Madhëroni Perëndinë me paranë tuaj!

14 Dhjetor 1997, prej John Piper

Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë. Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren. Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.”

Luka 12:32-34

Thelbi i brendshëm i adhurimit është çmuarja e Perëndisë si pafundësisht i vlefshëm mbi gjithçka tjetër. Format e jashtme të adhurimit janë veprimet që tregojnë sa shumë e çmojmë Perëndinë si thesarin tonë. Prandaj e gjithë jeta duhet të jetë adhurim për shkak se Perëndia tha, nëse hani, nëse pini apo nëse bëni ndonjë gjë tjetër – gjithë jeta juaj – bëjini të gjitha për të treguar sa e vlefshme është lavdia e Perëndisë për ju (1 Korintasve 10:31). Paraja dhe pasuritë janë pjesë e madhe e jetës, dhe si rrjedhim Perëndia ka për qëllim që ato të jenë një pjesë e madhe e adhurimit – përderisa e gjithë jeta duhet të jetë adhurim. Prandaj mënyra sesi ju adhuroni me paratë dhe pasuritë tuaja është duke i marrë dhe duke i përdorur, duke i humbur ato në mënyrë të atillë që tregon sa shumë e çmoni Perëndinë dhe jo paranë tuaj. Për këtë gjë flet ky tekst. Prandaj është vërtet një tekst për adhurimin.

Ka një vend për adhurimin e përbashkët – ajo që bëjmë çdo të Dielë kur mblidhemi bashkë. Të njëjtat përkufizime vlejnë edhe këtu si kudo tjetër: thelbi i adhurimit në këtë rast është qëndrimi i brendshëm i çmuarjes së Perëndisë si pafundësisht të vlefshëm. Format e adhurimit dhe veprat që e shprehin këtë çmuarje të brendshme të Perëndisë (predikimi dhe dëgjimi i fjalës së Perëndisë, lutja, dhënia, pjesëmarrja në Darkën e Zotit, e kështu me radhë). Një prej këtyre akteve të adhurimit të përbashkët në kishën tonë është ajo që e quajmë “oferta” – një moment afër mesit të adhurimit tonë të përbashkët kur e adhurojmë Perëndinë me paranë tonë, duke e lëshuar nga duart tona për ta vendosur në bankë për misionin dhe shërbesën e Krishtit.

Prandaj ky veprim i caktuar adhurimi në shërbesën e adhurimit të përbashkët është një pjesë e vogël brenda modelit të madh të adhurimit me paranë tonë të cilën e bëjmë çdo ditë ndërsa fitojmë, shpenzojmë, kursejmë dhe japim para. Teksti i sotëm, Luka 12:32-34 ka të bëjë me tablonë e madhe sesi adhurojmë me paranë tonë, dhe si rrjedhim ka lidhje edhe me atë që bëjmë me paranë tonë në adhurimin e përbashkët. Prandaj le të shohim disa nga pikat kryesore të këtij teksti, le ta zbatojmë në përgjithësi në jetën tonë dhe në veçanti në dhënien tonë të përbashkët.

Mos kini frikë

Pika e parë e tekstit (në vargun 32) është që Perëndia na urdhëron të mos kemi frikë kur bëhet fjalë për paranë dhe pasuritë. Mos u shqetësoni, mos kini frikë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Por ka edhe një mënyrë tjetër për ta thënë këtë ide e cila shkon edhe më thellë se kaq. Arsyeja pse Perëndia nuk dëshiron të kemi frikë për sa i përket parasë dhe pasurive është për shkak se kjo do të lartësojë pesë karakteristika madhështore rreth Tij. Të mos pasurit frikë ka për t’i bërë jehonë faktit se sa shumë i çmojmë këto pesë gjëra rreth Perëndisë. Me fjalë të tjera, të mos pasurit frikë do të bëhet një veprim i bukur i brendshëm adhurimi.

Së pari, të mos pasurit frikë tregon që ne e çmojmë Perëndinë si Bariun tonë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Ne jemi tufa e tij dhe ai është Bariu ynë. Nëse Ai është Bariu ynë atëherë Psalmi 23 vlen për ne, “Zoti është Bariu im, asgjë nuk do të më mungojë” – kjo do të thotë që nuk do të më mungojë asnjë gjë për të cilën vërtet kam nevojë. Të mos pasurit frikë e lartëson faktin sa i çmuar është Bariu ynë.

