Martesa: Shembëlltyra e Perëndisë për Hirin që ruan besëlidhjen!

11 Shkurt, 2007 | prej Xhon Pajpër

Kolosianëve 2:13-15, 3:12-19

Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq; dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të.

Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju. Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë. Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës! Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja! Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij. Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin. Ju bashkëshortë, duaini bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre.

Ajo që kemi parë dy javët e fundit është që gjëja më themelore që mund të themi për martesën është që ajo është vepër e Perëndisë, gjëja më e lartë që mund të themi për martesën është që ajo ka si qëllim të reflektojë Perëndinë. Këto dy pika theksohen prej Moisiut tek Zanafilla 2. Por bëhen edhe më të qarta prej Jezusit dhe Palit në Dhiatën e Re.

Jezusi: Martesa është vepër e Perëndisë

Jezusi e bën e bën shumë të qartë që martesa është vepër e Perëndisë. Marku 10:6-9 thotë, “Në fillim të krijimit, Perëndia i bëri mashkull e femër [Zanafilla 1:27]. Për këtë arsye njeriu do ta braktisë babanë e tij dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij; dhe të dy do të jenë një mish i vetëm [Zanafilla 2:24]; kështu nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj njeriu të mos ndajë atë që Perëndia e ka bashkuar!” Kjo është deklarata më e qartë në Bibël që martesa nuk është thjesht punë e njerëzve. Fjalët “Perëndia e ka bashkuar” na tregojnë që kjo është vepër e Perëndisë.

Pali: Martesa është reflektim i Perëndisë

Pali e bën më të qartë pikën që martesa është ideuar të jetë reflektim i Perëndisë. Tek Efesianëve 5:31-32, Pali citon nga Zanafilla 2:24 dhe pastaj na tregon misterin që ka ruajtur gjithmonë martesa, “’Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm’. Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.” Me fjalë të tjera besëlidhja që përfshihet në lënien e nënës dhe babait, bashkimit me gruan e vet dhe të bërët një mish është një portret i besëlidhjes mes Krishtit dhe kishës së tij. Qëllimi përfundimtar i ekzistencës së martesës është që të shpalosë dashurinë që ruan besëlidhjen mes Krishtit dhe kishës së tij.

Një model për Krishtin dhe kishën

E pyeta Noelën nëse kishte ndonjë gjë që ajo dëshironte ta thosha sot. Atjo më tha, “Nuk mund ta thuash tepër shpesh që martesa është një model për Krishtin dhe kishën.” Mendoj që ajo ka të drejtë dhe për këtë gjë ka të paktën tri arsye: 1) Kjo e nxjerr martesën nga moçali i imazheve të trishta të telenovelave dhe i jep kuptimin madhështor që Perëndia kishte në mëndje për të, 2) kjo i jep martesës një bazë të qëndrueshme në hir, përderisa Krishti e fitoi dhe e mbështet nusen e tij vetëm përmes hirit; dhe 3) kjo tregon që kryesia e burrit dhe nënshtrimi i gruas janë tepër kritikë dhe të kryqëzuara në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë që të dyja këto qëndrime janë të ndërthurura në vetë kuptimin e martesës si reflektim i Krishtit dhe kishës, por që të dyja janë përkufizuar prej veprës vetëmohuese të Krishtit në kryq dhe kështu është anuluar krenaria dhe skllavëria e tyre.

Në dy mesazhet e para kemi trajtuar arsyen e parë nga të treja: kemi dhënë themelin e martesës si reflektim i dashurisë së besëlidhjes së Perëndisë. Martesa është një besëlidhje mes një burri dhe një gruaje në të cilën ata premtojnë të jenë bashkëshort dhe bashkëshorte besnikë në një bashkim të ri në një mish, për aq kohë sa të jetojnë. Kjo besëlidhje, e vulosur me betimet solemne dhe me bashkimin seksual është projektuar për të qenë shembëlltyra e hirit të Perëndisë që e ruan besëlidhjen.

