Mendime Shtjelluese Mateu 28

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 28

nga J. C. Ryle

Mateu 28:1-10
Tema kryesore e këtyre vargjeve është ringjallja e Zotit tonë Jezu Krisht prej së vdekuri. Kjo është një nga ato të vërteta që gjenden në vetë themelin e Krishterimit, dhe si rrjedhim i është kushtuar vëmendje e veçantë në të katër Ungjijtë. Të katër ungjilltarët përshkruajnë me hollësi sesi Zoti ynë u kryqëzua. Që të katërt trajtojnë me po atë qartësi edhe faktin që Ai u ringjall.

Nuk ka pse të vrasim mendjen në lidhje me faktin që ringjalljes së Zotit tonë i është dhënë kaq shumë rëndësi. Kjo është vula dhe kulmi i veprës së madhe të shpengimit të cilën Ai vendosi ta plotësonte për ne, duke e fituar betejën të cilën e luftoi për të na çliruar nga ferri dhe tani është pranuar si Garantues dhe si Zëvendësi ynë prej Atit tonë në qiell. Nëse Ai nuk do të kishte dalë kurrë nga burgu i varrit, si mund të ishim të sigurt që shpengimi ynë ishte paguar plotësisht? (1 Korintasve 15:17). Nëse nuk do ishte ringjallur kurrë nga konflikti i Tij me armikun e fundit, si mund të ndiheshim të sigurt që Ai e ka mundur vdekjen dhe atë që kishte pushtetin e vdekjes, domethënë djallin? (Hebrenjve 2:14). Por falënderuar qoftë Perëndia ynë që nuk jemi lënë në dyshim. Zoti Jezus vërtet “u ringjall për drejtësimin tonë.” Të krishterët e vërtetë janë lindur sërish “për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish.” Ata mund të thonë guximshëm bashkë me Palin, “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall.” (Romakëve 4:25, 1 Pjetri 1:3, Romakëve 8:34).

Kemi arsye që të jemi mirënjohës, që kjo e vërtetë e mrekullueshme e besimit tonë është vërtetuar në mënyrë kaq të qartë dhe të plotë. Kjo është një rrethanë domethënëse që nga të gjitha faktet e shërbesës tokësore të Zotit tonë, asnjë nuk është themeluar në mënyrë të pakundërshtueshme sa fakti që Ai u ringjall sërish. Urtësia e Perëndisë, i cili e njeh mosbesimin e natyrës njerëzore, ka siguruar një re të madhe dëshmitarësh për këtë temë. Nuk ka pasur kurrë ndonjë fakt të cilin armiqtë e Perëndisë të kenë qenë aq të betuar për ta hedhur poshtë. E megjithatë, pavarësisht mosbesimit të ashtuquajturve miq, dhe armiqësisë së armiqve, ky fakt u themeluar plotësisht. Provat e saj gjithmonë do të dalin të pakundërshtueshme për një mendje të drejtë dhe të paanshme. Do ishte e pamundur të vërtetoje ndonjë gjë në botë nëse refuzojmë të besojmë që Jezusi u ringjall.

Le të vëmë re në këto vargje, lavdinë dhe madhështinë me të cilën Krishti u ringjall prej së vdekuri. Na është thënë që “ndodhi një tërmet i madh.” Na thuhet që “engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, e rrokullisi gurin nga hyrja e varrit dhe u ul mbi të.” Nuk ka pse të supozojmë që Zoti ynë i bekuar kishte nevojë për ndihmën e ndonjë engjëlli kur doli nga varri. Nuk ka pse të dyshojmë qoftë edhe për një moment se Ai u ringjall me pushtetin e Tij. Por i pëlqeu Perëndisë që ringjallja e Tij të shoqërohej dhe të pasohej nga shenja dhe mrekulli. Iu duk mirë që toka të dridhej dhe të shfaqej një engjëll i lavdishëm kur Biri i Perëndisë u ringjall së vdekuri si ngadhënjimtar.

