Mendime Shtjelluese Mateu 2
Ungjilli sipas Mateut kapitulli 2
nga J. C. Ryle
Mateu 2:1-12
Nuk e dimë se kush ishin këta dijetarë. Emrat dhe vendi nga vinin nuk na janë treguar. Na thuhet vetëm që ata vinin “nga Lindja.” Nuk mund ta themi me siguri nëse ishin Kaldeas apo Arabë. Nuk e dimë nëse mësuan që të prisnin ardhjen e Krishtit nga dhjetë fiset që shkuan në mërgim, apo nga profecitë e Danielit. Nuk ka shumë rëndësi se kush ishin ata. Ajo që na intereson më tepër është udhëzimet e mëdha që na përcjell historia e tyre.
Këto vargje na tregojnë që mund të ketë shërbëtorë të vërtetë të Perëndisë në vende ku nuk duhet të presim t’i gjejmë. Zoti Jezus ka shumë persona “të fshehur” sikurse këta dijetarë. Historia e tyre mbi tokë mund të njihet po aq pak sa dhe ajo e Melkisedekut, Jethros dhe Jobit. Por emrat e tyre gjenden në librin e jetës dhe do të jenë bashkë me Krishtin ditën kur Ai të shfaqet. Është gjë e mirë ta mbajmë mend këtë. Nuk duhet të shohim përreth botës dhe të themi me nxitim, “gjithçka është e djerrë.” Hiri i Perëndisë nuk është i lidhur pas vendeve dhe familjeve. Fryma e Shenjtë mund t’i udhëheqë shpirtrat tek Krishti pa ndihmën e shumë mjeteve të jashtme. Njerëzit mund të lindin në vende të errëta të tokës sikurse këta dijetarë, e megjithatë sikurse ata mund të bëhen “të ditur për shpëtimin.” Ka disa që po udhëtojnë drejt qiellit në këtë moment për të cilët kisha dhe bota as që e kanë idenë. Ata lulëzojnë në vende të fshehta sikurse zambaku mes gjembave dhe e “përhapin aromën e tyre të ëmbël në ajrin e shkretëtirës.” Por Krishti i do dhe ata e duan Krishtin.
Këto vargje na mësojnë që nuk janë gjithmonë ata që kanë më tepër privilegje fetarë që e nderojnë më tepër Krishtin. Mund të kishim menduar që Skribët dhe Farisenjtë do kishin qenë të parë që të shkonin në Betlehem sapo të dëgjonin lajmin më të vogël që Shpëtimtari kishte lindur. Por nuk ndodhi kështu. Disa të panjohur nga një vend i largët ishin të parët që ngazëlluan për lindjen e Tij pas barinjve që i përmend Lluka. “Ai erdhi tek të vetët dhe të vetët nuk e pranuan.” Sa tablo e trishtueshme që është kjo për natyrën njerëzore! Sa shpesh mund të duket e njëjta gjë edhe mes nesh! Sa shpesh ndodh që po ata njerëz që jetojnë më pranë mjeteve të hirit janë ata që i neglizhojnë ato më së tepërmi! Sigurisht që ka shumë të vërtetë në proverbin e lashtë, “Sa më afër kishës aq më larg Perëndisë.” Familjariteti me gjërat e shenjta ka një prirje të tmerrshme që t’i bëjë njerëzit t’i përbuzin ato. Ka shumë njerëz që për shkak të afërsisë dhe lehtësisë duhet të jenë të parët dhe në krye të adhurimit të Perëndisë e megjithatë janë gjithmonë të fundit. Ka shumë që me të drejtë mund të presim të jenë të fundit por që gjithmonë janë të parët.
