Mendime Shtjelluese Mateu 17

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 17

nga J. C. Ryle

Mateu 17:1-13

Këto vargje përmbajnë një prej ndodhive më të jashtëzakonshme gjatë shërbesës tokësore të Zotit tonë – kjo ndodhi zakonisht quhet TRANSFORMIMI. Rendi në të cilin është regjistruar kjo ndodhi është i bukur dhe udhëzues. Pjesa e fundit e kapitullit pararendës na tregon kryqin. Këtu lejohemi në mënyrë të hirshme që të shohim diçka nga shpërblimi që do vinte pas tij. Zemrat që sapo ishin trishtuar nga deklarata e qartë e vuajtjeve të Krishtit u ngazëlluan menjëherë prej një vizioni të lavdisë së Krishtit. Le ta konsiderojmë këtë gjë. Shpesh humbasim shumë duke mos e gjurmuar lidhjen mes kapitujve në fjalën e Perëndisë.

Nuk ka dyshim që ka disa gjëra të mistershëm në vizionin që përshkruhet në këtë kapitull. Kështu duhet të jetë. Ne jemi ende në trup. Shqisat tona janë mësuar me gjërat fizike dhe materiale. Idetë dhe perceptimet tona rreth trupave të përlëvduar dhe shenjtorëve që kanë vdekur nuk ka sesi të mos jenë të mjegullta dhe të papërsosura. Le të jemi të kënaqur me përpjekjen për të dalluar MËSIMET PRAKTIKE që ka për qëllim të na mësojë ndodhia e transformimit.

Së pari, në këto vargje gjejmë një model të goditur për lavdinë në të cilën do të shfaqet Krishti dhe populli i Tij kur Ai të vijë për herë të dytë. Nuk ka dyshim që ky ishte njëri prej synimeve kryesore të këtij vizioni të mrekullueshëm. Ky vizion kishte për qëllim t’i inkurajonte dishepujt, duke ju dhënë një shikim të gjërave të mira që do të vijnë. Ajo “fytyrë që shkëlqente si dielli,” dhe “ato rroba të shndritshme,” kishin për qëllim t’u jepnin dishepujve një ide rreth madhështisë në të cilën Jezusi do t’i shfaqet botës kur të vijë për herë të dytë bashkë me shenjtorët e Tij. Cepi i velit u ngrit paksa për të treguar dinjitetin e vërtetë të Zotit të tyre. Atyre iu mësuan që nëse Ai ende nuk po i shfaqej botës në ngjashmërinë e një mbreti, kjo ishte vetëm për shkak se nuk kishte ardhur ende koha për të veshur petkat e Tij mbretërore. Është e pamundur të nxjerrim ndonjë konkluzion tjetër nga gjuha e Pjetrit kur ai shkruan rreth kësaj teme. Ai thotë, duke ju referuar në mënyrë të qartë transformimit, “jemi dëshmitarë okularë të madhështisë së tij” (2 Pjetri 1:16)

Është mirë që ta ngulitim mirë në mendjen tonë lavdinë e ardhshme të Krishtit dhe të popullit të Tij. Ne fatkeqësisht jemi të prirur që ta harrojmë. Ka pak dallime të qartë të kësaj në botë. Ne nuk i shohim ende të gjitha gjërat të vendosura nën këmbët e Zotit tonë. Mëkati, mosbesimi, dhe besëtytnitë janë të shumta. Me mijëra njerëz janë duke thënë, “Nuk duam që ky njeri të mbretërojë mbi ne.” Nuk duket ende sesi do të jetë populli i Tij. Kryqet e tyre, shtrëngimet e tyre, dobësitë e tyre, konfliktet e tyre, që të gjitha duken mjaft qartë. Por ka pak shenja për shpërblimin e tyre të ardhshëm. Le të kemi kujdes që të mos u dorëzohemi dyshimeve në këtë çështje. Le t’ua mbyllim gojën dyshimeve të tilla duke e lexuar sërish historinë e transformimit. Për Jezusin dhe ata që besojnë tek ai është rezervuar një lavdi e tillë të cilën zemra e njeriut nuk e ka konceptuar kurrë. Jo vetëm që është premtuar, por në fakt një pjesë e saj është parë nga tre dëshmitarë të besueshëm. Njëri prej tyre thotë, “ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë.” (Gjoni 1:14). Sigurisht, ajo që është parë mund të besohet.

