jezusit në jetën tuaj është të shkoni në një vend ku njerëzit nuk kanë nevojë për makinë – për shkak se nuk ka rrugë, as kisha dhe as të krishterë. Ose ndoshta duhet të keni një makinë që funksionon pa problem në mënyrë që ta ngisni drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë.

Thirrja radikale e Jezusit është të bashkohemi me të në rrugën e Kalvarit – të dalim jashtë qytetit dhe të bartim poshtërimin bashkë me të – gjithmonë mund të përqeshet dhe tallet për t’u dukur marrëzi. Kjo është një nga mënyrat më të lehta për të shpëtuar. Kjo është shumë tunduese. Ju bën të dukeni të mençur. E bën Jezusin të duket i paaftë. Dhe ju liron ju (për ca vite të tjerë pa vlerë) të ecni sipas rutinës boshe, të cekët dhe rehat kërkuese të cilën disa njerëz e quajnë jetë.

“Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij. (vargu 13)… për shkak se (vargu 12) edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit).” Mënyra si ai vdiq dhe arsyeja përse vdiq sjellin gjithë ndryshimin për ne të cilëve ai na bën thirrje të shkojmë me të. Mënyra sesi vdiq ishte jashtë portës – jashtë rehative, familjaritetit dhe sigurisë në dukje të Qytetit të Shenjtë, Jerusalemit – jashtë portës, në Golgota, me vullnet, në mënyrë sakrifikuese, me dashuri. Dhe përse vdiq (vargu 13) ishte për t’i shenjtëruar njerëzit, për të na bërë të ndryshëm nga pjesa tjetër e botës, për të na bërë të shenjtë, të dashur, radikalë, njerëz që ndërmarin rreziqe dhe krejtësisht të mbërthyer prej një fati të ndryshëm nga ai që na ofron kjo botë.

Çfarë do të thotë shenjtërim në të vërtetë?

Konsideroni vargun tjetër (vargu 14) për të kuptuar sesi janë këta njerëz të shenjtëruar. Çfarë do të thotë shenjtërim në të vërtetë? Krishti vdiq që të shenjtëronte njerëzit; kjo do të thotë, që të prodhojë ata lloj njerëzish që janë të gatshëm të mendojnë për gjithë jetën e tyre si të shkuarit bashkë me Krishtin jashtë kampit për të bartur poshtërim. Në çfarë mënyre? Çfarë u ka ndodhur këtyre njerëzve? Vargu 14 na e tregon. Ata janë të gatshëm të shkojnë me Jezusin në udhën e Kalvarit drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë. “Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.”

Cila është ideja e kësaj? Ideja është që Krishti nuk vdiq që ta bëjë Miniapolisin parajsë në këtë epokë. Ai vdiq që ne të jemi të gatshëm të ndalojmë së përpjekuri që t’i bëjmë jetët tona private parajsë mbi tonë – në Miniapolis apo kudo tjetër. Me çfarë force? Për shkak se jemi mazokistë? Për shkak se na pëlqen vuajtja? Jo. Për shkak se “kërkojmë atë (qytetin) që ka për të ardhur.” A e shihni këtë gjë? Vargu 14, “Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.” Motivi ynë për të dalë jashtë kampit – drejt nevojës dhe jo drejt rehatis, duke bartur poshtërim, duke u kujdesur për njerëzit – është për shkak të një qyteti që po vjen, “qyteti i Perëndisë së gjallë” (Hebrenjve 12:22). Ky qytet është më i mirë nga ajo që na ofron kjo epokë dhe do të ngelet përjetë, dhe më e mira, atje ka për të qenë Perëndia, me lavdinë e tij të plotë (12:23).

Këtë model e kemi parë herë pas here tek letra e Hebrenjve. E pamë tek 10:34 ku të krishterët lëvizën drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë kur vizituan të burgosurit. Kur humbën pasurinë e tyre ata ngazëlluan, Hebrenjve thotë, “duke ditur se keni për veten tuaj një pasuri më të mirë e të qëndrueshme në qiej” – ata po kërkonin një qytet që duhet të vijë, jo rehati dhe parajsën mbi tokë. Prandaj shkuan drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë.

E pamë tek 11:25-26 ku Moisiu lëvizi drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë, “duke parapëlqyer të keqtrajtohet bashkë me popullin e Perëndisë se sa të gëzonte për një farë kohe dëfrimet e mëkatit,duke e çmuar dhunën e Krishtit si pasuri më të madhe nga thesaret e Egjiptit.” Pse? Me çfarë fuqie? Vargu 26 thotë, “sepse i drejtonte sytë nga shpërblimi” – që do të thotë se ai po priste qytetin që duhet të vinte.

