Çliruar për të qenë pjesë e familjes së Perëndisë
16 Dhjetor
prej John Piper
Çliruar për të qenë pjesë e familjes së Perëndisë
Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.
Marku 10:45
Arsyeja pse kemi nevojë për një çmim që të paguhet për ne është për shkak se e kemi shitur veten në mëkat dhe jemi larguar prej një Perëndie të shenjtë. Kur Jezusi e dha jetën e vet si çmim, zotërinjve tanë, mëkatit, vdekjes dhe Djallit iu desh të hiqnin dorë nga pretendimet e tyre mbi ne. Rezultati ishte që ne mund të birësoheshim në familjen e Perëndisë.
Pali e tha kështu tek Galatasve 4:4-5, “por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.” Me fjalë të tjera, shpengimi, apo çmimi na çliron që të jemi pjesë e familjes së Perëndisë. Ne ishim larguar dhe e kishim shitur veten në skllavëri. Por Perëndia pagoi një çmim, na shpengoi nga skllavëria dhe na futi në shtëpinë e Atit. Për ta bërë këtë gjë Biri i Perëndisë duhej të bëhej njeri në mënyrë që të mund të vuante dhe vdiste në vendin tonë për ta paguar çmimin. Ky është kuptimi i Krishtlindjes. Hebrenjve 2:14 thotë kështu, “Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin.”
Me fjalë të tjera, arsyeja pse Krishti mori mbi vete natyrën tonë të plotë njerëzore ishte që ai të mund të vdiste dhe duke vdekur të paguante një çmim dhe kështu të na çlironte prej fuqisë së vdekjes. Ai vdiq që të na çlironte në mënyrë që të përfshiheshim në familjen e tij. Çmimi në fund të fundit ka të bëjë me marrëdhënien tuaj me Perëndinë si Ati juaj i mëshirshëm.