Ambicia e Shenjtë: Predikimi i Krishtit atje ku nuk e njohin emri i Tij
27 Gusht 2006, prej John Piper
Romakëve: Letra më madhështore e shkruar ndonjëherë
Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t’i sjell në dëgjesë jo-hebrenjtë me fjalë dhe me vepër, me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jerusalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit, duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit. Por, sikurse është shkruar: ”Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë”. Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju. Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillëzuar në këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju, kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t’ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju.
Romakëve 15:18-24
Në këtë tekst ka tri gjëra tek të cilat mendoj që duhet të fokusohemi. Që të tria kanë rrjedhoja të drejtpërdrejta për jetën tonë (edhe nëse tani nuk jeni të vetëdijshëm për këtë gjë), që të tria lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me Perëndinë dhe qëllimet e Tij në shekullin e njëzetë e një. Së pari, dalloj një ambicie të shenjtë. Së dyti, shoh një nevojë të pamasë. Së treti, dalloj një strategji globale. Prandaj le t’i trajtojmë një e nga një dhe të shohim sesi lidhen me njëra tjetrën, si lidhen me ne dhe me botën e sotme.
1. Një ambicie e shenjtë
Vargu 20: “[Prandaj ambicia ime është] të predikoj ungjillin, atje ku nuk është i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit.”
Pali kontrollohej prej një ambicieje të shenjtë. Them që kontrollohej për shkak se në vargun 22 Pali thotë, “Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju.” Dhe në fund të vargut 23 ai thotë, “duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju.” Kur ke mall të bësh diçka për vite me radhë, por nuk e bën, ka diçka që po të kontrollon. Ajo çfarë po e kontrollonte Palin dhe po e pengonte të shkonte në Romë ishte që ai nuk e kishte plotësuar ambicien e tij në zonat nga Jerusalemi gjer në Iliri. Por përfundimisht, ai thotë në vargun 23, “duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillëzuar në këto vise.” Dhe pastaj në vargun 24 thotë, “kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t’ju shoh dhe të më përcillni deri atje.”
Me fjalë të tjera, ai ishte i kontrolluar prej një ambicieje për të predikuar ungjillin tek ata që nuk e kishin dëgjuar emrin e Jezusit nga Jerusalemi në Iliri (Shqipëri), ai nuk hiqte dorë prej ambicies së tij gjersa ta plotësonte. Por tani puna në këto vise është përmbushur, dhe ambicia e tij po e çon në Spanjë. Kjo e liron që më në fund të bëjë atë që kishte dashur të bënte për vite me radhë, domethënë të vizitonte kishën në Romë dhe të kënaqej me shoqërinë e tyre për pak kohë.
Është gjë e mirë të kontrollohesh prej një ambicieje të shenjtë. A po kontrolloheni ju prej një ambicieje të shenjtë? Po e quaj “të shenjtë” për shkak se synimi i saj është i shenjtë – të shohim njerëz nga të gjitha kombet që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Jezusit që të besojnë tek ai, t’i binden atij dhe të shpëtohen prej tij nga mëkatet e tyre dhe prej zemërimit të Perëndisë. Po e quaj ambicie “të shenjtë” për shkak se vjen prej Perëndisë dhe prej fjalës së Tij të shenjtë ashtu si do të shohim pas pak. Është gjë e mirë dhe e drejtë të kontrollohesh prej një ambicieje të shenjtë.
A keni ju një ambicie të shenjtë? Jo të gjithë duhet të kenë ambicien e Palit. Njëri mbjell dhe tjetri ujit (1 Korintasve 3:6-8). Secili ka dhuntinë e vet (1 Korintasve 7:7). Secili qëndron ose rrëzohet para zotërisë së tij (Romakëve 14:4). Por mendoj që Perëndia do ishte i kënaqur nëse secili prej fëmijëve të tij të kishte një ambicie të shenjtë.
Ambicie e Shenjtë për djemtë dhe vajzat
Fëmijë të vegjël, më dëgjoni pak me kujdes. E di që fjalët “ambicie e shenjtë” janë të pazakonta dhe ju nuk i përdorni çdo ditë. “Ambicie e shenjtë” është diçka të cilën vërtet dëshironi ta bëni, diçka që Perëndia dëshiron ta bëni. Është diçka të cilën dëshironi aq shumë ta bëni saqë bërja e kësaj ju pengon të bëni gjëra të tjera të cilat gjithashtu ju pëlqejnë t’i bëni. Pali kishte shumë dëshirë të shkonte në Romë për vite me radhë. Por nuk shkoi për shkak se dëshironte diçka tjetër më tepër se kjo. Ai dëshironte të predikonte ungjillin në Azi dhe Greqi, atje ku njerëzit nuk kishin dëgjuar për Jezusin. Ai dëshironte vërtet shumë, shumë që ta bënte këtë gjë. Këtë lloj dëshire e quajmë “ambicie.” E quajmë “ambicie të shenjtë” kur është diçka që Perëndia dëshiron ta bëni.
