Mendime Shtjelluese Mateu 22

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 22

nga J. C. Ryle

Mateu 22:1-14

Shëmbëlltyra e paraqitur në këto vargje është një shëmbëlltyrë me domethënie shumë të gjerë. Në zbatimin e saj të parë nuk ka dyshim që ajo flet për Judenjtë. Por nuk ka pse ta kufizojmë vetëm me kaq. Ajo përmban mësime zemër hetuese të cilat na flasin edhe sot nëse kemi vesh për të dëgjuar. Fjala e Olshausen është e vërtetë dhe me mend, “shëmbëlltyrat janë gurë të çmuar me shumë faqe, të cilët janë prerë në mënyrë që të reflektojnë shkëlqim në më shumë se një drejtim.”

Së pari le të vëzhgojmë që shpëtimi i Ungjillit krahasohet me një dasmë. Zoti Jezus na thotë që “një mbret i caktuar organizoi në dasmë për birin e tij.”

Në Ungjill gjejmë një sigurim të plotë për të gjitha nevojat e shpirtit të njeriut. Aty ka një furnizim të gjithçkaje që mund të nevojitet për të lehtësuar etjen dhe urinë frymërore. Ka falje, ka paqe me Perëndinë, ka një shpresë të gjallë për këtë botë, ka lavdi për botën e ardhshme; të gjitha këto janë shtruar me bollëk përpara nesh. Kjo është “një festë me gjëra të shijshme.” Të gjitha këto janë siguruar prej dashurisë së Birit të Perëndisë, Jezu Krishtit Zotit tonë. Ai na ofron të na marrë në bashkësi me Veten, të na ripërtërijë në familjen e Perëndisë si fëmijë të dashur, të na veshë me drejtësin e Tij, të na japë një vend në mbretërinë e Tij, dhe të na paraqesë të patëmetë para fronit të Atit të Tij në ditën e fundi. Me pak fjalë, Ungjilli është oferta e ushqimit për të uriturit, oferta e gëzimit për vajtuesin, një shtëpi për të dëbuarin, një mik i dashur për të humburin. Ungjilli është plot lajme të mira. Përmes Birit të Tij të dashur Perëndia ofron të bëjë paqe me njeriun mëkatar. Le të mos e harrojmë këtë, “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.” (1 Gjoni 4:10).

Së dyti, le të vëzhgojmë që ftesat e Ungjillit janë të gjera, të plota, gjithëpërfshirëse dhe të pakufizuara. Në këtë shëmbëlltyrë Zoti Jezus na thotë që shërbëtorët e mbretit u thanë atyre që ishin ftuar, “Gjithçka është gati. Ejani në dasmë!”

Nga ana e Perëndisë nuk mungon asnjë gjë për shpëtimin e shpirtrave të mëkatarëve. Askush nuk ka për të qenë në gjendje të thotë në ditën e fundit që ishte faji i Perëndisë që ata nuk janë shpëtuar. Ati është gati të dojë dhe të pranojë. Biri është gati të falë dhe ta pastrojë fajin. Fryma është gati të shenjtërojë dhe ripërtërijë. Engjëjt janë gati të gëzohen për mëkatarin që kthehet. Hiri është gati ta mbështetë. Bibla është gati ta udhëzojë. Qielli është gati të jetë shtëpia e tij e përjetshme. Vetëm një gjë nevojitet dhe kjo është që mëkatari duhet të jetë gati dhe i vullnetshëm. Edhe këtë gjë të mos e harrojmë kurrë. Le të mos grindemi dhe të merremi me hollësira në këtë pikë. Perëndia do të dalë i pafajshëm nga gjaku i të gjithë shpirtrave të humbur. Ungjilli gjithmonë flet për mëkatarët si qenie të përgjegjshme dhe që do t’u kërkohet llogari. Ungjilli vendos një derë të hapur para gjithë njerëzimit. Askush nuk përjashtohet nga gjithë ofertat e tij. Edhe pse këto oferta janë efikase vetëm për besimtarët, ato janë të mjaftueshme për gjithë botën. Edhe pse janë të paktë ata që hyjnë në portën e ngushtë, të gjithë janë ftuar që të hyjnë brenda.

Së treti, le të vëzhgojmë që shpëtimi i Ungjillit mohoet nga shumë prej atyre të cilëve u ofrohet. Zoti Jezus na thotë, se ata që shërbëtorët e mbretit i ftuan në dasmë “pa e përfillur, shkuan: dikush në arën e vet e dikush në punët e veta.”

