Cila është shpresa jonë e vetme në jetë dhe vdekje?

Pyetja 1
Cila është shpresa jonë e vetme në jetë dhe vdekje?

Ne nuk i përkasim vetes por me mish e me shpirt, në jetë dhe në vdekje i përkasim Perëndisë dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht!

Sepse asnjë nga ne nuk jeton për veten e tij dhe askush nuk vdes për veten e tij, sepse, edhe nëse rrojmë, rrojmë për Zotin; edhe nëse vdesim, vdesim për Zotin; pra, edhe po të rrojmë ose të vdesim, të Zotit jemi.
Romakëve 14:7–8

Komentim
Nëse ne pra, nuk i përkasim vetes por jemi të Zotit, është e qartë cilat janë gabimet që duhet të evitojmë, dhe cili duhet të jetë drejtimi i të gjitha veprimeve të jetës tonë. Ne nuk i përkasim vetes: prandaj le të mos lejojmë që vullneti apo arsyeja jonë të drejtojnë planet apo veprimet tona. Nuk i përkasim vetes: prandaj le të mos kemi si synim kërkimin e asaj që është e favorshme për ne… Nuk i përkasim vetes: prandaj me aq sa kemi mundësi, le të harrojmë veten dhe gjithë sa na përket. Përkundrazi, ne i përkasim Perëndisë: prandaj le të jetojmë për Të dhe të vdesim për Të. Ne jemi të Perëndisë: prandaj le ta lejojmë urtësinë dhe vullnetin e Tij të qeverisin veprimet tona. Ne jemi të Perëndisë: prandaj të gjitha pjesët e jetës tonë paçin si synimin e tyre të vetëm të ligjshëm përpjekjen për t’i pëlqyer Atij. Oh sa shumë dobi ka pasur njeriu të cilit i është mësuar që nuk i përket vetes, njeriu që ia ka hequr dominimin dhe sundimin arsyes së tij dhe ia ka dorëzuar Perëndisë! Kjo për shkak se, kërkimi i interesit për veten është kolera që në mënyrën më të efektshme na çon drejt shkatërrimit tonë, prandaj streha e vetme e shpëtimit është të mos tregohemi të mençur dhe të mos vendosim asgjë në veten tonë por të ndjekim vetëm udhëheqjen e Zotit.

Xhon Kalvin (1509-1564). Teolog, administrator, pastor. Kalvini lindi në Francë në një familje strikte Katolike. Ai punoi në Gjenevë pjesën më të madhe të jetës së tij dhe organizoi kishën e Reformuar. Kalvini shkroi Institutet e Fesë së Krishterë (nga edhe është shkëputur ky citim), Katekizmën e Gjenevës si dhe shumë komentarë mbi Shkrimet.

Video


Lutje
Zot, ja ku jam; bëj me mua atë që të pëlqen, më udhëzo si të dëshirosh. E dorëzoj veten time për të qenë në dispozicionin tënd… Njeriu ambicioz jepet pas ndereve, por unë ta dorëzoj veten time Ty. Njeriu jepet pas kënaqësive të tij, por unë ta jap veten time Ty. Njeriu ia jep veten idhujve të tij, por unë ta jap veten time Ty Zot. Vendos mbi mua çfarëdo barre të dëshirosh, vetëm bëj që krahët e Tu të përjetshëm qofshin poshtë meje… unë i dorëzohem vullnetit Tënd, kam mësuar t’i them amen, amenit Tënd; Ti ke një interes më të madh për mua nga sa kam unë për veten, prandaj ta dorëzoj veten time Ty. Jam i gatshëm të jem në dispozicionin Tënd, jam i gatshëm të pranoj punën tënde në mua. O Zot i bekuar, a nuk më ke thënë herë pas here…’O shpirt, Unë jam i yti; mëshira ime është jotja për të të falur; gjaku im është i yti për të të pastruar; meritat e mia janë në dispozicionin tënd për të të shfajësuar; drejtësia ime është e jotja për të të veshur; Fryma ime është jotja për të të udhëhequr; hiri im është i yti për të të pasuruar; lavdia ime është e jotja për të të shpërblyer; prandaj nuk gjë tjetër që mund të bëj veçse të të dorëzohem Ty. Zot, ja ku jam, bëj me mua ashtu si të të duket e mirë në sytë e Tu. E di që mënyra më e mirë është që t’i dorëzohem vullnetit tënd dhe t’i them amen, amenit Tënd.

Thomas Brooks (1608–1680). Predikues Puritan Anglez. Brooks studioi në Universitetin e Kembrixhit para se të bëhej rektori i një kishe në Londër. Ai u hoq nga detyra por vazhdoi të punonte në Londër edhe gjatë Plagës së Madhe. Ai shkroi disa dhjetëra libra, shumica e të cilëve janë të natyrës devocionale, I Krishteri i Heshtur nën Thuprën e Disiplinës (nga i cili është shkëptur edhe kjo lutje) është më i njohuri nga të gjithë.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.


SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*