Një bazë e qëndrueshme në hir

Ky është titulli i mesazhit të sotëm, “Martesa: Shembëlltyra e Perëndisë për Hirin që ruan besëlidhjen.” Prandaj tani do shohim arsyen e dytë që ju thashë pse Noela kishte të drejtë që nuk mund ta themi mjaftueshëm që martesa është një model për Krishtin dhe kishën: domethënë, që kjo gjë i jep martesës një bazë të qëndrueshme në hir, përderisa Krishti e fitoi dhe e mbështet nusen e tij vetëm përmes hirit.

Me fjalë të tjera, pika kryesore sot është që përderisa besëlidhja e re e Krishtit me kishën është krijuar dhe mbështetet prej hirit të blerë me gjakun e tij, atëherë, martesat njerëzore kanë për qëllim të shpalosin këtë hir të besëlidhjes së re. Mënyra sesi e reflektojnë këtë hir është duke gjetur prehje në përjetimin e hirit të Perëndisë dhe duke e drejtuar jashtë nga një përjetim vertikal me Perëndinë në një përjetim horizontal me bashkëshorten apo bashkëshortin. Kjo do të thotë që në martesë jetoni orë pas ore në një varësi të gëzuar tek falja, shfajësimi dhe hiri i Perëndisë që na është premtuar për të ardhmen; pastaj këtë përjetim e përcjellim orë pas ore drejt bashkëshortes apo bashkëshortit tonë – një përcjellje e faljes së Perëndisë, shfajësimit të Perëndisë dhe ndihmës që Ai ka premtuar të na japë në të ardhmen. Kjo është pika që do trajtojmë sot.

Rëndësia qëndrore e Faljes, Shfajësimit dhe Hirit

Jam i vetëdijshëm që të gjithë të krishterët duhet ta bëjnë këtë gjë në të gjitha marrëdhëniet e tyre (jo vetëm të krishterët e martuar); domethënë të jetojmë orë pas ore përmes hirit falës, shfajësues dhe gjithë furnizues të Perëndisë dhe pastaj ta përcjellim të gjithë këtë hir tek njerëzit e tjerë në jetën tonë. Jezusi thotë që e gjithë jeta jonë është një reflektim i lavdisë së Perëndisë (Mateu 5:16). Por martesa është ideuar të jetë një reflektim unik i hirit të besëlidhjes së Perëndisë për shkak se ndryshe nga gjithë marrëdhëniet e tjera njerëzore, bashkëshorti dhe bashkëshortja janë të lidhur prej besëlidhjes në marrëdhënien më intime të mundshme për gjithë jetën e tyre. Ka role të veçanta kryesie dhe nënshtrimi, por kjo nuk është ajo për të cilën dëshiroj të flas sot. Për këto do flasim më vonë. Sot po i konsideroj bashkëshortin dhe bashkëshorten thjesht si besimtarë të krishterë, dhe jo si një analogji e kreut dhe trupit. Para se një burrë dhe një grua të zbatojnë rolet e tyre unike në mënyrë biblike dhe të hirshme, domethënë kryesinë dhe nënshtrimin, ata duhet të zbulojnë çfarë do të thotë që ta ngrejnë jetën e tyre mbi përjetimin vertikal të faljes, shfajësimit dhe ndihmës që na është premtuar dhe pastaj ta tejçojmë këtë përjetim në nivelin horizontal drejt bashkëshortes apo bashkëshortit. Prandaj ky është fokusi i mesazhit të sotëm.

Për ta thënë sipas mesazhit të javës së kaluar: Çelësi për të qenë lakuriq dhe për të mos pasur turp (shih Zanafilla 2:25), kur realtiteti është që bashkëshorti dhe bashkëshortja bëjnë shumë gjëra për të cilat duhet të na vijë turp, është përjetimi i dimensionit vertikal të hirit falës dhe shfajësues të Perëndisë dhe tejçimi i tij horizontal tek njëri-tjetri, dhe reflektimi i këtij hiri para botës.