Së dyti, të mos pasurit frikë tregon që ne e çmojmë Perëndinë si Atin tonë. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Ne nuk jemi vetëm tufa e tij; ne jemi gjithashtu fëmijët e Tij, dhe Ai është Ati ynë. Domethënia e kësaj bëhet e qartë në vargun 30, “sepse njerëzit e botës i kërkojnë të gjitha këto, por Ati juaj e di që ju keni nevojë për to.” Me fjalë të tjera, Ati juaj vërtet kujdeset dhe e di çfarë keni nevojë, Ai do të veprojë që ju të jeni të sigurt që keni atë që iu nevojitet. (Kini kujdes që të mos i diktoni Perëndisë atë që mendoni se është “nevojë”, përkundrazi, mësoni çfarë mendon Ai që është “nevojë”!)

Së treti, të mos pasurit frikë tregon që e çmojmë Perëndinë si Mbret. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Ai mund të na e japë “mbretërinë” për shkak se Ai është Mreti. Kjo i shton një fuqi të jashtëzakonshme Atij që siguron për ne. Titulli “Bari” nënkupton mbrojtje dhe sigurim. “At” nënkupton dashuri, butësi, autoritet, sigurim dhe udhëzim. “Mbret” nënkupton fuqi, sovranitet dhe pasuri. Prandaj nëse i besojmë Perëndisë si Bariu, Ati dhe Mbreti, nëse nuk kemi frikë për paranë apo pasuritë, atëherë do të tregojmë sa real dhe i çmuar është Perëndia për ne në të gjitha këto mënyra. Kështu Perëndia ka për t’u adhuruar.

Së katërti, të mos pasurit frikë tregon sa i lirë dhe bujar është Perëndia. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” Vini re, ai e jep mbretërinë. Ai nuk e shet, nuk e jep me qira dhe as e jep hua. Ai e jep. Ai është pafundësisht i pasur dhe nuk ka nevojë për pagesën tonë. Gjithçka që përpiqemi t’i japim Atij tashmë është e Tij. “Çfarë ke ti që nuk e ke marrë?” (1 Korintasve 4:7). Prandaj Perëndia është bujar dhe i lirë me bollëkun e Tij. Këtë gjë rreth Tij e lartësojmë kur nuk kemi frikë por i besojmë Atij me nevojat tona.

Përfundimisht, të mos pasurit frikë tregon që e çmojmë Perëndinë si Perëndi të lumtur. “Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.” “Atit tuaj i pëlqeu.” “I pëlqeu” Atij t’ju japë mbretërinë. Ai dëshiron ta bëjë këtë gjë. Kjo gjë e gëzon Atë. Jo të gjithë ne kemi pasur etër të tillë – të cilëve u pëlqente të na jepnin gjëra, të cilët lumturoheshin duke na dhënë në vend që të na merrnin. Por kjo nuk ka rëndësi, për shkak se tani mund të kesh një At, një Bari dhe një Mbret të tillë. Besoji Atij si Ati yt përmes veprës pajtuese të Jezusit dhe do të zbulosh që Ai është Ati yt.

Prandaj, pika e parë nga ky tekst është që duhet ta çmojmë Perëndinë si Bariun, Atin dhe Mbretin tonë bujar dhe të lumtur që na jep mbretërinë e Perëndisë – na jep qiellin, jetën e përjetshme dhe gëzimin, si dhe gjithçka kemi nevojë për të arritur atje. Nëse e çmojmë Perëndinë si thesarin tonë në këtë mënyrë – nëse i besojmë Atij – nuk do të kemi frikë dhe Perëndia ka për t’u adhuruar. Ky është themeli i gjithë pjesës tjetër të tekstit dhe të këtij predikimi. Ato që vijnë më pas janë të mundura për shkak të këtij premtimi.

Një shtysë drejt thjeshtësisë dhe jo drejt akumulimit

Pika e dytë është kjo: t’i besosh Perëndisë në këtë mënyrë përmban një impuls të fortë drejt thjeshtësisë në vend të akumulimit të gjërave. Vargu 33 thotë, “Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.”

