Pse predikimi ekspozues e lavdëron Perëndinë në mënyrë të veçantë!

27 Prill 2006, prej John Piper

Ky mesazh ka katër pjesë. Së pari, do të reflektoj për atë lloj predikimi të cilin dëshiroj ta shoh që Perëndia ta sjellë në kohën tonë – atë lloj predikimi të formuar prej peshës së lavdisë së Perëndisë. Së dyti, do të përpiqem të portretizoj lavdinë e Perëndisë gjë e cila e ndikon predikimin në këtë mënyrë. Së treti, do t’iu ofroj kuptimin tim biblik sesi njerëzit zgjohen ndaj kësaj lavdie dhe të ndryshohen prej saj. Dhe së fundi, do t’iu shpjegoj sesi e gjitha kjo kërkon një lloj predikimi të cilin unë e quaj ngazëllim ekspozues.

Reflektime për atë lloj predikimi të prodhuar prej peshës së lavdisë së Perëndisë

Xhorxh Uitfild besonte tek predikimi dhe ia kushtoi jetën e vet kësaj gjëje. Përmes këtij predikimi Perëndia bëri një punë të fuqishme shpëtimi në të dyja anët e Atlantikut. Biografi i tij Arnold Dallimor regjistroi efektet e mahnitshme që pati predikimi i Uitfildit në Britaninë dhe Amerikën e shekullit të tetëmbëdhjetë.

Predikimi i tij erdhi si shiu mbi një tokë të zhuritur dhe e bëri shkretëtirën të çelte lulet e drejtësisë. Dallimor i ngriti sytë nga shkretëtira e transformuar në kohën e Uitfildit dhe shprehu dëshirën e tij që Perëndia ta bëjë sërish një gjë të tillë. Ai përgjërohet për një brez të ri predikuesish si Uitfildi. Fjalët e tij më ndihmojnë të shpreh atë që dëshiroj unë për brezin e ardhshëm të predikuesve në Amerikë dhe përreth botës. Ai tha,

E pafshim edhe një herë Kreun e Kishës që të ngrejë për Veten e tij djem të rinj të cilët mund t’i përdorë në këtë vepër të lavdishme. Çfarë lloj burrash do të jenë ata? Burra të fuqishëm në Shkrim, jeta e të cilëve është e dominuar prej një ndjesie të lartësisë, madhështisë dhe shenjtërisë së Perëndisë, mendjet dhe zemrat e tyre janë të përflakura me të vërtetat e mëdha të doktrinave të hirit. Ata kanë për të qenë njerëz që kanë mësuar çfarë do të thotë të vdesësh për veten, të vdesësh ndaj synimeve njerëzore dhe ambicieve personale; burra që janë të gatshëm të jenë “të marrë për hir të Krishtit”, që do të durojnë talljet dhe gënjeshtrat, që do të punojnë dhe vuajnë, dhe dëshira supreme e të cilëve do të jetë jo që të fitojnë lëvdatat e botës por të fitojnë aprovimin e Zotërisë së tyre kur të dalin para fronit të Tij madhështor të gjykimit. Ata do të jenë burra që do të predikojnë me zemra të thyera dhe sy të përlotur, dhe mbi shërbesat e tyre Perëndia do të hedhë një derdhje të jashtëzakonshme të Frymës së Shenjtë, ata do të dëshmojnë “shenjat dhe mrekullitë që pasojë” në transformimin e turmave të jetëve njerëzore.

