Mendime Shtjelluese Mateu 8

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 8

nga J. C. Ryle

Mateu 8:1-15
Kapitulli i tetë i Ungjillit sipas Mateut është plot me mrekullitë e Zotit tonë. Në këtë kapitull janë regjistruar në mënyrë të veçantë pesë të tilla. Në këtë gjë ka një hijeshi të bukur. Ishte gjë me vend që predikimi më i madh që është predikuar ndonjëherë të pasohej menjëherë prej provave të fuqishme të cilat dëshmonin që predikuesi ishte Biri i Perëndisë. Ata që e dëgjuan predikimin në mal do ishin të detyruar të rrëfenin që ashtu si thanë “askush nuk ka thënë fjalë si ky burrë,” po kështu nuk askush tjetër nuk bëri vepra si të tij.

Vargjet që kemi lexuar përmbajnë tre mrekulli të mëdha. Një lebroz shërohet me një prekje. Një njeri i paralizuar shërohet me një fjalë. Një gruaje të sëmurë me ethe i ripërtërihet në moment shëndeti dhe forca. Përballë këtyre tre mrekullive mund të lexojmë këto tre mësime të jashtëzakonshme. Le t’i shqyrtojmë dhe t’i ngulitim në zemër.

Le të mësojmë së pari, sa e madhe që është fuqia e Zotit tonë Jezu Krisht. LEBRA është sëmundja më e frikshme nga e cila mund të pllakoset trupi i njeriut. Ai që është me lebër është si një i vdekur që jeton. Kjo është një sëmundje e cila sipas doktorëve është e pashërueshme (2 Mbretërve 5:7). Megjithatë Jezusi thotë, “Pastrohu, dhe ai u pastruar menjëherë nga lebra e tij.” Të shërosh një person të PARALIZUAR edhe pa e parë, por vetëm duke thënë një fjalë do të thotë të bësh atë që mendja jonë as ka mundësi të konceptojë. Megjithatë, Jezusi dha urdhrin dhe gjëja u bë menjëherë. Për t’i dhënë një gruaje të vënë poshtë nga ETHET jo vetëm lehtësim por edhe forcë për të punuar në një moment do t’i linte pa gojë të gjithë doktorët mbi tokë. Megjithatë, Jezus “e preku” vjehrën e Pjetrit dhe “ajo u ngrit dhe u shërbente.” Këto janë veprat e dikujt që është i Gjithëfuqishëm. Nuk ka sesi t’i shpëtojmë konkluzionit. Ky ishte “gishti i Perëndisë.” (Eksodi 8:19).

Ja tek gjejmë themele të gjera për besimin e të krishterit! Në Ungjill na thuhet që të vijmë tek Jezusi, të besojmë në Jezusin, të jetojmë jetën e besimit në Jezusin. Jemi inkurajuar të mbështetemi në Të, t’i hedhim të gjitha shqetësimet tona mbi Të, të mbështetim plotësisht shpirtin tonë tek Ai. Këtë gjë mund ta bëjmë pa u frikësuar. Ai mund të mbajë gjithçka. Ai është një shkëmb i fortë. Ai është i Gjithëfuqishëm. Një shenjtor i lashtë tha një fjalë me vend, “besimi im nuk mund të fleje i qetë mbi asnjë jastëk tjetër përveçse jastëkut të gjithëpushtetit të Krishtit.” Ai mund t’u japë jetë të vdekurve. Ai mund t’u japë fuqi të dobëtëve. Ai mund të “rritë fuqinë e atyre që nuk kanë forcë.” Le t’i besojmë Atij dhe të mos kemi frikë. Bota është plot me gracka. Zemrat tona janë të dobëta. Por me Jezusin asgjë nuk është e pamundur.

