Mendime Shtjelluese Mateu 12

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 12

nga J. C. Ryle

Mateu 12:1-13
Tema e madhe e cila del në pah në mënyrë kaq të dukshme në këtë pjesë të Shkrimit është Dita e Shabatit. Kjo është një temë rreth të cilës ekzistonin opinione të çuditshme mes Judenjve në kohën e Zotit tonë. Farisenjtë i kishin shtuar mësimit të Shkrimit në lidhje me këtë gjë, dhe e kishin mbinkarkuar karakterin e vërtetë të kësaj dite me traditat e njerëzve. Kjo është një temë rreth të cilës ka pasur opinione të ndryshme edhe në kishat e Krishtit, madje edhe sot ekzistojnë ndryshime të mëdha në opinionet e njerëzve. Le të shohim se çfarë mund të mësojmë rreth kësaj gjëje nga mësimi i Zotit tonë në këto vargje.

Së pari, le ta caktojmë në mendjen tonë si një parim të qartë që Zoti ynë Jezu Krisht nuk e hoqi tej zbatimin e ditës së Shabatit. Ai nuk e bëri këtë gjë as këtu dhe askund tjetër në të katër Ungjijtë. Shpesh shohim që Ai shpreh opinionin e tij rreth gabimeve të Judenjve në çështjen e Shabatit. Por nuk gjejmë qoftë edhe një fjalë të vetme e cila të na mësojë që dishepujt e Tij nuk duhej të respektonin një ditë Shabati.

Ka shumë rëndësi që ta vëzhgojmë këtë gjë. Gabimet që janë shfaqur nga konsiderimi sipërfaqësor i thënieve të Zotit në lidhje me çështjen e Shabatit, nuk janë as të pakta dhe as të vogla. Me mijëra njerëz me nxitim kanë dalë në konkluzionin që të krishterët nuk kanë fare lidhje me urdhërimin e katërt, dhe që ky nuk ka më pushtet mbi ne sikurse edhe ligji i Moisiut rreth sakrificave. Në Dhiatën e Re nuk gjejmë asnjë gjë që ta justifikojë një konkluzion të tillë.

E vërteta e qartë është që Zoti ynë nuk e anuloi ligjin e Shabatit të përjavshëm. Ai thjesht e çliroi nga interpretimet e pasakta dhe e pastroi nga shtesat e bëra nga njeriu. Ai nuk e shkuli urdhërimin e katërt nga të dhjetat. Ai thjesht largoi traditat e mjera me të cilat Farisenjtë e kishin rrethuar atë ditë, dhe përmes të cilave e kishin bërë të ishte jo bekim por një barrë. Ai e la urdhërimin e katërt atje ku e gjeti, një pjesë të ligjit të përjetshëm të Perëndisë nga i cili as një pikë dhe asnjë presje nuk do të bjerë poshtë. Mos e harrofshim kurrë këtë gjë!

Së dyti, le ta vendosim në mendjen tonë që Zoti ynë Jezu Krisht lejon që ditën e Shabatit të kryehen të gjitha punët vërtet të nevojshme dhe veprat e mëshirës.

Ky është një parim i mirë themeluar në pjesën e Shkrimit që jemi duke konsideruar. Këtu shohim që Zoti ynë po i justifikon dishepujt e Tij për faktin që këputën kallinj ditën e Shabatit. Kjo gjë lejohej nga Shkrimi (Ligji i Përtërirë 23:25). Ata “ishin të uritur,” dhe kishin nevojë për ushqim. Prandaj, nuk duhej të fajësoheshin. Ne shohim që Ai tregon se është gjë e ligjshme ta shërosh një të sëmurë në ditën e Shabatit. Ky njeri po vuante nga sëmundja dhe dhimbja. Në një rast të tillë shërimi nuk përbënte shkelje të urdhërimit të Perëndisë. Nuk duhet të pushojmë kurrë së bëri mirë.

Argumentet me të cilat Zoti ynë e mbështet ligjshmërinë e çdo pune të nevojshme dhe vepre mëshire në ditën e Shabatit janë të jashtëzakonshme dhe të pakundërshtueshme. Ai u kujton Farisenjve të cilët e akuzuan atë dhe dishepujt e tij se po shkelnin ligjin sesi Davidi dhe ata që ishin me të për shkak se nuk kishin ushqim, hëngrën bukët e shenjta të paraqitjes në tabernakull. Ai ju kujton atyre sesi priftërinjtë në tempull janë të detyruar të bëjnë punë ditën e Shabatit duke therrur kafshët dhe duke ofruar flijime. Ai ju kujton atyre sesi ditën e Shabatit secili prej tyre e nxjerr delen që ka rënë në gropë, në vend që ta lërë atje të ngordhë. Mbi të gjitha, Ai parashtron parimin e madh, që asnjë nga urdhërat e Perëndisë nuk duhet të mbitheksohet deri në atë pikë sa të na bëjë që të neglizhojmë përgjegjësitë e qarta të dashurisë. “Unë dëshiroj më tepër mëshirë sesa flijime.” Pllaka e parë e ligjit nuk duhet të interpretohet në atë mënyrë sa të na bëjë që ta shkelim të dytën. Urdhërimi i katërt nuk duhet të shpjegohet në atë mënyrë sa të na bëjë që të mos kemi dashuri dhe mëshirë për fqinjin tonë. Në gjithë këtë gjë ka një urtësi të thellë. Tani na kujtohet thënia, “Askush nuk ka folur kurrë si ky njeri.”