Së dyti, në këto vargje gjejmë një provë të pakundërshtueshme për ringjalljen e trupit dhe jetën pas vdekjes. Na thuhet që Moisiu dhe Elia u shfaqën në lavdi bashkë me Krishtin. Ata u dukën në një formë trupore. I dëgjuan të flisnin me Zotin tonë. Kishin kaluar një mijë e katërqind e tetëdhjetë vjet që nga koha kur Moisiu kishte vdekur dhe ishte varrosur. Më tepër se nëntëqind vjet kishin kaluar që nga koha kur Elia “u ngjit në qiell me një karrocë të zjarrtë.” E megjithatë në këtë rast u panë të gjallë nga Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Le ta kapim fort këtë pjesë të vizionit. Ajo meriton një vëmendje të veçantë. Nëse e mendojmë sado pak, të gjithë ne duhet të ndiejmë që gjëndja e të vdekurve është një çështje e mistershme dhe e mahnitshme. Ne i varrosim njëri pas tjetrit larg syve tanë. I shtrijmë në shtretër të ngushtë, nuk i shohim më dhe trupat e tyre kthehen në pluhur. Por a do të jetojnë me të vërtetë sërish? A do t’i shohim me të vërtetë sërish? A do t’i dorëzojë vërtet sërish varri të vdekurit në ditën e fundit? Këto janë pyetje që me raste do të ngrihen në mendjen e disave, pavarësisht gjithë deklaratave të qarta në fjalën e Perëndisë.

Në transformimin e Jezusit kemi provën më të qartë që të vdekurit do të ringjallen sërish. Këtu kemi dy burra që shfaqen mbi tokë në trupat e tyre të cilët kishin shumë kohë që ishin larguar nga toka e të gjallëve, dhe tek ata kemi premtimin e ringjalljes së të gjithëve. Të gjithë ata që kanë jetuar ndonjëherë mbi tokë do të thirren sërish në jetë dhe do të japin llogari për veten e tyre. As edhe një nuk do të mungojë. Nuk ekziston diçka e tillë si zhdukja. Të gjithë ata që kanë fjetur në Krishtin do të gjenden të sigurt; patriarkët, profetët, apostujt, martirët – e deri tek shërbëtori më i përunjur i Perëndisë në kohën tonë. Edhe pse ne nuk i shohim, ata jetojnë për Perëndinë. “Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve.” (Lluka 20:38). Frymët e tyre jetojnë me po atë siguri sa jetojmë edhe ne, dhe do të shfaqen këtu më vonë në trupa të përlëvduar, me po atë siguri që u shfaqën edhe Moisiu dhe Elia në mal. Këto janë vërtet mendime solemne! Ka një ringjallje dhe njerëzit si puna e Feliksit bëjnë mirë rë tremben. Ka një ringjallje dhe njerëzit si puna e Palit bëjnë mirë të ngazëllojnë.

Së fundi, në këto vargje gjejmë një dëshmi të jashtëzakonshme për superioritetitn e pafundëm të Krishtit mbi gjithë njerëzimin. Kjo është një pikë që vihet në dukje shumë qartë nga zëri prej qiellit të cilin e dëgjuan dishepujt. Pjetri duke qenë i shastisur prej vizionit qiellor dhe duke mos ditur se çfarë të thoshte, sugjeroi të ndërtonin tri çadra, një për Krishtin, një për Moisiun dhe një për Elian. Në fakt, duket sikur ai e vendosi ligj-dhënësin dhe profetin krah për krah me Mesian hyjnor sikur të tre këta të ishin të barabartë. Menjëherë na thuhet, që ky propozim u qortua në një mënyrë të prerë. Një re e mbuloi Moisiun dhe Elian dhe ata nuk u dukën më. Në të njëjtën kohë nga reja u dëgjua një zë i cili përsëriti fjalët solemne që u thanë edhe në pagëzimin e Zotit, “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!”