Le të mësojmë edhe një gjë tjetër, mëshirën dhe dhembshurinë e Zotit tonë Jezu Krisht. Rrethanat e të tre rasteve që po konsiderojmë janë të gjitha të ndryshme. Ai dëgjoi klithmën e vajtueshme të lebrozit, “O Zot, po të duash, ti mund të më shërosh.” Atij i treguan për shërbëtorin e kryeqindësit, por nuk e pa kurrë Atë. Ai e pa vjehrën e Pjetrit e cila “ishte në shtrat me ethe;” dhe nuk na thuhet që ajo të ketë thënë ndonjë fjalë. Megjithatë, në çdo rast zemra e Zotit Jezus ishte e njëjtë. Në secilin rast Ai u tregua i shpejtë për të treguar mëshirë dhe i gatshëm për të shëruar. Secili nga këta njerëz të mjerë që po vuante u trajtua butësisht me mëshirë, dhe secili u shërua në mënyrë të efektshme.

Dalloni edhe këtu një themel tjetër të fortë për besimin tonë! Kryeprifti ynë i madh është shumë i hirshëm. Ai mund të “preket nga dobësitë tona.” Ai nuk lodhet kurrë duke na bërë të mirën. Ai e di që jemi njerëz të dobët dhe të brishtë në mes të një bote plot me telashe që na rëndojnë. Ai është po aq i gatshëm të na durojë dhe të na ndihmojë sa ishte edhe para 2000 vjetësh. Kjo fjalë është po aq e vërtetë për Të sa ishte edhe atëherë, “Ai nuk përbuz askënd” (Jobi 36:5). Asnjë zemër tjetër nuk mund të ndiejë aq shumë për ne sa zemra e Krishtit.

Së fundi, le të mësojmë se çfarë gjëje e çmuar është hiri i besimit. Dimë fare pak për kryeqindësin që përshkruhet në këto vargje. Emri, kombësia, historia e tij janë të gjitha të fshehura prej nesh. Por një gjë e dimë, dhe kjo është që ai besoi. Ai thotë, “Zot, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time; por thuaj vetëm një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.” Le të kujtojmë që ai besoi kur Skribët dhe Farisenjtë u treguan jobesimtarë. Ai besoi edhe pse kishte lindur Johebre, ndërsa Izraeli ishte verbuar. Zoti ynë shpalli për një lëvdim i cili është lexuar përreth botës që nga ajo ditë e deri më sot, “Në të vërtetë po ju them, se askund në Izrael nuk e gjeta një besim aq të madh.”

Le ta kapim fort këtë mësim. Ai meriton të mbahet mend. Të besosh në fuqinë dhe gatishmërinë e Krishtit për të ndihmuar, dhe ta zbatojmë në praktikë besimin tonë është një dhuratë e rallë dhe e çmuar. Le të jemi tepër mirënjohës nëse e kemi. Të jemi të gatshëm të vijmë tek Jezusi si mëkatarë të humbur dhe të pa shpresë që t’a dorëzojmë shpirtin tonë në duart e Tij ky është privilegj shumë i madh. Le ta bekojmë Perëndinë përherë nëse e kemi këtë gatishmëri sepse kjo është dhuratë e Tij. Një besim i tillë është më i mirë se gjithë dhuratat e tjera dhe nga njohuria në botë. Shumë paganë të varfër që janë konvertuar të cilët nuk dinë asgjë më shumë se sesa faktin që janë të sëmurë nga mëkati dhe besojnë në Jezusin do të ulen në qiell ndërsa shumë njerëz të tjerë të shkolluar do të mohohen përgjithmonë. Vërtet të bekuar janë ata që besojnë!

Çfarë di secili prej nesh rreth këtij besimi? Kjo është pyetja e madhe. Arsimi ynë mund të jetë i vogël, por a besojmë? Mundësitë tona për të dhënë dhe punuar për kauzën e Krishtit mund të jenë të pakta, por a besojmë? Mund të mos jemi në gjendje të predikojmë, të shkruajmë apo të debatojmë për Ungjillin, por a besojmë? Mos gjetshim kurrë prehje deri sa t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje! Besimi në Krishtin duket gjë e vogël dhe e thjeshtë për bijtë e kësaj bote. Ata nuk shohin asgjë të madhe apo madhështore në këtë gjë. Por besimi në Krishtin është gjëja më e çmuar para Perëndisë dhe duke qenë gjëja më e çmuar është edhe më e rralla. Përmes këtij besimi jetojnë të krishterët e vërtetë. Përmes tij qëndrojnë në këmbë. Përmes tij e mundin botën. Pa këtë besim nuk mund të shpëtohet askush.