Ndërsa e lëmë mënjanë këtë temë le të kemi kujdes që të mos tundohemi kurrë të mbajmë pikëpamje të ulëta për shenjtërinë e Shabatit të krishterë. Le të kemi kujdes që të mos e bëjmë mësimin e hirshëm të Zotit tonë një justifikim për ta përdhosur Shabatin. Le të mos abuzojmë me lirinë që Ai ka përcaktuar në mënyrë kaq të qartë për ne, dhe të shtiremi sikur bëjmë gjëra ditën e Shabatit të motivuar nga “nevoja dhe mëshira,” të cilat në realitet i bëjmë për kënaqësitë tona egoiste.

Ka një arsye të fortë për t’i paralajmëruar njerëzit në këtë pikë. Gabimet e Farisenjve rreth Shabatit kishin një prirje të caktuar. Kurse gabimet e të krishterëve shkojnë në një drejtim tjetër. Farisenjtë shtireshin sikur ja shtonin shenjtërinë ditës. Kurse i krishteri shpesh është i prirur që t’ia zvogëlojë shenjtërinë dhe ta trajtojë ditën në mënyrë të rëndomtë, profane dhe pa druajtje. Të gjithë ne le të kemi kujdes qëndrimin tonë rreth kësaj çështjeje. Krishterimi shpëtues është i lidhur ngushtë me respektimin e Shabatit. Mos harrofshim kurrë që synimi ynë i madh duhet të jetë që ta “mbajmë Shabatin të shenjtë.” Punët e nevojshme mund të bëhen. “Është gjë e ligjshme të bëjmë mirë,” dhe të tregojmë mëshirë. Por ta kalosh Shabatin kot, duke u rënë pas qejfeve, apo botës është gjë krejtësisht e paligjshme. Kjo është e kundërt me shembullin e Krishtit dhe mëkat kundër një urdhërimi të qartë të Perëndisë.

Mateu 12:14-21
Gjëja e parë që kërkon vëmendjen tonë në këtë pjesë, është ligësia e jashtëzakonshme e zemrës njerëzore, e cila portretizohet në këtë shembull. Të heshtur dhe të mundur nga argumentet e Zotit, Farisenjtë u zhytën gjithnjë e më thellë në mëkat. Ata “mbasi dolën jashtë, bënin këshill kundër tij si ta vrasin.”

Çfarë ligësie kishte bërë Zoti ynë, që ta trajtonin në këtë mënyrë? As edhe një. Asnjë akuzë nuk mund të ngrihej kundër jetës së Tij – Ai ishte i shenjtë, i padëmshëm, i panjollë, dhe i ndarë nga mëkatarët – ditët e Tij u kaluan duke bërë mirë. Asnjë akuzë nuk mund të ngrihej kundër mësimit të Tij – Ai e kishte vërtetuar që ishte në përputhje me Shkrimin dhe arsyen, dhe kundër këtyre provave nuk ishte dhënë asnjë përgjigje. Por nuk kishte fare rëndësi se në ç’mënyrë të përsosur kishte jetuar apo mësuar. Atë e urryen.

Kjo është natyra njerëzore që shfaqet në gjithë ligësinë e vet. Zemra e pakonvertuar e urren Perëndinë dhe ka për ta treguar këtë urrejtje kur të dëshirojë, dhe kur t’i jepet mundësia e favorshme. Ajo ka për t’i përndjekur dëshmitarët e Perëndisë. Nuk ka për t’i pëlqyer të gjithë ata që kanë në mendjen e tyre ndonjë gjë nga Perëndia, dhe po ripërtërihen sipas shëmbëlltyrës së Tij. Pse u vranë kaq shumë nga profetët? Pse u hodhën poshtë emrat e apostujve si njerëz të ligj nga Judenjtë? Pse u therën martirët e hershëm? Pse u dogjën në turrën e druve Jan Husi, Reromi i Pragës, Ridli dhe Latimeri? Jo për ndonjë mëkat që kishin kryer – jo për ndonjë ligësi që kishin bërë. Ata të gjithë vuajtën për shkak se ishin burra të perëndishëm. Natyra njerëzore e pa konvertuar i urren njerëzit e pa perëndishëm për shkak se urren Perëndinë.