Ka me mijëra dëgjues të Ungjillit të cilët nuk marrin asnjë të mirë prej tij. Ata e dëgjojnë Ungjillin të Diele pas të Diele, vit pas viti, dhe nuk besojnë për shpëtimin e shpirtit të tyre. Ata nuk ndiejnë ndonjë nevojë të veçantë për Ungjillin. Nuk shohin ndonjë gjë të bukur në të. Ndoshta nuk e urrejnë, nuk e kundërshtojnë dhe nuk e përbuzin, por nuk e pranojnë në zemrat e tyre. Ata pëlqejnë më shumë gjërat e tjerar. Paratë, tokat, punët dhe kënaqësitë e tyre janë të gjitha tema shumë më interesante për ta sesa vetë shpirtrat e tyre. Kjo është një gjendje e tmerrshme mendore në të cilën mund të gjendesh por fatkeqësisht është shumë e përhapur. Le të hetojmë zemrat tona dhe të kemi kujdes që kjo të mos jetë gjendja jonë. Mëkati flagrant mund të vrasë mijërat e veta; por indiferenca dhe neglizhimi i Ungjillit vret dhjetë mijërat e tij. Turma të tëra do të gjenden në ferr, jo aq shumë për shkak se i shkelën hapur dhjetë urdhërimet sesa për shkak të faktit që nuk i kushtuan rëndësi ungjillit. Krishti vdiq për ta në kryq, por ata e neglizhojnë.

Së fundi, le të vëzhgojmë që të gjithë rrëfyesit e rremë të besimit do të dallohen, ekspozohen dhe dënohen përjetësisht në ditën e fundit. Zoti Jezus na thotë që kur më në fund dasma u mbush me të ftuar mbreti hyri brnda për t’i parë, dhe aty “një njeri që nuk kishte veshur rrobë dasme.” Ai e pyeti sesi kishte hyrë brenda, dhe njeriu nuk i ktheu dot përgjigje. Pastaj mbreti i urdhëroi shërbëtorët ta “Lidheni duar dhe këmbë, kapeni dhe hidheni në errësirat e jashtme.”

Gjithmonë ka për të patur rrëfyes të rremë në kishën e Krishtit për sa kohë të jetë bota. Në këtë shëmbëlltyrë, sikurse thotë edhe Kesnell, “Një i dëbuar i përfaqëson të gjithë.” Është e pamundur të lexosh zemrat e njerëzve. Mashtruesit dhe hipokritët nuk do të mungojnë kurrë në radhët e atyre që e quajnë veten të krishterë. Për aq kohë sa dikush rrëfen nënshtrim ndaj Ungjillit, dhe jeton një jetë të jashtme korrekte, nuk guxojmë të themi me siguri që ai person nuk është veshur me drejtësinë e Krishtit.

Por ditën e fundit nuk ka për të patur mashtrim. Syri i pagabueshëm i Perëndisë do të dallojë se cilët janë të tijët dhe cilët jo. Asnjë gjë përveçse besimit të vërtetë nuk do t’i bëjë dot ballë zjarrit të gjykimit të Tij. I gjithë krishterimi i rremë do të peshohet në peshore dhe do të dalë i mangët. Askush përveç besimtarëve të vërtetë nuk do të ulet në dasmën e Qengjit. Hipokritit nuk do t’i sjellë aspak dobi fakti që ka folur me zë të lartë rreth fesë, dhe që kishte namin se ishte një i krishterë i shquar mes njerëzve. Triumfi i tij do të zgjatë vetëm një moment. Ai do të zhvishet nga të gjitha pëndët e huazuara dhe do të qëndrojnë lakuriq e duke u dridhur përpara standardit të Perëndisë, të pagojë, të vetë dënuar, pa shpresë dhe të pafuqishëm. Ai njeri do të hidhet në errësirën e jashtme me turp dhe do të korrë atë që ka mbjellë. Me të drejtë thotë Zoti ynë, “Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh.”

