Për çfarë bën fjalë e Premtja e Mirë
nga John Piper
Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. (Hebrenjve 7:23)
Pasioni i madh i shkrimtarit të letrës së Hebrenjve është që ne “t’i afrohemi” Perëndisë (Hebrenjve 4:16, 7:25, 10:22, 11:6). T’i afrohemi fronit të tij për të gjetur gjithë ndihmën që kemi nevojë. T’i afrohemi Atij të sigurt që do të na shpërblejë me gjithë sa Ai është për ne në Jezusin. Dhe ky është kuptimi i qartë i Hebrenjve 10:22 për shkak se vargu 19 thotë që kemi guxim “për të hyrë në shenjtërore”, dhe kjo është “shenjtërorja e shenjtëroreve” e re në qiell, ashtu si ajo dhoma e brendëshme në tabernakull gjatë Dhjatës së Vjetër ku kryeprifti takohej me Perëndinë një herë në vit, atje ku lavdia e Tij zbriste mbi arkën e besëlidhjes.
Prandaj urdhërimi i vetëm, nxitja e vetme, që na jepet Hebrenjve 10:19-22 është që t’i afrohemi Perëndisë. Synimi i madh i këtij shkrimtari është që t’i afrohemi Perëndisë, që të kemi bashkësi me Të, që të mos kënaqemi me një jetë të krishterë në distancë nga Perëndia, që Perëndia të mos jetë një mendim i largët, por një realitet i afërt dhe i së tashmes që të përjetojmë atë që Puritanët e lashtë e quanin bashkësi me Perëndinë.
Kjo e afruar nuk është një veprim fizik. Nuk do të thotë të ndërtosh një kullë Babeli me arritjet e tua për të arritur kështu qiellin. Nuk është domosdoshmërish shkuaraja në një ndërtesë kishe, apo të shkosh përpara tek altari. Ky është një veprim i padukshëm i zemrës. Këtë mund ta bësh ndërsa je duke qëndruar pa lëvizur fare, ndërsa je shtrirë në një krevat spitali apo ndërsa je ulur në kishë dhe po dëgjon predikimin.
Të afrohesh nuk do të thotë të lëvizësh nga një vend në tjetrin. Është drejtimi i zemrës në praninë e Perëndisë i cili është po aq i distancuar sa edhe shenjtërorja e shenjtëroreve në qiell e megjithatë aq afër sa dhe dera e besimit. Ai na urdhëron të shkojmë tek Ai, t’i afrohemi Atij edhe më pranë.
Qendra e Ungjillit
Në fakt, ky është tamam thelbi i gjithë ungjillit të Dhjatës së Re apo jo? Fakti që Krishti erdhi në botë për të hapur një udhë që ne të shkojmë tek Perëndia pa u konsumuar në mëkatet tona për shkak të shenjtërisë së Tij.
“Sepse edhe Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pjetrit 3:18).
“Sepse përmes tij që të dy kemi hyrje tek Ati nëpër një Frymë të vetme” (Efesianëve 2:18)
“E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin” (Romakëve 5:11)
Kjo është qendra e ungjillit – ky ishte synimi i Kopshtit të Gethsemanes dhe i të Premtes së Mirë – fakti që Perëndia ka bërë gjëra të mahnitshme dhe të kushtueshme për të na afruar pranë Vetes. Ai ka dërguar Birin e Tij për të vuajtur dhe vdekur që nëpërmjet Tij të mund t’i afrohemi Perëndisë. Gjithçka u bë që ne të mund të afrohemi pranë Tij. E gjitha kjo është për gëzimin tonë dhe për lavdinë e Tij.
Ai nuk ka nevojë për ne. Nëse qëndrojmë larg Ai nuk varfërohet. Ai nuk ka nevojë për ne në mënyrë që të jetë i lumtur në bashkësinë e Trinisë. Por duke na dhënë hyrje të lirë përmes Birtit të Tij në atë Realitet që do të na kënaqë plotësisht dhe përjetë, domethënë tek Vetja e Tij, kështu ai lartëson mëshirën e tij. “Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi” (Psalmet 16:11).