Të krishterët e vërtete nuk duhet të habiten kurrë nëse ballafaqohen me të njëjtin trajtim si ai i Zotit Jezus. “Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.” (1 Gjoni 3:13). As përpikmëria e madhe dhe as ecja e afërt me Perëndinë nuk kanë për t’i kursyer nga armiqësia e njeriut natyror. Nuk kanë pse ta torturojnë ndërgjegjen e tyre duke hamendësuar që nëse thjesht do të ishin më të përpiktë dhe të pafajshëm me siguri të gjithë do t’i donin. Kjo është krejtësisht gabim. Ata duhet të kujtojnë që nuk ka pasur kurrë një njeri të përsosur mbi tokë përveç njërit, dhe Atë nuk e deshën, por e urryen. Nuk janë dobësitë e besimtarit të cilat nuk i pëlqejnë botës, por mirësia e tij. Nuk janë mbetjet e natyrës së vjetër që e shkaktojnë armiqësinë e botës, por shfaqja e natyrës së re. Le t’i kujtojmë këto gjëra dhe të tregohemi të duruar. Bota e urreu Krishtin, dhe po kjo botë ka për t’i urryer të krishterët.

Gjëja e dytë që kërkon vëmendjen tonë në këtë pjesë është përshkrimi inkurajues i karakterit të Zotit tonë Jezu Krisht, të cilin Mateu e nxjerr nga profeti Isaia. “Ai nuk do ta thërmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë kandilin që bën tym.”

Si duhet t’i kuptojmë kallamin e thyer dhe kandilin që bën ty? Gjuha e profetit nuk ka dyshim që është figurative. Cili është kuptimi i këtyre dy shprehjeve? Shpjegimi më i thjeshtë duket sikur është, që Fryma e Shenjtë në këtë varg po përshkruan besimtarët hiri i të cilëve në këtë moment është i dobët, pendimi i të cilëve është i brishtë, dhe besimi i të cilëve është i vogël. Ndaj njerëzve të tillë Zoti Jezu Krisht do të tregohet shumë i butë dhe i dhembshur. Edhe pse kallami i thyer është i dobët ai nuk ka për ta thërrmuar. Edhe pse shkëndija e zjarrit mund të jetë brenda kandilit që bën tym, ajo nuk ka për t’u shuar. Kjo është një e vërtetë e qartë në bretërinë e hirit që hiri i dobët, besimi i dobët dhe pendimi i dobët janë të gjitha të çmuara në sytë e Zotit. Edhe pse Ai është i Pushtetshëm, “Ai nuk përbuz askënd.” (Jobi 36:5).

Doktrina e paraqitur në këtë pjesë është plot ngushëllim dhe përdëllim. Ka me mijëra njerëz që çdo kishë të Krishtit të cilëve kjo e vërtetë duhet t’u përcjellë paqe dhe shpresë. Ka disa në çdo bashkësi që e dëgjojnë Ungjillin, të cilët janë gati të bien në dëshpërim për shpëtimin e tyre, për shkak se forca e tyre duket e dobët. Ata janë plot frikëra dhe dëshpërim për shkak se njohuria e tyre, besimi, shpresa dhe dashuria duken shumë të vogla dhe të pakta. Le të marrin ngushëllim të bollshëm nga ky tekst. Le ta dinë që besimi i dobët i jep dikujt po aq shumë interesim shpëtues në Krishtin sa edhe besimi i fortë, edhe pse mund të mos i japë të njëjtin gëzim. Ka jetë të vërtetë tek foshnja po aq sa dhe tek një burrë i pjekur. Ka zjarr të vërtetë në një shkëndijë po aq sa dhe në një flakë të stërmadhe. Edhe masa më e vogël e hirit është një zotërim i përjetshëm. Ai hir zbret prej qiellit. Është i çmuar në sytë e Zotit tonë. Ai hir nuk do të hidhet kurrë poshtë.

A ia heq vlerën Satani fillimeve të pendimit ndaj Perëndisë dhe besimit në Zotin tonë Jezu Krisht? Jo! Në të vërtetë nuk mundet. Ai ka një zemërim të madh, për shkak se e sheh që i ka ditët të numëruara. A kanë engjëjt e Perëndisë mendime të ulta për shenjat e para të pendimit dhe ndjenjave për Perëndinë në Krishtin? Jo! Në të vërtetë mes tyre “ka gëzim” sapo i shohin këto gjëra. Mos vallë Zoti Jezu nuk tregon interesim ndaj besimit dhe pendimit nëse ato nuk janë të mëdha dhe të fuqishme? Jo! Në të vërtetë, menjëherë pasi ai kallam i thyer, Sauli i Tarsit, filloi t’i lutej Atij, Ai dërgoi Ananian duke i thënë, “Ja ai po lutet.” (Veprat 9:11). Gabojmë rëndë nëse nuk i inkurajojmë lëvizjet e para të shpirtit drejt Krishtit. Le të tallet dhe përçmojë bota e paditur nëse do. Por ne mund të jemi të sigurt që “kallamat e thyer” dhe “kandilët që bëjnë tym” janë të çmuar në sytë e Zotit tonë.

