Mendime Shtjelluese Mateu 19

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 19

nga J, C, Ryle

Mateu 19:1-15

Në këto vargje shohim të deklarohet mendja e Krishtit për dy tema të rëndësie të madhe. Njëra është marrëdhënia mes bashkëshortit dhe bashkëshortes. Tjetra është mënyra sesi duhet t’i trajtojmë fëmijët e vegjël kur bëhet fjalë për shpirtin e tyre.

Është e vështirë të mbi theksojmë rëndësinë e këtyre dy temave. Mirëqenia e kombeve dhe lumturia e shoqërisë janë të lidhura ngushtë me pikëpamjen e duhur për këto dy gjëra. Kombet nuk janë asgjë më tepër se një grumbull familjes. Rendi i mirë i familjeve varet plotësisht në ruajtjen e standardit më të lartë të respektit për lidhjen martesore dhe në trajnimin e duhur të fëmijëve. Duhet të jemi mirënjohës që në të dyja këto pika Kreu i Madh i Kishës ka dhënë gjykimin e Tij në mënyrë tepër të qartë.

Për sa i përket martesës, Zoti ynë mëson, që lidhja e bashkëshortit dhe bashkëshortes nuk duhet të prishet kurrë, me përjashtim të shkakut më të madh nga të gjithë, domethënë nga mosbesnikëria aktuale.

Gjatë ditëve që Zoti ynë ishte mbi tokë, divorci lejohej mes Judenjve për shkaqet më të rëndomta dhe më të parëndësishme. Kjo praktikë, edhe pse u tolerua nga Moisiu, për të parandaluar të liga edhe më të mëdha – si për shembull mizoria apo vrasja – gradualisht ishte bërë abuzim i madh dhe nuk ka dyshim që çoi në shumë imoralitet. (Malakia 2:14-16). Deklarata e bërë nga dishepujt e Zotit tonë tregon gjendjen tepër të mjerueshme të qëndrimit publik ndaj kësaj teme. Ata thanë, “Në qoftë se kushtet e burrit ndaj gruas janë të tilla, më mirë të mos martohet.” Një gjuhë e tillë nga buzët e apostujve tingëllon vërtet e çuditshme!

Zoti ynë paraqet një standard shumë të ndryshëm për udhëzimin e dishepujve të Tij. Si fillim ai i mbështet gjykimet e Tij mbi situatën origjinale të martesës. Ai citon fjalët e përdorura tek Zanafilla, ku përshkruhet krijimi i njeriut dhe bashkimi i Adamit dhe Evës si provë që nuk ka asnjë marrëdhënie tjetër që duhet konsideruar më tepër sesa ajo mes bashkëshortit dhe bashkëshortes. Marrëdhënie mes prindit dhe fëmijës mund të duket shumë e afërt, por ka një marrëdhënie edhe më të ngushtë – “Për këtë arsye njeriu do ta lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet.” Pastaj Ai e mbështet këtë citim me fjalët e Tij solemne, “Prandaj atë që Perëndia ka bashkuar, njeriu të mos e ndajë.” Më në fund ai prezanton paralajmërimin serioz të shkeljes së urdhërimit të shtatë, për martesën e lidhur pas një divorci për një arsye të rëndomtë – “kushdo që e lëshon gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, dhe martohet me një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me gruan e ndarë, shkel kurorën.”

Është e qartë nga gjithë toni i kësaj pjese që marrëdhënia e martesës duhet të trajtohet me drojë dhe nder të madh mes të krishterëve. Kjo është një marrëdhënie e cila u themelua në Parajsë, në kohën e pafajësisë së njeriut, dhe është një figurë e zgjedhur për bashkimin mistik mes Krishtit dhe kishës së Tij. Kjo është një marrëdhënie të cilës nuk duhet t’i japë fund asgjë përveç vdekjes. Është një marrëdhënie e cila është e sigurt që do të ketë ndikimin më të madh tek ata që sjell bashkë, për lumturi ose për mjerim, për mirë ose për keq. Një marrëdhënieje të tillë nuk duhet t’i futemi asnjëherë pa u këshilluar, lehtë apo nxitimthi; por mendje të kthjellët, me dallim dhe me konsiderimin e duhur. Është shumë e vërtetë që hyrja e shkujdesur në martesë është një prej shkaqeve më të mëdha të mungesës së lumturisë, dhe shpesh kam frikë se është edhe shkak i mëkatit.