Ai zë kishte për qëllim t’i mësonte Pjetrit, që aty ishte i pranishëm dikush i cili ishte shumë herë më i madh se Moisiu apo Elia. Moisiu ishte një shërbëtor besnik i Perëndisë. Elia ishte një dëshmitar i guximshëm për të vërtetën. Por Krishti gjendej shumë herë më lart nga secili prej tyre. Ai ishte Shpëtimtari drejt të cilit tregonin vazhdimisht ligji dhe profetët. Ai ishte Profeti i vërtetë të cilin janë urdhëruar ta dëgjojnë të gjithë. (Ligji i Perëtërirë 18:15). Moisiu dhe Elia ishin burra të mëdhenj në kohën e tyre. Por Pjetri dhe shokët e tij duhej të kujtonin që në natyrë, dinjitet dhe ofiq ata ishin shumë herë më poshtë Krishtit. Ai ishte dielli i vërtetë – ata ishin që çdo ditë vareshin prej dritës së Tij. Ai ishte rrënja – ata ishin degët. Ai ishte Zotëria – ata ishin shërbëtorët. Gjithë mirësia e tyre ishte e prejardhur – kurse mirësia e Tij ishte origjinale dhe Vetes së Tij. Le t’i nderojnë Moisiun dhe profetët si njerëz të shenjtë. Por nëse duan të shpëtohen duhet të marrin vetëm Krishtin si Zotërinë e tyre dhe të mburren vetëm në Të. “Dëgjojeni Atë.”

Le të shohim në këto vargje një mësim të qartë për gjithë kishën e Krishtit. Në natyrën njerëzore ka një prirje konstante për të “dëgjuar njeriun.” Peshkopët, priftërinjtë, dhjakët, papët, kardinalët, këshillët, predikuesit presbiterianë dhe shërbestarët e pavarur në mënyrë të vazhdueshme lartësohen në një pozitë të cilën Perëndia nuk kishte kurrë për qëllim që ta zinin dhe në realitet kanë uzurpuar nderin e Krishtit. Le të jemi vigjilentë kundër një tendence të tillë dhe të rrimë syçelë. Le të tingëllojnë përherë këto fjalë solemne të vizionit në veshët tanë, “Dëgjoni Krishtin.”

Edhe njerëzit më të mirë ende njerëz mbeten. Patriarkët, profetët dhe apostujt – martirët, etërit e kishës, reformatorët, puritanët – të gjithë janë mëkatarë që kanë nevojë për një Shpëtimtar. Ata mund të jenë të shenjtë, të dobishëm, të nderuar në vendin e tyre, por në fund të fundit janë mëkatarë. Ata nuk duhet të lejohen kurrë të qëndrojnë mes nesh dhe Krishtit. Vetëm Ai është “Biri në të cilin Ati është plotësisht i kënaqur.” Vetëm Ai është vulosur dhe caktuar të japë bukën e jetës. Vetëm Ai ka çelësat në duart e Tij, “i cili është përmbi çdo gjë Perëndi, i bekuar përjetë.” Le të kemi kujdes që të dëgjojmë zërin e Tij dhe ta ndjekim Atë. Le ta vlerësojmë të gjithë mësimin fetar në raport me faktin se sa na udhëheq tek Jezusi. Tërësia dhe thelbi i besimit shpëtues është të “dëgjosh Krishtin.”

Mateu 17:14-21

Në këtë pjesë lexojmë për një tjetër mrekulli madhështore të Zotit tonë. Ai shëron një djalë të ri të pushtuar nga një demon.

Gjëja e parë që shohim në këto vargje është një tablo të gjallë të ndikimit të frikshëm që nganjëherë Satani ushtron mbi të rinjtë. Na tregohet për djalin e një burri të caktuar, i cili ishte “epileptik dhe vuante shumë.” Na tregohet për frymën e ligë që e shtynte për të shkatërruar trupin dhe shpirtin e tij. “shpesh ai bie në zjarr dhe shpesh në ujë.” Ky ishte një prej atyre rasteve të zotërimit Satanik të cilat edhe pse ishin të zakonshme në kohën e Zotit tonë, rrallë shihet në ditët tona. Por shumë lehtë mund të imagjinojmë që kur shfaqeshin raste të tilla duhet të kenë qenë shumë shqetësuese për familjen e të prekurit. Është mjaft e dhimbshme të shohësh trupat e atyre që i duam të rrënohen prej sëmundjeve. Sa më e dhimbshme duhet të ketë qenë të shihje trupin dhe mendjen krejtësisht nën ndikimin e një demoni. Peshkop Hall thotë, “Përveç ferrit, nuk mund të ketë mjerim më të madh se ky.”