Zemërimi i Perëndisë po vjen

Shkurtimisht le të shohim themelin për këtë të vërtetë tek letra e Kolosianëve. Do të fillojmë me Kolosianët 3:6, “për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes.” Nëse thoni “gjëja e fundit që dëshiroj të dëgjoj për martesën time me probleme është zemërimi i Perëndisë,” jeni pak a shumë si një peshkatar i zhgënjyer në brigjet e Indonezisë në 26 Dhjetor 2004 që mund të ishte duke thënë, “Gjëja e fundit për të cilën dëshiroj të dëgjoj në biznesin e pasuksesshëm të peshkimit është për një tsunami.” Një kuptim i thellë për frikën dhe zemërimin e Perëndisë është ekzaktësisht ajo gjë për të cilën kanë nevojë shumë martesa, për shkak se pa këtë, ungjilli reduktohet thjesht në marrëdhënie njerëzore dhe kështu e humbet lavdinë e tij biblike. Pa këtë gjë, do të tundoheni të mendoni që zemërimi juaj, kundër bashkëshortes apo bashkëshortit është tepër i madh për t’u mposhtur, kjo për shkak se nuk e keni shijuar kurrë sesi është kur një zemërim jashtëzakonisht më i madh mposhtet prej hirit, domethënë, zemërimi i Perëndisë kundër jush.

Heqja e zemërimit të Perëndisë

Prandaj fillojmë me zemërimin e Perëndisë dhe me heqjen e tij. Tani le të kthehemi tek Kolosianëve 2:13-14, “Dhe bashkë me të [Krishtin] Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet. Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq.” Fjalët e fundit janë më kritiket. Këtë dokument të borxheve që dëshmonte kundër nesh Perëndia e hoqi tej duke e gozhduar në kryq. Kur ndodhi kjo gjë? Para dy mijë vjetësh. Kjo nuk ndodhi brenda jush, dhe as nuk ndodhi me ndihmën tuaj. Perëndia e bëri këtë gjë për ju dhe jashtë jush përpara se ju të kishit lindur. Ky është objektiviteti i madh i shpëtimit tonë.

Dokumenti i borxheve u anullua në Kryq

Sigurohuni që ta shihni të vërtetën më të mrekullueshme dhe më të mahnitshme nga të gjitha: Perëndia e mori regjistrin e të gjitha mëkateve tuaja të cilat ju bënin borxhlinj ndaj zemërimit (mëkatet janë ofendime kundër Perëndisë të cilat sjellin zemërimin e tij mbi ne). Në vend që t’jua mbajë përpara syve dhe t’i përdorë si një verdikt për t’ju dërguar në ferr, Ai e vendosi këtë dokument në pëllëmbët e Birit të tij dhe i gozhdoi ato në kryq.

Mëkatet e kujt u gozhduan në kryq? Mëkatet e kujt u ndëshkuan në kryq? Përgjigja: Mëkatet e mia. Mëkatet e Noelës – mëkatet e bashkëshortes time dhe mëkatet e mia – mëkatet e të gjithë atyre që janë të dëshpëruar për shkak se nuk mund ta shpëtojnë dot veten dhe kështu besojnë vetëm në Krishtin. Duart e kujt u gozhduan në kryq? Kush u ndëshkua në kryq? Jezusi! Për këtë gjë ka një emër të bukur. Kjo gjë quhet zëvendësim. Perëndia i ndëshkoi mëkatet e mia në trupin e Krishtit (Romakëve 8:3). Burra, këtë të vërtetë nuk mund të thoni kurrë që e besoni aq sa duhet. Gra, as ju nuk mund të thoni që e besoni këtë të vërtetë aq sa duhet.