Le t’i ruajmë këto gjëra të gjithë ne në zemrën tonë dhe t’i përdorim në raste nevoje për vete dhe për të tjerët. Duhet të jetë parim i qartë në fenë tonë që të kesh një shkëndijë është shumë më mirë se të jesh në errësirë totale, dhe të kesh pak besim është shumë më mirë se të mos kesh aspak. “Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla?” (Zakaria 4:10). Këto nuk përbuzen nga Krishti. Po kështu edhe të krishterët nuk duhet t’i përbuzin.

Mateu 12:22-37
Kjo pjesë e Shkrimit përmban “gjëra të vështira për t’u kuptuar.” Mëkati kundër Frymës së Shenjtë në mënyrë të veçantë nuk është shpjeguar kurrë plotësisht nga shumica e teologëve më të ditur. Nuk është e vështirë që të tregojmë nga Shkrimi se çfarë nuk është ky mëkat. Por është e vështirë të tregojmë në mënyrë të qartë se çfarë është. Nuk ka pse të habitemi. Bibla nuk do ishte libri i Perëndisë nëse nuk do kishte thellësira aty këtu, të cilat njeriu nuk ka mundësi t’i matë dot. Përkundrazi, le ta falënderojmë Perëndinë që ka mësime urtësie që mund t’i nxjerrim edhe nga këto vargje, të cilat të pamësuarit mund t’i kuptojnë kollaj.

Së pari, le të nxjerrim këtë mësim që nuk ka asngjë tepër blasfemuese që njerëzit e ngurtësuar dhe paragjykues të mos e thonë kundër Krishtit. Zoti ynë dëboi një demon; dhe Farisenjtë menjëherë shpallën që Ai e bëri këtë “me anë të princit të demonëve.”

Kjo ishte një akuzë absurde. Zoti ynë tregon që ishte gjë e paarsyeshme të supozoje që djalli do të ndihmonte në shkatërrimin e mbretërisë së tij, dhe që “Satani të dëbojë Satanin.” Por nuk ka asgjë tepër absurde dhe të paarsyeshme që njerëzit të mos e thonë kur kanë një qëndrim plotësisht kundërshtues ndaj Krishtit. Farisenjtë nuk janë njerëzit e vetëm që e kanë humbur logjikën, arsyen dhe gjakftohtësinë kur e sulmuan Ungjillin e Krishtit.

Edhe pse kjo akuzë mund të tingëllojë e çuditshme, është akuzë që është bërë shpesh kundër shërbëtorëve të Perëndisë. Armiqtë e tyre janë detyruar të rrëfejnë që po bëjnë një punë dhe po shkaktojnë një efekt të mirë në botë. Rezultatet e punës së krishterë iu rrinë përpara syve. Ata nuk mund t’i mohojnë dot. Çfarë të thonë atëherë? Ata thonë po atë gjë që Farisenjtë thanë për Zotin tonë, “Është djalli.” Heretikët e hershëm përdorën një gjuhë të tillë për Athanasin. Katolikët Romakë përhapën fjalë të tilla për Martin Luterin. Gjëra të tilla do vazhdojnë të thuhen për aq sa të jetë bota.

Nuk duhet të habitemi kurrë të dëgjojmë akuza të tmerrshme që hidhen kundër njerëzve më të mirë pa asnjë shkak. “Nëse të zotin e shtëpisë e quajtën Beelzebub, aq më tepër do t’i quajnë ashtu ata të shtëpisë së tij!” Kjo është taktikë e lashtë. Kur njerëzit nuk mund t’u përgjigjen dot argumenteve të të krishterëve dhe nuk mund ta mohojnë dot as punën e tyre, mundësia e fundit e të ligjve është të përpiqen që të përbaltin karakterin e të krishterit. Nëse ky ka për të qenë fati ynë le ta mbajmë me durim. Mund të kanqur nëse kemi Krishtin dhe një ndërgjegje të mirë. Akuzat e rreme nuk kanë për të na mbajtur jashtë qiellit. Karakteri ynë do të lartësohet në ditën e fundit.

Së dyti, le të mësojmë nga këto vargje pamundësinë e të qenurit neutral në besim. “Ai që nuk është me Krishti është kundër Tij, dhe ai që nuk mbledh, shpërndan.”

Ka shumë njerëz në çdo epokë të kishës të cilët kanë nevojë që t’u theksohet ky mësim. Ata përpiqen përqiqen të mbajnë një rrugë të mesme për sa i përket fesë. Nuk janë aq të këqij sa shumë mëkatarë, por ende nuk janë shenjtorë. Ata e ndiejnë të vërtetën e Ungjillit të Krishtit kur ju paraqitet por kanë frikë të rrëfejnë se çfarë ndiejnë. Për shkak se kanë ndjenja të tilla, ata i bëjnë qejfin vetes që nuk janë aq të këqij sa të tjerët. E megjithatë ata i rrinë larg standardit të besimit dhe praktikës që Zoti Jezus ka themeluar. Ata nuk janë guximshëm në anën e Krishtit, dhe në të njëjtën kohë nuk janë krejt hapur kundër Tij. Zoti ynë i paralajmëron njerëz të tillë që gjenden në një pozitë të rrezikshme. Ka vetëm dy grupime kur bie fjala në çështjet e fesë. Ka vetëm dy kampe. Ka vetëm dy anë. A jemi me Krishtin duke punuar në kauzën e Tij? Nëse je, atëherë jemi kundër Tij. A jemi duke bërë mirë në botë? Nëse jo, atëherë jemi duke bërë keq.