Nuk duhet të harrojmë që ka shumë raste të sundimit të Satanit mbi të rinjtë, të cilat janë po aq të dhimbshme në mënyrën e tyre sa dhe rasti i përshkruar në këtë pjesë. Ka mijëra të rinj që duket se u janë dorëzuar plotësisht tundimeve të Satanit dhe janë zënë rob të vullnetit të tij. Ata nuk kanë asnjë frikë nga Perëndia dhe nuk tregojnë aspak respekt për urdhërimet e Tij. Ata u shërbejnë epsheve dhe kënaqësive të ndryshme

Ata turren si të çmendur në çdo teprim. Ata refuzojnë të dëgjojnë këshillën e prindërve, mësuesve apo predikuesve. Ata nuk i kushtojnë asnjë vëmendjen shëndetit, karakterit apo respektit në sytë e botës. Ata bëjnë gjithë sa kanë në dorë për ta shkatërruar veten e tyre, trupin dhe shpirtin, për kohën dhe përjetësinë. Ata janë skllevër të vullnetshëm të Satanit. Kush nuk ka parë të rinj të tillë? Ata i gjen i në qytet ashtu edhe në fshat. I gjen mes të pasurve dhe mes të varfërve. Sigurisht që të rinj të tillë janë një provë e trishtueshme që edhe pse në ditët e sotme Satani rrallë herë e pushton trupat e njerëzve, ai ende ushtron një sundim të frikshëm mbi shpirtrat e tyre.

Megjithatë, le të kujtojmë që edhe për djem të tillë si këta nuk duhet të dëshpërohemi. Duhet të kujtojmë pushtetin e plotfuqishëm të Zotit tonë Jezu Krisht. Edhe pse rasti i këtij djali për të cilin lexojmë në këto vargje ishte shumë i keq, ai “u shërua në momentin” që u suall para Krishtit! Prindërit, mësuesit, dhe predikuesit duhet të vazhdojnë të luten për djemtë e rinj edhe në gjëndjen e tyre më të keqe. Edhe pse tani zemrat e tyre duken të ngurta, ato ende mund të zbuten. Edhe pse ligësia e tyre tani shfaqet shumë e dëshpërueshme ata ende mund të shërohen. Ata ende mund të pendohen dhe të kthehen sikurse Gjon Njutoni dhe gjendja e tyre e mëvonshme të jetë më e mirë se ajo e mëparshme. Kush e di? Le të jetë ky një parim i themeluar për ne, që kur lexojmë mrekullitë e Zotit tonë të mos dëshpërohemi kurrë për konvertimin e ndonjë shpirti.

Së dyti, në këto vargje dallojmë një shembull të jashtëzakonshëm të besimit dobësues të mosbesimit. Dishepujt e pyetën me ankth Zotin tonë kur e panë që demoni u largua prej fuqisë së Tij, “Përse ne nuk ishim në gjendje ta dëbonim?” Ata morën një përgjigje me shumë udhëzime të thella – “për shkak të mosbesimit tuaj.” A dëshirojnë të dinë sekretin e dështimit të tyre të trishtueshëm në momentin e nevojës? Ky sekret ishte mungesa e besimit.

Le ta mendojmë mirë këtë pikë dhe të mësojmë urtësinë. Besimi iështë çelësi i suksesit në luftën e krishterë. Mosbesimi është rruga e sigurt drejt mposhtjes. Nëse e lëmë besimin të dobësohet të gjitha hiret tona do të vuajnë bashkë me të. Guximi, durimi, këmbëngulja, dhe shpresa shpejt do të vyshken dhe dobësohen. Besimi është rrënja nga e cila varen të gjitha ato. Të njëjtët Izraelitë që dikur kaluan Detin e Kuq në triumf, një herë tjetër u tërhoqën nga rreziku, si frikacakë, kur arritët kufijtë e tokës së premtuar. Perëndia i tyre ishte i njëjti që i nxori nga toka e Egjiptit. Udhëheqësi i tyre ishte po ai Moisi që kishte bërë kaq shumë mrekulli para syve të tyre. Por besimi i tyre nuk ishte i njëjti. Ata u lanë vend dyshimeve të turpshme ndaj dashurisë dhe fuqisë së Perëndisë. “Ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.” (Hebrenjve 3:19).

