22 Dhjetor – Octavius Winslow
22 Dhjetor
“Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të.” 2 Timoteu 2:11-12
Shikojeni privilegjin tuaj të madh ju o bij të përvuajtur të Perëndisë! Shiko se si jeni të rrethuar nga rrezet e lavdisë ju të përulur dhe të pikëlluar! Ju jeni bërë një me Princin e të përvuajturve, dhe Princi i të përvuajturve është një me ty! Oh çfarë mrekullie të jesh një me Krishtin – cila gjuhë mund ta shpallë, cila penë mund ta përshkruajë ëmbëlsinë e bekimit dhe madhështinë e hirit? Të zhytesh me Të në përuljen e Tij mbi tokë do të thotë të ngrihesh me Të në lartësimin e Tij në jetën e ardhshme. Të marrësh pjesë në uljen e Tij mbi këtë tokë do të thotë të bëhesh një me Të në lavdinë e Tij në qiell. Të vuash turpin, talljen, përndjekjen, shqetësimin, varfërinë dhe humbjen me Të tani, do të thotë të mbash kurorën dhe të tundësh degët e palmave, të kërcesh nga triumfi dhe të shpërthesh në këngë kur Ai të zbresë herën e dytë me lavdi dhe madhështi, për ta ngritur Nusen e Tij nga viset e përuljes së saj, ta stolisë atë për martesë, dhe kështu ta bëjë në mënyrë të dukshme të Tijën për përjetësinë.
Lëvdoni emrin e Tij për gjithë provaninë dhe hirin e Tij të tanishëm. Lëvdojeni për të gjitha zbulimet e mençura edhe pse të dhimbshme që Ai u jep për veten tuaj, për krijesën, për botën. E bekuar, ah, e bekuar dhe e shenjtë është disiplina që e bën shpirtin tuaj të përkulet në pluhur. Atje Ai të zbulon dashurinë e Tij të fshehtë dhe e heq mënjanë vein e bukurisë së Tij. Atje Ai e sjell shpirtin në një përjetim më të thellë të së vërtetës së Tij shenjtëruese; dhe me forma të reja bukurie dhe shprehje dashurie e tërheq zemrën, e zotëron atë sërish për Veten. Atje gjithashtu ndodh që dashuria, butësia dhe hiri i Frymës së Shenjtë njihen më mirë. Ka të ngjarë që ne udhëhiqemi në mënyrë më të plotë në një njohje të veprës së Frymës si Ngushëllues, si Zbulues i Jezusit gjatë stinëve të përulejs së shpirtit se në ndonjë stinë tjetër.
Mënyra dhe koha e manifestimit të Tij hyjnor parashikohen në mënyrë të bukur: “Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.” Vini re butësinë, qetësinë dhe sovranitetin e veprimit të Tij – “Ai do të zbresë si shiu.” Sa tipar karakteristik i hirit të Frymës së bekuar! Pastaj vini re rastin në të cilin Ai zbret – kjo është koha e përuljes më të thellë të shpirtit. Bari që valëvitet kositet – lulja e bukur e ka varur kokën – kërcelli i frytshëm thyhet – ajo që ishte e bukur, aromatike dhe e çmuar pritet – më e bukura thahet e para, më e këndshmja vdes e para, më e dashura largohet e para; pastaj, kur mëshira ka ikur, dhe fryma është përkulur, kur zemra është e thyer, mendja e shkurajuar dhe bota duket që është veshur me zymtësinë dhe shkretinë e dimrit, Fryma i Shenjtë me gjithë ndikimin zbutës, rigjallërues, ngushëllues dhe rifreskues të hirit të Tij, zbret, flet për bukurinë e Jezusit, udhëheq te hiri i Jezusit, e ngre lart shpirtin e përkulur dhe e bën të gjejë prehje në prehërin e Jezusit.
Shumë i dashur, të çmuara janë stinët e përuljes së besimtarit. Ato të mësojnë për zbrazëtinë e shpirtit dhe për plotësinë e Krishtit; për pamjaftueshmërinë e krijesës dhe për gjithë mjaftueshmërinë e Krishtit; për varfërinë e botës dhe për bollëkun e Krishtit; ato stinë krijojnë një nevojë të cilën Jezusi e plotëson, një boshllëk që Jezusi e mbush, një pikëllim të cilin Jezusi e qetëson, një dëshirë të cilën Jezusi e përmbush. Ato stinë e bëjnë të dashur kryqin e Perëndisë së mishëruar, ato zbulojnë lavdinë e fshehur të përuljes së Krishtit, ato ëmbëlsojnë lutjen dhe e ngrenë shpirtin te Perëndia; atëherë me të vërtetë “bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.”
A je ti një lule e thyer? A je një kërcell i këputur? A ta rëndon tani një sprovë e rëndë? Ndoshta nuk ke qenë kurrë kaq i bukur – ndoshta asnjëherë tjerët hiri yt nuk ka përcjellë një aromë të tillë, apo lutjet e tua të jenë ngjitur lart me një aromë më të ëmbël – besimi, shpresa, dashuria nuk i kanë zhvilluar aq fort tiparet e tyre të lavdishëm sa tani! Në sytë e një Krishti të plagosur, të thyer dhe të përulur nuk ke qenë kurrë më i bukur, dhe zemra e Tij nuk ka qenë kurrë më e çmuar se tani – tejshpuar nga dora e Tij, goditur nga thupra e Tij, përulur nga disiplina e Tij, sjellë te këmbët e Tij, dënon veten dhe justifikon Atë, mban mbi vete gjithë turpin dhe i jep Atij gjithë lavdinë.
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!