Le të mos dështojmë të shohim në mënyrën e ringjalljes së Zotit tonë, një tip dhe garanci të ringjalljes së popullit të Tij besimtar. Varri nuk mund ta mbante dot Atë përtej kohës së caktuar, dhe nuk ka për të qenë në gjendje t’i mbajë as ata. Një engjëll i lavdishëm ishte dëshmitari i ringjalljes së Tij, dhe engjëj të lavdishëm do të jenë lajmëtarët që do t’i mbledhin besimtarët kur ata të ringjallen. Ai u ringjall me një trup të ripërtërirë, e megjithatë ishte një trup real, i vërtetë dhe material, po kështu edhe njerëzit e Tij do të kenë një trup të lavdishëm dhe do të jenë si Kreu i tyre. “Kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.” (1 Gjoni 3:2).

Le të ngushëllohemi nga ky mendim. Sprovat, trishtimi dhe përndjekja shpesh janë pjesa e popullit të Perëndisë. Sëmundja, dobësia dhe dhimbja shpesh jua lëndojnë dhe jua lodhin trupin e tyre tokësor. Por koha e tyre e mirë ka për të ardhur. Le të presin me durim dhe do të përjetojnë një ringjallje të lavdishme. Kur do të vdesim, ku do të varrosemi dhe çfarë lloj funerali do të kemi nuk kanë shumë rëndësi. Pyetja e madhe që duhet bërë është kjo, “Si do të ringjallemi?”

Së pari le të dallojmë tmerrin që ndjenë armiqtë e Krishtit në kohën e ringjalljes së Tij. Na thuhet që kur panë engjëllin, “rojet u drodhën dhe mbetën si të vdekur.” Ata ushtarë të regjur Romakë edhe pse ishin mësuar me pamje të frikshme, panë një skenë e cila i bëri të dridheshin. Guximi i tyre humbi në moment në praninë e një engjëlli të Perëndisë.

Le të shohim sërish tek ky fakt një tip dhe një emblemë të gjërave që do të vijnë. Çfarë do të bëjnë të paperëndishmit dhe të ligjtë në ditën e fundit, kur të bjerë boria dhe Krishti të ktheht në lavdi për ta gjykuar botën? Çfarë do të bëjnë ata kur të shohin të gjithë të vdekurit, si të mëdhenjtë ashtu dhe të vegjlit, të dalin nga varret e tyre, dhe të gjithë engjëjt e Perëndisë të mbledhur përreth fronit të madh dhe të bardhë? Çfarë frikërash dhe tmerresh do t’i zënë shpirtrat e tyre kur të zbulojnë që nuk mund ta anashkalojnë më praninë e Perëndisë dhe shumë shpejt do të përballen me Të? Oh sikur njerëzit të ishin të mençur dhe të konsideronin fundin e tyre të ardhshëm! Oh sikur të kujtonin që ka një ringjallje dhe një gjykim dhe që ekziston ndiçka e tillë si zemërimi i Qengjit!

Së dyti, le të dallojmë fjalët e ngushëllimit të cilat engjëlli jua drejton miqve të Krishtit. Lexojmë që ai tha, “Mos kini frikë – sepse unë e di që ju kërkoni Jezusin i cili u kryqëzua.” Këto fjalë u thanë me një kuptim të thellë. Ato kishin për qëllim të gëzonin zemrat e besimtarëve në çdo epokë në lidhje me shpresën e ringjalljes. Ato kishin për qëllim të na kujtonin që të krishterët e vërtetë nuk kanë asnjë shkak për t’u alarmuar pavarësisht se çfarë mund t’i bjerë botës. Zoti do të shfaqet në retë e qiellit dhe toka do të digjet. Varret do të dorëzojnë të vdekurit e tyre dhe dita e fundit do të vijë. Gjykimi do të fillojë dhe librat do të hapen. Engjëjt do ta ndajnë grurin nga byku, peshqit e mirë nga peshqit e këqij. Por në gjithë këtë asgjë që duhet t’i bëjë besimtarët të frikësohen. Të veshur me drejtësinë e Krishtit ata do të dalin të pafajshëm dhe pa njolla. Duke qenë se janë të sigurt të arkën e vërtetë, nuk do të lëndohen kur përbytja e zemërimit të Perëndisë të bjerë mbi këtë tokë. Atëherë do të përmbushen plotësisht fjalët e Zotit – “dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.” Atëherë njerëzit e ligj dhe jobesimtarë do të shohin sa e vërtetë që ishte ajo fjalë, “Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin.” (Psalmi 33:12).