Le të mësojmë urtësinë nga talbotë solemne të kësaj shëmbëlltyre dhe të tregohemi të zellshëm për ta bërë thirrjen dhe zgjedhjen tonë të sigurt. Ne vetë jemi mes atyre të cilëve u shpallet fjala, “Gjithçka është gati, ejani në dasmë.” Le të kemi kujdes që të mos refuzojmë atë që flet. Le të mos flemë sikurse bëjnë të tjerët, por jemi esëll dhe të rrimë zgjuar. Koha po afron me të shpejtë. Shumë shpejt Mbreti do të hyjë brenda për të parë të ftuarit. A e kemi veshur apo jo mantelin e dasmës? A e kemi veshur Krishtin? Kjo është pyetja e madhe që ngrihet nga kjo shëmbëlltyrë. Mos u rehatofshim kurrë derisa të japim një përgjigje të kënaqshme për këto pyetje! Tingëllofshin çdo ditë ato fjalë zemër hetuese në veshët tanë, “Shumë janë të thirrur por pak janë të zgjedhur!”

Mateu 22:15-22

Në këtë pjesë shohim sulmin e parë nga një seri sulmesh të maskuara të cilat iu bënë Zotit tonë gjatë ditëve të fundit të shërbesës së Tij tokësore. Armiqtë e tij të betuar Farisenjtë e dalluan ndikimin që Ai po fitonte si përmes mrekullive ashtu dhe përmes predikimit të Tij. Ata ishin të vendosur që në çfarëdo mënyre t’ia mbyllnin gojën apo ta hiqnin qafe. Për këtë arsye u orvatën ta “zinin në gabim në gjërat që thoshte.” Ata dërguan “dishepujt e tyre dhe Herodianët” për ta vënë në provë me një pyetje të vështirë. Ata dëshironin ta bënin të thoshte diçka e cila mund t’u shërbente si bazë e një akuze kundër Tij. Në këto vargje na thuhet që plani i tyre dështoi plotësisht. Ata nuk fituan asgjë me lëvizjen e tyre dhe u tërhoqën të ngatërruar.

Gjëja e parë që kërkon vëmendjen tonë në këto vargje është gjuha lajkatare e armiqve të Zotit tonë me të cilën Ai ishte mësuar. “Mësues” i thanë ata, “ne e dimë se ti je i vërtetë dhe që mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë, pa marrë parasysh njeri, sepse ti nuk shikon pamjen e jashtme të njerëzve.” Sa mirë që flisnin këta Farisenj dhe Herodianë! Sa fjalë të ëmbla dhe të buta që ishin këto! Nuk ka dyshim që ata mendonin se me fjalë të mira dhe me një të folur të ëmbël do ta kapnin Zotin tonë të papërgatitur. Me të vërtetë që për ta mund të thuhet, “Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.” (Psalmi 55:21).

U ka hije të gjithë atyre që e rrëfejnë veten për të krishterë që të tregohen tepër vigjilentë ndaj LAJKAVE. Gabojmë rëndë nëse supozojmë që përndjekja dhe trajtimi i ashpër janë armët e vetme në arsenalin e Satanit. Ai armik dinak ka edhe armë të tjera përmes të cilave të na dëmtojë dhe të cilat di t’i përdorë mirë. Ai e di sesi t’i helmojë shpirtrat përmes mirësisë joshëse të botës atëherë kur nuk është në gjendje t’i frikësojë përmes shpatës dhe shigjetës së zjarrtë. Le të mos jemi të paditur rreth taktikave të tij. Ai shkatërron shumë shpirtra përmes paqes.

Ne thjesht jemi tepër të prirur ta harrojmë këtë të vërtetë. Ne i anashkalojmë shembujt e shumtë që Perëndia na ka dhënë në Shkrim prej të cilave duhet të mësojmë. Çfarë e shkaktoi rrëzimin e Samsonit? Jo ushtritë e Filistejve por dashuria e shtirur e një gruaje Filistease. Çfarë e bëri Solomonin të rrëshqiste? Jo forca e armiqve të jashtëm, por nga lajkat e grave të tij të shumta. Cili ishte shkaku i gabimit më të madh të mbretit Hezekia? Jo shpata e Senakeribit, apo kërcënimet e Rabshakehut, por lëvdatat e ambasadorëve të Babilonisë. Le t’i kujtojmë këto gjëra, dhe të rrimë vigjilentë. Shpesh paqja është ajo që i shkatërron kombet më tepër se lufta. Gjërat e ëmbla shkaktojnë më tepër sëmundje sesa të hidhurat. Dielli e bën udhëtarin të hedhë tej veshjet që e mbrojnë shumë më shpejt sesa era e veriut. Le të kemi kujdes nga lajkatuesi. Satani nuk është kurrë më i rrezikshëm sesa kur shfaqet si engjëll i dritës. Bota nuk është kurrë më e rrezikshme për të krishterin sesa kur i buzëqesh atij. Kur Juda e tradhtoi Zotin e tij, e bëri këtë gjë me një të puthur. Besimtari që ruhet nga përbuzja e botës bën mirë. Por ai që ruhet nga lajkat e saj bën edhe më mirë.