Të fuqishëm në Shkrim, të përflakur me të vërtetat e mëdha të doktrinave të hirit, të vdekur ndaj vetes, të gatshëm për të punuar dhe vuajtur, indiferentë ndaj lëvdatave të njerëzve, të thyer për mëkatin dhe të dominuar prej një ndjesi të lartësisë, madhështisë dhe shenjtërisë së Perëndisë. Dallimore, ashtu si Uitfild besonte që predikimi është kumtimi i fjalës së Perëndisë prej një zemre të tillë. Predikimi nuk është bisedë. Predikimi nuk është diskutim. Predikimi nuk është një e folur rastësore për gjërat fetare. Predikimi nuk është thjesht mësimdhënie. Predikimi është kumtimi i një mesazhi të përshkuar prej ndjesisë së lartësisë, madhështisë dhe shenjtërisë së Perëndisë. Tema mund të jetë e çfarëdoshme, por ajo gjithmonë sillet nën dritën vezulluese të madhërisë dhe madhështisë së Perëndisë në fjalën e Tij. Kjo ishte mënyra sesi predikoi Uitfildi.

Gjatë shekullit të fundit askush tjetër nuk e mishëroi më mirë këtë gjë sesa Martin Lloid Xhons i cili shërbeu për 30 vjet në Kishën Uestminster në Londër. Kur J. I. Paker ishte student njëzetë e dy vjeçar, e dëgjoi Lloid Xhonsin të predikonte çdo të Dielë në mbrëmje në Londër gjatë vitit shkollor 1948-1949. Ai tha që nuk kishte “dëgjuar kurrë një predikim të tillë.” (Kjo është arsyeja pse shumë njerëz thonë aq shumë gjëra degraduese dhe të marra rreth predikimit – ata nuk kanë dëgjuar kurrë predikim të vërtetë. Nuk kanë asnjë bazë gjykimi rreth dobisë së predikimit të vërtetë.) Paker thotë që ky predikim erdhi tek ai “me forcën e një shoku elektrik, duke sjellë më tepër një ndjesi për Perëndinë se për ndonjë person tjetër”. Këtë donte të thoshte edhe Uitfild. Nxjerrtë Perëndia predikues të rinj që i lënë dëgjuesit e tyre me një ndjesi frymërore shoku prej ndjesisë së Perëndisë – një ndjesi rreth peshës së pafundme të realitetit të Perëndisë.

Kjo është dëshira ime e zjarrtë për kohën tonë dhe për ju. Që Perëndia të ngrejë mijëra predikues zemërthyer dhe të zhytur në Bibël të cilët janë të dominuar prej një ndjesie të madhërisë, madhështisë dhe shenjtërisë së Perëndisë, të zbuluara në ungjillin e Krishtit të kryqëzuar dhe të ringjallur që mbretëron me autoritet absolut mbi çdo komb, çdo ushtri, çdo fe të rreme dhe çdo terrorist, mbi çdo cunam, mbi çdo qelizë kanceri dhe mbi çdo galaksi në univers.

Perëndia nuk e caktoi kryqin e Krishtit apo ta krijonte liqenin e zjarrit në mënyrë që të komunikonte parëndësinë e nënçmimit të lavdisë së Tij. Vdekja e Birit të Perëndisë dhe dënimi i qenieve njerëzore të pa-penduara janë klithmat më të larta nën qiell që Perëndia është pafundësisht i shenjtë, që mëkati është pafundësish ofendues, zemërimi është pafundësisht i drejtë, hiri është pafundësisht i çmuar dhe jeta jonë e shkurtër – si dhe jeta e çdo personi në kishën apo komunitetin tuaj – na çon në gëzim të përjetshëm ose vuajtje të përjetshme. Nëse predikimi ynë nuk mbart peshën e këtyre gjërave tek njerëzit që na dëgjojnë, çfarë tjetër do ta bëjë? Filmat vizatimorë? Radioja? Televizioni? Grupet e diskutimit? Bisedat moderne?