Këto vargje na mësojnë që mund të ketë njohuri të Shkrimit në mendje por ndërkohë nuk ka hir në zemër. Vini re sesi mbreti Herod i pyet priftërinjtë dhe pleqtë “ku duhet të lindë Krishti.” Vini re sa sa lehtësisht i përgjigjen ata dhe sesi tregojnë që i njohin Shkrimet shumë mirë. Por ata nuk shkuan kurrë në Betlehem për të kërkuar Shpëtimtarin që kishte ardhur. Ata nuk besuan në Të kur Ai shërbeu mes tyre. Mendja e tyre ishte në gjëndje më të mirë se zemra e tyre. Le të kemi të gjithë kujdes që të mos kënaqemi thjesht me njohuri mendore. Kjo është gjë e shkëlqyer kur përdoret si duhet. Por dikush mund të ketë shumë njohuri e megjithatë të humbasë përjetësisht. Cila është gjendja e zemrave tona? Kjo është pyetja e madhe. Pak hir është më mirë se shumë dhunti. Dhuntitë në vetvete nuk shpëtojnë askënd. Por hiri të çon në lavdi.
Sjellja e dijetarëve që përshkruhet në këtë kapitull është një shembull i shkëlqyer për zellin frymëror. Sa shumë telashe që do të kenë përballur për të udhëtuar nga shtëpitë e tyre në vendin ku kushte lindur Jezusi! Sa shumë kilometra të lodhshme që duhet të kenë udhëtuar! Lodhjet e një udhëtari Lindor janë shumë më të mëdha nga sa mund t’i kuptojmë ne. Koha që do të kërkonte një udhëtim i tillë duhet të ketë qenë shumë e gjatë. Ata e kishin vendosur në zemrën e tyre që do ta shihnin Atë “që kishte lindur Mbreti i Judenjve;” dhe nuk u rehatuan kurrë derisa e panë. Ata na vërtetojnë të vërtetën e thënies së lashtë, “Vullneti e gjen gjithmonë një mënyrë.”
Do ishte mirë që të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë të ishin më të gatshëm të ndiqnin shembullin e këtyre dijetarëve. Ku është vetëmohimi ynë? Çfarë vështirësish durojmë për hir të shpirtit tonë?
Çfarë zelli tregojmë për të ndjekur Krishtin? Çfarë na koston feja jonë? Këto janë pyetje serioze që meritojnë të konsiderohen seriozisht.
Së fundi por jo më pak e rëndësishme, sjellja e dijetarëve është një shembull i jashtëzakonshëm besimi. Ata besuan në Krishtin kur nuk e kishin parë kurrë Atë – por kjo nuk ishte e gjitha. Ata besuan në Të kur Skribët dhe Farisenjtë nuk besuan – por edhe kjo nuk ishte e gjitha. Ata besuan në Të kur e patë si një foshnjë të vogël mbi prehrin e Marisë dhe e adhuruan si mbret. Kjo ishte pika kurorëzuese e besimit të tyre. Ata nuk panë mrekulli që t’u mbushte mendjen. Nuk dëgjuan mësim që t’i bindte. Nuk vështruan asnjë shenjë hyjnie dhe madhështi e cila t’i mahniste. Ata nuk panë asgjë përveçse një foshnjë të sapolindur, të dobët dhe pa forcë, i cili kishte nevojë për kujdesin e nënës së tij sikurse secili prej nesh. E megjithatë kur ata e panë atë foshnjë, besuan që kishin parë Shpëtimtarin hyjnor të botës. “Ata ranë përmbysë dhe e adhuruan.”
Në gjithë faqet e Biblës nuk lexojmë për ndonjë besim më të madh se ky. Ky është besim që meriton të vendoset krah për krah me atë të hajdutit të penduar në kryq. Hajduti pa dikë që po përjetonte vdekjen e një keqbërësi e megjithatë iu lut Atij, dhe “e quajti Zot.” Dijetarët panë një foshnjë të sapolindur mbi prehërin e një gruaje të varfër e megjithatë e adhuruan dhe rrëfyen që Ai ishte Krishti. Vërtet të bekuar janë ata që mund të besojnë në këtë mënyrë!