Gjëja e dytë që kërkon vëmendjen tonë në këto vargje është urtësia e mrekullueshme e përgjigjes që Zoti ynë u dha armiqve të Tij. Farisenjtë dhe Herodianët pyetën nëse ishte e ligjshme apo jo që t’i paguhej taksa Cezarit. Nuk ka dyshim që ata mendonin që kishin bërë një pyetje të cilës Zoti ynë nuk mund t’i përgjigjej dot pa ju dhënë më pas një avantazh kundër Tij. Nëse Ai do ishte përgjigjur thjesht që ishte e ligjshme, ata do ta kishin denoncuar para popullit si dikush kishte shkelur me këmbë privilegjet e Izraelit, që nuk i konsideronte më bijtë e Abrahamit si të lirë, por të nënshtruar ndaj një pushteti të huaj. Nëse nga ana tjetër do të ishte përgjigjur duke thënë se ishte e paligjshme që t’i paguhej taksa Cezarit, ata do ta denonconin tek Romakët si nxitës i rebelimit kundër Cezarit dhe që refuzonte të paguante taksat. Por sjellja e Zotit tonë i shtangu krejtësisht. Ai kërkoi që të shihte monedhën e taksës. Ai i pyeti se imazhi i kujt gjendej mbi monedhë. Ata iu përgjigjën, imazhi i Cezarit. Ata e pranuan që Cezari kishte një farë autoriteti mbi ta duke përdorur para që mbanin imazhin dhe mbishkrimin e tij, përderisa ai që prodhon paranë është sundimtari i vendit në të cilin përdoret ajo para. Kështu menjëherë ata morën përgjigjen përfundimtare dhe të parezistueshme ndaj pyetjes së tyre – “Jepini pra Cezarit gjërat që i përkasin Cezarit dhe Perëndisë gjërat që i përkasin Perëndisë.”

Parimi i themeluar në këto gjalë të mirënjohura ka një rëndësi shumë të madhe. Çdo i krishterë duhet t’i bindet qeverisë civile nën të cilën gjendet, në të gjitha gjërat e jetës dhe jo vetëm në ato frymëror. Ai mund të mos bjerë dakord me çdo kërkesë të asaj qeverie civile. Por ai duhet t’u nënshtrohet ligjeve të kombit, për aq kohë sa ato ligje nuk janë shfuqizuar. Ai duhet “t’i japë Cezarit gjërat që i përkasin Cezarit.” Ekziston edhe një bindje tjetër të cilën i krishteri duhet t’ia japë Perëndisë së Biblës në të gjitha gjërat që janë thjesht frymërore. Asnjë humbje e përkohshme, asnjë paaftësi civile, asnjë mospëlqim i pushteteve nuk duhet ta tundojë kurrë që të bëjë gjëra të cilat Shkrimi i ndalon në mënyrë të qartë. Pozita e tij mund të jetë tepër sprovuese. Atij mund t’i duhet të vuajë shumë për hir të ndërgjegjes. Por nuk duhet të shkojë kurrë kundër kërkesave të pagabueshme të Shkrimit. Nëse Cezari pret një Ungjill të ri, ai nuk duhet t’i bindet. Ne duhet “t’i japim Perëndisë gjërat që i përkasin Perëndisë.”

Kjo temë nuk ka dyshim që është shumë e vështirë dhe delikate. Është e sigurt që kisha nuk duhet ta përfshijë shtetin. Po ashtu edhe shteti nuk duhet ta përfshijë kishën. Ndoshta nuk ka pasur ndonjë pikë tjetër kur njerëzit e ndërgjegjshëm të jenë sprovuar më tepër. Njerëzit e mirë nuk kanë patur më tepër mosmarrëveshje sesa në zgjidhjen e problemit, “ku përfundojnë gjërat e Cezarit dhe ku fillojnë gjërat e Perëndisë.” Pushteti civil nga njëra anë shpesh ka uzurpuar në mënyrë të tmerrshme të drejtat e ndërgjegjes – sikurse e përjetuan edhe Puritanët Anglezë me koston që u desh të paguanin gjatë periudhës së vështirë të Sjuartëve. Nga ana tjetër, pushteti frymëror shpesh i ka çuar pretendimet e veta në një masë tepër ekstravagante sa dhe ka marrë skeptrin e Cezarit në duart e veta – sikurse bëri kur kisha e Romës iu kundërvu mbretit tonë Anglez, Gjonit. Në mënyrë që të kemi një gjykim të drejtë në të gjitha çështjet e tilla, çdo i krishterë i vërtetë duhet të lutet vazhdimisht për urtësi prej së larti. Njeriu që e ka syrin e pastër dhe që çdo ditë kërkon hir dhe gjykim të shëndoshë praktik nuk do të lejohet kurrë që të gabojë rëndë.