Perëndia planifikoi që Biri i Tij të kryqëzohej (Zbulesa 13:8; 2 Timoteu 1:9) dhe që ferri të ishte i tmerrshëm (Mateu 25:41) në mënyrë që ne të kishim dëshminë më të qartë të mundshme për gjërat që qëndrojnë në balancë kur predikojmë. Ajo çfarë ia jep predikimit seriozitetin e vet është që manteli i predikuesit është ngjyer me gjakun e Jezusit dhe është përcëlluar me zjarrin e ferrit. Ky është manteli që i kthen folësit e thjeshtë në predikues. Megjithatë në mënyrë strategjike disa prej zërave më të njohur në qarqet e sotme ungjillore e zvogëlojnë tmerrin e kryqit dhe atë të ferrit – i pari zhvishet prej pushtetit të tij për të mbartur ndëshkimin tonë dhe i dyti demitologjizohet në vetë-dehumanizim dhe në mjerimet shoqërore të kësaj bote.

Dallofshin brezat e ardhshëm që bota nuk është pushtuar prej një ndjenje serioziteti rreth Perëndisë. Në kishë nuk ka një tepricë ndjesie për lavdinë e Perëndisë. Nuk ka tepricë serioziteti në kishë rreth qiellit dhe ferrit, mëkatit dhe shpëtimit. Prandaj gëzimi i shumë të krishterëve është shumë i cekët. Miliona njerëz po argëtojnë veten e tyre për vdekje me DVD dhe televizorë sa një faqe muri, me lojëra në aparatet celularë, me adhurim qesharak ndërsa folësi i një feje të madhe botërore i dërgon letra Perëndimit në një prej gazetave më të mëdha dhe thotë, “Gjëja e parë tek e cila po iu thërresim është Islami… Kjo është feja e gëzimit të gjërave të mira dhe e ndalimit të ligësisë me dorë, gjuhë dhe zemër. Kjo është feja e xhihadit në udhën e Allahut në mënyrë që Fjala dhe feja e Allahut të mbretërojnë në mënyrë supreme.” Pastaj të njëjtët folës bekojnë publikisht kamikazët me bomba që vrasin fëmijë para dyqaneve dhe këtë e quajnë udha drejt parajsës. Kjo është bota në të cilën predikojmë ne.

E megjithatë, në mënyrë të pakonceptueshme në këtë epokë që shkatërron shpirtin dhe nënçmon Krishtin, librat, seminaret, shkollat teologjike dhe specialistët e rritjes së kishës janë të fiksuar t’u thonë pastorëve të rinj, “Qeshu pak.” “Bëhu argëtues.” “Bëj diçka për t’i argëtuar njerëzit.” Këta unë i pyes, Ku është fryma e Jezusit? “Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: ”Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë. Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.” (Mateu 16:24-25). “Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt.” (Mateu 5:29). “Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.” (Luka 14:33). “Por Jezusi i tha: Më ndiq, dhe lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e vet.” (Mateu 8:22). “Dhe kushdo nga ju që do të dojë të jetë i pari, do të jetë skllavi i të gjithëve.” (Marku 10:44). “Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin; kini frikë më tepër nga ai që mund t’ua humbë shpirtin dhe trupin në Gehena.” (Mateu 10:28). “Disa prej jush do t’i vrasin… Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë. Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.” (Luka 21:16-19).

A do ta këshillonte rritja e kishës Jezusin “Qeshu pak Jezus. Bëj diçka argëtuese.” Mos do t’i thotë pastorit të ri: “Çfarëdo që të bësh, mos u bëj si Jezusi i Ungjijve. Qeshu.” Nga perspektiva ime që tani më duket shumë pranë përjetësisë ky mesazh që u drejtohet pastorëve më tingëllon gjithnjë e më tepër si marrëzi.

Portretizimi i lavdisë së Perëndisë

Ajo që besoni për domosdoshmërinë dhe natyrën e predikimit përcaktohet prej ndjesisë tuaj për madhështinë dhe lavdinë e Perëndisë, prej besimit sesi njerëzit zgjohen ndaj kësaj lavdie dhe jetojnë për këtë lavdi. Në këtë pjesë do të prezantoj një portretizim të lavdisë së Perëndisë, dhe pjesa e tretë do të trajtojë mënyrën sesi njerëzit zgjohen ndaj kësaj lavdie dhe ndryshohen prej saj.

