Nëse e do Krishtin!

1. NËSE E DUAM NJË PERSON NA PËLQEN TË MENDOJMË PËR TË.

Për një person të tillë nuk është nevoja të na kujtojnë. Nuk ua harrojmë emrin, pamjen, karakterin, opinionet, shijet, pozitën apo profesionin. Një person i tillë na del para syve të mendjes tonë shumë herë gjatë ditës. Edhe pse mund të jetë shumë larg, shpesh është i pranishëm në mendimet tona. Është e njëjta gjë mes një të krishteri të vërtetë dhe Krishtit! Krishti “banon në zemrën e tyre” dhe për të mendohet pak a shumë çdo ditë (Efesianëve 3:17). Një i krishterë i vërtetë nuk ka nevojë ta kujtojnë që ka një Zotëri që u kryqëzua për ta. Ata mendojnë shpesh për Të. Ata nuk e harrojnë kurrë që Ai do të kthehet një ditë, që ka një mision dhe një popull pjesë e të cilit janë edhe ata. Ndjenja është sekreti i vërtetë i një kujtese të mirë në besim. Asnjë person i botës nuk mund të mendojë shumë për Krishtin, nëse Krishti nuk konsiderohet prej tyre, për shkak se ata nuk kanë ndjenja për Të. I krishteri i vërtetë ka mendime për Krishtin çdo ditë që jeton, për këtë arsye të thjeshtë që e duan Atë.

2. NËSE E DUAM NJË PERSON NA PËLQEN TË DËGJOJMË PËR TË.

Ne kënaqemi kur dëgjojmë ata që na flasin për personin që duam. Tregohemi të interesuar për çdo raport që na japin të tjerët për të. Kemi gjithë vëmendjen kur të tjerët flasin për personin tonë të dashur, kur tregojnë për sjelljen e tyre, fjalët e tyre, punët dhe planet e tyre. Disa mund t’i dëgjojnë me indiferencë të plotë këto gjëra, por zemrat tona kërcejnë përbrenda sa herë që përmendet emri i tyre. Është e njëjta gjë edhe mes të krishterit të vërtetë dhe Krishtit. I krishteri i vërtetë kënaqet të dëgjojë diçka për Zotërinë e tij. Ata pëlqejnë më tepër ato predikime që janë plot me Krishtin. Ata kënaqen më tepër me atë shoqëri në të cilën njerëzit flasin për gjërat e Krishtit. Kam lexuar për një besimtare të moçme nga Uellsi që e kishte zakon të ecte disa kilometra çdo të Dielë për të dëgjuar një predikues Anglez edhe pse ajo nuk kuptonte as edhe një fjalë Anglisht. E pyetën përse e bënte këtë gjë. Ajo, u përgjigj, ky predikues e përmendte emrin e Krishtit aq shpesh në predikimet e tij, dhe kjo e bekoi. Ajo e donte edhe emrin e Shpëtimtarit të saj.

3. NËSE E DUAM NJË PERSON NA PËLQEN TË LEXOJMË PËR TË.

Sa kënaqësi të madhe i jep bashkëshortes një letër nga burri i saj kur është larg, apo nga letra e djalit zemrës së nënës. Të tjerët mund të dallojnë fare pak vlerë në këtë letër. Ata as që marrin mundimin ta lexojnë deri në fund. Por ata që e duan shkruesin shohin në atë letër diçka që nuk mund ta shohë askush tjetër. Ata e mbajnë me vete sikur të ishte thesar. E lexojnë herë pas here. Është e njëjta gjë edhe mes të krishterit të vërtetë dhe Krishtit! I krishteri i vërtetë kënaqet të lexojë Shkrimet për shkak se ato i tregojnë për Shpëtimtarin e tij të dashur. Për ta nuk është punë e lodhshme që t’i lexojnë. Rrallë herë kanë nevojë që t’i kujtojnë që ta marrin Biblën e tyre me vete kur shkojnë në një udhëtim. Ata nuk mund të jenë të lumtur pa të. Si shpjegohet e gjithë kjo? Për shkak se Shkrimet dëshmojnë për Atë të cilin shpirti i tyre e do, dëshmojnë për Krishtin.

4. NËSE E DUAM NJË PERSON DËSHIROJMË T’I PËLQEJMË.

Jemi të lumtur që të dimë shijet dhe opinionin e personave që duam, të veprojmë sipas këshillës së tyre dhe të bëjmë ato gjëra që miratohen prej tyre. Ne madje heqim dorë nga vetja për të plotësuar dëshirat e tyre, heqim dorë prej gjërave që e dimë se nuk u pëlqejnë atyre dhe mësojmë gjëra ndaj të cilave nuk jemi natyrshëm të prirur, për shkak se mendojmë që kjo do t’i kënaqë. Është po kështu edhe mes të krishterit të vërtetë dhe Krishtit! I krishteri i vërtetë studion që t’i pëlqejë Atij, duke qënë i shenjtë si një trup ashtu edhe në frymë. Tregoju atyre diçka në jetën e tyre të përditshme të cilën Krishti e urren dhe ata do heqin dorë prej saj. Tregoju ndonjë gjë që Krishtit i pëlqen, dhe ata kanë për t’i rënë pas. Ata nuk ankohen ndaj kërkesave të Krishtit si shumë strikte apo të ashpra, ashtu si bëjnë bijtë e botës. Për ta urdhërimet e Krishtit nuk janë të ashpra dhe barra e Tij është e lehtë. Si shpjegohet e gjithë kjo? Thjesht për shkak se ata e duan Atë.