E pamë tek 12:2 ku Jezusi lëvizi drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë, kur “duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen.” Pse? Me çfarë fuqie? Vargu 2 thotë që kjo ishte për shkak të gëzimit që ishte para tij. Që do të thotë se ai priste qytetin që do të vinte.

E pamë tek 13:5-6 ku të krishterët lëvizën drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë duke ruajtur jetën e tyre prej dashurisë për para dhe duke u kënaqur me atë që kanë. Si? Me çfarë fuqie? Vargu 5, “Perëndia ka thënë: ‘Nuk do të të lë, nuk do të të braktis’. Kështu mund të themi, me plot besimPerëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?” – Tani e përgjithmonë do të jem i sigurt në kujdesin e Perëndisë. Jam një qytetar i qytetit që do të vijë dhe asnjë gjë nuk mund të më ndajëprej tij. Prandaj do të lëviz drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë.

Prandaj ideja e Hebrenjve 13:14 konfirmohet herë pas here. Krishti nuk vdiq që t’i bëjë qytetet e kësaj epoke apo lagjet tona parajsë mbi tokë. Ai vdiq qe ne të jemi të gatshëm që të heqim dorë nga përpjekja për ta bërë jetën tonë parajsë mbi këtë tokë – si në qytet ashtu dhe në rrethina, por përkundrazi të shkojmë me Jezusin jashtë kampit të rehatisë, familjaritetit dhe sigurisë atje ku janë nevojat dhe atje ku ai thotë, sot (në ditën kur do të vdesësh) do të jesh me mua në parajsë (Luka 23:43). Ne lëvizim drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë për shkak se kërkojmë qytetin që do të vijë. Siguria radikale në një të ardhme të lavdishme me Perëndinë është ajo për të cilën Krishti vdiq që ta prodhojë. Dhe kur kjo gjë të mbërthen do të shenjtërohesh (v.12) dhe do të shkosh me Jezusin drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë.

Një jetë lavdërimi ndaj Perëndisë dhe dashurie për njerëzit

Le të tregohemi më specifikë. Çfarë përfshihet në këtë jetë që lëviz drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë, në këtë jetë jashtë kampit në rrugën e Kalvarit, duke shkuar me Jezusin drejt vuajtjes për hir të gëzimit që është para nesh në qytetin që do të vijë? Vargu 15 na jep një përgjigje dhe vargu 16 një përgjigje tjetër.

Vargu 15 thotë që kjo është një jetë lavdërimi për Perëndinë – lavdërim gojor dhe prej zemre – ai lloj që del prej gojës si fryti i zemrës suaj. Vargu 15, “Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.”

Vargu 16 thotë që kjo është një jetë dashurie për njerëzit – reale, praktike, ndarja e jetës suaj për të mirën e të tjerëve, “Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.”

Me fjalë të tjera, kur shkojmë bashkë me Jezusin tek vendi i sakrificës së tij jashtë kampit, shohim më qartë se kurrë që sakrifica e tij për ne – sakrifica e vetes së tij, një herë e përgjithmonë për mëkatarët (Hebrenjve 9:26, 28) – u jep fund gjithë sakrficave me përjashtim të dy llojeve të caktuara: sakrifica e lavdërimit të Perëndisë (vargu 15) dhe sakrifica e dashurisë për njerëzit (vargu 16).

Ja pra ku gjendemi jashtë kampit në rrugën e Kalvarit bashkë me Jezusin, duke mbartur poshtërimin dhe duke lëvizur drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë – dhe cila është kjo rrugë? Ku po na çon? Praktikisht këtë pasdite? Për ty? Këtë javë? Këtë vit?

  • Ndoshta është rruga që të çon tek agjerimi dhe lutja për popujt e paarritur në dritaren 10/40
    apo tek Salla e Shërbesës për të ndihmuar jetimët e Ukrainës
  • ose tek vendndodhja e re e klinikës së abortimit në lagjen tonë
  • ose tek shtëpia e Glen dhe Pati Larson, dhe të tjerë që gjenden në prag të përjetësisë
  • ose tek faqja 18 e Buletinit të Lutjes për Kishën e Persekutuar për të gjetur agjenci që do t’iu japin mënyra praktike për t’u kujdesur për të krishterët që vuajnë përreth botës
  • ose tek telefoni për të bërë t’iu përgjëruar një miku që është larguar të kthehet tek Jezusi
  • apo tek një fqinj të cilin e dini që po humbet në mosbesim.

Rruga e Kalvarit drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë na çon në një mijë vende të mundshme dashurie dhe lavdërimi.