Së fundi, në këto vargje shohim që mbretëria e Satanit nuk do të shkatërrohet pa zell dhe dhimbje. Ky duket se është mësimi i këtyre vargjeve që përmbyllin këtë pjesë që po konsiderojmë. “Por ky lloji demoni nuk del veçse me anë të lutjes dhe të agjërimit.” Duket sikur në këto fjalë ka një qortim të butë ndaj dishepujve të Tij. Ndoshta ata ishin tepër të krekosur nga sukseset e tyre të shkuara. Ndoshta kishin qenë më pak të kujdesshëm në përdorimin e mjeteve që u ishin dhënë kur nuk kishin Zotërinë e tyre pranë nga sa ishin kur Ai ishte pranë tyre. Sido që të ishte ata morën një të dhënë nga Zoti që lufta kundër Satanit nuk duhet të bëhet kurrë në mënyrë të shkujdesur. Ata paralajmërohen që asnjë fitore nuk do të korret lehtë kundër princit të kësaj bote. Pa lutej të flaktë dhe vetëmohim të zellshëm shpesh do të përballen me dështim dhe mposhtje.

Mësimi që na jepet këtu ka një rëndësi shumë të madhe. Bullinger thotë, “Do të doja që kjo pjesë e Ungjillit të na pëlqente aq shumë sa ato pjesë që përcjellin liri.” Ne të gjithë jemi të prirur të marrim zakonin e kryerjes së veprave fetare në një mënyrë të shkujdesur dhe pa menduar. Sikurse Izraeli, që u krenua nga rënia e Jerikos, edhe ne jemi gati t’i themi vetes, “Burrat e Ait janë të pakët në numër;” (Jozueu 7:3), “nuk është e nevojshme të ngjitet tërë populli.” Sikurse Izraeli edhe ne shpesh mësojmë përmes përjetimit të hidhur që betejat frymërore nuk do të fitohen pa një luftim të ashpër. Arka e Zotit nuk duhet të trajtohet kurrë pa drojë. Puna e Perëndisë nuk duhet të bëhet kurrë në mënyrë të shkujdesur.

Le të kujtojmë të gjithë fjalët e Zotit tonë drejtuar dishepujve të Tij, dhe t’i zbatojmë ato në mënyrë të veçantë. Në podium dhe në platformë, në shkollën e së Dielës dhe në rrethin tonë – në përdorimin e lutjeve familjare dhe në leximin e Biblave tona – le të jemi të zellshëm për t’u kujdesur për shpirtin tonë. Çfarëdo që të bëjmë, le ta “bëjmë me gjithë forcën tonë.” (Predikuesi 9:10). Është gabim fatal nëse i nënvlerësojmë armiqtë tanë. Ai që është me ne është më i madh se ai që është kundër nesh, por pavarësisht kësaj, ai që është kundër nesh nuk duhet të përbuzet. Ai është princi i kësaj bote. Ai është si një njeri i fortë dhe i armatosur, i cili ruan shtëpinë e tij dhe nuk do të lejojë që t’i plaçkitet apo të heqë dorë nga gjërat e tij pa një përleshje. Ne nuk luftojmë kundër mishit dhe gjakut, por kundër principatave dhe pushteteve. Kemi nevojë të marrim gjithë armatimin e Perëndisë dhe jo vetëm ta marrim por edhe ta përdorim. Mund të jemi shumë të sigurt se ata që korrin më tepër fitore kundër botës, mishit dhe djallit janë ata që luten më tepër në privatësi, dhe që “i disiplinojnë dhe i nënshtrojnë trupat e tyre.” (1 Korintasve 9:27).

Mateu 17:22-27

Këto vargje përmbajnë një rrethanë në historinë e Zotit tonë e cila nuk është regjistruar nga asnjëri prej ungjilltarëve të tjerë përveç Mateut. Një mrekulli e jashtëzakonshme kryhet në mënyrë që të sigurohet për pagimin e taksës që kërkohej për shërbimin e tempullit. Në këtë tregim ka tri pika të rëndësishme që meritojnë vëmendjen tonë të veçantë.

Së pari, le të vëzhgojmë njohurinë e përsosur të Zotit tonë për gjithçka që thuhet dhe bëhet në botë. Na thuhet që ata që mblidhnin taksën erdhën tek Pjetri dhe i thanë, “A nuk e paguan mësuesi juaj taksën e tempullit?” Ai u tha, “Po.” Ishte e dukshme që Zoti ynë nuk ishte i pranishëm, kur u bë pyetja dhe kur u dha përgjigja. E megjithatë, menjëherë sa erdhi Pjetri në shtëpi Zoti ynë e pyeti, “Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut?” Ai i tregoi që e njihte mirë bisedën që ishte bërë sikur të kishte qenë atje dhe ta kishte dëgjuar.

