Mendime Shtjelluese Mateu 4

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 4

nga J. C. Ryle

Mateu 4:1-11

Ndodhia e parë në shërbesën e Zotit tonë pas pagëzimit të Tij e cila u regjistrua nga Mateu ishte tundimi i Tij. Kjo është një temë e thellë dhe misterioze. Në këtë histori ka shumë gjëra të cilat nuk mund t’i shpjegojmë dot. Por ama ka disa mësime të qarta praktike të cilave bëjmë mirë t’u kushtojmë vëmendje.

Së pari le të mësojmë se çfarë armiku real dhe i pushtetshëm që është djalli. Ai nuk pati frikë as të sulmonte edhe vetë Zotin Jezu Krisht. Ai e sulmoi tri herë Birin e Perëndisë. Shpëtimtari ynë “u tundua prej djallit.” Djalli ishte ai që solli mëkatin në botë në fillim të saj. Ky është ai që sulmoi Jobin, mashtroi Davdin dhe bëri që Pjetri të rrëzohej keq. Ky është ai të cilin Bibla e quan “vrasës,” “gënjeshtar,” dhe “luan vrumbullues.” Ky është ai që ka një armiqësi të pafundme ndaj shpirtit tonë. Ky është ai që për afërsisht 6000 vjet ka qenë duke u fokusuar në një synim të vetëm – në shkatërrimin e burrave dhe grave dhe në tërheqjen e tyre në ferr. Ky është ai taktika dhe dinakëria e të cilit ja kalojnë kuptimit të njeriut dhe që shpesh shfaqet si “engjëll i dritës.”

Le të rrimë zgjuar dhe të lutemi çdo ditë kundër taktikave të tij. Nuk ka ndonjë armik më të keq sesa armiku të cilin nuk e sheh dhe nuk vdes kurrë, ai që është shumë afër nesh kudo që jetojmë dhe që shkon kudo që shkojmë. Gjithashtu le të kemi kujdes nga mendjelehtësia dhe tallja për sa i përket djallit që këto kohë fatkeqësisht është bërë tepër e zakonshme. Le të kujtojmë çdo ditë që nëse duam të shpëtohemi jo vetëm që duhet të kryqëzojmë mishin dhe të mundim botën por gjithashtu duhet edhe “të kundërshtojmë djallin.”

Së pari le të mësojmë që nuk duhet ta konsiderojmë tundimin si diçka të jashtëzakonshme. “Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi dhe shërbëtori nuk mund të jetë më i madh se zotëria e tij.” Nëse Satani erdhi tek Krishti sigurisht që do vijë edhe tek të krishterët.

Do ishte mirë nëse të gjithë besimtarët ta mbanin mend këtë. Ata janë tepër të prirur ta harrojnë. Shpesh dallojnë mendime të liga që ngrihen në mendjen e tyre të cilat me të vërtetë mund të thonë që i urrejnë. Dyshimet, pyetjet dhe imagjinatat e mëkatshme u sugjerohen kundër të cilave revolton gjithë njeriu i tyre i brenshëm. Por këto gjëra le të mos jua prishin paqen dhe të mos jua heqin ngushëllimin. Le të kujtojnë që ekziston një djall dhe të mos habiten kur zbulojnë që ai është shumë pranë tyre. Të tundohesh nuk është në vetvete mëkat. Dorëzimi ndaj tundimit dhe lejimi i tij në zemrat tona, nga këto duhet të kemi frikë.

Së dyti le të mësojmë, që arma kryesore që duhet të përdorim për të kundërshtuar Satanin është Bibla. Armiku i madh e tundoi Zotin tonë tri herë. Të trija herët oferta e tij u refuzua duke u mbështetur tek teksti i Shkrimit, “është shkruar.”