Mateu 8:16-27
Në pjesën e parë të këtyre vargjeve shohim një shembull të jashtëzakonshëm për urtësinë e Zotit tonë në trajtimin e atyre që treguan një gatishmëri për të qenë dishepujt të Tij. Kjo pjesë hedh shumë dritë mbi një temë që keqkuptohet shpesh në këtë kohë, prandaj meriton shumë më tepër se një vëmendje të zakonshme.

Një skrib i caktuar thotë që dëshiron ta ndjekë Zotin tonë kudo që të shkojë. Kjo ishte një ofertë e jashtëzakonshme kur konsiderojmë grupin të cilit i përkiste ky burrë dhe momentin kur e bëri këtë ofertë. Por kjo ofertë morri një përgjigje të jashtëzakonshme. Ajo nuk u pranua menjëherë dhe as nuk u mohua në mënyrë të prerë. Zoti ynë thjesht i dha këtë përgjigje solemne, “Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën.”

Një ndjekës tjetër i Zotit tonë doli përpara dhe i kërkoi që ta lejonte të “varroste babain,” para se ta ndiqte më tej në shtegun e dishepullit. Në pamje të parë kjo kërkesë duket e natyrshme dhe e ligjshme. Por nga buzët e Zotit tonë doli një përgjigje po aq solemne sa dhe kërkesa, “Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet.”

Ka diçka shumë domethënëse në të dyja këto thënie. Ato duhet të peshohen mirë nga të gjithë ata që rrëfejnë se janë të krishterë. Ato na mësojnë në mënyrë të qartë që njerëzit të cilët tregojnë një dëshirë për të dalë përpara dhe për të rrëfyer veten si dishepuj të vërtetë të Krishtit duhet të paralajmërohen hapur që “ta llogaritin koston,” para se të fillojnë. A janë të përgatitur të durojnë vështirësi? A janë gati të mbajnë kryqin? Nëse jo, nuk janë ende gati për të filluar. Ato na mësojnë qartë që ka raste kur një i krishterë me kuptimin e plotë të fjalës duhet të heqë dorë nga gjithçka për hir të Krishtit, kur edhe detyra të tilla si kujdesja për funeralin e prindit duhet të lihet për t’u bërë nga të tjerët. Ka disa që do jenë gjithmonë gati t’i bëjnë detyra të tilla; dhe në asnjë rast nuk mund të krahasohen me detyrën e madhe të predikimit të Ungjillit dhe kryerjes së veprës së Krishtit në këtë botë.

Do ishte gjë e mirë për kishat e Krishtit nëse këto thënie të Zotit tonë të kujtoheshin më tepër nga sa ndodh. Mund të shqetësohemi me të drejtë që mësimi që ato përmbajnë shpesh anashkalohet nga shërbëtorët e Ungjillit dhe me mijëra persona pranohen në bashkësi të plotë të cilët nuk janë paralajmëruar kurrë që “të llogarisin koston.” Në fakt, asgjë nuk i ka shkaktuar më tepër dëm krishterimit sesa praktika e mbushjes së radhëve të ushtrisë së Krishtit me çdo vullnetar që është i gatshëm të bëjë një rrëfim të vogël dhe të flasë rrjedhshëm për përjetimin e tij. Fatkeqësisht është harruar që vetë numrat nuk përbëjnë forcë, që mund të ketë një shumicë të madhe që kanë thjesht një fe të jashtme, dhe ndërkohë ka fare pak hir të vërtetë në zemër. Të gjithë ne le ta mbajmë mend këtë gjë. Le të mos lëmë asnjë gjë pa ju thënë rrëfyesve të rinj dhe atyre që interesohen për Krishtin. Le të mos i radhisim në ushtrinë e Krishtit me shtirje të kota. Le t’u themi hapur që në fund i pret kurora e lavdisë. Por le t’u themi me po atë qartësi që përgjatë udhës duhet të mbajmë kryqin çdo ditë.

Në pjesën e fundit të këtyre vargjeve mësojmë që besimi i vërtetë shpëtues shpesh është i përzjerë me shumë dobësi dhe mangësi. Ky është një mësim përulës, por gjithashtu shumë i shëndetshëm.