Nga fillimi në fund të Biblës asgjë tjetër nuk është aq e fiksuar në mendjen dhe zemrën e Perëndisë sa ç’është lavdia e Tij – bukuria e Perëndisë, shkëlqimi i përsosmërive të Tij të shumëfishta. Në çdo moment në veprën e zbuluar të Perëndisë, kudo që Ai e bën të qartë synimin përfundimtar të atij veprimi, ky synim është gjithmonë i njëjtë: të lartësojë dhe shpalosë lavdinë e Tij.

  • Ai na paracaktoi për lavdinë e Tij (Efesianëve1:6).

  • Ai na krijoi për lavdinë e Tij (Isaia 43:7).

  • Ai e zgjodhi Izraelin për lavdinë e Tij (Jeremia 13:11).

  • Ai e shpëtoi popullin e Tij nga Egjipti për lavdinë e Tij (Psalmi 106:8).

  • Ai i çliroi nga mërgimi për lavdinë e Tij (Isaia 48:9-11).

  • Ai e dërgoi Krishtin në botë në mënyrë që Jo-hebrenjtë ta lavdërojnë Perëndinë për lavdinë e Tij (Romakëve 15:9).

  • Ai e urdhëron popullin e Tij që nëse hanë apo nëse pinë t’i bëjnë të gjitha për lavdinë e Tij (1 Korintasve 10:31).

  • Ai do ta dërgojë Jezusin për herë të dytë në mënyrë që të gjithë të shpenguarit të mrekullohen me lavdinë e Tij (2 Thesalonikasve 1:9-10).

Prandaj misioni i kishës është ky: “Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve.” (Psalmi 96:3).

Këto dhe qindra vargje të tjerë na kthejnë pas tek besnikëria përfundimtare e Perëndisë. Asgjë nuk e ndikon predikimin më tepër sa të shtangesh dhe të mbetesh pothuaj pa fjalë prej pasionit të Perëndisë për lavdinë e Perëndisë. Ajo që bëhet e qartë prej gjithë zbulesës biblike është që besnikëria përfundimtare e Perëndisë është që ta njohë veten në mënyrë të përsosur, ta dojë veten në mënyrë të përsosur, dhe ta ndajë këtë përjetim sa më shumë që të ketë mundësi me popullin e Tij. Mbi çdo veprim të Perëndisë valëvitet banderola që thotë, “Për hir të vetvetes, për hir të vetvetes e bëj këtë; si mund të lë, pra, që të përdhoset emri im? Nuk do t’ia jap lavdinë time asnjë tjetri.” (Isaia 48:11; krahaso me Isaia 42:8).

Qysh nga përjetësia Perëndia që ka ekzistuar gjithmonë, që nuk ndryshon kurrë dhe përherë i përsosur e ka njohur dhe e ka dashur veten. Ai e ka soditur bukurinë e tij prej përjetësisë dhe e ka shijuar atë që ka soditur. Ai nuk ka nevoja, për shkak se nuk ka pa-përsosmëri. Ai nuk ka asnjë prirje drejt së ligës për shkak se nuk ka asnjë mangësi që mund ta tundojë të bëjë gjënë e gabuar. Prandaj Ai është qenia më e shenjtë dhe më e lumtur që ekziston dhe që mund të konceptohet. Nuk mund të konceptojmë një lumturi më të madhe se lumturia e fuqisë së pafundme që kënaqet pafundësisht në bukurinë e pafundme të përbashkësisë personale të Trinitetit.