A keni një ambicie të tillë? Ndoshta nuk e keni. Jeni ende fëmijë. Këtë gjë duhet të bëni. Por një ditë nuk do jeni më fëmijë. Një prej ndryshimeve mes të qënurit fëmijë dhe i rritur është që të rritesh si i krishterë do të thotë të kesh një ambicie të shenjtë. Shumica e vajzave të vogla, përfshirë këtu dhe Talithën time, dëshirojnë shumë të kenë kukulla me të cilat të luajnë. Kjo është gjë e mirë. Por do të vijë një ditë kur ju vajza të vogla do të lini mënjanë kënaqësinë e lojës me kukullat dhe do të rriteni për të përjetuar gëzime edhe më të mira, edhe më të madha kur të kujdeseni për bebet e vërteta në çerdhe. Ndoshta një ditë do të udhëhiqni një shërbesë për t’u kujdesur për bebet e uritura diku larg, apo për bebet e vetmuara që nuk kanë mami apo babi. Për disa prej jush kjo ka për t’u bërë një ambicie e shenjtë. Për të tjerët diçka tjetër ka për të qenë ambicia e tyre e shenjtë.
Djem, më dëgjoni. Nëse jeni si kam qenë unë, ajo që vërtet dëshironi është një top, një kamion, një revole dhe dikë me të cilin të luani. Nuk kam pasur kurrë një armë prej vërteti (me përjashtim të një pushke me ajër). Por me pistoletën time me mulli kam qëlluar shumë tipa të ligj. Më pëlqente të luaja futboll me shokët e mi dhe të bënim xhade për kamionët tanë. Më pëlqente ta nxirrja pistoletën aq shpejt sa nuk mund ta shihnit. Kjo ishte gjë e mirë.
Por një ditë nuk do jeni më një djalë i vogël. Një prej ndryshimeve mes një djali të vogël dhe të rriturit është që kur rriteni si i krishterë do të thotë që keni një ambicie të shenjtë. Kjo do të thotë që kënaqësia e pistoletave, kamionëve dhe topit zvogëlohet dhe gëzimi i përpjekjes për drejtësi dhe shpëtim zmadhohet. Të rritesh do të thotë të kesh një ambicie të shenjtë për të përdorur fuqishëm shpatën e Frymës, të ngasësh një kamion plot dashuri tek nevojtarët dhe t’i futësh një shkelm Satanit në emrin e Jezusit.
Mami, Babi, beqarët, të rinjtë dhe të moshuarit. Të krishterët duhet të kenë një ambicie të shenjtë. Diçka të cilën vërtet dëshironi ta bëni për lavdinë e Perëndisë. Është diçka që ju kontrollon. Kjo ju ndihmon të vendosni për të mos shkuar në Romë. Kjo ambicie e shenjtë i jep jetës tuaj fokus të përjetshëm dhe pasion.
Burimi i Ambicies së Shenjtë
Prej nga vjen kjo ambicie e shenjtë? Një pjesë thelbësore e përgjigjes jepet në lidhjen mes vargjeve 20 dhe 21. “[Prandaj ambicia ime është] të predikoj ungjillin, atje ku nuk është i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit. Por, sikurse është shkruar: [këtu Pali citon Isaia 52:15] ”Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë”
Ja tek është gjëja e mahnitshme dhe që vlen për ne. E dimë nga Veprat 9, 22, dhe 26 që Pali ishte thirrur prej Krishtit të ringjallur rrugës për në Damask. Jezusi i dha Palit misionin e tij tek siç thuhet tek Veprat 26:18, “duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga jo-hebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani, që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve.” Ai pra e morri thirrjen drejtpërdrejt nga Jezu Krishti i ringjallur, i gjallë, dhe plotësisht sovran, që të ishte një dritë për Jo-hebrenjtë.
Por ai nuk e thotë kështu tek Romakëve 15:21. Ai nuk thotë, “Kam një ambicie të jem një dritë për kombet që nuk e njohin Krishtin për shkak se Jezusi më thirri kur po shkoja rrugës për në Damask.” Ai thotë, “Kam këtë ambicie, jam i kontrolluar prej një pasioni për të predikuar Krishtin atje ku nuk e kanë dëgjuar emrin e tij – për shkak se Isaia 52:15 thotë, “Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë.”
