Çfarë u ndodh pas vdekjes atyre që nuk janë bashkuar me Krishtin përmes besimit?

Pyetja 28

Çfarë u ndodh pas vdekjes atyre që nuk janë bashkuar me Krishtin përmes besimit?

Ditën e gjykimit ata do të marrin dënimin e frikshëm por të drejtë që do të shpallet kundër tyre. Ata do të dëbohen nga prania e hirshme e Perëndisë, në ferr, për t’u ndëshkuar ashpër, me të drejtë dhe përjetësisht.

Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëm-lindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij. Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëm-lindur të Perëndisë… Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.

Gjoni 3:16–18, 36

Komentim

Sado që është një temë e dhimbshme, ferri është diçka për të cilën nuk guxoj dhe as duhet të rri në heshtje. E di që disa nuk besojnë që një gjë e tillë si ferri ekziston. Ata thonë që ferri nuk është në përputhje me mëshirën e Perëndisë. Për më tepër njoh disa të tjerë që nuk besojnë që ferri është i përjetshëm. Ata na thonë që është e pabesueshme që një Perëndi i dhembshur t’i ndëshkojë njerëzit përjetë. E di gjithashtu që disa besojnë që ferri ekziston, por nuk besojnë që ndokush do të shkojë atje. Ka vetëm një gjë që duhet qartësuar, “çfarë thotë fjala e Perëndisë?” A e besoni Biblën? Atëherë mbështetuni tek ajo, ferri është real dhe i vërtetë. Ferri është aq i vërtetë sa dhe parajsa, është aq i vërtetë sa dhe drejtësimi me anë të besimit, aq i vërtetë sa dhe fakti që Krishti vdiq në kryq. Nuk ka asnjë fakt apo doktrinë të cilën të mos e vini me të drejtë në dyshim nëse në fakt dyshoni për ferrin. Nëse nuk besoni në doktrinën e ferrit prishni, shkëputni dhe shpërbëni çdo gjë që thuhet në Shkrim. Nëse arrini në këtë pikë është njëlloj sikur ta hidhni Biblën tej. Nga pozita “nuk ka ferr” tek “nuk ka Perëndia” ka vetëm disa hapa. A e besoni Biblën? Atëherë të jeni plotësisht të bindur që ferri do të ketë banorët e vet. I njëjti Shpëtimtar i bekuar që tani ulet mbi fronin e hirit, një ditë do të ulet mbi fronin e gjykimit dhe njerëzit do të dëshmojnë që ekziston diçka e tillë si zemërimi i Qengjit. A e besoni Biblën? Atëherë të jeni plotësisht të bindur, ferri do të jetë një mjerim i madh dhe i patregueshëm. Gropa, burgu, krimbi, zjarri, etja, nata, errësira, të qarat, kërcëllitja e dhëmbëve, vdekja e dytë, të gjitha janë reale. Përshkrimet e Biblës kanë kuptim. A e besoni Biblën? Atëherë të jeni plotësisht të bindur që ferri është i përjetshëm. Duhet të jetë i përjetshëm ndryshe fjalët nuk do të kishin asnjë kuptim. Në jetë të jetëve, i përjetshëm, i pashuar, nuk vdes kurrë – që të gjitha këto janë përshkrime që përdoren për ferrin, këto janë përshkrime që nuk mund t’i anashkalojmë. Nëse dikush do t’i shpëtonte ferrit pa besuar tek Krishti, apo pa shenjtërimin e Frymës atëherë mëkati nuk është më ajo ligësia e pafundme, dhe as nuk ishte e nevojshme që Krishti të bënte shlyerjen për mëkatin. Ku mund të mbështetemi për të thënë që ferri mund të ndryshojë zemrën, apo ta bëjë të përshtatshme për në qiell? Ferri duhet të jetë i përjetshëm, ndryshe nuk do të ishte aspak ferr. Është shumë domethënëse të shohësh gjithë ato tekste që flasin për ferrin në Shkrim. Është domethënëse të vësh re që askush nuk flet aq shumë për ferrin sa Zoti ynë Jezu Krisht, ai Shpëtimtar i hirshëm dhe i mëshirshëm, si dhe apostulli Gjon zemra e të cilit duket plot dashuri.

Xhon Çarls Rajl (John Charles Ryle, 1816–1900). Rajl ishte peshkopi i parë Anglikan i Liverpulit. Emërtimi i Rajlit u bë me rekomandimin e Kryeministrit Benjamin Disraeli. Përveçse ishte shkrimtar dhe pastor, Rajl ishte edhe sportist për lundrimin me rrema dhe luajti kriket për Universitetin e Oksfordit. Ai ishte përgjegjës për ndërtimin e mbi dyzet kishave.

Lutje

Ati ynë qiellor ne duam që Ti të shohësh mes atyre mijëra dhe miliona njerëzve përreth nesh që nuk të njohin Ty. Zot, shiko turmat që nuk adhurojnë askund. Ki mëshirë për ta; At fali. Jepu një dëshirë për ta dëgjuar Fjalën Tënde. Dërgo mbi njerëzit një dëshirë për Perëndinë e tyre. O Zot meri mëkatarët në duart e Tua. Oh, eja dhe pushtoji mendjet kokëforta dhe të ngurta, bëj që të shkujdesurit dhe të pamendët të mendojnë për gjërat e përjetshme. Përjetofshin një parehati në zemër, ndjefshin shpimet e shigjetave të Perëndisë brenda tyre që të kërkojnë Mjekun e madh dhe të gjejnë shërim në këtë ditë. Ah Zot, Ti thua, “Sot, nëse e dëgjoni zërin Tim” dhe ne dëgjojmë oshtimën e zërit Tënd. Shpëto njerëz sot, madje sot. Bëj që të vijë Fryma jote me fuqi në mënyrë që të jenë të gatshëm të prehen në Krishtin. Zot, dëgjo, fal, prano dhe beko, për hir të Jezusit. Amen.

Çarls Hadën Spërxhën (Charles Haddon Spurgeon, 1834–1892). Predikues Baptist Anglez. Spërxhën u bë pastori i Kishës Nju Park Strit (që më vonë u njoh si Tabernakulli Metropolitan) kur ishte 20 vjeç. Ai u predikonte rregullisht më shumë se 10,000 vetëve pa pasur sistemet moderne të zërit. Spërxhën ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe veprat e tij të shtypura janë tepër voluminoze. Gjatë jetës së tij ai predikoi 3,600 predikime dhe botoi 49 volume komentarësh, thëniesh, himnesh dhe leximesh devocionale.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*