Na tregohet për Zotin tonë dhe dishepujt e Tij që kalojnë detin e Galilesë me një barkë. Shpëthen një stuhi dhe barka është në rrezik për t’u mbushur me ujë nga valët që përplaseshin mbi të. Ndërkohë Zoti ynë ishte në gjumë. Dishepujt e frikësuar e zgjuan dhe i klithën Atij për ndihmë. Ai e dëgjoi thirrjen e tyre dhe i qetësoi valët me një fjalë dhe pastaj erdhi një “bunacë e madhe.” Në të njëjtën kohë Ai e qortoi me butësi ankthin e dishepujve të Tij. “Pse keni frikë, o njerëz besimpakë?”

Çfarë tabloje të gjallë që kemi këtu për zemrat e mijëra besimtarëve! Sa shumë kanë mjaft besim dhe dashuri që të braktisin gjithçka për hir të Krishtit dhe ta ndjekin Atë kudo që Ai shkon e megjithatë janë plot me frikëra në momentin e sprovës! Sa shumë kanë mjaft hir për t’u kthyer tek Jezusi në çdo vështirësi duke thirrur, “Zot, na shpëto,” e megjithatë nuk kanë mjaft hir për të qëndruar të qetë dhe për të besuar se gjithçka është mirë dhe në orën më të errët! Sa e vërtetë është që besimtarët kanë plot arsye për t’u “veshur me përulësi.”

Le të lejojmë lutjen “Zot, na e shto besimin,” që gjithmonë t’u japë formë përgjërimeve tona të përditshme. Ndoshta nuk do ta dimë kurrë dobësinë e besimit tonë derisa të vendosemi në furrën e sprovës dhe ankthit. I bekuar dhe i lumtur është ai person që zbulon në përjetim që besimi i tij mund t’i bëjë ballë zjarrit dhe që edhe ai mund të thotë bashkë me Jobin, “edhe po të më vrasë, sërish do të besoj tek ai.” (Jobi 13:15).

Kemi një arsye të madhe ta falënderojmë Perëndinë që Jezusi, Kryeprifti ynë është shumë i dhembshur dhe zemërbutë. Ai e njeh natyrën tonë. Ai i konsideron dobësitë tona. Ai nuk e braktis popullin e Tij për shkak të defekteve të tyre. Ai ka mëshirë edhe për ata që qorton. Edhe lutja e një “besimi të vogël” dëgjohet dhe merr përgjigje.

Mateu 8:28-34
Tema e këtyre vargjeve është e thellë dhe misterioze. Këtu përshkruhet në mënyrë të plotë dëbimi i një demoni. Kjo është një nga ato pjesë që hedh shumë dritë mbi një pikë të errët dhe të vështirë.

Le ta ngulitim mirë në mendjen tonë që ekziston një qenie e tillë si djalli. Kjo është një e vërtetë e frikshme dhe shumë e anashkaluar. Ekziston një frymë e padukshme e cila është gjithmonë afër nesh, një fuqi e pushtetshme, e cila është plot me ligësi të pafundme kundër shpirtit tonë. Që nga fillimi i krijimit ai është munduar t’i lëndojë njerëzit. Ai nuk do pushojë së tunduarit dhe së praktikuari ligësitë e tij deri sa Zoti të vijë për herë të dytë dhe ta lidhë. Në kohën kur Zoti ynë ishte mbi tokë është e qartë që ai kishte një pushtet të veçantë mbi trupat e disa burrave dhe grave, sikurse edhe mbi shpirtrat e tyre. Edhe në kohën tonë mund të ketë më shumë pushtime të trupit nga sa supozojnë disa, edhe pse pranohet që kjo është në një shkallë shumë më të ulët sesa kur Krishti erdhi në mish. Por fakti që djalli është gjithmonë pranë nesh në frymë, që ai është përherë i gatshëm t’i bombardojë zemrat tona me tundime nuk duhet të harrohet kurrë.