Parimi që është themeluar këtu është një parim të cilin duhet ta mbajmë mend të gjithë ne. Le ta ndajmë mendjen që nuk do të kemi kurrë paqe, dhe as do t’u bëjmë mirë të tjerëve, nëse jemi plotësisht të vendosur dhe të prerë në krishterimin tonë. Udha e Gamalielit dhe Erazmit nuk ka sjellë kurrë lumturi dhe dobi për askënd, dhe as nuk ka për ta bërë këtë gjë.

Së treti, le të mësojmë nga këto vargje mëkatshmërinë e madhe të mëkatit kundër njohurisë. Ky është një konkluzion praktik që duket se del natyrëshëm nga fjalët e Zotit tonë rreth blasfemisë kundër Frymës së Shenjtë. Nuk ka dyshim që këto fjalë janë të vështira, e megjithatë ato duket se vërtetojnë në mënyrë të qartë që ka shkallë të ndryshme mëkati.

Shkeljet që dalin nga padituria rreth misionit të vërtetë të Birit të Njeriut, nuk do të ndëshkohen aq ashpër sa shkeljet e kryera kundër dritës së mesditës në epokën e Frymës së Shenjtë. Sa më e shndritshme që të jetë drita aq më i madh është faji i atij që e mohon atë. Sa më e qartë të jetë njohuria e njeriut rreth natyrës së Ungjillit aq më i madh është mëkati i tij nëse me vullnet refuzon të pendohet dhe të besojë.

Doktrina që na mësohet këtu është një doktrinë që nuk qëndron e vetme në Shkrim. Pali thotë tek Hebrenjve, “Sepse ata që janë ndriçuar një herë… dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim.” “Sepse, në qoftë se ne mëkatojmë me dashje mbasi kemi marrë dijeni të së vërtetës, nuk mbetet më asnjë flijim për mëkatet, por vetëm një pritje gjyqi e tmerrshme.” (Hebrenjve 6:4-7, 10:26-27). Kjo është një doktrinë për të cilën gjejmë prova të vajtueshme në çdo anë. Fëmijët e pa konvertuar të prindërve të perëndishëm, shërbëtorët e pa konvertuar të familjeve të perëndishme, dhe antarët e pa konvertuar të bashkësive ungjillore janë njerëzit më të ngurtë mbi tokë për t’u ndikuar. Ata duket sikur i kanë humbur ndjenjat. I njëjti zjarr që shkrim dyllin, ngurtëson argjilën.

Për më tepër, kjo është një doktrinë që merr një konfirmim të tmerrshëm nga historitë e disa prej atyre që patën një fund jashtëzakonisht pa shpresë. Faraoni, Sauli, Ashabi, Juda Iskarioti, Juliani dhe Francis Spira, janë shembuj të frikshëm të kuptimit të fjalëve të Zotit tonë. Në secilin prej këtyre rasteve pati një kombinim të njohurisë së qartë dhe mohimit të qëllimshëm të Krishtit. Tek secili prej tyre kishte dritë në mendje, por urrejtje të së vërtetës në zemër. Dhe fundi i secilit duket se ka qenë zymtësi dhe errësirë e përjetshme.

Na dhëntë Perëndia vullnet për ta përdorur njohurinë tonë qoftë kjo e vogël apo e madhe! Paçim kujdes që të mos neglizhojmë mundësitë dhe t’i lëmë pa i shfrytëzuar privilegjet tona! A kemi dritë? Atëherë le të jetojmë plotësisht në përputhje me dritën tonë.

A e njohim të vërtetën? Atëherë le të ecim në të vërtetën? Kjo është mbrojtja më e mirë kundër mëkatit të pafalshëm.

Së fundi, le të mësojmë nga këto vargje rëndësinë e jashtëzakonshme të kujdesit që duhet të tregojmë çdo ditë për fjalët tona. Zoti ynë na thotë, që “në ditën e gjyqit njerëzit do të japin llogari për çdo fjalë të kotë që kanë thënë.” Ai shton, “Sepse në bazë të fjalëve të tua do të justifikohesh, dhe në bazë të fjalëve të tua do të dënohesh.”