5. NËSE DUAM NJË PERSON, DUAM MIQTË E TIJ.

Ne jemi dashamirësisht të prirur ndaj tyre, madje edhe para se t’i njohim. Tërhiqemi drejt tyre prej lidhjes së përbashkët dhe dashurisë për të njëjtin person. Kur i takojmë nuk ndihemi se jemi krejtësisht të panjohur. Mes nesh ka një lidhje bashkuese. Ata duan personin që duam edhe ne, dhe kjo mjafton si prezantim. Është po e njëjta gjë edhe mes të krishterit të vërtetë dhe Krishtit! I krishteri i vërtetë i konsideron të gjithë miqtë e Krishtit si miqtë e tij, gjymtyrë të të njëjtit trup, fëmijë në të njëjtën familje, ushtarë në të njëjtën ushtri, udhëtarë drejt të njëjtit atdhe. Kur takohen me ta, ndihen sikur i kanë njohur kohë më parë. Ndihen më rehat me ta brenda pak minutash, se me shumë njerëz të botës për vite me rradhë. Cili është sekreti i gjithë kësaj? Është thjesht dashuria për të njëjtin Shpëtimtar dhe Zot.

6. NËSE E DUAM NJË PERSON JEMI XHELOZË PËR EMRIN E TIJ.

Nuk na pëlqen që të tjerët të flasin kundër njerëzve tanë të dashur, pa e ngritur zërin për ta dhe pa i mbrojtur. Ndihemi të detyruar të ruajmë interesin dhe reputacionin e tyre. Personin që flet keq për ta e shohim me po atë mospëlqim sikur të kishin folur keq për ne. Është e njëjta gjë edhe mes të krishterit të vërtetë dhe Krishtit! I krishteri i vërtetë i konsideron me një xhelozi të shenjtë të gjitha përpjekjet për të përçmuar fjalën, emrin, kishën dhe ditën e Zotërisë s tyre. Ata do ta rrëfejnë Atë përpara princërve nëse është e nevojshme, dhe do të jenë të ndjeshëm edhe ndaj çnderimit më të vogël ndaj Tij. Ata nuk i mban vendi, dhe nuk do të lejojnë që misioni i Zotërisë së tyre të turpërohet pa dëshmuar kundër këtyre gjërave. Përse bëhet e gjithë kjo? Thjesht për shkak se ata e duan Atë.

7. NËSE E DUAM NJË PERSON NA PËLQEN TË FLASIM ME TË.

Ne u tregojmë personave të dashur mendimet, madje ua hapim zemrën plotësisht. Nuk e kemi të vështirë të gjejmë tema bisede. Sado të heshtur dhe të rezervuar që mund të jemi karshi të tjerëve, e kemi të lehtë të flasim me një mik shumë të dashur. Sado shpesh të takohemi, nuk e kemi kurrë të vështirë të gjejmë diçka për të cilën të flasim. Kemi gjithmonë shumë për të thënë, kemi shumë për të pyetur, shumë për të përshkruar, shumë për të komunikuar. Është po kështu edhe mes të krishterit të vërtetë dhe Krishtit! I krishteri i vërtetë nuk e ka të vështirë t’i flasë Shpëtimtarit të vet. Ata çdo ditë kanë diçka për t’i thënë Atij, dhe nuk janë të lumtur derisa t’ja thonë. Ata flasin me Të në lutje çdo mëngjes dhe mbrëmje. I tregojnë nevojat dhe dëshirat, ndjenjat dhe frikërat. I kërkojnë këshillë kur janë në vështirësi. I kërkojnë t’i ngushëllojë në telashe. Nuk mund të bëjnë ndryshe. Ata duhet të bisedojnë me Shpëtimtarin e tyre vazhdimisht ose ndryshe do ngelen në mes të rrugës. Si shpjegohet e gjithë kjo? Thjesht për shkak se ata e duan Atë.

8. NËSE E DUAM NJË PERSON NA PËLQEN TË JEMI GJITHMONË ME TË.

Mendimi, dëgjimi, leximi dhe me raste të folurit kanë vendin e tyre. Por kur vërtet i duam njerëzit dëshirojmë diçka më tepër. Digjemi prej dëshirës që të jemi gjithmonë në shoqërinë e tyre. Duam të jemi vazhdimisht në rrethin e tyre, të kemi bashkësi me ta pa ndërprerje apo lamtumira. Është e njëjta gjë edhe me të krishterin e vërtetë dhe Krishtin! Zemra e një të krishteri të vërtetë digjet prej dëshirës për atë ditë të lume kur do ta shohë Zotërinë e tij ballë për ballë. Ata mezi presin të çlirohen prej mëkatit, pendimit dhe besimit dhe të nisin atë jetë pa fund kur do të shohin siç janë parë dhe nuk do të mëkatojnë më. Ata kanë përjetuar që është gjë e ëmbël të jetojnë me anë të besimit, dhe ndiejnë që do jetë edhe më e ëmbël të jetojnë me atë të shikimit. Kanë parë që është e kënaqshme të dëgjojnë për Krishtin, të flasin me Krishtin dhe të lexojnë për Krishtin. Sa më e kënaqshme ka për të qenë ta shohin Krishtin me sytë e tyre, dhe që nuk ka për t’u ndarë më kurrë prej tyre! Ata ndjejnë që është më mirë “të shikosh me sy se sa të endesh me dëshirë” (Predikuesi 6:9). Si shpjegohet e gjithë kjo? Thjesht për shkak se ata e duan Atë.

Prej J.C. Ryle

Source: http://jcrylequotes.com/2011/09/04/loving-christ-practically/

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*