Kush është Shpengimtari?

Pyetja 20

Kush është Shpengimtari?

Shpengimtari i vetëm është Zoti Jezu Krisht, Biri i përjetshëm i Perëndisë në të cilin Perëndia u bë njeri dhe e mbarti vetë dënimin për mëkatet tona.

Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.”

1 Timoteu 2:5

Komentim

Shoh një mister të ri dhe të mrekullueshëm. Veshët më oshtijnë prej këngës së Bariut, jo thjesht një melodi e ëmbël, por kumbimin gjëmues të një himni qiellor. Engjëjt këndojnë. Krye-engjëjt bashkojnë zërat e tyre në harmoni. Kerubinët këndojnë lavdërimin e tyre të gëzueshëm. Serafinët lartësojnë lavdinë e Tij. Që të gjithë bashkohen për të lavdëruar këtë festë të shenjtë, vështrojnë Hyjninë mbi tokë, dhe njeriun në qiell. Ai që është sipër, tani për shpengimin tonë banon këtu poshtë; ai që ishte i përulur është lartësuar përmes mëshirës hyjnore. Mos pyesni sesi, atje ku është vullneti i Perëndisë rendi i natyrës i dorëzohet Atij. Ai e vendosi; Ai kishte pushtetin; Ai zbriti; Ai solli shpengimin; të gjitha iu dorëzuan me bindje Perëndisë.

Kur ishte Perëndi u bë njeri, megjithatë nuk e braktisi Hyjninë e Tij. Ai nuk u bë njeri duke humbur diçka prej hyjnisë së Tij, as nuk u bë Perëndi duke i shtuar diçka natyrës së tij njerëzore; por duke qenë Fjala Ai u bë mish, Natyra e Tij mbeti e pandryshuar për shkak të pa-kalueshmërisë së saj. I Vetëm-linduri që është para gjithë epokave, Ai që nuk mund të preket apo perceptohet, Ai që nuk kishte trup tani ka veshur një trup të dukshëm dhe nën pushtetin e prishjes. Për çfarë arsye e bëri këtë gjë? I Lashti i ditëve u bë një foshnjë. Ai që ulet mbi Fronin sublim qiellor, tani është shtrirë në një grazhd. Ai që nuk mund të preket, tani është në duart e njerëzve. Ai që i ka thyer prangat e mëkatarëve, tani është lidhur me pelenat e një foshnje.

Ai ka dekretuar që çnderimi të bëhet nder, turpi të vishet me lavdi, dhe poshtërimi total të jetë masa e Mirësisë së Tij. Për këtë arsye Ai mori një trup si imi, që unë të mund të bëhem i aftë për Fjalën e Tij; Ai mori mishin tim dhe më jep Frymën e Tij. Kështu Ai jep dhe unë marr, Ai përgatit për mua thesarin e Jetës. Ai mori mishin tim për të më shenjtëruar; Ai më jep Frymën e Tij që të mund të më shpëtojë. Fuqia e vdekjes është thyer, mallkimi është hequr, mëkati është larguar prej nesh, gabimi është dëbuar, e vërteta është sjellë pranë nesh. Si është e mundur kjo gjë? Është për shkak se Perëndia tani ka ardhur mbi tokë.

Gjon Gojarti (John Chrysostom, 347–407). Gjon Gojarti lindi në Antioki dhe ishte Kryepeshkopi i Kostandinopojës. Atij iu dha titulli “Gojarti” për shkak të predikimit të tij të zhdërvjelltë. Ai njihet nga Kisha Ortodokse dhe ajo Katolike si shenjtor dhe Doktor i Kishës. Gojarti njihet për Liturgjinë e tij Hyjnore të Shën Gjon Gojartit. Veprat e tij voluminoze të predikimit përfshijnë 67 predikime për Zanafillën, 90 për Ungjillin sipas Mateut dhe 88 për Ungjillin sipas Gjonit.

Lutje

Dhëntë Perëndia që të dimë se për shkak se jemi lindur prej Perëndisë të mos vazhdojmë të jetojmë në mëkat. Dashtë Perëndia që të dimë se Biri i Perëndisë nuk i largon sytë nga ne, kujdeset dhe na mbron. Dhëntë Perëndia që gjithmonë ta dimë se mund ta kemi këtë siguri, që ne i përkasim Perëndisë, Atit tonë Qiellor, Zotit Jezu Krisht, Birit të Tij të çmuar dhe Shpëtimtarit tonë, si dhe Frymës së Shenjtë të Cilin na e ka dhënë që të formojë Krishtin në ne dhe për të na përgatitur për lavdinë që na pret.

Martin Lloid Xhons (David Martyn Lloyd-Jones, 1899–1981). Doktor dhe pastor protestant nga Uellsi. Martin Lloid Xhons njihet më tepër për predikimet dhe mësimet e tij në Kishën Uestminster në Londër për tridhjetë vjet me radhë. Ai kalonte muaj dhe madje vite për të shpjeguar një kapitull të Biblës varg pas vargu. Botimi i tij më i famshëm është ndoshta seria e tij e komentarëve për letrën e Romakëve e cila përmban 14 volume.

New City Catechism was adapted by Timothy Keller and Sam Shammas from the Reformation catechisms. Copyright © 2012 by Redeemer Presbyterian Church.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*