Si e shpjegoni këtë gjë? Ja sesi e kuptoj unë. Kur Jezusi e thirri Palin rrugës për në Damask për ta çuar ungjillin tek Jo-hebrenjve që nuk e kishin dëgjuar kurrë, Pali shkoi tek Dhiata e Vjetër dhe kërkoi një konfirmim dhe një shpjegim për këtë thirrje për të parë nëse përputhej me planin e përgjithshëm të Perëndisë. Kështu e gjeti. Për hirin tonë ai flet në këtë mënyrë. Nuk i referohet thjesht përjetimit të tij në rrugën për Damask, të cilin ne nuk kemi për ta pasur kurrë. Ai i referohet fjalës së shkruar të Perëndisë dhe këtë ne e kemi. Ai e mbështet ambicien e tij tek Fjala e Perëndisë.
Prandaj përgjigja ime për pyetjen Prej nga vjen ambicia e shenjtë? është kjo: ambicia e shenjtë vjen prej përjetimit personal me Krishtin e gjallë (jo domosdoshmërisht aq dramatik sa dhe rruga për në Damask) i ndikuar, i formuar dhe i fuqizuar prej fjalës së shkruar të Perëndisë. Ndërsa meditoni natë e ditë mbi ligjin e Zotit (Psalmi 1:2), ndërsa e zhytni veten në fjalën e Perëndisë, Ai vjen dhe e merr një të vërtetë të asaj fjale dhe e ndez në zemrën tuaj gjersa ajo të bëhet një ambicie e shenjtë. Nëse kjo gjë nuk ka ndodhur ende me ju, zhytuni në fjalën e Perëndisë dhe lutjuni Atij për këtë gjë.
2. Një nevojë e pamasë
Perëndia nuk na çon drejt ambicieve të kota për të cilat të pendohemi në fund të jetës tonë. Ka gjithmonë një nevojë që duhet përmbushur përmes një ambicieje të shenjtë – jo një nevojë tek Perëndia, por një nevojë në botë. Ambiciet e shenjta nuk kanë të bëjnë me vetë-lartësimin. Ato janë gjithmonë një formë dashurie. Ato gjithmonë plotësojnë nevojën e dikujt.
Cila është nevoja e pamasë të cilës Pali i referohet në këtë tekst? Vargu 20 thotë: [Prandaj ambicia ime është] të predikoj ungjillin, atje ku nuk është i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit.” Kjo do të thotë që Pali e ka bërë fytyrën e tij si strall për t’u predikuar ungjillin atyre që nuk kanë dëgjuar kurrë për Krishtin. Ata madje nuk ia kanë dëgjuar as emrin.
Kombet nuk kanë asnjë shfajësim
Ja ku është pyetja që del në këtë moment: Po sikur këta njerëz të mos e kenë dëgjuar emrin Jezus, a janë përgjegjës që të besojnë në të për shpëtim? Nëse nuk janë, a nuk do të ishte më e sigurt që t’i linim në paditurinë e tyre dhe të besojmë që Perëndia të ketë mëshirë për ta dhe të shpëtohen për shkak se nuk e kanë dëgjuar emrin e Jezusit? Pal, pse po vuan kaq shumë për t’u predikuar ungjillin njerëzve që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Jezusit?
Pali e jep përgjigjen e kësaj pyetjeje tek Romakët 1:18-23. Le ta lexojmë së bashku me ngadalë dhe seriozisht; le të ndiejmë peshën e kësaj gjëje ashtu si duhet ta ketë ndierë Pali. Këto fjalë janë shkruar për të gjithë ata njerëz dhe kombe që nuk e kanë dëgjuar kurrë emrin e Jezusit dhe të cilët Pali përpiqej t’i arrinte i shtyrë prej ambicies së tij të shenjtë.
“Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. [Këto janë fjalët fatale që përkufizojnë nevojën e pamasë që shihte Pali; kombet që nuk kanë dëgjuar kurrë për Jezusin nuk do kenë asnjë shfajësim në ditën e gjyqit.] Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua. Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.”
Pali thotë tek Romakëve 2:12, “Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit.” Të gjithë do të gjykohen sipas asaj që dinin. Të gjithë ata që nuk e dëgjojnë ungjillin do të humbasin për shkak se të gjithë e shtypin të vërtetën që kanë dhe jetojnë në rebelim kundër Perëndisë. Ka vetëm një shpresë: të dëgjojnë dhe të besojnë ungjillin e Jezu Krishtit.
