A mëkatuan Adami dhe Eva para se të kafshonin frutin e ndaluar?
nga John Piper
Pyetja që do të trajtojmë këtë javë është një pyetje në lidhje me mëkatin origjinal që u krye nga Adami dhe Eva. Është një pyetje shumë e zgjuar në lidhje me diçka që keni thënë ju pastor John.
“Përshëndetje Pastor John dhe ju faleminderit që e pranuat pyetjen time. Mua më quajnë Aleks dhe jam nga Dallasi. Sipas predikimit tuaj në konferencën Pasioni 2017 ju thatë që thelbi përfundimtar i ligësisë në kopshtin e Edenit nuk ishte ngrënia e frutit të ndaluar. Ju thatë që ata e humbën interesimin e tyre në Perëndinë dhe mëkatuan para se të kafshonin frutin. Të lutem, a mund ta shpjegosh këtë gjë? Mendoja që kishte një ndryshim mes tundimit dhe dorëzimit ndaj mëkatit.”
Le të qartësojmë dy gjëra. E para, ndryshimi mes thelbit të mëkatit nga njëra anë dhe veprimeve mëkatare të trupit nga ana tjetër. Së dyti, le të qartësojmë ndryshimin mes tundimit dhe mëkatimit. Duket sikur këto janë dy nivelet e pyetjes së Aleksit.
Thelbi i mëkatit
Së pari, ka një ndryshim mes thelbit të mëkatit dhe veprimit të jashtëm të mëkatimit. Thelbi i mëkatit nuk është ajo që bëjnë muskujt; por është ajo që bën zemra. Me zemrën e kam fjalën për aftësinë e brendshme për të vendosur dhe dëshiruar nga e cila rrjedhin veprimet.
Nëse një person i fortë ju kap nga krahu pa vullnetin tuaj dhe duke përdorur forcë ju bën që t’i ngulni thikën dikujt tjetër edhe pse ju rezistuat me gjithë forcën tuaj, në gjyq do të thoshit që ju vetë nuk keni bërë asnjë të keqe. Por nëse ishte zemra juaj ajo që e bëri krahun të godiste dikë me thikë atëherë keni bërë gjënë e gabuar dhe e dini.
“Thelbi i mëkatit nuk është ajo që bëjnë muskujt; por është ajo që bën zemra.” #JohnPiper
Thelbi i mëkatit nuk është lëvizja e gjymtyrëve tuaja fizike por dëshira dhe qëllimi i zemrës. Lëvizjet e jashtme të muskujve janë moralisht të liga deri në atë pikë që ato janë rrjedhoja të një zemre të ligë.
Kur Adami dhe Eva i përdorën muskujt e krahëve dhe duarve të tyre për t’u zgjatur që të kapnin frutin e ndaluar dhe pastaj përdorën muskujt e nofullave të tyre për ta kafshuar, këto veprime të jashtme të muskujve ishin veprime ligësie saktësisht për shkak se ishin shprehje të një zemre që e kishte humbur shijen për kënaqësinë superiore të Perëndisë dhe tani ishte e sunduar prej dëshirave për diçka më tepër se Perëndia. Ajo gjendje mëkatare e zemrës u parapriu muskujve dhe lëvizjeve të tyre për të kafshuar frutin e ndaluar. Kjo ishte ideja që po përpiqesha të përcillja.
Jezusi u tundua
Ja qartësimi i dytë. Aleksi duket sikur mendon që dallimi që sapo kam bërë në një farë mënyre është në kundërshtim me dallimin që bëjmë zakonisht mes tundimit dhe mëkatit. Më lejoni të jap disa tregues biblikë sesi ta kuptojmë tundimin dhe marrëdhënien e tij me mëkatimin.
Së pari, ne dimë nga Lluka 4:2 dhe Mateu 4:1 që Jezusi u tundua në shkretëtirë prej djallit. Thuhet në mënyrë të qartë që ai u tundua. E dimë gjithashtu nga Hebrenjve 4:15 që edhe pse u tundua ai nuk mëkatoi.
Prandaj, konkluzioni im thjesht nga këto fakte që kemi paraqitur është që tundimet e Satanit shpesh janë oferta të jashtme për kënaqësi, të cilat, nëse i përqafojmë bëhen mëkat. Por të dëgjosh dhe të shohësh ofertën e tij nuk është mëkat. Në rastin e Adamit dhe Evës kishte gjëra rreth pemës dhe frutit të cilat ofronin kënaqësi. Kjo ishte një ofertë objektive dhe Satani po jua bënte edhe më joshëse.
“Zakonisht ne e kuptojmë tundimin si një ofertë e jashtme për kënaqësi, të cilën, nëse e përqafojmë bëhet mëkat.” #JohnPiper
Perceptimi i ofertës së jashtme objektive nuk është mëkat. Jezusi e pa dhe e dëgjoi ofertën. Adami dhe Eva e panë dhe e dëgjuan po ashtu. Perceptimi i ofertës – e cila nëse përqafohet, bëhet mëkat – nuk është mëkat në vetvete.
Jezusi nuk e përqafoi ofertën. Ai e hodhi tej me fjalën e Perëndisë. Adami dhe Eva shijuan dhe përqafuan, preferuan ofertën mbi Perëndinë dhe vepruan sipas saj. Në shijimin e kësaj oferte kënaqësia e ofruar u bë aq bindëse saqë dëshira për të u bë më e madhe se dëshira për Perëndinë. Në atë pikë në zemrat e tyre sapo kishte ndodhur thelbi i mëkatit. Pastaj u vunë në punë muskujt që e bënë këtë gjë një veprim të dukshëm.