E përdortë Perëndia Hebrenjve 13:13 për t’iu çliruar

Lutja ime këtë mëngjes për ju të rinj që nuk e keni caktuar ende kursin e jetës, për ju njerëz më të mëdhenj apo në pension që keni ende energji dhe shumë liri, si dhe për ju të tjerët ndërmjet që dëshironi të dorëzoni gjithçka dhe të bëni diçka radikalisht të ndryshme me jetën tuaj ashtu si kanë bërë dhjetëra beqarë dhe çifte në këtë kishë përgjatë viteve – lutja ime është që Perëndia ta përdorë këtë fjalë nga Hebrenjve 13:13 t’iu shkundë që nga themelet dhe t’iu çlirojë nga vendi juaj dhe t’iu dërgojë tek popujt e paarritur të botës me ungjillin e lavdisë së hirit të Perëndisë në Jezu Krishtin. E di që kjo nuk është java e misionit, por kjo është ajo që dëgjoj në këtë tekst për disa prej jush këtë mëngjes.

Qindra mijëra të krishterë përreth botës po rrezikojnë jetën e tyre thjesht duke qenë të krishterë. Prej Zbulesës 5:11 dimë që arsyeja pse Krishti doli jashtë kampit dhe vuajti ishte të shpengonte njerëz nga çdo fis, gjuhë, komb dhe popull. Dhe nëse kjo është arsyeja pse ai shkoi, atëherë çfarë do të thotë Hebrenjve 13:13, “Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.”? A nuk duhet të thotë për shumë prej nesh, Dil prej kampit! Dil prej kampit! Largohu prej kampit të rehatisë në kishën tënde. Dil prej kampit të rehatisë në qytetin tënd. Largohu prej punës tënde të sigurt dhe të rehatshme. Bashkohu me Jezusin në rrugën e Kalvarit dhe shko drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë.

Jo, nuk është e domosdoshme të shkoni në një kulturë tjertër për t’iu bindur këtij teksti. Por dëgjoni: Krishti vuajti jashtë kampit për hir të kombeve, qindra prej të cilëve nuk kanë kishë, as libra, as misionarë që të mund t’i ekspozojnë ndaj lajmit që Krishti erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët. Prandaj po e theksoj: Hebrenjve 13:13 është një thirrje për të lëvizur drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë. Dhe nevoja që më jehon në veshët e mi këtë të dielë është nevoja e popujve ku të krishterët po vdeshin për shkak të përndjekjes dhe ku mëkatarët po humbasin për shkak se nuk ka të krishterë të gatshëm që të përqafojnë përndjekjen.

Po iu përgjërohem, kur të ëndërroni për të ardhmen tuaj, nëse jeni 8, 18, 38 apo 80 vjeç, ëndërroni Hebrenjve 13:13, “Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.”

Ne nuk shkojmë vetëm

Do ta përkushtojmë veten tonë ndaj kësaj thirrjeje duke kënduar himnin e fundit të shtypur në rradhën e adhurimit. Mbështetemi në Ty. Shumë prej jush e dinë që pas këtij himni është një histori që i jep një forcë të veçantë në këtë moment. Xhim Eliot, Pit Fleming, Ed MekKalli, Nejt Seint dhe Roxher Joderian u vranë në Janar të vitit 1956 në Ekuador ndërsa po lëviznin drejt nevojës së fisit Auka dhe jo drejt rehatisë. Titulli i kapitullit 16 të librit të Elisabet Eliot për martirizimin është një prej vargjeve të këtij himni, “Ne nuk shkojmë vetëm.”

Pak para vdekjes së tij në Plazhin e Palmave kënduan këtë himn. Eliot shkruan,

Në fund të lutjeve pesë burrat kënduan një prej himneve të tyre të preferuara, “Mbështetemi në Ty,” sipas melodisë prekëse të “Finlandias”. Xhimi dhe Edi e kishin kënduar këtë himn qysh në universitet dhe e dinin përmendësh. Në vargun e fundit zërat e tyre tingëlluan me një bindje të thellë.

Mbështetemi tek Ti
Mburoja dhe Mbrojtësi ynë
E jotja është beteja
I yti do jetë lavdërimi
Kur të kalojmë Fitimtarë
Përtej portave të ndritura
Do prehemi në Ty
Në ditët pa mbarim

Me këtë siguri, ata shkuan tek Jezusi jashtë kampit. Ata lëvizën drejt nevojës dhe jo drejt rehatisë dhe kështu vdiqën. Kredoja e Xhim Eliotit doli e vërtetë, “Nuk është i marrë ai që jep atë që s’mund ta mbajë për të fituar atë që s’mund ta humbasë.” “Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.” (Vargu 14).

Ju ftoj që ta këndojmë së bashku. Dhe kur të arrini tek fjalët, “Në emrin tënd shkojmë,” këndojini me gjithë mend dhe jini gati të shkoni.

Seria: Hebrenjve Tema: Përndjekja & Martirizimi

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*