Shfajësimi shkon përtej Faljes

Nëse shkojmë pas dhe përbledhim gjithë kuptimin tonë për shfajësimin nga letra e Romakëve mund të themi shumë më tepër. Shfajësimi shkon përtej faljes. Jo vetëm që jemi falur për shkak të Krishtit, por Perëndia na ka shpallur të drejtë për shkak të Krishtit. Perëndia kërkon dy gjëra prej nesh: ndëshkim për mëkatet tona dhe përsosmëri në jetën tonë. Mëkatet tona duhet të ndëshkohen dhe jeta jonë duhet të jetë e drejtë. Por ne nuk mund ta mbajmë dot dënimin tonë (Psalmet 49:7-8), dhe as nuk mund të sigurojmë dot drejtësinë tonë. Asnjë nuk është i drejtë, as edhe një (Romakëve 3:10).

Prandaj, prej dashurisë së tij të pamasë për ne, Perëndia siguroi Birin e tij që t’i bënte të dyja këto gjëra. Krishti mbarti ndëshkimin tonë dhe përmbushi drejtësinë tonë. Kur e pranojmë Krishtin Gjoni 1:12), gjithë ndëshkimi i tij dhe gjithë drejtësia e tij na llogariten edhe ne (Romakëve 4:4-6, 5:19, 5:1, 8:1, 10:4, Filipianëve 3:8-9, 2 Korintasve 5:21).

Shfajësimi i tejçuar jashtë

Ky është realiteti vertikal që duhet të tejçohet horizontalisht jashtë drejt bashkëshortes apo bashkëshortit tonë nëse martesa jonë ka për të reflektuar hirin beslidhje-bërës dhe beslidhje-ruajtës të Perëndisë. Këtë gjë e shohim tek Kolosianëve 3:12-13, “Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin, duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.”

“Sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju,” me bashkëshortin apo bashkëshorten tuaj. Ashtu si Zoti “duron” me ju, ashtu edhe ju duhet të tregoni durim me bashkëshorten apo bashkëshortin tuaj. Zoti ju “duron” çdo ditë ndërsa ju nuk e zbatoni vullnetin e tij. Në fakt, distanca mes asaj që Krishti pret prej jush dhe asaj që ju arrini është pafundësisht më e madhe se distanca mes asaj që prisni prej bashkëshortit/bashkëshortes tuaj dhe asaj që ata arrijnë. Krishti gjithmonë duron dhe fal më shumë se ne. Falni ashtu si jeni falur. Duroni ashtu si ai duron me ju. Kjo vlen për këdo, i martuar apo i pamartuar, besimtar apo jobesimtar. Bëni që masa e hirit të Perëndisë e treguar për ju në kryqin e Krishtit të jetë masa e hirit tuaj ndaj bashkëshortes/bashkëshortit tuaj.

Nëse jeni martuar me një besimtar mund të shtojmë edhe këtë: Ashtu si Zoti ju llogarit ju të drejtë në Krishtin, edhe pse nuk jeni të tillë në qëndrim apo sjellje reale, kështu edhe ju llogariteni bashkëshorten/bashkëshortin tuaj të drejtë në Krishtin, edhe pse ajo apo ai nuk janë të tillë. Me fjalë të tjera, Kolosianëve 3 thotë, merreni hirin, mëshirën dhe shfajësimin vertikal dhe tejçojeni horizontalisht tek bashëshortja/bashkëshorti juaj. Për këtë arsye ekziston martesa, qëllimi i saj përfundimtar është të reflektojë hirin beslidhje-ruajtës të Krishtit.