Për sa u përket FËMIJËVE të vegjël, në këto vargje shohim që Zoti ynë na udhëzon, si me fjalë ashtu dhe me vepër, si me udhëzim ashtu dhe me shembull. “Atëherë i sollën fëmijë të vegjël që të vinte duart mbi ata dhe të lutej.” Është e dukshme që ata ishin fëmijë të vegjël, tepër të vegjël për të marrë udhëzime, por jo tepër të vegjël për të marë përfitime prej lutjes. Dishepujt duket se kanë menduar që ata nuk ishin të denjë për vëmendjen e Mësuesit të tyre dhe prandaj i qortuan ata që i sollën. Por kjo shkaktoi një deklaratë solemne prej Kreut të madh të Kishës – “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre u përket mbretëria e qiejve.”

Ka diçka shumë interesante si në gjuhën ashtu dhe në veprimet e Zotit tonë në këtë rast. E njohim dobësinë dhe brishtësinë e fëmijëve të vegjël si në mendje ashtu dhe në trup. Nga të gjitha krijesat që lindin në botë asnjë nuk është aq e pandihmë dhe e varur prej të tjerëve. E dimë se cili ishte Ai që i vuri re fëmijët dhe gjeti kohë në shërbesën e Tij të ngjeshur mes burrave dhe grave të rritur që të “vendoste duart mbi ta dhe të lutej për ta.” Ky ishte Biri i përjetshëm i Perëndisë, Krye Prifti i madh, Mbreti i mbretërve, përmes të cilit ekziston gjithçka, “shkëlqimi i lavdisë së Atit dhe vula e qenies së Tij.” Çfarë tabloje udhëzuese që na paraqet kjo ndodhi para syve tanë! Nuk është habi që pjesa më e madhe e Kishës së Krishtit edhe pse në mënyrë të tërthortë kanë parë në këtë pjesë gjithmonë një argument në favor të pagëzimit të fëmijëve.

Le të mësojmë prej këtyre vargjeve që Zoti Jezus kujdeset me butësi për shpirtrat e fëmijëve të vegjël. Ka të ngjarë që Satani i urren ata në mënyrë të veçantë. Është e sigurt që Jezusi i do ata në mënyrë të veçantë. Edhe pse janë të vegjël, ata nuk janë përtej mendimeve dhe vëmendjes së Tij. Zemra e madhe e Tij ka vend për foshnjën në djep, si dhe për mbretin mbi fronin e tij. Ai e konsideron secilin prej të vegjëlve si dikush që zotëron në trupin e vet të vogël një parim të pavdekshëm i cili ka për të jetuar më gjatë se Piramidat e Egjiptit, dhe do ta shohë sesi dielli dhe hëna do të shuhen në ditën e fundit. Me një pjesë të tillë para nesh me siguri që mund të shpresojmë për shpëtimin e të gjithë atyre që vdesin në fëmijëri. “Mbretëria e Qiejve u përket këtyre.”

Së fundi, le të marrim nga këto vargje inkurajim për të provuar të arrijmë gjëra të mëdha në udhëzimin fetar të fëmijëve. Le të fillojmë që në vitet e tyre të hershme t’i trajtojmë si persona që kanë një shpirt që mund të humbasë apo të shpëtohet, dhe të përpiqemi fort t’i sjellim tek Krishti. Le t’i njohim me Biblën menjëherë sapo të kuptojnë ndonjë gjë. Le të lutemi me ta, të lutemi për ta, dhe t’i mësojmë të luten për veten. Mund të jemi të sigurt që Jezusi i sheh me kënaqësi përpjekje të tilla, dhe është i gatshëm t’i bekojë ato. Mund t ëjemi të sigurt që përpjekje të tilla nuk janë të kota. Fara e mbjellë në fëmijëri shpesh gjendet pas shumë vitesh. Lum ajo kishë që kujdeset po aq shumë për antarët e saj të vegjël sa kujdeset edhe për më të moshuarit! Bekimi i Atij që u kryqëzua me siguri do të jetë mbi atë kishë! Ai vendosi duart e Tij mbi fëmijët e vegjël. Ai u lut për ta.

