Të zhgënjyer butësisht dhe në mënyrë të hirshme!

18 Dhjetor

prej John Piper

Të zhgënjyer butësisht dhe në mënyrë të hirshme

Atë ka paracaktuar Perëndia… për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë, për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe shfajësues i atij që ka besimin e Jezusit.

Romakëve 3:25–26

Historia e kthimit në besim të Martin Luterit ilustron një pikë të caktuar. Atë sa nuk e kishte vrarë rrufeja dhe i bëri një betim Perëndisë që do të bëhej murg. Por si murg ishte krejtësisht i paaftë të gjente paqe me Perëndinë. Ai e kërkoi Perëndinë në çdo mënyrë si e mësonte kisha e asaj kohe, me vepra të mira, përmes meritave të shenjtorëve, në procesin e rrëfimit dhe faljes, përmes shkallës së misticizmit. Mbi gjithë këto, e caktuan profesor në universitet për të studiuar dhe dhënë mësim Biblën.

Dëgjoni sesi e përshkroi Luteri më vonë zbulimin e tij. Si ishte përgatitur ai për ta parë dhe pranuar Krishtin për atë se kush ishte në realitet?

Dëshiroja shumë të kuptoja Letrën e Palit drejtuar Romakëve, asgjë nuk më pengonte përveç asaj shprehjes, “drejtësia e Perëndisë,” për shkak se e kuptoja si atë drejtësi me të cilën Perëndia është i drejtë dhe me të drejtë e ndëshkon të padrejtin. Situata ime ishte e tillë, edhe pse isha një murg i patëmetë, gjendesha para Perëndisë si mëkatar me ndërgjegje të shqetësuar, nuk kisha siguri që meritat e mia do ta qetësonin atë.

Prandaj nuk e doja një Perëndi të drejtë dhe të zemëruar, por përkundrazi e urreja dhe murmuritja kundër tij. Megjithatë qëndrova pranë Palit të dashur dhe kisha një dëshirë të madhe të dija se çfarë donte të thoshte ai. Natë e ditë meditoja gjersa e dallova lidhjen mes drejtësisë së Perëndisë dhe deklaratës që “i drejti do të jetojë përmes besimit.” Atëherë e kuptova që drejtësia e Perëndisë është ajo drejtësi përmes së cilës nëpërmjet hirit dhe mëshirës së tij të pastër Perëndia na shfajëson me anë të besimit. Në atë moment ndjeva që u linda sërish dhe sikur hyra përmes portave të hapura në parajsë.

Në manastir Luteri kishte arritur në fund të vetes së tij. Ishte dëshpëruar që mund ta fitonte vetë shpëtimin. Por përmes hirit të Perëndisë ai nuk hoqi dorë prej dëshirës dhe shpresës së tij. Ai e ktheu vëmendjen e tij tek ai vend ku shpresonte të gjente ndihmë – tek Bibla. Ai tha, “Kisha shumë dëshirë që të kuptoja.” Ai tha, “Kisha një dëshirë të madhe” për të ditur se çfarë kuptimi kishte. Pastaj tha, “Natë e ditë meditoja.”

Me fjalë të tjera, Perëndia e përgatiti Luterin të shihte kuptimin e vërtetë të Krishtit dhe ta pranonte, duke trazuar një dëshirë të thellë dhe të fuqishme në zemrën e tij për ngushëllimin dhe shpengimin që mund të vinte vetëm prej Krishtit.

Këtë gjë bën Perëndia herë pas here. Ai mund të jetë duke e bërë për ju këtë stinë Adventi – duke ju zhgënjyer me butësi dhe në mënyrë të hirshme përmes jetës që nuk ka Krishtin në qendër, duke ju mbushur me dëshira dhe ëndje të cilat s’mund ta gjejnë përmbushjen e tyre në atë që ju ofron kjo botë, por vetëm në Perëndinë-njeri.

Çfarë dhurate për Krishtlindje mund të jetë kjo! Ju shtyfshin të gjitha zhgënjimet tuaja me këtë botë drejt Fjalës së Perëndisë. Ajo ka për të qenë e ëmbël – sikur të jeni duke hyrë në parajsë.

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*