Së fundi, le të vëmë re mesazhin e hirshëm që Zoti u dërgoi dishepujve të Tij pas ringjalljes. Ai iu shfaq personalisht grave që kishin ardhur të nderonin trupin e Tij. Ato ishin të fundit tek kryqi dhe të parat tek varri, prandaj ishin të privilegjuara ta shihnin të parat kur u ringjall. Atyre Ai u jep porosinë që t’ua çojnë lajmin dishepujve të Tij. Mendimi i Tij i parë është për tufën e Tij të vogël dhe të shpërndarë. “Shkoni ju tregoni vëllezërve të mi.”

Ka diçka që të prek shumë thellë tek ato fjalë të thjeshta, “vëllezërve të mi.” Ato meritojnë njëmijë mendime. Pavarësisht se dishepujt ishin të dobët, delikatë dhe të gabueshëm Jezusi i quan “vëllezërit” e Tij. Ai i ngushëllon sikurse bëri Jozefi me vëllezërit e Tij të cilët e kishin shitur kur iu tha, “Jam unë vëllai juaj Jozefi.” Pavarësisht se nuk e kishin mbajtur fort rrëfimin e tyre, pavarësisht se i ishin dorëzuar për të ardhur keq frikës së njerëzve, ata janë ende “vëllezërit” e Tij.

Edhe pse në Veten e Tij Ai ishte i lavdishëm, ngadhënjimtar mbi vdekjen, ferri dhe varrin, Biri i Perëndisë është ende “i përulur dhe zemërbutë.” Ai i quan dishepujt e Tij “vëllezër.” Le ta lëmë këtë pjesë me mendime ngushëlluese, nëse dimë ndonjë gjë rreth besimit të vërtetë. Le të shohim në këto fjalë të Krishtit një inkurajim për të besuar dhe për të mos pasur frikë. Shpëtimtari ynë është Ai që nuk i harron kurrë njerëzit e Tij. Ai ndjek keqardhje për dobësitë e tyre. Ai nuk i përbuz. Ai e njeh dobësinë e tyre e megjithatë nuk i hedh poshtë. Krye Prifti ynë i madh është gjithashtu edhe vëllai ynë i madh.

Mateu 28:11-20
Këto vargje përbëjnë konkluzionin e Ungjillit të Mateut. Ato fillojnë duke na treguar se çfarë gjërash absurde beson paragjykimi i verbër në vend që të besojë të vërtetën. Këto vargje na tregojnë se çfarë dobësie gjendet në zemrat e disa prej dishepujve dhe sa të ngadaltë që ishin ata për të besuar. Në fund ta thotë disa prej fjalëve të fundit që Zoti ynë tha mbi këtë tokë – fjalë aq të jashtëzakonshme saqë kërkojnë dhe meritojnë gjithë vëmendjen tonë