Ndarja e këtij përjetimi – përjetimit të njohjes dhe kënaqjes me lavdinë e Tij – është arsyeja pse Perëndia e krijoi botën. Ai do të na bëjë që ta njohim Atë dhe të gëzohemi me Të ashtu si Ai e njeh dhe kënaqet me Veten e Tij. Në të vërtetë qëllimi i Tij është që vetë njohuria që Ai ka për Vetveten dhe gëzimi që Ai ka në Vetvete të bëhen njohja dhe kënaqësia jonë, në mënyrë që ta njohim Atë me njohurinë e Tij dhe të kënaqemi me Të me gëzimin e Tij. Ky është kuptimi përfundimtar i lutjes së Jezusit tek Gjoni 17:26 ku Ai i kërkon Atit, “që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.” Njohja e Atit dhe gëzimi i Tij në “shkëlqimin e lavdisë së tij” – kështu quhet Jezu Krishti (Hebrenjve 1:3) – të jetë në ne për shkak se Jezusi është në ne.

Nëse më pyesni, si lidhet synimi i Perëndia që ta ndajë këtë përjetim (të njohjes dhe kënaqjes me veten e Tij) me dashurinë e Perëndisë, përgjigja është: Synimi i Tij për ta ndarë këtë përjetim është dashuria e Perëndisë. Dashuria e Perëndisë është përkushtimi i Tij për të ndarë me ne njohjen dhe kënaqjen me lavdinë e Tij. Kur Gjoni thotë që Perëndia është dashuri (1 Gjoni 4:8, 16), ai do të thotë që është natyra e vetë Perëndisë që ta ndajë kënaqjen me lavdinë e Tij, edhe nëse kjo do t’i kushtonte jetën e Birit të Tij.

Kjo do të thotë që synimi i Perëndisë për ta shpalosur lavdinë e tij dhe kënaqësinë tonë në atë lavdi janë në harmoni të përsosur. Ju nuk e nderoni plotësisht atë gjë me të cilën nuk kënaqeni. Perëndia nuk përlëvdohet plotësisht thjesht duke e njohur; Ai përlëvdohet duke e njohur dhe duke u kënaqur me Të aq thellë saqë jetët tona bëhen një shfaqje e vlerës së Tij.

Jezusi tha dy gjëra për ta theksuar rolin e Tij për të na dhënë njohjen dhe gëzimin e Perëndisë. Ai tha, “dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri do t’ia zbulojë.” (Mateu 11:27). Ai tha gjithashtu, “Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.” (Gjoni 15:11). Me fjalë të tjera, ne e njohim Atin me njohjen e Birit, dhe kënaqemi me Atin me gëzimin e Birit. Jezusi na ka bërë pjesëmarrës në njohurinë e Tij për Perëndinë dhe në kënaqësinë e Tij të Perëndisë.

Mënyra sesi kjo gjë bëhet e dukshme në botë nuk është kryesisht përmes veprave me pasion apo adhurimit të përbashkët mëngjesin e të Dielës – sado të çmuara që janë këto momente – por prej ndryshimeve që kjo gjë prodhon në jetën tonë. Jezusi tha, “Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.” (Mateu 5:16). Drita që ndriçon përmes veprave tona dhe i bën njerëzit të shohin Perëndinë dhe jo ne, është vlera e gjithë-kënaqshme e lavdisë së Tij.

Kjo gjë funksionon pak a shumë kështu: Kur lavdia e Perëndisë është thesari i jetës tonë, nuk do të grumbullojmë thesare mbi tokë, por do t’i shpenzojmë ato për ta përhapur lavdinë e Tij. Nuk do të lakmojmë, por do të tregojmë bujari ekstravagante. Nuk do të lakmojmë lëvdatat e njerëzve, por do të humbasim në lavdërimin e Perëndisë. Nuk do të zotërohemi prej kënaqësive sensuale mëkatare, por do t’i shkulim ato me rrënjë përmes fuqisë së një premtimi superior. Nuk do të ushqejmë egon e plagosur, nuk do të mbajmë mëri dhe as do të nxitim një frymë hakmarrëse, por do ta dorëzojmë çështjen tonë në duart e Perëndisë dhe do të bekojmë ata që na urrejnë. Çdo mëkat rrjedh prej dështimit tonë për ta çmuar lavdinë e Perëndisë mbi gjithçka tjetër. Prandaj një mënyrë kritike dhe e rëndësishme për të shpalosur të vërtetën dhe vlerën e lavdisë së Perëndisë është përmes jetëve të përulura dhe sakrifikuese në shërbim të cilat rrjedhin vetëm prej burimit të lavdisë së gjithëkënaqshme të Perëndisë.