Të pakta janë thëniet e Zotit tonë të cilat të jenë kaq zemër hetuese sa kjo. Ndoshta nuk ka asgjë tjetër të cilës njerëzit i kushtojnë më pak vëmendje se fjalët e tyre. Ata kalojnë përgjatë punës së tyre të përditshme, duke folur pa u menduar apo reflektuar dhe duket sikur imagjinojnë që nëse bëjnë atë që është e drejtë nuk ka shumë rëndësi se çfarë thonë.
Por a është kështu në të vërtetë? A janë fjalët tona krejtësisht pa vlerë dhe të parëndësishme? Nuk guxojmë ta themi këtë gjë kur para syve tanë kemi një pjesë të tillë nga Shkrimi. Fjalët tona janë prova e gjendjes së zemrës tonë po aq sa dhe shija e ujit tregon gjendjen e burimit. “Nga mbushullia e zemrës flet goja.” Buzët shqiptojnë vetëm atë që koncepton mendja. Fjalët tona do të jenë një nga gjërat që do të hetohen ditën e gjyqit. Do të na duhet të japim llogari për fjalët tona sikurse edhe për veprat tona. Me të vërtetë që këto janë gjëra shumë solemne që duhen konsideruar. Nëse nuk do të kishte tekste të tjera në Bibël, kjo pjesë duhet të na bindë që ne të gjithë jemi “fajtorë para Perëndisë,” dhe që kemi nevojë për një drejtësi më të mirë se drejtësia jonë, madje na nevojitet drejtësia e Krishtit. (Filipianëve 3:9).

Le të tregohemi të përulur ndërsa e lexojmë këtë pjesë ndërsa kujtojmë kohët e shkuara. Sa shumë gjëra të kota, të marra, pa vend, pa vlerë, mendjelehta, të mëkatshme dhe të padobishme që kemi thënë! Sa shumë fjalë kemi përdorur të cilat ishin si fara gjëmbi të cilat janë përhapur kudo dhe kanë mbjellë trazira në zemrat e të tjerëve të cilat nuk do të vdesin kurrë! Sa shpesh kur i kemi takuar miqtë tanë “biseda jonë,” nëse përdorim thënien e një shenjtori të moçëm, “ka vlejtur vetëm për pendim.” Ka një të vërtetë të thellë në fjalët e Burkitit, “Një tallje profane apo një gjest ateist mund të ngulitet në mendjet e atyre që e dëgjojnë edhe pasi gjuha që e tha të ketë vdekur. Një fjalë e folur është kalimtare në aspektin fizik por e qëndrueshme në atë moral.” Solomoni tha, “Vdekja dhe jeta janë nën pushtetin e gjuhës; ata që e duan do të hanë frytet e saj.” (Fjalët e Urta 18:21).

Le të jemi vigjilentë ndërsa lexojmë këtë pjesë rreth fjalëve, ndërsa presim ditët që do të vijnë. Le të vendosim që përmes hirit të Perëndisë, të jemi më të kujdesshëm me gjuhët tona, dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me përdorimin e tyre prej nesh. Le të lutemi çdo ditë që “e folura jonë të jetë gjithmonë me hir.” (Kolosianëve 4:6). Le të themi çdo mëngjes bashkë me të shenjtin David, “Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time.” “O Zot, vër një roje para gojës sime.” Me të drejtë tha Jakobi, “Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur.” (Psalmi 39:1, 141:3; Jakobi 3:2)

Mateu 12:38-50
Fillimi i kësaj pjese është një prej atyre vendeve që ilustron në mënyrë të goditur të vërtetën e historisë së Dhiatës së Vjetër. Zoti ynë flet për mbretëreshën e Jugut, si një person i vërtetë dhe real, e cila jetoi dhe vdiq. Ai i referohet historisë së Jonës dhe ruajtjes së tij të mrekullueshme në barkun e peshkut si një fakt i pamohueshëm. Le ta mbajmë mend këtë gjë, nëse dëgjojmë njerëz që rrëfejnë se i besojnë shkrimtarët e Besëlidhjes së Re, e megjithatë tallen me gjërat që janë regjistruar në Dhiatën e Vjetër sikur ato të ishin fabula. Njerëz të tillë harrojnë që duke e bërë këtë gjë ata përbuzin vetë Krishtin. Autoriteti i Dhiatës së Vjetër dhe asaj të Re qëndron ose bie njëherazi. I njëjti Frymë që frymëzoi njerëzit të shkruanin për Solomonin dhe Jonën ishte ai që frymëzoi edhe ungjilltarët të shkruanin për Krishtin. Këto nuk janë pika të parëndësishme. Qofshin ato të ngulitura mirë në mendjen tonë.

Mësimi i parë praktik që kërkon vëmendjen tonë në këto vargje është fuqia e paimagjinueshme e mosbesimit. Vini re sesi Skribët dhe Farisenjtë i kërkojnë Zotit tonë t’u tregojë më shumë mrekulli. “Mësues, ne duam të shohim ndonjë shenjë prej teje.” Ata u shtirën sikur kishin nevojë për më tepër prova, në mënyrë që të bindeshin dhe të bëheshin dishepuj. Ata i mbyllën sytë ndaj gjithë veprave të shumta të mrekullueshme që Jezusi tashmë kishte kryer. Për ta nuk mjaftonte që Ai kishte shëruar të sëmurët, kishte pastruar lebrozët, kishte ringjallur të vdekurit dhe kishte dëbuar demonët. Ata ende nuk ishin të bindur. Ata po kërkonin më tepër prova. Ata nuk e shihnin se Zoti ynë tregoi qartë në përgjigjen e Tij që ata nuk kishin vullnet real për të besuar. Kishte prova të mjaftueshme për t’i bindur, por ata nuk kishin dëshirë që të bindeshin.