Mateu 19:16-22

Këto vargje na japin me hollësi një bisedë mes Zotit tonë Jezu Krisht dhe një djali të ri i cili erdhi tek Ai që ta pyeste për udhën drejt jetës së përjetshme. Sikurse çdo bisedë e regjistruar në Ungjij, mes Zotit tonë dhe një individi, edhe kjo meriton vëmendje të veçantë. Shpëtimi i është punë personale. Kushdo që dëshiron të shpëtohet duhet të ketë marrëdhënie personale me Krishtin për shpirtin e vet.

Së pari, nga rasti i këtij të riu shohim që një person mund të ketë dëshira për shpëtimin, e megjithatë të mos jetë i shpëtuar. Këtu kemi një person që në një kohë kur mosbesimi ishte shumë i përhapur vjen me vullnetin e tij tek Krishti. Ai nuk erdhi që të shërohej nga një sëmundje. Nuk erdhi për t’u përgjëruar për një fëmijë. Ai erdhi për hir të shpirtit të tij. Ai e hap bisedën me pyetjen e sinqertë, “Mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?” Sigurisht që ne mund të kishim menduar, “ky është një rast premtues – ky nuk është një sundimtar apo Farise paragjykues – ky është një kërkues me potencial.” Megjithatë, me kalimin e kohës po ky djalosh i ri “u largua i trishtuar” – dhe nuk lexojmë qoftë edhe një fjalë që na tregon se ai u konvertua!

Nuk duhet të harrojmë kurë që thjesht vetëm ndjenjat e mira në fe nuk janë hiri i Perëndisë. Mund ta njohim të vërtetën nga ana intelektuale. Shpesh mund të ndihemi të na therrë ndërgjegja. Mund të shohim që brenda nesh janë zgjuar ndjenja fetare, të kemi shumë ankth për shpirtin tonë, dhe të derdhim shumë lot. Por e gjithë kjo nuk është konvertim. Nuk është puna e vërtetë shpëtuese e Frymës së Shenjtë.

Fatkeqësisht kjo nuk është gjithçka që duhet thënë rreth kësaj çështjeje. Jo vetëm që thjesht ndjenjat e mira nuk janë hir, por ato madje janë shumë të rrezikshme, nëse kënaqemi me to dhe nuk veprojmë po ashtu sikurse edhe ndiejmë. Deklarata e jashtëzakonshme e atij mjeshtrit të madh rreth pyetjeve morale, Peshkop Butler, është që përshtypjet pasive që përsëriten shpesh gradualisht e humbasin gjithë pushtetin e tyre. Veprimet që përsëriten shpesh prodhojnë një zakon në mendjen e njeriut. Ndjenjat pas të cilave jepemi shpesh, pa na çuar në veprimet korresponduese, më në fund nuk kanë për të pasur asnjë ndikim.

Le ta zbatojmë këtë mësim në gjendjen tonë. Ndoshta e dimë se çfarë do të thotë të ndiejmë frikëra, dëshira apo ëndje fetare. Le të kemi kujdes që të mos mbështetemi tek ato. Le të mos jemi kurrë të kënaqur derisa të kemi dëshminë e Frymës në zemrat tona, që në fakt kemi lindur sërish dhe jemi krijesa të reja. Le të mos prehemi kurrë derisa të dimë që vërtet jemi penduar dhe të jemi kapur pas shpresës që na është vendosur përpara në Ungjill. Është gjë e mirë të kesh ndjenja. Por është shumë herë më e mirë të konvertohesh.