Si zgjohen njerëzit ndaj kësaj lavdie dhe si ndryshohen prej saj

Tani do t’i kthehemi pyetjes sesi njerëzit zgjohen ndaj lavdisë së Perëndisë dhe si ndryshohen prej saj. Një pjesë thelbësore e përgjigjes jepet prej apostullit Pal tek 2 Korintasve 3:18-4:6. Ai thotë, “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrë zbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.” Ndërsa soditim lavdinë e Zotit transformohemi nga lavdia në lavdi. Kjo është mënyra se si Perëndia i ndryshon njerëzit në shëmbëlltyrën e Birit të Tij në mënyrë që edhe ata të reflektojnë lavdinë e Zotit. Për t’u ndryshuar në një mënyrë që e lavdëron Perëndinë ne e fiksojmë vështrimin tonë në lavdinë e Zotit.

Si ndodh kjo gjë? (Këtu jemi duke iu afruar shumë rrjedhojave të predikimit.) Pali e shpjegon tek 2 Korintasve 4:3-4 sesi e soditim lavdinë e Zotit.

Dhe, në qoftë se ungjilli ynë është ende i mbuluar me vel, ai është i mbuluar për ata që humbin, të cilëve perëndia i këtij shekulli ua verboi mendjet e atyre që nuk besojnë, që [kjo është përmbushja e 2 Korintasve 3:18] drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata.

Ne e shohim lavdinë e Zotit më qartë dhe më drejtpërdrejt në Ungjill. Aq sa Pali e quan “ungjilli i lavdisë së Krishtit.” Kjo ka rrjedhoja të jashtëzakonshme për predikimin dhe do të thotë që në këtë epokë, kur nuk mund ta shohim lavdinë e Zotit në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu siç do të bëjmë kur Ai të kthehet mbi re, lavdinë e Zotit mund ta shohim në mënyrë më të qartë përmes fjalës së Tij. Ungjilli është mesazhi me fjalë. Në mënyrë paradoksale, fjalët dëgjohen dhe lavdia shikohet. Prandaj, Pali po thotë që ne e shohim lavdinë e Krishtit kryesisht jo përmes syve tanë por përmes veshëve. “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.” (Romakëve 10:17), për shkak se shikimi i lavdisë së Krishtit vjen përmes dëgjimit dhe dëgjimi vjen përmes ungjillit të Krishtit.

Konsideroni sesi kjo gjë u shpreh në jetën e profetit Samuel. Në kohën e Samuelit nuk kishte shumë vizione prej Zotit (1 Samueli 3:1), ashtu si sot që ka një zi të madhe për të soditur dhe shijuar lavdinë e Perëndisë. Por pastaj Perëndia ngriti një profet të ri. Si iu shfaq Perëndia atij? Në të njëjtën mënyrë që do t’u shfaqet ju dhe njerëzve tuaj. 1 Samueli 3:21 thotë, “Zoti vazhdonte t’i shfaqej në Shiloh, sepse në Shiloh Zoti i shfaqej Samuelit me anë të fjalës së vet.” Ai ia zbuloi veten përmes fjalës. Kështu do ta shohin njerëzit tanë lavdinë e Zotit, dhe do të ndryshohen në atë lloj njerëzish që e bëjnë të njohur lavdinë e Tij. Pali na thotë se fjala që zbulon lavdinë e Perëndisë në mënyrë më të qartë dhe qendrore është Ungjilli (2 Korintasve 4:4).