Në kishën e Krishtit ka shumë njerëz që janë saktësisht në të njëjtën gjendje si Skribët dhe Farisenjtë. Ata i bëjnë qejfin vetes që kërkojnë vetëm pak prova për t’u bërë të vendosur për Krishtin. Ata imagjinojnë që nëse arsyeja dhe intelekti i tyre thjesht do të ballafaqohej me disa argumenta shtesë menjëherë do të hiqnin dorë nga gjithçka për hir të Krishtit, do të merrnin kryqin dhe do ta ndiqnin. Por ndërkohë, ata presin. Mjerisht ata nuk e dallojnë verbërinë e tyre. Nuk e shohin që ekziston një bollëk provash në çdo anë rreth tyre. E vërteta është që ata nuk duan të binden.

Qofshim të gjithë vigjilentë ndaj frymës së mosbesimi! Kjo është një ligësi që po rritet në ditët e fundit. Mungesa e besimit të thjeshtë si prej fëmije është një tipar gjithnjë e në rritje për kohët tona, në çdo shtresë të shoqërisë. Shpjegimi i vërtetë për njëqind gjëra të çuditshme që na habitin tek sjellja e burrave të shquar të kishave apo shtetit është mungesa e hapur e besimit. Burrat që nuk besojnë gjithë sa Perëndia thotë në Bibël nuk ka sesi të mos mbajnë një qëndrim të pavendosur dhe ngurues rreth çështjeve të moralit dhe fesë. “Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm” (Isaia 7:9).

Mësimi i dytë praktik me të cilin ballafaqohemi në këto vargje është rreziku i jashtëzakonshëm i një reformimi të pjesshëm apo të papërsosur fetar. Vini re se çfarë tablojë të frikshme që pikturon Zoti ynë për njeriun tek i cili kthehet fryma e ndyrë pasi është larguar njëherë prej tij. Sa të frikshme janë këto fjalë, “Do të kthehem në shtëpinë time, nga kam dalë.” Sa i gjallë që është ai përshkrim, “e gjen të zbrazët, të pastruar dhe të zbukuruar.” Sa tronditës që është konkluzioni, “Atëherë shkon e merr me vete shtatë frymëra të tjera më të liga se ai, të cilët hyjnë dhe banojnë aty; kështu gjendja e fundit e këtij njeriut bëhet më e keqe nga e mëparshmja.” Kjo është një tablo e dhimbshme dhe plot me kuptim. Le ta shohim nga afër këtë tablo dhe të mësojmë urtësinë.

Është e sigurt që në këtë tablo kemi historinë e kombit dhe kishës Judease, në kohën e ardhjes së Zotit tonë. Duke qenë si ishin të thirrur të ishin populli i veçantë i Perëndisë kur Ai i nxorri nga Egjipti, nuk duket se e hoqën qafe ndonjëherë prirjen e tyre për të adhuruar idhujt. Edhe pse më vonë u shpenguan nga mërgimi në Babiloni, nuk duket se ia kthyen si duhet Perëndisë për mirësinë e Tij. Edhe pse ishin zgjuar dhe nxitur nga predikimi i Gjonit, pendimi i tyre dukej se ishte shumë i cekët. Në kohën kur Zoti ynë foli, ata si komb ishin bërë të ngurtësuar dhe më të shthurur se kurrë. Shëmtia e adhurimit të idhujve ia kishte lënë vendin shterpësisë së formalitetit. Shtatë shpirtra më të këqij se i pari i kishin pushtuar. Gjendja e tyre po bëhej me të shpejtë edhe më e keqe se e para. U deshën edhe dyzet vite të tjera dhe paudhësia e tyre arriti kulmin. Me marrëzi ata u turrën në një luftë me Romën. Judea u bë një Babel konfuzioni. Jerusalemi u pushtua. Tempulli u shkatërrua. Judenjtë u shpërndanë mbi faqen e dheut.

Sërish, ka shumë të ngjarë që në këtë tablo të kemi historinë e të gjitha kishave të krishtera. Duke qenë se janë çliruar nga errësira pagane përmes predikimit të Ungjillit, nuk kanë jetuar kurrë në përputhjes me dritën që kanë marrë. Edhe pse shumë prej tyre u rizgjuan në kohën e Reformimit Protestant, asnjëra prej tyre nuk i ka shfrytëzuar si duhet privilegjet e veta, apo të ketë “arritur përsosjen.” Të gjitha ato pak a shumë nuk kanë shkuar deri në fund dhe janë rehatuar në llumin e tyre. Të gjitha ato kanë qenë tepër të gatshme të kënaqen thjesht me përshtatjet e jashtme. Dhe tani ka simptoma të dhimbshme në shumë qarqe ku fryma e ligë është kthyer në shtëpinë e vet, dhe po përgatit një shpërthim pabesie dhe doktrine të rreme të cilat kishat nuk i kanë parë kurrë. Ndërmjet mosbesimit në disa qarqe dhe besëtytnisë formale në qarqe të tjera gjithçka duket se është gati për ndonjë shfaqje të frikshme të Antikrishtit. Me të drejtë mund të druhemi që gjendja e fundit e kishave që rrëfejnë krishterimi do të dalë më e keqe se e para.