Së dyti le ta ngulitim mirë në mendjen tonë që fuqia e djallit është e kufizuar. Sado i pushtetshëm që është ai, ekziston dikush që është edhe më i pushtetshëm. Edhe pse vullneti i tij është i prirur gjithmonë për të shkaktuar lëndim në botë ai mund të veprojë vetëm me leje. Këto vargje na tregojnë që frymërat e liga e dinë që mund të shkojnë thjesht lart e poshtë, dhe ta dëmtojnë tokën deri në kohën që u lejohet prej Zotit të zotërve. “Mos ke ardhur këtu të na mundosh para kohe,” i thanë ata. Vetë përgjërimi i tyre na tregon që ata nuk mund të lëndonin dor as edhe një nga derrat Gadarenas, nëse Jezusi Biri i Perëndisë nuk i lejonte. Ata i thanë, “na lejo të shkojmë në atë tufë derrash.”

Së treti le ta ngulitim mirë në mendje që Zoti ynë Jezu Krisht është çlirimtari i madh i njerëzve nga pushteti i djallit. Ai mund të na shpengojë jo vetëm “nga çdo paudhësi,” dhe “nga kjo botë e ligë,” por edhe nga djalli. Ishte profetizuar që në lashtësi që ai do t’ia shtypte kokën gjarprit. Ai filloi ta shtypte atë kokë kur lindi prej Virgjëreshës Mari. Ai triumfoi mbi atë kokë kur vdiq në kryq. Ai tregoi sundimin e Tij të plotë mbi Satanin duke “duke shëruar të gjithë ata që ishin të pushtuar nga djalli,” kur ishte mbi tokë. (Veprat 10:38). Zgjidhja jonë e madhe në të gjitha sulmet e djallit është që t’i thërrasim Zotit Jezus dhe të kërkojmë ndihmën e Tij. Ai mund t’i këpusë zinxhirët që Satani ka hedhur rreth nesh dhe të na çlirojë. Ai mund të dëbojë çdo djall që i lëndon zemrat tona me po atë siguri sa dhe në ditët e lashta kur eci mbi tokë. Do ishte vërtet e mjerushme të dimë që ekziston një djall i cili është gjithmonë pranë nesh nëse nuk do ta dinim që Krishti është “mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25).

Le të mos largohemi nga kjo pjesë pa vëzhguar gjëndjen e dhimbshme Gadarenasve nën frymën e botës, mes të cilëve u krye kjo mrekulli e dëbimit të djallit. Ata ju lutën Zotit “të largohej nga krahina e tyre.” Ata nuk kishin zemër për të ndjerë ndonjë më të rëndësishme sesa humbja e derrave të tyre. Ata nuk interesoheshin për dy të demonizuarit me shpirtra të pavdekshëm të cilët u liruan nga zgjedha e Satanit. Ata nuk e vrisnin mendjen që mes tyre ishte dikush më i madh se djalli, Jezusi Biri i Perëndisë. Ata nuk interesoheshin për asgjë tjetër veçse për faktin që derrat e tyre ishin mbytur dhe kështu ju kishte humbur “shpresa e fitimit.” Në mënyrë injoruese ata e konsideruan Jezusin si dikush që qëndronte mes tyre dhe përfitimit dhe thjesht dëshironin që ta hiqnin qafe.

Është fakt që ka shumë njerëz si puna e Gadarenasve. Ka me mijëra njerëz që nuk duan t’ia dinë fare për Krishtin, apo për Satanin, për aq kohë sa mund të fitojnë pak para dhe të kenë pak më tepër nga të mirat e kësaj bote. U lirofshim nga kjo frymë! Qofshim gjithmonë vigjilentë dhe u lutshim gjithmonë kundër kësaj fryme! Kjo frymë është shumë e zakonshme. Ajo është tmerrësisht ngjitëse. Le të kujtojmë çdo mëngjes që kemi shpirtra që duhen shpëtuar që edhe ne do të vdesim një ditë dhe pas kësaj do të gjykohemi. Le të kemi kujdes që të mos e duam botën më tepër se Krishtin. Le të kemi kujdes që të mos e pengojmë shpëtimin e të tjerëve për shkak se kemi frikë që rritja e fesë së vërtetë mund të na i pakësojë fitimet apo të na sjellë telashe.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*