Ja një arsye mes shumë të tjerave pse duhet të jemi lexues të zellshëm të Biblës tonë. Fjala është shpata e Frymës. Nuk do të jemi kurrë në gjendje të luftojmë një luftë të mirë nëse nuk e përdorim Fjalën si armën tonë kryesore. Fjala është llamba për këmbën tonë. Nuk do të vazhdojmë dot të ecin në udhën e mbretit drejt qiellit nëse nuk udhëtojmë nën dritën e saj. Me të drejtë mund të shqetësohemi që mes nesh nuk ka lexim të mjaftueshëm të Biblës. Nuk mjafton ta kesh Librin. Ne në fakt duhet që ta lexojmë dhe të lutemi vetë mbi Shkrimet. Nuk ka për të na sjellë dobi nëse thjesht qëndron e paprekur në shtëpinë tonë. Ne në fakt duhet të njihemi me përmbajtjen e saj dhe vargjet e saj të ruhen në mendjen dhe kujtesën tonë. Njohuria e Biblës nuk vjen kurrë në mënyrë intuitive. Ajo mund të arrihet vetëm leximit të vëmendshëm, të zellshëm, të rregullt dhe të qëllimshëm çdo ditë. Mos i druhemi kohës dhe parehatisë që do të na kostojë kjo gjë? Nëse po nuk jemi ende të përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.

Së fundi le të mësojmë se çfarë Shpëtimtari simpatizues që është Zoti Jezu Krisht. “Duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.” (Hebrenjve 2:18).

Simpatia e Jezusit është një e vërtetë që duhet të jetë në mënyrë të veçantë e dashur për të gjithë besimtarët. Në të ata kanë për të gjetur një minierë ngushëllimi të madh. Nuk duhet të harrojnë kurrë që kanë një Mik të pushtetshëm në qiell i cili i kupton në të gjitha tundimet e tyre dhe mund të bëhet pjesë e të gjitha anktheve të tyre frymërore. A tundohen ndonjëherë nga Satani që të mos i besojnë kujdesit dhe mirësisë së Perëndisë? Po kështu u tundua edhe Jezusi. A tundohen ndonjëherë që të hamendësojnë mëshirën e Perëndisë dhe të futen në telashe pa ndonjë arsye? Kështu u tundua edhe Jezusi. A tundohen ndonjëherë të kryejnë një mëkat të madh privat për hir të ndonjë përfitimi të madh në dukje? Po kështu u tundua edhe Jezusi. A tundohen ndonjëherë të dëgjojnë ndonjë keq zbatim të Shkrimit si justifikim për të bërë gjënë e gabuar? Kështu u tundua edhe Jezusi. Ai është Shpëtimtari i duhur për një popull të tunduar. Le të rendin tek Ai për ndihmë dhe të sjellin para Tij shqetësimet e tyre. Do të shohin që veshi i Tij është gjithmonë i gatshëm për të dëgjuar dhe zemra e Tij është gjithmonë e gatshme që të ndiejë për ta sepse Ai mund t’i kuptojë brengat e tyre.

E përjetofshim të gjithë ne vlerën e Shpëtimtarit simpatizues! Nuk ka asgjë tjetër që mund të krahasohet me të në këtë botë të ftohtë dhe mashtruese. Ata që e kërkojnë lumturinë e tyre vetëm në këtë jetë dhe e përbuzin besimin e Biblës nuk e kanë idenë e ngushëllimit të vërtetë që po ju shpëton.

Mateu 4:12-25
Në këto vargje kemi fillimin e shërbesës ë Zotit tonë mes njerëzve. Ai ju fut punës mes një populli të paditur dhe në errësirë. Ai zgjodhi burra që do të ishin shokët dhe dishepujt e Tij. Ai e konfirmoi shërbesën e tij me mrekulli të cilat tërhoqën vëmendjen e njerëzve nga “e gjithë Siria” dhe mblodhën turma që erdhën për ta dëgjuar.