Gjëja më e ligë dhe fatkeqe nga të gjitha është që në këtë tablo kemi historinë e shumë shpirtrave individualë. Ka njerëz të cilët dikur në jetën e tyre dukeshin se ishin nën ndikimin e ndjenjave të forta fetare. Ata i reformuan udhët e tyre. Lanë mënjanë shumë gjëra të liga. Përqafuan shumë gjëra të mira. Por ndaluan aty, dhe nuk shkuan më tej, dhe gradualisht hoqën dorë plotësisht prej fesë. Fryma e ligë u kthye në zemrat e tyre, dhe i gjeti bosh, të pastruara dhe të zbukuruara. Tani ata janë në një gjendje më të keqe se më parë. Ndërgjegja e tyre duket se është damkosur. Ndjesa e tyre rreth gjërave fetare duket se është shkatërruar plotësisht. Ata janë si njerëz që i janë dorëzuar një mendjeje të prishur. Dikush mund të thotë që është “e pamundur që ata t’i ripërtërish në pendim.” Asnjë nuk del që është aq i lig dhe i pashpresë sesa ata që pasi kanë përjetuar bindje të forta fetare janë kthyer sërish tek mëkati dhe bota.

Nëse e duam jetën, le të lutemi që këto mësime të mund të nguliten thellë në mendjet tona. Le të mos jemi kurrë të kënaqur me një reformimi të pjesshëm të jetës, pa një kthim tërësor tek Perëndia, dhe pa e bërë të vdesë gjithë trupin e mëkatit. Është gjë e mirë të përpiqemi ta dëbojmë mëkatin nga zemrat tona. Por le të kemi kujdes që gjithashtu në vend të tij të marrim hirin e Perëndisë. Le të sigurohemi që jo vetëm të heqim qafe banorin e vjetër, djallin, por gjithashtu të bëjmë që në ne të banojë Fryma e Shenjtë.

Mësimi i fundit praktik me të cilin ballafaqohemi në këto vargje është dashuria zemërbutë me të cilën Zoti Jezus i konsideron dishepujt e Tij të vërtetë.

Vini re sesi flet Ai për këdo që bën vullnetin e Atit të Tij që është në qiell. Ai thotë, “ai është vëllai, motra dhe nëna ime.” Sa fjalë të hirshme që janë këto! Kush mund ta konceptojë thellësinë e dashurisë së Zotit tonë të mirë ndaj të afërmve të Tij sipas mishit? Kjo ishte një dashuri e pastër dhe bujare. Duhet të ketë qenë një dashuri e pushtetshme, një dashuri që ia tejkalon kuptimit të njeriut. Megjithatë, këtu shohim që të gjithë njerëzit e Tij besimtarë numërohen si familja e Tij. Ai i do, ndjen për ta, kujdeset për ta si antarë të familjes së Tij, si kockë e kockave të Tij, dhe mishi i mishit të Tij.

Këtu kemi një paralajmërim solemn për të gjithë ata që tallen dhe përndjekin të krishterët e vërtetë për hir të fesë së tyre. Ata nuk e konsiderojnë atë që po bëjnë. Ata po përndjekin familjarët e Mbretit të mbretërve. Ditën e fundit ata do të zbulojnë që kanë përçmuar ata të cilët Gjykatësi i të gjithëve i konsideron si “vëllezërit, si motrat dhe nënën e Tij.”

Këtu kemi një inkurajim të madh për të gjithë ata që besojnë. Ata janë shumë më të çmuar në sytë e Zotit të tyre nga sa janë në sytë e tyre. Besimi i tyre mund të jetë i brishtë, pendimi i tyre mund të jetë i dobët dhe fuqia e tyre mund të jetë e vogël. Ata mund të jenë të varfër dhe nevojtarë në botë. Por në vargun e fundit të këtij kapitulli gjendet fjala e lavdishme “kushdo” e cila duhet t’iu japë zemër. “Kushdo” që beson është i afërm i Krishtit. Vëllai i madh do të sigurojë për të në kohë dhe përjetësi, dhe nuk do të lejojë kurrë që të hidhet tej. Nuk ka qoftë dhe një “motër të vogël” në familjen e të shpenguarve, të cilën Jezusi të mos e kujtojë. (Kantiku i Kantikëve 8:8). Jozefi siguroi me bujari për të gjithë të afërmit e tij dhe Jezusi ka për të siguruar për të tijtë.


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*