Ka diçka patregueshmërisht solemne në mendimin që Zoti Jezus i di të gjitha gjërat. Është një sy i cili i sheh të gjitha veprimet tona të përditshme. Është një vesh që i dëgjon të gjitha fjalët tona të përditshme. Të gjitha gjërat janë lakuriq përpara syve të Atij të cilit do t’i japim llogari. Fshehja është e pamundur. Hipokrizia është e kotë. Ne mund t’i mashtrojmë predikuesit. Mund të mashtrojmë familjen dhe fqinjët tanë. Por Zoti na njeh plotësisht. Nuk mund të mashtrojmë dot Krishtin.

Duhet të përpiqemi që këtë të vërtetë ta zbatojmë në praktikë. Duhet të përpiqemi të jetojmë sikur të ishin para syve të Zotit, dhe ashtu si Abrahami të “ecim para Tij.” (Zanafilla 17:1). Qoftë synimi ynë i përditshëm që të mos themi asgjë të cilën nuk do të donim që ta dëgjonte Krishti dhe të mos bëjmë asgjë të cilën nuk do të donim që ta shikonte Krishti. Le ta peshojmë çdo çështje të vështirë për të zbuluar nëse është e drejtë apo e gabuar përmes një testi të thjeshtë, “Si do të sillesha nëse Jezusi do të ishte këtu përkrah meje?” Një standard i tillë nuk është absurd dhe as ekstravagant. Ky është një standard që nuk e pengon asnjë detyrë apo marrëdhënie në jetë. Nuk pengon asgjë tjetër përveç mëkatit. Lum ai që përpiqet të kuptojë praninë e Zotit të tij dhe që bën dhe thotë gjithçka si për Krishtin.

Së dyti, le të vëzhgojmë pushtetin e plotëfuqishëm të Zotit tonë mbi gjithë krijimin. Ai e bën një peshk shërbëtorin e tij. Ai bën që një krijesë e pagojë të sjellë paratë e takës për të përmbushur kërkesën e mbledhësve të taksave. Mirë tha Jeromi, “Nuk e di kë të admiroj më tepër, paranjohjen apo madhështinë e Zotit.”

Në këtë gjë shohim përmbushjen e drejtpërdrejtë të fjalëve të Psalmistit, “E bëre të mbretërojë mbi veprat e duarve të tua dhe vure çdo gjë nën këmbët e tij! Dhentë dhe bagëtitë e tjera, madje bishat e egra, zogjtë e qiellit dhe peshqit e detit, tërë ato që kalojnë nëpër shtigjet e detit.” (Psalmi 8:6-8).

Këtu kemi një prej provave të shumta të madhërisë dhe madhështisë së Zotit tonë Jezu Krisht. Vetëm Ai që krijoi në fillim mund të urdhërojë me vullnetin e Tij krijesat dhe ato t’i binden. “Prej Tij u krijuan të gjitha gjërat. Prej Tij të gjitha gjërat mbahen në ekzistencë.” (Kolosianëve 1:16-18). Besimtari që shkon të bëjë punën e Krishtit mes paganëve, mund ta dorëzojë veten i sigurt në kujdesin e Zotit të tij. Ai i shërben Atij që ka gjithë pushtetin madhe edhe mbi bishat e dheut. Sa i mrekullueshëm që është mendimi që një Zot i tillë i Gjithëfuqishëm u përul për t’u kryqëzuar për shpëtimin tonë! Sa ngushëllues që është mendimi që kur Ai të vijë sërish për herë të dytë, do ta manifestojë pushtetin e Tij në mënyrë të lavdishme mbi të gjitha gjërat e krijuar dhe mbi gjithë botën – “ Ujku dhe qengji do të kullosin bashkë, luani do të hajë kashtën porsi kau dhe gjarpëri do të ushqehet me pluhur.” (Isaia 65:25).