Le të vëmë re mënyrën në të cilën Zoti ynë e nisi punën e Tij të pushtetshme. “Ai filloi të predikonte.” Nuk ka ofiq aq të nderuar sa ai i predikuesit. Nuk ka vepër aq të rëndësishme për shpirtrat e njerëzve sa predikimi. Ky është një ofiq të cilin Biri i Perëndisë nuk pati turp që ta merrte përsipër. Ky është një ofiq në të cilin Ai i caktoi dymbëdhjetë apostujt e Tij. Është ofiqi drejt të cilit Pali në moshë të shkuar e udhëzoi Timoteun. Ai e nxit pothuaj me frymën e tij të fundit që të “predikojë fjalën.” Ky është mjeti të cilin Perëndia ka qenë gjithmonë i kënaqur ta përdorë më tepër se çdo tjetër për konvertimin dhe ndërtimin e shpirtrave. Ditët më të shkëlqyera të kishës kanë qenë ato kur predikimit i është dhënë vendi i nderit. Ditët më të errëta të kishës kanë qenë ato kur ai është vlerësuar më së paku. Le t’i nderojmë sakramentet dhe lutjet publike të kishës dhe t’i përdorim ato si duhet. Por le të jemi të vetëdijshëm që të mos i vendosim ato mbi predikimin.

Le të vëmë re doktrinën e parë që Zoti Jezus i shpalli botës. Ai filloi të thoshte “pendohuni!” Nevoja e pendimit është një prej themeleve të mëdha i cili gjendet në bazë të krishterimit. Kjo duhet t’i shpallet dhe theksohet të gjithë njerëzve pa përjashtim. Të mëdhenj apo të vegjël, të pasur apo të varfër, që të gjithë kanë mëkatuar dhe janë fajtorë përpara Perëndisë; të gjithë duhet të pendohen dhe të kthehen, nëse duan që të shpëtohen. Pendimi i vërtetë nuk është gjë e parëndësishme. Është një ndryshim tërësor i zemrës për sa i përket mëkatit, një ndryshim ky që e shfaq veten në brengë dhe përulje të perëndishme si dhe në një urrejtje të vazhdueshme ndaj çdo mëkati. Një pendim i tillë është shoqëruesi i pandashëm i besimit shpëtues në Krishtin. Le ta çmojmë shumë këtë doktrinë. Kjo ka një rëndësi shumë të madhe. Asnjë mësim i krishterë nuk mund të quhet i shëndoshë nëse nuk shpall vazhdimisht “pendim ndaj Perëndisë dhe besim në Zotin tonë Jezu Krisht.” (Veprat 20:21).

Le të vëmë re se çfarë shtresa njerzësish zgjodhi Zoti Jezus si dishepuj të Tij. Ata ishin nga shtresat më të varfëra dhe më të ulëta. Pjeti dhe Andrea, Jakobi dhe Gjoni, të gjithë këta ishin “peshkatarë.”

Feja e Zotit tonë Jezu Krisht nuk u dha për të qenë vetëm feja e të pasurve dhe të edukuarve. Ajo u dha për të gjithë botën – dhe shumica botës ka për të qenë gjithmonë e varfër. Varfëria dhe padituria rreth librave i përjashton mijëra njerëz nga vëmendja e filozofëve mburravecë të botës pagane. Por këto gjëra nuk përjashtojnë askënd nga vendi më i lartë në shërbim të Krishtit. A është dikush i përulur? A i ndjen ai mëkatet e tij? A është i gatshëm të dëgjojë zërin e Krishtit dhe ta ndjekë Atë? Nëse është kështu ai mund të jetë më i varfëri i të varfërve por do të jetë po aq lart sa kushdo tjetër në mbretërinë e qiejve. Intelekti dhe para nuk vlejnë asgjë nëse nuk ke hir.