Nga rasti i këtij djaloshi të ri shohim gjithashtu që një person i pakonvertuar shpesh është thellësisht i paditur rreth temave frymërore. Zoti ynë e drejton këtë kërkues tek standardi i përjetshëm i të drejtës dhe të gabuarës, tek ligji moral. Duke qënë se ai flet kaq guximshëm për “bërjen,” Jezusi e vë në provë përmes një urdhërimi të llogaritur mirë që do të nxjerrë në pah gjendjen reale të zemrës së tij, “në qoftë se ti don të hysh në jetë, zbato urdhërimet.” Ai madje i përsërit pllakën e dytë të urdhërimeve. I riu përgjigjet menjëherë me siguri, “Të gjitha këto gjëra unë i kam zbatuar që në rini; çfarë më mungon tjetër?” Ai është jashtëzakonisht i paditur rreth përshpirtshmërisë së statuteve të Perëndisë, saqë nuk ka pikë dyshimi që i ka përmbushur ato në mënyrë të përsosur. Ai duket se është krejtësisht i paditur që urdhërimet vlejnë si ndaj veprimeve ashtu dhe ndaj mendimeve dhe fjalëve, dhe që nëse Perëndia do ta thërriste në gjykim, ai “nuk mund t’i përgjigjej dot as një herë në një mijë!” (Jobi 9:3). Sa e errët duhet të ketë qenë mendja e tij në lidhje me natyrën e ligjit të Perëndisë! Sa të rëndomta që duhet të kenë qenë idetë e tij rreth shenjtërisë së Perëndisë!

Është fakt i trishtueshëm që një padituri e tillë si kjo e këtij djaloshi të ri është shumë e zakonshme në kishën e Krishtit. Ka me mijëra njerëz të pagëzuar që nuk dinë asgjë më tepër rreth doktrinave kryesore të Krishterimit sesa paganët e zakonshëm. Dhjetëra mijëra mbushin kishat dhe bashkësitë çdo javë të cilët janë krejtësisht në errësirë për sa i përket mëkatshmërisë së plotë të njeriut. Ata mbahen në mënyrë kokëfortë pas idesë së vjetër që në një farë mënyre apo tjetër veprat e tyre mund t’i shpëtojnë – dhe kur vizitohen prej predikuesve në shtratin e tyre të vdekjes dalin që janë po aq të verbër sikur të mos e kishin dëgjuar kurrë të vërtetën. Prandaj është e vërtetë që “njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë sepse ato janë marrëzi për të.” (1 Korintasve 2:14).

Së fundi, në këto vargje që flasin për rastin e këtij të riu shohim që një idhull i çmuar në zemër mund të shkatërrojë një shpirt përgjithmonë. Zoti ynë i cili e dinte se çfarë kishte brenda njeriut më në fund i tregon kërkuesit mëkatin e tij të veçantë. I njëjti zë zhbirues që i tha gruas Samaritane, “Shko dhe thirre burrin tënd,” (Gjoni 4:16), i thotë këtij djali të ri, “shko, shit ç’të kesh, jepua të varfërve.” Menjëherë doli në pah pika e fortë në karakterin e tij. Doli që pavarësisht gjithë dëshirave të tij për jetën e përjetshme, kishte një gjë të cilën ai e donte më fort se shpirtin e tij, dhe kjo ishte paraja e tij. Ai nuk mund t’i bënte dot ballë sprovës. Ai u peshua në peshore dhe u gjet se ishte i mangët. Kështu historia mbyllet me fjalët e trishtueshme, “iku i trishtuar, sepse kishte pasuri të madhe.”

Në këtë histori kemi një provë më tepër për të vërtetën, “Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave.” (1 Timoteu 6:10). Këtë djalosh të ri duhet ta ruajmë në kujtimet tona përkrah Judës, Ananias dhe Safirës, dhe të mësojmë që të kemi kujdes nga lakmia. Mjerisht ky është një shkëmb mbi të cilin mijëra njerëz vazhdojnë të përjetojnë lundër thyerje. Zor se gjen një shërbëtor të Ungjillit i cili nuk do të ketë mundësi të tregojë për shumë njerëz në bashkësinë e tij që nga ana njerëzore “nuk janë larg mbretërisë së Perëndisë.” Por ata nuk duken kurrë se po bëjnë progres. Ata dëshirojnë. Ata ndiejnë. Ata kën synime. Ata shpresojnë. Por ata qëndrojnë pa lëvizur! Pse? Për shkak se e duan paranë.

Le ta vëmë veten në provë ndërsa largohemi nga kjo pjesë. Le të shohim sesi kjo ka të bëjë me shpirtin tonë. A jemi të ndershëm dhe të sinqertë në rrëfimin e dëshirës tonë për të qenë të krishterë të vërtetë? A kemi hequr dorë prej të gjithë idhujve tanë? A nuk ka ndonjë mëkat të fshehtë tek i cili jemi kapur në heshtje dhe refuzojmë ta dorëzojmë? A nuk ka ndonjë person apo gjë të cilën privatisht e duam më tepër se Krishtin dhe shpirtin tonë? Këto janë pyetje të cilave duhet t’u përgjigjemi. Shpjegimi i vërtetë për gjendjen e pakënaqshme të shumë prej dëgjuesve të Ungjillit është idhujtaria frymërore. Gjoni me të drejtë thotë, “Ruajeni veten nga idhujt.” (1 Gjoni 5:21).

