Modeli i Krishtlindjes për misionin!
18 Dhjetor
“Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë.” – Gjoni 17:18
Krishtlindja është një model për misionin. Misioni është një pasqyrë e Krishtlindjes. Ashtu si unë, edhe ju.
Për shembull, rreziku. Krishti erdhi tek të vetët dhe ata nuk e pranuan. Kështu edhe me ju. Ata komplotuan kundër tij. Kështu edhe me ju. Ai nuk kishte një shtëpi. Kështu edhe me ju. Ata ngritën akuza të rreme kundër tij. Kështu edhe me ju. Ata e tallën dhe e fshikulluan. Kështu edhe me ju. Ai vdiq pas tre viteve shërbesë. Kështu edhe me ju.
Por ka një rrezik më të keq nga këto të cilave Jezusi u shpëtoi. Kështu edhe me ju.
Në mes të shekullit të 16-të Francis Havier (1506-1552), një misionar Katolik i shkroi At Perezit të Malakës (sot është pjesë e Indonezisë) për rreziqet e misionit të tij në Kinë. Ai i tha,
Rreziku më i madh nga të gjithë do ishte të humbja besimin dhe sigurinë në mëshirën e Perëndisë… Të mos i besoj atij do ishte gjë shumë herë më e tmerrshme se çdo ligëzi fizike që mund të na bëjnë gjithë armiqtë e Perëndisë të marrë së bashku, sepse pa lejën e Perëndisë as djajtë dhe as pushtetet njerëzore nuk mund të na pengojnë qoftë dhe një thërrime.
Rreziku më i madh me të cilin përballet një misionar është të mos i besojë mëshirës së Perëndisë. Nëse ky rrezik mënjanohet, atëherë të gjitha rreziqet e tjera e humbasin forcën e tyre.
Çdo shpatë Perëndia e bën skeptër në duart tona. Ashtu si thotë dhe J.Ë.Aleksandër, “Çdo moment i mundimeve të tanishme do të shpagohet hirshëm me një milionë epoka lavdie.”
Krishti i shpëtoi rrezikut të mosbesimit. Prandaj Perëndia e lartësoi jashtëzakonisht.
Mbani mend në këtë stinë që Krishtlindja është një model për misionin. Si unë, ashtu edhe ju. Mision do të thotë rrezik. Rreziku më i madh është të mos i besoni mëshirës së Perëndisë. Nëse bini para kësaj humbisni gjithçka. Mposhteni dhe asgjë nuk mund t’ju lëndojë për një milionë epoka.
© Desiring God
Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim ndaj lejes së mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.
By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org