Mateu 22:23-33

Kjo pjesë përshkruan një bisedë mes Zotit tonë Jezu Krisht dhe Saducenjve. Këta burra të pakënaqur që thoshin se “nuk kishte ringjallje,” u përpoqën sikurse Farisenjtë dhe Herodianët që ta ngatërronin Zotin tonë me pyetje të vështira. Sikurse të tjerët, ata shpresuan “ta zinin në gabim në të folur,” dhe kështu të prishnin namin e Tij mes popullit. Sikurse edhe të tjerët edhe këta u hutuan plotësisht.

Së pari, le të vëzhgojmë që kundërshtimet absurde dhe skeptike ndaj të vërtetave të Biblës janë gjëra të lashta. Saducenjtë donin të tregonin absurditetin e doktrinës së ringjalljes dhe jetës së ardhshme. Prandaj erdhën tek Zoti ynë me një histori të cilën ka të ngjarë që e kishin shpikur për këtë rast. Ata i thanë që një grua e caktuar ishte martuar me shtatë vëllezër njëri pas tjetrit, të cilët kishin vdekur të gjithë pa lënë fëmijë. Pastaj ata pyetën se “gruaja e kujt” do të ishte ajo në botën e ardhshme, kur të ringjalleshin të gjithë. Qëllimi i pyetjes ishte i qartë dhe i dukshëm. Ata kishin për qëllim që të hidhnin poshtë doktrinën e ringjalljes. Ata kishin për qëllim të sugjeronin që me patjetër duhet të ketë konfuzion, grindje dhe rrëmujë pas vdekjes nëse burrat dhe gratë do të jetonin sërish.

Nuk duhet të habitemi kurrë nëse edhe ne përballemi me kundërshtime të ngjashme ndaj doktrinave të Shkrimit, dhe në mënyrë të veçantë kundër atyre doktrinave që kanë të bëjnë me një botë tjetër. Ka të ngjarë që nuk do të mungojnë kurrë “njerëzit e paarsyeshëm” të cilët do të “ndërhyjnë” në gjërat e padukshme dhe do t’i bëjnë vështirësitë imagjinare justifikimin e tyre për mosbesimin. ‘Rastet e supozuara’ janë një prej fortesave të preferuara në të cilat mendjes mosbesuese i përlqen që ta ngujojë veten. Një mendje e tillë shpesh do të ngrejë një hije të imagjinatës së vet dhe të luftojë me të sikur kjo të ishte e vërteta. Një mendje e tillë shpesh do të refuzojë të shohë sasinë e jashtëzakonshme të provave të qarta përmes të cilave mbështetet Krishterimi dhe do të kapet fort pas një vështirësie të vetme për të cilën mendon që është e pashpjegueshme.

Fjalët dhe argumentet e njerëzve në këtë kapitull nuk duhet të na e trondit besimin tonë qoftë edhe për një moment. Së pari, duhet të kujtojmë që në një besim që vjen nga Perëndia duhet të ketë edhe gjëra të thella dhe të errëta dhe që edhe një fëmijë mund të bëjë pyetje të cilave mund të mos u përgjigjet dot edhe filozofi më i madh. Gjëja tjetër që duhet të mbajmë mend është që në Bibël ka të vërteta të panumërta të cilat janë të qarta dhe të pagabueshme. Së pari le t’u kushtojmë vëmendje atyre, le t’i besojmë dhe t’u bindemi. Duke e bërë këtë nuk ka pse të dyshojmë që shumë gjëra të cilat tani janë të pakuptueshme për ne do të na bëhen të qarta në të ardhmen. Duke vepruar kështu mund të jemi të sigurt që “atë që nuk e dimë tani do ta njohim në jetën tjetër.”