Mateu 19:23-30

Gjëja e parë që mësojmë në këto vargje është rreziku i jashtëzakonshëm që sjellin pasuritë në shpirtrat që i zotërojnë ato. Zoti Jezus deklaron që “një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.” Ai shkon edhe më tej. Ai përdor një thënie proverbiale për ta përforcuar deklaratën e Tij – “Është më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

Të pakta janë thëniet e Zotit tonë të cilat të jenë më të habitshme se kjo. Të pakta janë ato thënie që shkojnë kundër opinioneve dhe paragjykimeve të njerëzimit. Të pakta janë ato thënie që besohen kaq pak sa kjo. Megjithatë, kjo thënie është e vërtetë dhe e denjë për t’u pranuar plotësisht. Pasuritë, të cilat të gjithë i dëshirojnë t’i arrijnë – pasuritë për të cilat njerëzit punojnë dhe mundohen dhe thinjen para se t’u vijë koha, pasuritë janë një zotërim shumë i rrezikshëm. Ato shpesh i shkaktojnë lëndim të madh shpirtit. Ato i çojnë njerëzit në shumë tundime. Ato mbërthejnë mendimet dhe ndjenjat e njerëzve. Ato lidhin barrë të rënda në zemër dhe e bëjnë udhën e qiellit edhe më të vështirë nga sa është natyrshëm.

Le të kemi kujdes nga dashuria për paranë. Është e mundur që ta përdorësh paranë mirë dhe të bësh të mira me të. Por për çdo person që e përdor si duhet paranë ka një mijë të tjerë që e përdorin gabim dhe kështu lëndojnë si veten ashtu dhe të tjerët. Lëreni njeriun e botës që nëse dëshiron ta bëjë paranë idhullin e tij, dhe të konsiderojë më të lumtur atë që ka më tepër para. Por i krishteri që rrëfen se ka “thesare në qiell” le ta bëjë fytyrën e tij si strall ndaj frymës së botës në këtë çështje. Ai le të mos adhurojë arin. Njeriu më i mirë në sytë e Perëndisë nuk është ai që ka më tepër para por ai që ka më tepër hir.

Le të lutemi çdo ditë për shpirtrat e të pasurve. Ata nuk duhet t’i kemi lakmi. Për ta duhet të ndiejnë një keqardhje të thellë. Ata mbartin barrë të rënda në garën e krishterë. Nga të gjithë njerëzi ata janë njerëzit me më pak gjasa që “të vrapojnë në mënyrë të tillë që ta marrin çmimin.” (1 Korintasve 9:24). Begatia e tyre në këtë botë shpesh është shkatërrimi i tyre në botën që po vjen. Me të drejtë janë përfshirë në lutjet e Kishës së Anglisë fjalët, “Zot i mirë, na çliro në kohët e pasurisë.”

Gjëja e dytë që mësojmë në këtë pjesë është fuqia e gjithëpushtetshme e hirit të Perëndisë në shpirt. Dishepujt ishin të mahnitur kur dëgjuan gjuhën e Zotit tonë në lidhje me të pasurit. Kjo ishte një gjuhë që shkonte aq kundër me idetë e tyre rreth avantazheve të pasurisë saqë ata thanë të habitur, “Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?” Ata bënë që Zoti ynë t’u jepte një përgjigje të hirshme, “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”

Fryma e Shenjtë mund ta bëjë edhe njeriun më të pasur që të kërkojë thesare në qiell. Ai mund të bëjë që edhe mbretërit të hedhin kurorat e tyre para këmbëve të Jezusit dhe t’i konsiderojnë të gjitha gjërat humbje për hir të mbretërisë së Perëndisë. Në Bibël na jepen prova të njëpasnjëshme për këtë gjë. Abrahami ishte shumë i pasur, e megjithatë ai ishte ati i besnikëve. Moisiu mund të kishte qenë princ apo mbret në Egjipt, por ai i braktisi të gjitha këto mundësi të shkëlqyera për hir të Atij që është i padukshëm. Jobi, ishte burri më i pasur i lindjes e megjithatë ai ishte një shërbëtor i zgjedhur i Perëndisë. Davidi, Jehosafati, Hezeika, ishin mbretër të pasur por ata deshën më tepër favorin e Perëndisë sesa madhështinë e tyre tokësore. Ata të gjithë na tregojnë që “asnjë gjë nuk është tepër e vështirë për Zotin,” dhe që besimi mund të rritet edhe në tokën më të pazakontë.