Besimi i Krishtit duhet të ketë qenë nga qielli ndryshe nuk mund të ishte përhapur kurrë kaq shumë mbi dhe. Është e kotë që jobesimtarët të përpiqen t’i përgjigjen këtij argumenti. Nuk mund t’i përgjigjesh dot. Besimi që nuk u bënte qejfin të pasurve dhe të edukuarve, një fe që nuk i jepte liri prirjeve mishore të zemrës së njeriut – një fe mësuesit e parë të së cilës ishin peshkatarë pa pasuri, rang apo pushtet, një fe e tillë nuk do kishte pasur mundësi kurrë që ta kthente botën kokëposhtë nëse nuk do kishte qenë prej Perëndisë. Shihni perandorët Romakë dhe priftërinjtë paganë me tempujt e tyre të shkëlqyer nga njëra anë! Shihni atë grusht burrash të paarsimuar me Ungjillin në anën tjetër! A ka pasur ndonjëherë dy grupe kaq të ndryshme nga njëri-tjetri? E megjithatë të dobëtit dolën që ishin të fortë dhe të fortët dolën që ishin të dobët. Paganizmi ra, dhe krishterimi zuri vendin e tij. Krishterimi duhet të jetë prej Perëndisë.

Së fundi, le të vëmë re karakterin e përgjithshëm të mrekullive përmes të cilave Zoti ynë konfirmoi misionin e Tij. Këtu na fliet për to njëherësh. Më pas do të lexojmë që shumë prej tyre përshkruhen në mënyrë të veçantë. Cili është karakteri i tyre? Ato ishin mrekulli mëshire dhe mirësie. Zoti ynë “shkoi gjithandej duke bërë mirë.”

Këto mrekulli kanë për qëllim të na mësojnë për pushtetin e Zotit. Ai që mund të shëronte të sëmurët me një prekje dhe të dëbonte demonët me një fjalë, është “në gjendje t’i shpëtojë plotësisht ata që i afrohen Perëndisë përmes Tij.” Ai është i gjithëpushtetshëm.

Këto mrekulli kanë për qëllim të jenë tipe dhe emblema të zotësisë së Zotit tonë si doktor frymëror. Ai para të cilit asnjë sëmundje trupore nuk ishte e pashërueshme është në gjendje të kurojë çdo sëmundje të shpirtit tonë. Nuk ka asnjë zemër të thyer të cilën Ai të mos e shërojë dot. Nuk ka ndërgjegje të lënduar të cilën Ai të mos e kurojë dot. Edhe pse ne jemi njerëz të rënë, të thyer, me vurrata dhe të pllakosur nga sëmundjet për shkak të mëkatit, Jezusi mund të na bëjë të plotë përmes gjakut dhe Frymës së Tij. Mjafton që të shkojmë tek Ai.

Këto mrekulli kanë gjithashtu për qëllim të na tregojnë zemrën e Krishtit. Ai është një Shpëtimtar shumë i dhembshur. Ai nuk dëboi askënd që erdhi tek Ai. Ai nuk refuzoi askënd pavarësisht sa të sëmurë dhe të përbuzur që mund të ishin. Ai kishte vesh për t’i dëgjuar të gjithë, kishte dorë për t’i ndihmuar të gjithë dhe zemër e cila ndjente për të gjithë. Nuk ka mirësi si mirësia e Tij. Dhembshuria e tij nuk dështon kurrë.

Bëjmë mirë të kujtojmë që Jezusi është “i njëjtë dje, sot dhe përjetë!” Edhe pse është lartësuar në qiellin më të lartë në të djathtë të Perëndisë Ai nuk ka ndryshuar aspak. Ai është po aq në gjëndje të shpëtojë, po aq i gatshëm të pranojë dhe po aq i gatshëm të ndihmojë sa ishte edhe para 2000 vjetësh. A nuk do t’i kishim sjellim atëherë nevojat tona përpara Tij? Le të bëjmë të njëjtën gjë edhe tani. Ai mund “mund të shërojë çdo sëmundje dhe lëngatë.”


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*