Së dyti, le të vëzhgojmë se çfarë teksti të jashtëzakonshëm që paraqet Zoti ynë si provë të realitetit të jetës që do të vijë. Ai vedos para Saducenjve fjalët që Perëndia i shqiptoi Moisiut tek ferrishtja – “Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit.” (Eksodi 3:6). Pastaj Ai shton komentin, “Perëndia nuk është Perëndi i të vdekurve por i të gjallëve.” Në kohën kur Moisiu i dëgjoi këto fjalë, Abrahami, Isaku dhe Jakobi kishin shumë vite që kishin vdekur dhe ishin varrosur. Kishin kaluar dy shekuj që nga koha kur Jakobi, i treti prej tyre ishte shtrirë në varr. E megjithatë Perëndia folu për ta sikur të ishin ende njerëzit e Tij, dhe për Veten sikur të ishte ende Perëndia i tyre. Ai nuk tha, “Unë isha Perëndia i tyre,” por “Unë jam.”

Ndoshta ne shpesh tundohemi të dyshojmë të vërtetë e një ringjalljeje, dhe një jetë pas kësaj. Por, fatkeqësisht, është e lehtë t’i pranosh të vërtetat në mënyrë teorike e megjithatë të mos i kuptosh ato në mënyrë praktike. Ka pak prej nesh që nuk do ta përjetonin si gjë të mirë meditimin mbi të vërtetën e pushtetshme që Zoti ynë shpalos në këtë pjesë, dhe t’i japim asaj një vend të rëndësishëm në mendimet tona. Le ta ngulitim në mendjen tonë që të vdekurit në një farë kuptimi janë ende të gjallë. Ata janë larguar nga sytë tanë, dhe vendi i tyre nuk njihet më. Por në sytë e Perëndisë ata jetojnë, dhe një ditë do të dalin prej varreve të tyre për të marrë vendimin e përjetshëm. Nuk ekziston një gjë e tillë si shfarosja. Kjo ide është një marrëzi e mjerë. Dielli, hëna dhe yjet, malet e forta, deti i thellë, një ditë do të kthehen në hiç. Por foshnja më e dobët e njeriut më të varfër do të jetojë përgjithmonë në një botë tjetër. Mos e harrofshim kurrë këtë gjë! Lum ai që mund të thotë nga zemra e vet fjalët e Kredos së Nikeas, “Unë pres ringjalljen e të vdekurve dhe jetë e botës që do të vijë.”

Së fundi, le të vëzhgojmë, përshkrimin që Zoti ynë jep për gjendjen e burrave dhe grave pas ringjalljes. Ai ua mbyll gojën kudërshtimeve të imagjinuara të Saducenjve, duke treguar që ata e kanë keqkuptuar plotësisht karakterin e vërtetë të gjendjes së ringjalljes. Ata e morrën për të qenë që duhej të ishte një ekzistencë e rëndomtë mishore sikurse ajo e njerëzimit mbi tokë. Zoti ynë u thotë që në botën e ardhshme mund të kemi një trup real material, e megjithatë do të jetë një trup krejt tjetër dhe me nevoja krej të tjera nga ai që kemi tani. Duhet të mbajmë mend që Ai po flet vetëm për të shpëtuarit. Ai nuk i përmend fare të humburit. Ai thotë, “Në ringjallje, pra, as martohen as martojnë, por ata do të jenë në qiell si engjëjt e Perëndisë.”

Ne dimë fare pak rreth jetës që do të vijë në qiell. Ndoshta idetë tona më të qarta për të vijnë nga konsiderimi i asaj që nuk do të jetë, në vend të asaj se çfarë do të jetë. Është një gjendje në të cilën nuk do të ketë më uri, nuk do të ketë më etje. Nuk do të ketë më sëmundje, dhimbje, apo mundime. Dobësimi, mosha e kaluar dhe vdekja nuk do kenë vend atje. Nuk do të ketë më nevojë për martesa, lindje dhe vazhdimësi konstante të banorëve. Ata që do të pranohen në qiell do të banojnë atje përjetë. Dhe për të kaluar nga negativet tek pozitivet na thuhet një gjë në mënyrë të qartë – ne do të jemi “si engjëjt e Perëndisë.” Sikurse ata edhe ne do t’i shërbejmë Perëndisë në mënyrë të përsosur, pa hezitim dhe pa u lodhur. Sikurse ata, do të jemi përgjithmonë në praninë e Perëndisë. Sikurse ata, do të kënaqemi përherë duke bërë vullnetin e Tij. Sikurse ata, do t’ia japim gjithë lavdinë Qengjit. Këto janë gjërat e thella. Por janë të gjitha të vërteta.