Së pari, le të vëzhgojmë nderin që Perëndia i jep Zotit tonë Jezu Krisht. Zoti ynë thotë, “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë.” Kjo është një e vërtetë që është deklaruar nga Pali tek letra drejtuar Filipianëve, “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër.” (Filipianëve 2:9). Kjo është një e vërtetë që nuk e cënon aspak të vërtetën e hyjnisë së Krishtit, sikurse kanë supozuar disa me paditurinë e tyre. Kjo është thjesht një deklaratë, që, në këshillën e Trinisë së përjetshme, Jezusi, si Biri i njeriut, caktohet trashëgimtari i të gjitha gjërave, që Ai është Ndërmjetësi mes Perëndisë dhe njeriut – që shpëtimi i të gjithë atyre që shpëtohen gjendet tek Ai – dhe që Ai është burimi i madh i mëshirës, hirit, jetës dhe paqes. Për shkak të këtij “gëzimi që ishte përpara tij, duroi kryqin.” (Hebrenjve 12:2).

Le ta përqafojmë me drojë këtë të vërtetë dhe të kapemi fort pas saj. Krisht është Ai që ka çelësat e vdekjes dhe ferrit. Krishti është Prifti i vajosur i cili është i vetmi që mund t’i shfajësojë mëkatarët. Krishti është burimi i ujërave të gjalla, ai është burimi i vetëm në të cilin mund të pastrohemi. Krishti është Princi dhe Shpëtimtari i vetëm që mund të na japë pendimin dhe faljen e mëkateve. Tek Ai banon e gjithë plotësia. Ai është udha, dera, drita, jeta, Bariu, altari i strehimit. Ai që ka Birin ka jetën – dhe ai që nuk e ka Birin nuk e ka jetën. U përpjekshim të gjithë që ta kuptojmë këtë gjë. Nuk ka dyshim që njerëzit fare lehtë mund të mendojnë pak për Perëndinë Atë dhe Perëndinë Frymë, por nuk ka pasur asnjë njeri që të ketë menduar më tepër se duhet për Krishtin.

Së dyti, le të vëzhgojmë detyrën që Jezusi u caktoi dishepujve të Tij. Ai u bën thirrje “të shkojnë dhe të mësojnë të gjitha kombet.” Ata nuk duhet ta mbanin njohurinë e tyre për vete, por duhej t’jua komunikonin të tjerëve. Ata nuk duhej të mendonin që shpëtimi u ishte zbuluar vetëm Judenjve por duhej ta bënin të njohur para gjithë botës. Ata duhej të përpiqeshin të bënin dishepuj nga të gjitha kombet, dhe t’i tregonin gjithë dheut se Krishti kishte vdekur për mëkatarët.

Le të mos harrojmë kurrë që ky urdhër solemn është ende në fuqi. Kjo është ende detyra e çdo dishepulli të Krishtit që të bëjë gjithë sa mundet personalisht dhe përmes lutjes që t’i njohë të tjerët me Jezusin. Ku është besimi ynë, nëse e neglizhojmë këtë detyrë? Ku është dashuria jonë? Mund të vihet me të drejtë në dyshim nëse dikush e njeh vetë vlerën e Ungjillit, nëse nuk dëshiron ta bëjë atë të njohur në gjithë botën.

Së treti, le të vëzhgojmë rrëfimin publik që Jezusi këron nga ata që e besojnë Ungjillin e Tij. Ai u thotë apostujve të Tij t’i “pagëzojnë” ata që i pranojnë si dishepuj. Është shumë e vështirë që kur e lexojmë këtë urdhër të fundit të Zotit tonë të mendojmë sesi njerëzit mund ta evitojnë konkluzionin që pagëzimi është i nevojshëm dhe është me dëshirë. Duket e pamundur ta shpjegosh fjalën që kemi këtu me ndonjë gjë tjetër përveç një rituali të jashtëm, i cili duhet t’u administrohet të gjithë atyre që i bashkohen kishës së Tij. Ai pagëzim i jashtëm nuk është absolutisht i nevojshëm për shpëtim sikurse na e tregon edhe rasti i hajdutit të penduar në kryq. Ai shkoi në parajsë i papagëzuar. Shpesh vetëm pagëzim i jashtëm nuk të sjell asnjë përfitim sikurse na e tregon edhe rasti i Simon Magjistarit. Edhe pse ishte pagëzuar, ai mbeti “në vrerin e hidhësisë dhe në prangat e paudhësisë.” (Veprat 8:23). Por që ta trajtosh pagëzimin me indiferencë totale dhe të mos e përdorësh është një qëndrim i cili duket që nuk përputhet me fjalët e Zotit tonë në këtë vend.