Nevoja për urtësi të rrënjosur në Ungjill

Tani në këtë pikë mund të dalin qindra situata të ndërlikuar të cilat kërkojnë një urtësi të thellë frymërore të rrënjosur në këto të vërteta të ungjillit, dhe në vitet e gjata të përjetimit besnik dhe me dhimbje. Me fjalë të tjera, nuk ka mundësi sesi ta zbatoj këtë mesazh në nevojat e veçanta të kujtdo. Përveç predikimit ne kemi nevojë për Frymën e Shenjtë, kemi nevojë për lutje, kemi nevojë vetë për meditim mbi Fjalën, kemi nevojë të lexojmë zbulimet e të tjerëve, kemi nevojë për këshillat e miqve të mençur që janë rregjur me vuajtjen, kemi nevojë që kisha të na mbështesë kur gjithçka shkërrmoqet. Prandaj nuk kam asnjë iluzion që mund të them gjithë sa duhet thënë në mënyrë që t’ju ndihmoj.

Jeto vertikalisht, pastaj tejço horizontalisht

Mund të jetë e dobishme që ta mbyllim duke dhënë disa arsye pse jam duke e theksuar dashurinë e beslidhjes si falje dhe llogaritjen e tjetrit si të drejtë. A nuk besoj që duhet të kënaqemi në personin tjetër? Po, e besoj. Por përjetimi dhe Bibla më shtyjnë në këtë drejtim. Është e sigurt që Jezusi është martuar me nusen e tij, kishën, dhe është e qartë që është e mundur dhe e mirë t’i pëlqejmë Zotit (Kolosianëve 1:10). Ai sigurisht që është pafundësisht më i denjë për kënaqësinë tonë në të. Ky është ideali në martesë: dy njerëz që e përulin veten dhe kërkojnë të ndryshojnë në mënyra të perëndishme që i pëlqejnë bashkëshortes/bashkëshortit, plotësojnë nevojat e tyre fizike dhe emocionale, t’i pëlqejmë njëri-tjetrit në çdo gjë të mirë. Po. Marrëdhënia e Krishtit me kishën i përfshin të gjitha këto. Por arsyet pse po e theksoj të jetuarit vertikalisht nga hiri i Perëndisë dhe tejçimi i këtij hiri horizontalisht në falje dhe shfajësim ndaj bashkëshortes/bashkëshortit tuaj janë, 1) për shkak se do ketë konflikt prej mëkatit dhe ndryshimit (ju madje nuk do jeni në gjëndje të bini dakord njëri me tjetrin se çfarë është thjesht ndryshe tek ju dhe çfarë është mëkat); dhe 2) për shkak se puna e rëndë dhe e ashpër e durimit dhe faljes është ajo që bën të mundur që ndjenjat të gjallërohen kur duket se kanë humbur; dhe 3) për shkak se Perëndia merr lavdi kur dy njerëz shumë të ndryshëm dhe tepër të papërsosur farkëtojnë një jetë besnikërie në furrën e mundimit duke u mështetur tek Krishti.

Në Krishtin Perëndia të ka falur ty dhe bashkëshortin/bashkëshorten tënde

Herën e ardhshme do ta vazhdoj mesazhin këtu ku po e lëmë sot dhe do t’ju tregoj për një zbulim që Noela dhe unë kemi bërë. Them se ky mesazh do të quhet “predikimi i kompostos.”

Deri atëherë, ju bashkëshortë dhe bashkëshorte, ngulitini në ndërgjegjen tuaj këto të vërteta të mëdha – këto të vërteta që janë më të mëdha se çfarëdo problemi që mund të keni në martesën tuaj, “Perëndia na ka falur të gjitha shkeljet tona, duke e anuluar dokumentin e borxheve që ishte kundër nesh me kërkesat e tij të ligjshme. Këtë dokument ai e hoqi mënjanë dhe e gozhdoi në kryq.” Besojeni këtë të vërtet me gjithë zemrën tuaj dhe tejçojeni horizontalisht drejt bashkëshortes apo bashkëshortit tuaj.

Read it in English

© Desiring God

Leje: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë dhe të mos merrni asnjë pagesë përveç kostos së riprodhimit. Për postimet në internet, preferohet të bëhet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit. Çdo përjashtim nga leja e mësipërme duhet të aprovohet prej shërbesës Desiring God.

By John Piper. © Desiring God. Website: desiringGod.org

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*