A jemi gati për këtë jetë? A do të kënaqemi me të nëse pranohemi të bëhemi pjesë e saj? A janë shoqëria dhe shërbimi i Perëndisë të papëlqyeshme për ne? A do të kënaqemi edhe ne me punën e engjëjve? Këto janë pyetje solemne. Zemrat tona duhet të jenë qiellore ndërsa jetojmë këtu mbi tokë nëse shpresojmë të shkojmë në qiell kur të ringjallemi në një botë tjetër. (Kolosianëve 3:14).

Mateu 22:34-46

Në fillim të kësaj pjese shohim që Zoti ynë i përgjigjet pyetjes së një mësuesi të ligjit i cili e pyeti se cili ishte “urdhërimi më i madh i ligjit?” Kjo pyetje nuk u bë në një frymë miqësore. Por kemi arsye që të jemi mirënjohës që kjo pyetje ju bë. Ajo siguroi një përgjigje nga Zoti ynë e cila është plot me udhëzime të çmuara. Kështu shohim sesi nga e liga mund të vijë e mira.

Le të dallojmë se çfarë përmbledhje të admirueshme përmbajnë këto vargje për detyrën tonë ndaj Perëndisë dhe ndaj të afërmit tonë. Jezusi thotë, “Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.” Pastaj tha, “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” Dhe shtoi, “Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”

Sa të thjeshtë që janë këta dy rregulla e megjithatë sa gjithëpërfshirës! Sa shpesh përsëriten fjalët e megjithatë sa shumë kuptim kanë brenda tyre! Sa përulëse dhe dënuese që janë! Sa shumë që e vërtetojnë këto fjalë nevojën tonë të përditshme për mëshirë dhe për gjakun e çmuar të shlyerjes! Sa e lumtur do të ishte bota nëse këto rregulla të bëheshin edhe më të njohura dhe të praktikoheshin më tepër!

Dashuria është sekreti madhështor i bindjes së vërtetë ndaj Perëndisë. Kur ndihemi ndaj Tij sikurse ndihen fëmijët ndaj një ati të dashur atëherë do të kënaqemi duke bërë vullnetin e Tij. Nuk do t’i konsiderojmë urdhërimet e Tij si të vështira dhe nuk do të punojmë për të si skllevër nga frika e fshikullit. Do të kënaqemi në përpjekjen për të respektuar ligjet e Tij dhe do të vajtojmë kur i shkelim ato. Askush nuk punon më mirë se ata që punojnë nga dashuria. Frika e ndëshkimit apo dëshira për shpërblim janë parime me një fuqi shumë më të ulët. Vullnetin e Perëndisë e bëjnë më mirë ata që e bëjnë prej zemrës. A dëshirojmë t’i trajnojmë fëmijët si duhet? Le t’i mësojmë që të duan Perëndinë.

Dashuria është sekreti i madh për sjelljen e duhur ndaj fqinjëve tanë. Ai që e do fqinjin e vet nuk ka për t’i shkaktuar asnjë lëndim të vullnetshëm, as personit, as pronës dhe as karakterit të tyre. Por ai nuk ka për të ndaluar këtu. Ai ka për të dëshiruar që t’i bëjë mirë në çdo mënyrë të mundshme. Do të përpiqet të nxitë kujdesin dhe lumturinë e tij në çdo mënyrë. Do të përpiqet t’ia lehtësojë brengat dhe t’ia shtojë gëzimet. Kur dikush na do ndiejmë siguri tek ai person. E dimë që asnjëherë nuk ka për të na shkaktuar lëndim qëllimisht, dhe kurdoherë që të kemi nevojë ka për të qenë miku ynë. A dëshirojmë t’i mësojmë fëmijët që të sillen si duhet me të tjerët? Le t’i mësojmë që t’i duan të gjithë si veten dhe t’u bëjnë të tjerëve atë që dëshirojnë që të tjerët të bëjnë për ta.

Por si ta fitojmë këtë dashuri ndaj Perëndisë? Kjo nuk është një ndjenjë e natyrshme. Ne kemi lindur në mëkat dhe si mëkatarë kemi frikë nga Perëndia. Prandaj, si mund ta duam Atë? Nuk mund ta duam dot kurrë në të vërtetetë derisa të jemi në paqe me Të përmes Krishtit. Kur të ndiejmë që mëkatet tona janë falu dhe që jemi pajtuar me Krijuesin tonë të shenjtë, atëherë dhe vetëm atëherë do ta duam Atë dhe do të kemi frymën e birërisë. Besimi në Krishtin është burimi i vërtetë i dashurisë për Perëndinë. Ata që ndihen më tepër të falur janë ata që duan më tepër. “Ne e duam Atë sepse Ai na deshi i pari.” (1 Gjoni 4:19).

