Krishtlindja ka të bëjë me lirinë!
19 Dhjetor
Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. – Hebrenjve 2:14-15
Jezusi u bë njeri për shkak se ajo që nevojitej ishte vdekja e një njeriu që ishte më tepër se njeri. Mishërimi ishte mënyra sesi Perëndia e vuri veten në kthetrat e vdekjes.
Krishti nuk rrezikoi vdekjen. Ai e përqafoi atë. Kjo ishte ekzaktësisht arsyeja pse ai erdhi: jo që t’i shërbejnë por për të shërbyer, dhe për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë vetë (Marku 10:45).
Nuk është çudi që Satani u përpoq ta largonte Jezusin prej kryqit! Kryqi ishte shkatërrimi i Satanit. Si e shkatërroi Jezusi atë? “Fuqia e vdekjes” është aftësia për të bërë vdekjen të frikshme. Është pushteti për t’i mbajtur njerëzit në mëkat në mënyrë që vdekja të vijë si një gjë e tmerrshme.
Por Jezusi e zhveshi Satanin nga pushteti i tij. Ai e çarmatosi. Ai formoi një parzmore të drejtësisë për ne e cila na bën të jemi të mbrojtur prej dënimit të djallit.
Përmes vdekjes së tij Jezusi i hoqi tej gjithë mëkatet tona. Një person pa mëkat e lë Satanin pa punë. Tradhëtia e tij është anulluar. Dinakëria e tij kozmike është thyer. “Mund ta durrojmë tërbimin e tij pasi i ka ditët e numëruara.” Kryqi e ka qëlluar tej e tej. Shumë shpejt do japë frymën e fundit.
Krishtlindja ka të bëjë me lirinë. Liri nga frika e vdekjes.
Jezusi morri natyrën tonë në Betlehem, për të vdekur në vendin tonë në Jerusalem, në mënyrë që ne të mos kemi frikë në qytetin tonë. Po, të patrembur. Kjo për shkak se nëse kërcënimi më i madh ndaj gëzimit tim është hequr, atëherë pse të shqetësohem për rreziqet e vogla? Si mund të thoni, “Epo, nuk kam frikë të vdes por kam frikë se humbas punën”? Jo. Jo. Mendoni pak!
Nëse vdekja (thashë, vdekja – të mos kesh puls, të jesh i ftohtë, të kesh ikur!) – nëse vdekja nuk është më frikë, ne jemi të lirë, vërtet të lirë. Të lirë të ndërmarrim çdo rrezik nën diell për Krishtin dhe për të tjerët. Nuk jemi më skllevër të ankthit.
Nëse Biri ju ka çliruar atëherë do të jeni me të vërtetë të lirë!
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org