Falje e hirshme – John MacDuff

“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!”

“Unë, pikërisht unë, jam ai që për hir të vetuetes fshij shkeljet e tua dhe nuk do t’i mbaj mend mëkatet e tua.” – Isaia 43:25

“Unë – po, pikërisht Unë” – Perëndia i Madh, i Pastër, i Shenjtë dhe i Drejtë! Sigurisht që nëse ka një mënyrë të vetme në të cilën mendimet e Perëndisë nuk janë si mendimet e njeriut, kjo është ajo – falja e rebelit, që mirëpret të padenjët, që fal dhe harron! Si i kujtojmë ne mëkatet dhe dështimet e të tjerëve! Si e ruajmë kujtimin e mosmirënjohjes dhe ashpërsisë! Ne themi, “Unë të fal – por nuk mund të harroj.” Perëndia i bën të dyja. Për Të falja nuk është përpjekje; për Të është kënaqësi, “Zoti u gëzua për hir të drejtësisë së tij.”

“Unë – po, pikërisht Unë” – Perëndia që për javë dhe muaj, dhe ndoshta për vite me radhë e kemi lodhur me kërkesat tona, Libri i Kujtimit të të cilit është i mbushur me regjistrimin e fajit tonë; “Unë – po, pikërisht Unë” – vetë Qenia që e ka mbajtur shënim atë faj – jam gati ta marr penën dhe t’i fshij faqet dhe t’i zhduk shkeljet tuaja!

Si mund të falë Ai kështu? Si është e mundur që Perëndia i cili ka sy tepër të pastër për ta parë paudhësinë – si mundet që ta anulojë dëshminë që është kundër nesh në këto volume shkeljesh, në mënyrë që të mos kujtohen më? Kjo ndodh përmes veprës shlyese të Jezusit. “Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatet.” Ai e derdhi gjakun e Tij në mënyrë që të ketë të drejtë të thotë, “Mëkatet e tua të shumta – të janë falur të gjitha.”

Çfarë fshirje e plotë! Mëkatet e kuqe flakë, mëkatet e kuqe si gjaku; mëkatet kundër hirit, dashurisë, paralajmërimeve dhe privilegjit – shihni teksa të gjitha janë hedhur në thellësitë e detit për të mos dalë më kurrë në breg!

Radhërfordi thotë, “Cilido qoftë faji ynë, kur ai bie në detin e mëshirës së Perëndisë, është sikur një pikë gjaku të binte në oqeanin e paanë.” Të lashtët thoshin që nuk ka asnjë gjë më të pastër se bora. Por ne e dimë që ka diçka më të pastër – një shpirt njeriu i pastruar në gjakun e Krishtit!

Cili është MOTIVI shtrëngues me Perëndinë në një falje kaq të mrekullueshme sa kjo? Nuk mund të jetë asgjë që Ai sheh në ne. Asnjë pendim, pavarësisht sa i sinqertë; asnjë vepër e mirë, pavarësisht sa e madhe apo e shkëlqyer. Është vetë hiri i Tij sovranÇ “Për hirin tim!” “Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë.” Nëse Ai do ta kishte trajtuar shpagimin tonë në raport me braktisjen tonë, mendimet e Tij ndaj nesh do kishin qenë për ligësi dhe jo për paqe – gjaku ynë do të ishte përzjerë prej kohësh me sakrificat tona. Por Ai është Perëndi dhe jo njeri. “Është një mëshirë e Zotit që nuk jemi konsumuar plotësisht.” “Ti je shkatërruar, o Izrael, sepse je kundër meje, kundër ndihmës sate.”

Kapitulli më i mrekullueshëm në volumin e mendimeve të Perëndisë – falja e Tij e lirë, e plotë, e pakushtëzuar dhe e përjetshme e fajtorëve dhe të padenjëve! Të gjitha mendimet më të mëdha të duken të dobët dhe pa vlerë pas këtij. Perëndia, Perëndia i drejtë – megjithatë Shpëtimtar – dhe i drejtë në drejtësimin e të paudhëve.

O Zot e pranoj bollëkun e hirshëm të faljes tënde. Me gëzim mbështetem tek ky mendim i mëshirës Tënde falëse. “Borxhi im është tepër i madh, dhe as nuk mund të paguaj dot qoftë dhe një pjesë të tij. Por u besoj pasurive dhe hirit të Garantuesit tim. Ai le të më lirojë, Ai që u bë garanci për mua, Ai që e morri borxhin tim mbi veten e Tij.” (Gjon Gerhard). Po, Ai e ka marrë borxhin tim! Mendo për Perëndinë jo vetëm si të gatshëm për të fshirë dhe për të varrosur në harresë të shkuarën fajtore – por dëgjoje Atë që të jep sigurinë që legjionet e mëkateve tashmë janë falur. Borxhi është paguar – gjithçka është shpaguar. Ai e jep këtë argument që t’i kthehemi dhe ta pranojmë, “I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar!” Çfarë mund të themi për gjëra të tilla kaq të mrekullueshme? “Nëse Perëndia është me ne – kush mund të jetë kundër nesh?”


“Thoughts of God” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*