Mësimi i qartë praktik i këtyre fjalëve është nevoja për një rrëfim publik të besimit në Krishtin. Nuk mjafton të jesh një dishepull i fshehtë. Nuk duhet të kemi turp t’i lejojmë njerëzit të shohin se kush jemi, dhe kujt i shërbejmë. Nuk duhet të sillemi sikur të mos na pëlqente të na mendonin si të krishterë, por ta marrim kryqin tonë dhe ta rrëfejmë Zotërinë tonë para botës. Fjalët e Tij janë tepër solemne, “Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua – për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.” (Marku 8:38).

Së katërti, le të vëzhgojmë bindjen që Jezusi kërkon nga të gjithë ata që e rrëfejnë veten si dishepuj të Tij. Ai i urdhëron apostujt, “mësojini që të zbatojnë të gjitha ato që unë ju kam urdhëruar.” Kjo është një shprehje zhbiruese. Ajo tregon kotësinë e thjesht emrit apo formës së Krishterimit. Ajo tregon që të krishterë të vërtetë duhet të llogariten vetëm ata që jetojnë në bindje praktike ndaj fjalës së Tij, dhe të cilët përpiqen të bëjnë gjërat që Ai ka urdhëruar. Uji i pagëzimit bashkë me bukën dhe verën e Darkës së Zotit nuk kanë për të shpëtuar asnjë shpirt njeriu. Nuk kemi aspak dobi nëse shkojmë në një vend adhurimi ku dëgjojmë shërbëtorët e Krishtit, dhe e miratojmë Ungjillin, nëse feja jonë nuk shkon më tej se kaq. Si janë jetët tona? Cila është sjellja jonë e përditshme, në shtëpi dhe në shoqëri? A është Predikimi në Mal rregulli dhe standardi ynë? A përpiqemi të imitojmë shembullin e Krishtit? A përpiqemi të bëjmë gjërat që Ai na urdhëron? Këto janë pyetje të cilave duhet t’u japim përgjigje pozitive nëse duam të vërtetojmë që jemi të lindur sërish dhe fëmijë të Perëndisë. Bindja është prova e vetme e realitetit. Besimi pa vepra është i vdekur duke qenë se është vetëm. Jezusi thotë, “Ju jeni miqtë e mi nëse bëni atë që ju urdhëroj.” (Gjoni 15:14).

Së pesti, le të vëzhgojmë përmendjen solemne të Trinisë së bekuar nga Zoti ynë Jezu Krisht në këto vargje. Ai i urdhëron apostujt e Tij të pagëzojnë “në emër të Atit, dhe të Birit, dhe të Frymës së Shenjtë.” Ky është një prej teksteve madhështorë dhe të qartë që në mënyrë të drejtpërdrejtë mëson doktrinën e rëndësishme të Trinisë. Flet për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë si Tre persona të dallueshëm, dhe flet për të Tre si të bashkë-barabartë. Sikurse është Ati, është Biri dhe i tillë është edhe Fryma i Shenjtë. E megjithatë këta të Tre janë Një.