Le ta mbajmë fort këtë doktrinë dhe të mos e lëshojmë kurrë. Nuk ka asnjë njeri vendi dhe rrethanat e të cilit ta privojnë nga mbretëria e Perëndisë. Le të mos dëshpërohemi kurrë për shpëtimin e askujt. Nuk ka dyshim që të pasurit kërkojnë hir të veçantë dhe janë të prirur ndaj tundimeve të veçanta. Por Zoti Perëndia i Abrahamit, Moisiut, Jobit dhe Davidit nuk ka ndryshuar. Ai që i shpëtoi ata pavarësisht pasurive të tyre, mund të shpëtojë edhe të tjerët. Kur Ai vepron kush mund ta pengojë? (Isaia 43:13).

Gjëja e fundit që mësojmë nga këto vargje është inkurajimi i jashtëzakonshëm që Ungjilli u ofron atyre që heqin dorë nga gjithçka për hir të Krishtit. Na thuhet që Pjetri e pyeti Zotin tonë se çfarë do të merrte ai dhe dishepujt e tjerë që kishin lënë “gjithçkanë” e tyre të vogël për hir të Tij. Ai dëgjoi një përgjigje shumë të hirshme. Atyre që sakrifikojnë për hir të Krishtit do t’u jepet një shpërblim i plotë, ata “do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.”

Ka diçka shumë inkurajuese në këtë premtim. Të pakët janë ata që në ditët e sotme përveç të kthyerve nga mesi i paganëve, të cilëve u kërkohet që të braktisin gjithçka, shtëpitë, marrëdhëniet, toka për hir të besimit. E megjithatë ka pak të krishterë të vërtetë të cilët nuk kanë shumë për të jetuar që në një mënyrë apo në një tjetër janë vërtet besnikë ndaj Zotit të tyre. Ofendimi i kryqit nuk është hequr ende. Të qeshurat, talljet, përbuzjet dhe përndjekja nga familja, janë shpesh pjesa e një besimtari në Angli. Favori i botës shpesh braktiset, shpesh vendet dhe situatat bëhen të rrezikshme, për shkak të një pajtimi të ndërgjegjshëm me kërkesat e Ungjillit të Krishtit. Të gjithë ata që janë të ekspozuar ndaj sprovave të tilla mund të ngushëllohen në premtimin e këtyre vargjeve. Jezusi e dalloi nevojën e tyre dhe kishte për qëllim që këto fjalë të ishin ngushëllimi i tyre.

Ne mund të jemi të sigurt që asnjë njeri nuk ka për të dalë kurrë vërtet i humbur në ndjekjen e Krishtit. Besimtari mund të duket që po përjeton humbje për një farë kohe, kur nis të jetojë jetën e një të krishteri të vendosur. Ai mund të shkurajohet së tepërmi nga mundimet që i vijnë për shkak të besimit të tij. Por le të jetë i sigurt që në këndvështrimin afatgjatë nuk ka për të dalë kurrë i humbur. Krishti mund të ngrejë miq shumë herë më të dashur dhe mikpritës se ata që tani janë vënë kundër tij. Mbi të gjitha, Krishti mund të na japë paqen e ndërgjegjes, gëzimin e brendshëm, shpresën e ndritur dhe ndjenjat e lumturisë të cilat kanë për t’ia kaluar së tepërmi çdo gjëje të kënaqshme tokësore të cilën e kemi hedhur tej për hir të Tij. Ai ka dhënë fjalën e Tij mbretërore që kështu ka për të qenë. Askush nuk ka përjetuar që kjo fjalë të bjerë poshtë. Le t’i besojmë edhe ne dhe të mos kemi frikë.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*