Le të kujtojmë që ky është ai lloj besimi të cilin Perëndia kënaqet ta nderojë. Provën e kësaj e shohim edhe sot. Kudo që Bibla lexohet bëhet e njohur sjellja e këtyre dijetarëve dhe historia e tyre tregohet si përkujtimore. Le të ecim në hapat e besimit të tyre. Le të mos kemi turp të besojmë në Jezusin dhe ta rrëfejmë Atë, edhe pse të gjithë përreth nesh vazhdojnë të jenë të shkujdesur dhe mosbesues. A nuk kemi ne njëmijë herë më shumë prova se dijetarët për të na bërë të besojmë që Jezusi është Krishti? Nuk ka pikë dyshimi që kemi shumë herë më tepër prova. E megjithatë, ku është besimi ynë?
Mateu 2:13-23
Vini re në këtë pasazh sa e vërtetë është që sundimtarët e kësaj bote rrallë herë tregohen miqësore ndaj kauzës së Perëndisë. Zoti Jezus zbriti nga qielli për të shpëtuar mëkatarët dhe menjëherë na thuhet që mbreti Herod u përpoq ta shkatërronte.”
Madhështia dhe pasuritë janë zotërime të rrezikshme për shpirtin. Ata që kërkojnë gjëra të tilla nuk e kanë idenë se çfarë kërkojnë. Këto i çojnë njerëzit në shumë tundime. Ato ka të ngjarë që ta mbushin zemrën me krenari dhe t’i prangosin ndjenjat dhe dëshirat tek gjërat këtu poshtë. “Nuk janë thirrur shumë të fortë dhe fisnikë.” “I pasuri do të hyjë me shumë vështirësi në mbretërinë e Perëndisë.”
A i keni zili të pasurit dhe të mëdhenjtë? A thotë zemra juaj, “Oh sikur të isha në vendin e tyre, sikur të kisha pozitën dhe pasuritë e tyre?” Kini kujdes që të mos i jepni vend një ndjenje të tillë. Vetë pasuria që ju admironi mund t’i zhytë zotëruesit e saj gradualisht në ferr. Edhe pak më tepër para mund të jetë shkatërrimi juaj. Sikurse Herodi edhe ju mund të jepeni pas çdo tepërimi ligësie dhe mizorie. “Kini kujdes nga lakmia.” “Jini të kënaqur me ato që keni.”
A mendoni se kauza e Krishtit varet nga pushteti dhe mbështetja e princave? E keni gabim. Ata rrallë herë kanë bërë shumë për avancimin e besimit të vërtetë. Shumë më shpesh ata kanë qenë armiq të së vërtetës. “Mos kini besim tek princat.” Ka shumë njerëz si Herodi. Por të paktë janë ata që i ngjajnë Josias dhe Eduardi i Gjashtë i Anglisë.
Vëzhgoni sesi Zoti Jezus ishte “njeri i brengës” që në foshnjërinë e Tij. Atë e presin telashet menjëherë sa hyn në botë. Jeta e tij është në rrezik nga urrejtja e Herodit. Nëna e tij dhe Jozefi janë të detyruar ta mërrin dhe të largohen natën “për në Egjipt.” Kjo ishte thjesht një tip apo figurë e gjithë përjetimit të Tij mbi këtë tokë. Valët e poshtërimit filluan të përplaseshin mbi Të edhe kur ishte një foshnjë e vogël.
Zoti Jezus është Shpëtimtari i duhur për të cilin kanë nevojë njerëzit e vuajtur dhe të trishtuar. Ai e di shumë mirë se çfarë duam të themi kur i shprehim vështirësitë tona në lutje. Ai simpatizohet me ne kur i lutemi Atij nën përndjekjen e pamëshirshme. Le të mos mbajmë asnjë gjë pa ja treguar Atij. Le ta bëjmë Atë mikun e zemrës tonë. Le t’i derdhim zemrat tona përpara Tij. Ai ka pasur një përjetim të madh me vuajtjen.
Vëzhgoni sesi vdekja mund t’i rrëmbejë mbretërit e kësaj bote sikurse çdo njeri tjetër. Sundimtarët e miliona njerëzve nuk kanë pushtet për të ruajtur jetën kur vjen momenti i largimit të tyre. Vrasësi i foshnjave të dobëta duhet që edhe ai vetë të vdesë. Jozefi dhe Maria dëgjojnë lajmin që “Herodi ka vdekur;” dhe menjëherë kthehen në sigurinë e vendit të tyre.