Thirrja e nënkuptuar për Ngazëllim Ekspozues

Kjo më në fund më sjell tek pika përmbyllëse rreth predikimit si ngazëllim ekspozues. Nëse qëllimi i Perëndisë është që ne të shpalosim lavdinë e Tij në botë, nëse e reflektojmë këtë lavdi për shkak se jemi ndryshuar duke e njohur dhe shijuar këtë lavdi, nëse e njohim dhe e shijojmë këtë lavdi duke soditur lavdinë e Zotit, nëse këtë lavdi e shohim më qartë dhe në mënyrë qendrore në ungjillin e lavdisë së Krishtit, nëse ungjilli është një mesazh i përcjellë me fjalë në botë, atëherë rrjedhimi i këtyre është që Perëndia ka për qëllim që predikuesit t’i shtjellojnë këto fjalë dhe të ngazëllohen për to – këtë unë e quaj ngazëllim ekspozues.

Çdo fjalë ka rëndësi. Është ekspozues për shkak se ka shumë gjëra rreth ungjillit që kërkojnë të ekspozohen (të hapen, të shpalosen, të sqarohen, të qartësohen, të shpjegohen dhe të tregohen). Këtë gjë e shohim kur fokusohemi në pesë dimensionet thelbësore të mesazhit të ungjillit.

  • Ungjilli është mesazhi rreth ndodhive historike: jeta, vdekja dhe ringjallja e Krishtit – këto gjëra na bëjnë thirrje t’i shpalosim përmes shtjellimeve të teksteve.

  • Ungjilli është mesazhi që tregon se çfarë arritën ato ngjarje para se të përjetojmë ndonjë gjë apo të ngazëllohemi: realizimi i bindjes së përsosur, shpagimi për mëkatet tona, largimi i zemërimit të Perëndisë, kurorëzimi i Jezusit si Mesia i kryqëzuar dhe i ringjallur, si mbreti i universit, çarmatosja e pushteteve dhe autoriteteve, shkatërrimi i vdekjes – të gjitha këto na bëjnë thirrje t’i shpalosim përmes shtjellimeve të teksteve.

  • Ungjilli është mesazhi i transferimit të këtyre arritjeve nga Krishti tek persona të caktuar përmes bashkimit të tyre me Krishtin vetëm nëpërmjet besimit dhe pa vepra – kjo gjë na bën thirrje t’i ekspozojmë njerëzit tanë ndaj natyrës dhe dinamikave të besimit përmes shtjellimit të teksteve të shumta.

  • Ungjilli është mesazhi rreth gjërave të mira që tani janë të vërteta për ne ndërsa arritjet e kryqit zbatohen tek ne në Krishtin: që tani Perëndia është vetëm i mëshirshëm ndaj nesh në vend të zemërimit (ky është pajtimi), tani jemi llogaritur të drejtë në Krishtin (shfajësimi/drejtësimi), tani jemi ligjërisht të shenjtë dhe po bëhemi të tillë në mënyrë progresive (shenjtërimi) – të gjitha këto realitete të lavdishme na bëjnë thirrje t’i shpalosim para njerëzve tanë javë pas jave përmes shtjellimeve të thella të shkrimeve.