Kjo e vërtetë është një mister i madh. Qoftë e mjaftueshme që ne ta pranojmë dhe ta besojmë, dhe të refuzojmë gjithmonë të gjitha përpjekjet për ta shpjeguar. Është marrëzi fëmijërore të refuzosh rënien dakord me gjërat që nuk i kuptojmë. Ne jemi si krimba të mjerë që zvarriten një ditë, dhe në rastin më të mirë dimë fare pak për Perëndinë dhe përjetësin. Mjafton që ta pranojmë doktrinën e Trinisë në Unitet me përulësi dhe drojë dhe të mos bëjmë pyetje të kota. Le të besojmë që asnjë shpirt mëkatar nuk mund të shpëtohet pa veprën e të Tre Personave të Trinisë së bekuar dhe le të ngazëllohemi në Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë, të cilët bashkëpunuan që ta krijonin njeriun, dhe gjithmonë bashkëpunojnë që ta shpëtojnë atë. Le të ndalojmë këtu. Në praktikë mund të pranojmë atë të cilën nuk mund ta shpjegojmë dot teologjikisht.

Së fundi, le të vëzhgojmë në këto vargje premtimin e hirshëm me të cilin Jezusi e përmbyll fjalët e Tij. Ai u thotë dishepujve të Tij “Unë jam me ju gjithë ditët deri në mbarim të botës.” Është e pamundur të konceptojmë fjalë më ngushëlluese, më forcuese, më të gëzueshme dhe më shenjtëruese se këto. Edhe pse ishin lënë vetëm, si fëmijë jetimë në një botë të ftohtë dhe të ligë, dishepujt nuk duhej të mendonin se ishin braktisur. Mësuesi i tyre do të ishte gjithmonë “me ta.” Edhe pse ishin porositur të bënin një punë të vështirë sikurse ajo e Moisiut kur u dërgua tek Faraoni ata nuk duhej të dekurajoheshin. Mësuesi i tyre me siguri do të ishte “me ta.” Asnjë fjalë nuk mund të ishte më e përshtatshme për pozitën e atyre të cilëve ju thanë për herë të parë. Nuk mund të imagjinoheshin fjalë të tjera më ngushëlluese për besimtarët në çdo epokë të kishës. Të gjithë të krishterët e vërtetë le t’i marrin këto fjalë dhe t’i mbajnë në mendje. Krishti është “me ne” gjithmonë.

Krishti është “me ne” kudo që të shkojmë. Ai erdhi të ishte “Emanueli, Perëndia me ne,” kur erdhi për herë të parë në këtë botë. Ai shpalli se Ai është gjithmonë Emanuel, “me ne,” kur arriti në fund të shërbesës së Tij tokësore dhe ishte gati të largohej nga kjo botë. Ai është me ne çdo ditë për të na falur – me ne çdo ditë për të na forcuar dhe shenjtëruar – me ne çdo ditë për të na mbrojtur dhe për ta na mbajtur – me ne çdo ditë për të na udhëhequr dhe drejtuar – me ne në trishtim, dhe me ne në gëzim – me ne në sëmundje dhe me ne në shëndet – me ne në jetë dhe me ne në vdekje – me ne në kohë dhe me ne në përjetësi.

Çfarë ngushëllimi më të fortë se ky mund të dëshirojnë besimtarët? Çfarëdo që të ndodhë ata të paktën nuk janë kurrë vetëm dhe pa një mik. Krishti është gjithmonë me ta. Ata mund të shohin varrin dhe të thotë bashkë me Davidin, “Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua.” Ata mund të shohin përtej varrit dhe të thonë bashkë me Palin, “kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.” (Psalmi 23:4, 1 Thesalonikasve 4:17). Ai e ka thënë dhe do ta mbajë fjalën, “Unë jam me ju gjithonë deri në mbarim të botës.” “Kurrë nuk do të të lë, kurrë nuk do të të braktis.” Nuk mund të kërkojmë asgjë më tepër se kaq. Le të vazhdojmë të besojmë dhe të mos kemi frikë. Të jesh i krishterë i vërtetë është gjithçka. Askush tjetër nuk ka një Mbret të tillë, një Prift të tillë, një Shok të tillë, dhe një Mik besnik sikurse kanë shërbëtorët e vërtetë të Krishtit.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*