Të krishterët e vërtetë nuk duhet të lëkunden kurrë fort nga përndjekja e njeriut. Armiqtë e tyre mund të jenë të fortë dhe ata mund të jenë të dobët; por ata ende nuk duhet të kenë frikë. Ata duhet të kujtojnë që “triumfi i të ligjve zgjatë vetëm për pak kohë.” Ku janë Faraonët, Neronët dhe Diokletanët të cilët dikur e përndoqën ashpër popullin e Perëndisë? Ku është armiqësia e Karlit të Nëntë të Francës apo Maria Gjakatare e Anglisë? Ata bënë më të keqen e tyre për ta hedhur të vërtetën përtokë. Por e vërteta u ngrit sërish në këmbë dhe vazhdon të jetojë; kurse ata kanë vdekur dhe po treten në varr. Mos u shkurajoftë zemra e asnjë besimtari. Vdekja është nivelusi i madh, dhe mund të largojë çdo mal nga shtegu i kishës së Krishtit. “Zoti jeton” përjetë. Armiqtë e saj janë thjesht njerëz. E vërteta do të triumfojë gjithmonë.
Së fundi vëzhgoni se çfarë mësimi rreth përulësisë na jepet përmes vendbanimit të Birit të Perëndisë, kur Ai ishte këtu mbi tokë. Ai banonte me nënë e tij dhe me Jozefin “në qytetin e Nazaretit.” Nazareti ishte një qytet i vogël në Galile. Ky ishte një vend i panjohur dhe i shkëputur dhe nuk është përmendur as edhe një herë në Dhiatën e Vjetër. Hebroni, Shilo, Gibeoni dhe Betheli ishin vende shumë më të rëndësishme. Por Zoti Jezus i anashkaloi të gjithë dhe zgjodhi Nazaretin. Kjo ishte përulësi.
Në Nazaret Zoti Jezus jetoi tridhjetë e tre vjet. Atje Ai u rrit nga një foshnjë e vogël në një fëmijë, nga një fëmijë në një djalosh, nga djalosh u bë i ri dhe nga i ri u bë burrë. Nuk dimë shumë sesi i kaloi ato tridhjetë vjet. Na thuhet qartë që Ai “i nënshtrohej Marisë dhe Jozefit.” Ka shumë të ngjarë që Ai punoi në zdrukthëtarinë e Jozefit. Dimë vetëm që pesë të gjashtat e kohës që kaloi në këtë tokë Ai i kaloi mes të varfërve të kësaj bote në veçim të plotë. Kjo ishte vërtet përulësi.
Le të mësojmë urtësinë nga shembulli i Shpëtimtarit tonë. Ne jemi tepër të gatshëm të “kërkojmë gjëra të mëdha” në këtë botë. Le të mos i kërkojmë. Të kesh një vend, një titull dhe një pozitë është pothuaj gjëja më e rëndësishme sipas mendimit të njerëzve. Është mëkat i madh të jesh lakmitar, të kesh frymën e botës, të jesh krenar dhe ta kesh mendjen vetëm në gjërat e mishit. Por nuk është mëkat të jesh i varfër. Nuk ka shumë rëndësi se ku jetojmë sesa kush jemi në sytë e Perëndisë. Ku do të shkojmë kur të vdesim? A do të jetojmë përgjithmonë në qiell? Këto janë gjërat kryesore që duhet të kërkojmë.
Mbi të gjitha, le të përpiqemi çdo ditë të imitojmë përulësinë e Shpëtimtarit tonë. Krenaria është mëkati më i lashtë dhe më i zakonshëm. Përulësia është hiri më i rrallë dhe më i bukur. Le të mundohemi për përulësinë. Le të lutemi për përulësinë. Njohuria jonë mund të jetë e pakët. Besimi ynë mund të jetë i dobët. Forca jonë mund të jetë e pakët. Por nëse jemi dishpuj të Atij që “jetoi në Nazaret” le të jemi edhe ne të përulur.
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!