Fokusohuni për një moment tek fjalët, “Shitni pasuritë tuaja.” Kujt po i fliste Jezusi? Vargu 22 na e jep përgjigjen: “Pastaj u tha dishepujve të vet: ”Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni.” Në përgjithësi këta nuk ishin njerëz të pasur. Ata nuk kishin shumë pasuri. Por Ai ende u thotë, “Shitni pasuritë tuaja.” Ai nuk u thotë sa shumë pasuri të shesin. Të riut pasanik tek Luka 18:22 Jezusi i tha, “shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.” Kur Zakeu u takua me Jezusin ai i tha (Luka 19:8), “Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t’ia kthej katërfish.” Kështu Zakeu dha pesëdhjetë përqind të pasurive të tij. Tek Veprat 4:37 thuhet, “Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë “biri i ngushëllimit”), Levit, me prejardhje nga Qipro, kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve.” Ai pra shiti të paktën një arë.

Prandaj Bibla nuk na thotë sa shumë pasuri të shesim. Por pse thotë që të shesim pasuritë tona? Pse? Të japim lëmoshë – ta përdorim paranë tonë për të treguar dashuri për ata që nuk kanë domosdoshmëritë e jetës dhe që janë pa ungjillin (domosdoshmërinë e jetës së përjetshme) – kjo është aq e rëndësishme saqë nëse nuk keni ndonjë gjë për të dhënë, duhet të shisni diçka në mënyrë që të jepni. Por mendoni pak se çfarë do të thotë kjo gjë në kontekst. Këta dishepuj nuk janë pasanikë të kamur në para apo pronarë pronash të pafundme. Shumë njerëz të tillë në fakt kanë kursime të mëdha. Por Jezusi nuk tha, “Merrni disa prej kursimeve tuaja dhe jepni lëmoshë.” Ai tha, “Shitni diçka dhe jepni lëmoshë.” Pse? Hamendësimi më i thjeshtë është që këta njerëz jetonin aq pranë kufirit të varfërisë saqë nuk kishin para për të dhënë dhe duhej të shisnin diçka në mënyrë që të kishin çfarë të jepnin. Jezusi dëshironte që populli i tij të lëvizte drejt thjeshtësisë dhe jo drejt akumulimit.

Cila pra është ideja? Ideja është që ka një impuls të fuqishëm në jetën e Krishterë për të shkuar drejt thjeshtësisë dhe jo drejt akumulimit. Ky impuls vjen prej çmuarjes së Perëndisë si Bariu, Ati dhe Mbreti ynë më tepër se sa çmojmë pasuritë tona. Ky është impuls i fortë për dy arsye. Njëra është që Jezusi tha, “Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!” (Luka 18:24). Tek Luka 8:14 Jezusi tha që pasuritë “ia marrin frymën” fjalës së Perëndisë. Por ne dëshirojmë shumë më tepër të hyjmë në mbretëri sesa thjesht pasuritë. Nuk dëshirojmë që fjalës së Perëndisë në jetën tonë t’i merret fryma. Prandaj ka një impuls të fortë drejt thjeshtësisë dhe jo drejt akumulimit.

Arsyeja tjetër është që ne dëshirojmë që çmueshmëria e Perëndisë të manifestohet në botë. Jezusi na thotë që shitja e pasurive dhe dhënia lëmoshë është një mënyrë për të treguar që Perëndia është real dhe i çmuar si Bari, At dhe Mbret.

Prandaj pika e dytë është që besimi tek Perëndia si Bari, At dhe Mbret përcjell një impuls të fortë drejt thjeshtësisë dhe jo drejt akumulimit. Kjo gjë shpreh adhurimin nga vendi i thellë dhe i fshehtë i zemrës në veprime më të dukshme për lavdinë e Perëndisë.

Maksimizimi i Thesarit tonë në Qiell, jo atij mbi Tokë

Pika e tretë nga ky tekst është se qëllimi i parasë është për të maksimizuar thesarin tonë në qiell, dhe jo atë mbi tokë. Sërish vargu 33 thotë, “Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.” Cila është lidhja mes shitjes së pasurive këtu në mënyrë që të përmbushni nevojat e të tjerëve (pjesa e parë e vargut), dhe akumulimit të thesarit për vete në qiell (fundi i vargut)?

Lidhja duket se është kjo: ashtu si bëni trasta për paratë të cilat nuk vjetrohen dhe mënyra sesi grumbulloni thesare në qiell të cilat nuk humbasin kurrë është përmes shitjes së pasurive tuaja për të plotësuar nevojat e të tjerëve. Me fjalë të tjera, thjeshtësia për hir të dashurisë mbi tokë e maksimizon gëzimin tuaj në qiell.