Dëshirat e mira
Në këtë pikë dëshiroj të ndaloj për shkak se mendoj që ky është një dallim relativisht i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë mes tundimit dhe mëkatimit të hapur. Por sikurse ndodh shumë shpesh në Shkrim, Jakobi nuk na lejon të ndalojmë këtu. Ai i bën gjërat edhe më të ndërlikuara. Duhet të trajtojmë Jakobi 1:13-15 për shkak se Jakobi vazhdon të flasë për tundimin. Më lejoni ta lexoj se çfarë thotë. Ai e përkufizon tundimin ndryshe nga sa kam thënë unë deri tani. Ja se çfarë thotë Jakobi:
Askush kur tundohet të mos thotë: ”Jam tunduar nga Perëndinë”, sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri. Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet. Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.
Uau! Kjo është vërtet e ndërlikuar. Ja se çfarë duket se po bën Jakobi. Ai po gërmon thellë në zemër për të analizuar se çfarë ndodh mes ofertës së jashtme të kënaqësisë të cilën unë e kam quajtur tundim dhe momentit kur dëshira juaj e brendshme mbarset me një preferencë për atë kënaqësi.
Mendoj që Jakobi e kupton që shpesh ka dëshira të mira në zemër të cilat korrespondojnë me dëshirën që na ofrohet në tundim. Këto dëshira nuk janë ende të mëkatshme. Për shembull, nëse dikush do ju ofronte 1,000 $ që ta gënjenit policinë për diçka që kishit parë ndërkohë që gruaja dhe fëmijët tuaj po vuanin nga uria pasi nuk kishit lekë për të blerë ushqime, atëherë ju do të ndjenit një dëshirë për ato 1,000 $ që të mund të blinin ushqime. “Oh, po, i dua ato 1,000 $ për të blerë ushqime për familjen time.”
Ajo dëshirë që ju ndjeni në atë moment nuk ka pse të jetë e mëkatshme – edhe pse ajo korrespondon me kënaqësinë e ligë që po ju ofrohet – për shkak se keni mundësi të bëni një dallim. Ju hiqni një vijë. Kur dëshira fillon të kalojë tek një preferencë për atë rryshfet sesa për t’i besuar Perëndisë në këtë gjë, ju ia ndërprisni rrugën. Ju e ndërprisni atë dëshirë me fjalën e Perëndisë. Ju e bëni të vdesë përmes fjalës së Perëndisë.
Perëndia nuk mund të tundohet
Mendoj që kjo është saktësisht ajo që bëri Jezusi. Bibla thotë që ai ishte i urritur. Ai nuk kishte ngrënë për dyzetë ditë. Sigurisht që ishte i uritur, dhe Satani i ofroi bukë. Nuk ka dyshim që Jezusi ndjeu një dëshirë të madhe për bukë. Me fjalë të tjera, dëshira e tij korrespondonte me kënaqësinë që po i ofrohej në tundim, por Jezusi nuk e lejoi kurrë dëshirën për ushqim që të bëhej preferencë më e fortë për bukë sesa për vullnetin e Perëndisë.
“Shpesh ka dëshira të mira në zemër të cilat korrespondojnë me dëshirat që na ofron tundimi.” #JohnPiper
Tani, ajo që Jakobi thotë është që çdo person tundohet kur ai tërhiqet dhe joshet nga dëshira e tij. Mendoj që ai do të thotë se kjo tërheqje dhe joshje në një moment të caktuar kalon cakun për në mëkat. Ai e përshkruan këtë gjë si mbarsje – mbarsur me mëkat për shkak se kjo është ajo që lindi. Ju lindni atë me të cilën jeni mbarsur. Kjo gjë pjell mëkatin.
Arsyeja pse mendoj se është kështu është sepse Jakobi thotë që Perëndia nuk mund të tundohet. Epo, prit një moment. Ne e dimë që Jezusi u tundua. Jakobi po e përkufizon tundimin për të përfshirë pikën e ndjelljes dhe joshjes e cila pastaj kalon në mëkat. Kjo është arsyeja që Perëndia nuk mund të tundohet në atë kuptim. Jezusi nuk mund të tundohej në atë kuptim.
Tundim apo mëkat?
Ja konkluzioni. Më vjen keq që po e ndërlikoj kaq, por këto janë gjërat që dimë ndërsa Perëndia po na beson disa prej gjërave më të lavdishme në këtë pjesë të fjalës së tij. Zakonisht, ne e kuptojmë tundimin si oferta e jashtme për një kënaqësi, e cila nëse përqafohet bëhet mëkat. Ky është kuptimi i zakonshëm i tundimit.
Ne mund të përjetojmë dëshira që korrespondojnë me atë kënaqësi, të cilat nuk janë ende të mëkatshme, sikurse uria e Jezusit në shkretëtirë. Nganjëherë Dhiata e Re flet për tundimin si diçka që përfshin kalimin e një pike mes një kënaqësie të pafajshme të cilën e përjetojmë – të cilën e kemi apo e dëshirojmë – dhe preferencës së asaj kënaqësie mbi Perëndinë dhe vullnetin e tij. Prandaj, duhet të tregohemi shumë vigjilentë.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!