Së fundi, le të vëzhgojmë në këto vargje, gatishmërinë e Zotit tonë për të bërë lëshime në vend që të shkaktonte skandal. Ai me të drejtë mund të kishte kërkuar të përjashtohej nga pagesa e taksës. Ai i cili ishte Biri i Perëndisë me të drejtë mund të ishte përjashtuar nga pagesa e taksës për mirëmbajtjen e shtëpisë së Atit të Tij. Ai i cili ishte “më i madh se tempulli,” mund të kishte dhënë një arsye të mirë për refuzimin që të kontribuonte në mbështetjen e tempullit. Por Zoti ynë nuk e bëri këtë gjë. Ai nuk kërkoi që të përjashtohej. Ai dëshiron që Pjetri ta paguajë taksën e kërkuar. Në të njëjtën kohë Ai shpalli edhe arsyet e Tij. Kjo duhej bërë, “për të mos i skandalizuar ata.” Peshkop Hall thotë, “U krye një mrekulli për të mos ofenduar as një tagrambledhës.”

Shembulli i Zotit tonë në këtë rast meriton vëmendjen e të gjithë atyre që e rrëfejnë veten të krishterë. Në atë grusht fjalësh ka një urtësi të thellë, “për të mos i skandalizuar ata.” Ato na mësojnë në mënyrë të qartë që ka çështje në të cilat njerëzit e Krishtit duhet të heqin dorë nga opinionet e tyre dhe t’u nënshtrohen kërkesave të cilat mund të mos i aprovojnë plotësisht, në vend që të shkaktojnë skandal dhe të “pengojë Ungjillin e Krishtit.” Nuk ka dyshim që nuk duhet të heqim dorë nga të drejtat e Perëndisë, por me siguri mund të heqim dorë nga të drejtat tona. Mund të tingëllojë shumë mirë dhe të na duket tepër heroike që gjithmonë të ngulim këmbë pa u lëkundur nga të drejtat tona. Por me një pjesë si kjo me të drejtë mund të dyshojmë nëse një këmbëngulje e tillë është gjithmonë e drejtë dhe nëse tregon mendjen e Krishtit. Ka raste kur i krishteri tregon më tepër hir duke u nënshtruar sesa duke rezistuar.

Le ta kujtojmë këtë pjesë si QYTETARË. Mund të mos na pëlqejnë të gjitha vendimet politike të sundimtarëve tanë. Mund të mos biem dakord me disa prej taksave që ata vendosin. Por në fund të fundit, pyetja e madhe është kjo – A ka për t’i shjellë dobi çështjes së besimit kundërshtimi ndaj pushteteve? Vendimet e tyre a po e lëndojnë me të vërtetë shpirtin tonë? Nëse jo, le të rrimë në heshtje, “në mënyrë që të mos i skandalizojmë.” Bullinger thotë, “Një i krishterë nuk duhet ta trazojë kurrë paqen publike për gjëra thjesht me një rëndësi të përkohshme.”

Le ta kujtojmë këtë pjesë si pjesëtarë të një KISHE. Mund të mos na pëlqejë çdo detaj i riteve apo ceremonive që përdoren në bashkësinë tonë. Mund të mos mendojmë që ata që na qeverisin në çështjet frymërore tregohen gjithnjë të urtë. Por në fund të fundit, Pikat me të cilat nuk jemi të kanaqur a janë të një rëndësie jetësore? A po rrezikohet ndonjë e vërtetë e madhe e Ungjillit? Nëse jo, le të rrimë në heshtje, “për të mos i skandalizuar.”

Le ta kujtojmë këtë pjesë si pjesëtarë të SHOQËRISË. Mund të ketë veprime dhe zakone në qarqet në të cilat na ka rënë shorti si të krishterë të cilat të jenë të bezdisshme, të kota dhe të padobishme. Por a janë ato gjëra parimore? A na e lëndojnë shpirtin? A kemi për t’i bërë mirë çështjes së besimit nëse refuzojmë të përshtatemi me ta? Nëse jo, le të nënshtrohemi me durim, “për të mos i skandalizuar.”

Sa mirë do të ishte për kishën dhe për botën nëse këto fjalë të Zotit tonë të studioheshin edhe më tepër, të mendoheshin dhe të zbatoheshin! Kush mund ta përshkruajë dëmin që i është shkaktuar kauzës së Ungjillit prej të ashtuquajturve ndërgjegjësim dhe korrektësi e sëmurë! E kujtofshim të gjithë shembullin e apostullit të madh të Johebrenjve, “durojmë çdo gjë, për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit.” (1 Korintasve 9:12).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*