Nevoja e kombeve që nuk e dinë emrin e Jezusit është një nevojë e pamasë. Është një nevojë e pafundme. Nevoja më e madhe që mund të imagjinohet është nevoja që kombet të dëgjojnë ungjillin e Jezu Krishtit dhe të besojnë. Për shkak se ungjilli i Jezusit “fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.” (Romakëve 1:16). Prandaj askush nuk shpëtohet pa ungjillin.
Jo të gjithë ju jeni thirrur të shkoni si Pali. Por nuk mund të jeni një person i dashur dhe të mos dëshironi që jeta juaj të ketë vlerë në plotësimin e kësaj nevoje.
3. Një strategji globale
Disa prej jush Perëndia po i thërret t’i bashkoheni Palit personalisht dhe për gjithë jetën tuaj në këtë strategji të veçantë globale. Ja cila është strategjia. Është e mahnitshme. Nëse jeni të rinj në kishën tonë dëgjoni me kujdes sesi ne e kuptojmë punën e misionit. Ja deklaratat e mahnitshme të Palit.
Së pari në vargun 19b, “prej Jerusalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit.” Nga Jerusalemi, në Siri, përgjatë Azisë së Vogël (Turqi), përgjatë Greqisë dhe lart drejt perëndimit duke kaluar aty ku është Shqipëria e sotme deri në Italinë veriore. Pali thotë që po e plotësonte ungjillin në këto vise. Ai thekson një deklaratë të mahnitshme në vargun 23 kur thotë, “duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillëzuar në këto vise.” Dhe pastaj në vargun 24 thotë, “kur të shkoj në Spanjë.”
Çfarë donte të thoshte Pali kur tha se nuk kishte më fushë veprimi nga Jerusalemi e gjer në Iliri? Nuk rrezikojmë të themi që në ato zona kishte dhjetëra mijëra njerëz që duheshin ungjillëzuar. Këtë e dimë për shkak se Pali i shkruajti Timoteut në Efes (që është pjesë e kësaj zone) dhe e urdhëroi “të bënte punën e ungjilltarit” (2 Timoteu 4:5). Me fjalë të tjera, ka njerëz që kanë nevojë të ungjillëzohen. Pali thotë që puna e tij në këto vise ka mbaruar.
Këtë e kuptojmë kështu: Pali nuk është ungjilltar lokal; ai është misionar i zonave të pashkelura, misionar pionier. Kjo do të thotë, që thirrja dhe ambicia e tij nuk është që të ungjillëzojë atje ku kisha është mbjellë. Këtë gjë duhet ta bëjë kisha. Thirrja e Palit dhe ambicia e tij është të predikojë ungjillin atje ku nuk ka një kishë që po ungjillëzon. Atje ku nuk ka të krishterë. Atje ku njerëzit as që e kanë dëgjuar emrin e Krishtit.
Misioni, Ungjillëzimi dhe Ambicia e Shenjtë
Terminologjia nuk është gjëja më kritike. Ajo që është kritike është dallimi. Ka misionarë të kombeve apo misionarë pionierë, dhe ka ungjilltarë. Misionarët kalojnë në kultura të tjera dhe mësojnë gjuhën. Misionarët në zona të pashkelura e derdhin jetën e tyre “me fjalë dhe me vepër, me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë” për të depërtuar në mijëvjeçarë errësire dhe mbretërimi të Satanit mbi njerëz që nuk e njohin Mbretin e mbretërve dhe Shpëtimtarin e botës.
Kjo ishte ambicia e Palit. Përderisa porosia e madhe për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet është ende e vlefshme, përderisa sot ka njerëz që nuk e njohin ungjillin, çdo kishë duhet të lutet që Perëndia të ngrejë shumë misionarë për zonat e pashkelura dhe të na bëjë të gjithë ne ungjilltarë.
Mund ta imagjinoj, madje lutem, që pas dhjetë vjetësh dikush apo ndoshta dhjetë prej jush do të dërgojnë një letër nga një grup i paarritur njerëzish dhe të thoni, “Jam këtu për t’u shpallur ungjillin atyre që nuk kanë dëgjuar kurrë, ashtu siç është shkruar tek Romakëve 15:20, “[Prandaj ambicia ime është] të predikoj ungjillin, atje ku nuk është i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetrit.” Perëndia e ndezi këtë fjalë në zemrën time dhe e bëri një ambicie të shenjtë në Kishën Baptiste Betlehem në Gusht të vitit 2006.”
Zot, të lutem bëje këtë gjë. Amen.
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org