  • Dhe përfundimisht, ungjilli është mesazhi rreth vetë Perëndisë së lavdishëm si Thesari ynë përfundimtar, i përjetshëm dhe i gjithkënaqshëm. “E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.” (Romakëve 5:11). Ungjilli që predikojmë është “ungjillit i lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë.” Nëse ungjilli ynë nuk e arrin këtë synim – të kënaqurit me vetë Perëndinë, jo thjesht me dhuratat e tij të faljes, çlirimit prej ferrit dhe jetës së përjetshme – atëherë nuk jemi duke predikuar “ungjillin e lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë.” (2 Korintasve 4:6). Synimi ynë përfundimtar është njohja e Perëndisë dhe të kënaqurit në Perëndinë. Siç e kemi parë edhe në fillim të 2 Korintasve 4, kjo është arsyeja pse u krijuam – që Perëndia të mund të ndante me ne njohurinë dhe kënaqësinë e Vetes së Tij. Ky është kuptimi i dashurisë së Tij për ne. Kjo është gjëja përfundimtare që kryqi siguroi për ne. Kjo gjë përmes çdo teksti të Shkrimit – pasi i gjithë Shkrimi është i frymëzuar prej Perëndisë për të zgjuar shpresën tek kjo lavdi – na bën thirrje të ofrojmë shtjellimet më të pasura në mënyrë që njerëzit tanë të mund të ushqehen më mirë dhe me ushqimin më të shijshëm të qiellit.

Shtjellimi i teksteve është thelbësor për shkak se ungjilli është mesazhi që vjen tek ne përmes fjalëve dhe Perëndia ka caktuar që njerëzit ta shohin lavdinë e Krishtit – “pasuritë e pa hulumtushme të Krishtit (Efesianëve 3:8) – përmes atyre fjalëve të ungjillit. Kjo është thirrja jonë: t’i shtjellojmë fjalët, fjalitë dhe paragrafët e Shkrimit për të shfaqur “lavdinë e Krishtit që është shëmbëlltyra e Perëndisë.”

Më në fund kjo na çon tek fjala tjetër e frazës ngazëllim ekspozues. Mjerë ne nëse e bëjmë shtjellimin e një ungjilli të tillë pa ngazëllim – domethënë, pa u ngazëlluar për të vërtetën që po shpalosim. Kur Pali thotë tek 2 Korintasve 4:5, “Sepse ne nuk predikojmë, pra, veten tonë, por Jezu Krishtin, Zotin, dhe jemi shërbëtorët tuaj për hir të Jezu Krishtit,” fjala që ai përdor për “predikojmë” është fjala krussomen – ne e kumtojmë Krishtin si Zot, e shpallim Krishtin si Zot. Fjala kerux – shpallës, “predikues” (1 Timoteu 2:7, 2 Timoteu 1:11) – duhet të shpjegojë atë që po thotë ai nëse njerëzit nuk kuptojnë (prandaj këtu mund të përfshihet edhe mësim). Por ajo që e veçon lajmëtarin nga filozofi, skribi dhe mësuesi është që ai është kumtuesi i lajmit – dhe në rastin tonë ky është lajm pafundësisht i mirë. Lajm me vlerë të pafundme. Ky është lajmi më i madh në botë.

Krijuesi i universit, Ai që është më i Lavdishmi dhe të cilin duhet ta dëshirojmë më tepër se çdo thesar mbi botë, e ka zbuluar veten në Jezu Krishtin në mënyrë që të njihet dhe gëzohet përjetë prej kujtdo që do të largohet nga rebelimi, do të pranojë amnistinë e blerë me gjak dhe do të përqafojë Birin e Tij si Shpëtimtarin, Zotin dhe Thesarin e jetës së tyre.

Vëllezër, mos gënjeni për vlerën e ungjillit përmes plogështisë së paraqitjes tuaj. Shtjellimi i realitetit më të rëndësishëm është një realitet i lavdishëm. Nëse nuk është ngazëllim ekspozues – i vërtetë prej zemrës – atëherë po thuhet diçka e rreme rreth vlerës së ungjillit. Mos thoni as me fytyrën, as me zërin dhe as me jetën tuaj që ungjilli nuk është ungjilli i lavdisë së gjithkënaqshme të Krishtit. Kështu është. Nxjerrtë Perëndia nga mesi juaj një brez predikuesish shtjellimi i të cilëve është i denjë për të vërtetën e Perëndisë dhe ngazëllimi i të cilëve është i denjë për lavdinë e Perëndisë.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*