Si ta fitojmë këtë dashuri ndaj të afërmit tonë? Edhe kjo nuk është ndjenjë e natyrshme. Ne kemi lindur egoistë, urryes që e urrenjë njëri-tjetrin. (Titi 3:3). Nuk do ta duam dot kurrë të afërmin tonë si duhet derisa zemrat tona të ndryshohen prej Frymës së Shenjtë. Ne duhet të lindim sërish. Ne duhet të zhveshim njeriun e vjetër dhe të veshim njeriun e ri; duhet të marrim mendjen që ishte në Krishtin Jezus. Atëherë dhe vetëm atëherë zemrat tona të ftohta do të njohin një dashuri të vërtetë si e Perëndisë për të gjithë. “Fryti i Frymës është dashuria.” (Galatasve 5:22).

Le të nguliten këto gjëra thellë në zemrat tona. Në këto ditë të fundit ka shumë të folur të paqartë rreth dashurisë dhe bamirësisë. Njerëzit rrëfejnë që i admirojnë dhe dëshirojnë që të shtohen e megjithatë i urrejnë parimet e vetme që mund t’i prodhojnë ato. Le të qëndrojmë të palëkundur në shtigjet e lashta. Nuk mund të kemi fryte dhe lule pa pasur rrënjë. Nuk mund të kemi dashuri për Perëndinë dhe për njeriun pa patur besim në Krishtin, dhe pa rilindje. Mënyra për ta përhapur dashurinë e vërtetë në botë është që të japim mësim shlyerjen e Krishtit dhe veprën e Frymës së Shenjtë.

Pjesa fjalët përmbyllëse të kësaj pjese përmbajnë një pyetje që Zoti ynë u bëri Farisenjve. Pasi u ishte përgjigjur me një urtësi të përsosur pyetjeve të armiqve të Tij, më në fund Ai i pyeti ata, “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?” Ata menjëherë u përgjigjën, “Biri i Davidit.” Dhe pastaj Ai u kërkoi që të shpjegonin, pse Davidi në librin e Psalmeve e quan Atë Zot. (Psalmi 110:1). “Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?” Armiqtë e Tij heshtën menjëherë. “Asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej.” Skribët dhe Farisenjtë nuk ka dyshim që e njihnin Psalmin që Ai u citoi, por nuk mund ta shpjegonin dot zbatimin e tij. Ai mund të shpjegohej vetëm duke pranuar para ekzistencën dhe hyjninë e Mesias. Këtë gjë Farisenjtë nuk e pranonin. Ideja e tyre e vetme për Mesian ishte që Ai do të ishte një njeri si ata. Padituria e tyre rreth Shkrimeve të cilat pretendonin që i njihnin më tepër se të tjerët, dhe pikëpamjet e tyre të ulëta dhe mishore për natyrën e vërtetë të Krishtit, u ekspozuan në të njëjtën kohë. Me të drejtë Mateu tha, “Dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.”

Le të mos largohemi nga këto vargje pa bërë një zbatim praktik të pyetjes solemne të Zotit tonë, “Çfarë mendoni për Krishtin?” Çfarë mendojmë për personin dhe ofiqet e Tij? Çfarë mendojmë për jetën e Tij, çfarë mendojmë për vdekjen e Tij në kryq për ne? Çfarë mendojmë për ringalljen e Tij, për ngjitjen dhe ndërmjetësimin e Tij në të djathtë të Perëndisë? A e kemi shijuar që Ai është i hirshëm? A e kemi marrë Atë me besim? A e kemi përjetuar që Ai është i çmuar për shpirtin tonë? A mund të themi me të vërtetë që Ai është Shpengimtari im, Shpëtimtari im, Bariu im dhe Miku im?

Këto janë pyetje serioze. Mos u rehatofshim kurrë derisa të kemi mundësi të japim një përgjigje të kënaqshme për to. Nuk do të kemi dobi të lexojmë për Krishtin nëse nuk jemi të bashkuar me Të përmes një besimi të gjallë. Prandaj, edhe një herë le ta vëmë në provë fenë tonë përmes kësaj pyetjeje; “Çfarë mendojmë për Krishtin?”


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*