Kjo pikë shumë radikale të mos iu shpëtojë. Kjo është mënyra sesi Jezusi mendon dhe flet gjatë gjithë kohës. Të kesh qiellin në mendje do të thotë të sjellësh një ndryshim radikal dhe të dashur në këtë botë. Njerëzit që janë bindur më fuqishëm se ajo që ka më tepër rëndësi është thesari në qiell, jo akumulimi i parasë këtu, janë njerëzit që vazhdimisht do të ëndërrojnë për mënyra thjeshtësimi dhe shërbimi, thjeshtësim dhe shërbim, thjeshtësim dhe shërbim. Ata kanë për të dhënë vazhdimisht. Sigurisht që do të punojnë vazhdimisht ashtu siç thotë Pali tek Efesianëve 4:29, “që të keni t’i jepni diçka atij që ka nevojë.”

Lidhja me adhurimin është kjo: Jezusi na urdhëron të akumulojmë thesare në qiell, domethënë, të maksimizojmë gëzimin tonë në Perëndinë. Ai thotë që mënyra për ta bërë këtë gjë është duke shitur pasuritë tona dhe duke jetuar me thjeshtësi për hir të të tjerëve. Ai kështu motivon thjeshtësinë dhe shërbimin përmes dëshirës tonë për të maksimizuar gëzimin tonë në Perëndinë. Kjo do të thotë që gjithë përdorimi i parasë prej nesh bëhet manifestim i faktit se sa më tepër kënaqemi në Perëndinë se sa me paranë dhe pasuritë. Ky është adhurim.

Zemra jote shkon drejt asaj që çmon

Pika e fundit nga ky tekst për këtë mëngjes është kjo: zemra juaj shkon drejt asaj që çmoni, dhe Perëndia dëshiron që të lëvizni drejt Tij. Vargu 34 thotë, “Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.” Kjo jepet si arsyeja pse duhet të kërkojmë thesarin në qiell i cili nuk humbet: “Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.” Nëse thesari juaj është në qiell atje ku është Perëndia, atëherë edhe zemra juaj do të jetë atje.

Çfarë është duke thënë në të vërtetë ky varg i thjeshtë në dukje? Fjalën “thesar” unë e kuptoj si “objekti që çmohet.” Fjalën “zemër” e kuptoj si “organi që çmon objektin.” Prandaj lexojeni vargun kështu: “Atje ku të jetë objekti që ju çmoni, atje ka për të qenë edhe organi me të cilin e çmoni këtë objekt.” Nëse objekti që çmoni është Perëndia në qiell, zemra juaj do të jetë me Perëndinë në qiell. Ju do të jeni me Perëndinë. Por nëse objekti që ju çmoni është paraja dhe gjërat mbi tokë, atëherë zemra juaj do të jetë mbi tokë. Ju do të jeni mbi tokë, të shkëputur prej Perëndisë.

Këtë donte të thoshte Jezusi tek Luka 16:13 kur tha, “Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njërin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” T’i shërbesh parasë do të thotë të çmosh paranë dhe të ndjekësh gjithë përfitimet që paraja mund të të japë. Zemra shkon pas parasë. Por t’i shërbesh Perëndisë do të thotë të çmosh Perëndinë dhe të ndjekësh gjithë përfitimet që Perëndia mund të të japë. Zemra shkon pas Perëndisë.

Ky është adhurimi: zemra që çmon Perëndinë dhe e kërkon atë si thesar mbi gjithë thesaret e tjerë.

Oferta – Një akt adhurimi

Po e mbyll thjesht duke i lidhur këto katër pika me aktin e përbashkët të adhurimit të cilin e quajmë “oferta.” Ky moment dhe ky veprim në takimin tonë do të jetë adhurim për ju, pavarësisht nga sasia – qofshin dy monedhat e vejushës, qofshin mijërat e milionerëve – nëse përmes dhënies thoni nga zemra: 1) I besoj Perëndisë si Bariu, Ati dhe Mbreti im bujar dhe i lumtur, prandaj nuk do të kem frikë kur të kem më pak para për vete ndërsa plotësoj nevojat e të tjerëve; 2) Kështu i rezistoj presionit të pabesueshëm në kulturën tonë për të akumuluar gjithnjë e më tepër dhe zgjedh të ndjek impulsin për të shkuar drejt thjeshtësisë për hir të të tjerëve; 3) Kështu grumbulloj thesare në qiell dhe jo mbi tokë në mënyrë që gëzimi im në Perëndinë të maksimizohet përgjithmonë; dhe 4) me këtë ofertë deklaroj që përderisa thesari im është në qiell, zemra ime ndjek Perëndinë.

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*