Ylli i Mëngjesit të Reformimit

Gjon Uiklif (John Wycliffe c. 1330–1384)
nga Stephen Nichols
President, Reformation Bible College

Gjon Uiklif është quajtur “Ylli i Mëngjesit të Reformimit.” Ylli i mëngjesit në të vërtetë nuk është fare yll, por planeti Afërditë, i cili shfaqet në qiell përpara se të agojë, ndërkohë që errësira e natës është e zezë pis. Ylli i mëngjesit duket aq qartë sa nuk mund të ngatërrohet me yll tjetër.

Errësira kishte mbuluar gjithçka në shekullin e katërmbëdhjetë, shekulli i Uiklifit, i cili lindi në vitin 1330 dhe vdiq në vitin 1384, pothuaj një shekull përpara se të lindte Luteri. Në vitet e tij të adoleshencës, Uklifi gjendej në Oksford. Tomas Braduardin (i njohur ndryshe si “Doktori i Thellë”) jepte mësim teologjinë, ndërsa Uilliami nga Okham (i cili u bë i famshëm për të ashtuquajturin “Brisku i Okhamit”) jepte mësim filozofinë. Nuk kaloi shumë dhe Uiklif u bë pjesë trupës së pedagogëve. Pasi u caktua si Dekan i Kolegjit Balliol, Uklif dha leksione dhe shkroi vepra rreth filozofisë. Por studimet biblike e tërhiqnin vazhdimisht. Ai u angazhua fuqimisht në studimin e teologjisë dhe Shkrimit. Teksa e bëri këtë, zbuloi se sa shumë ishte larguar kisha nga rruga e drejtë duke i hyrë shumë shtigjeve e monopateve të gabuara.

Krijimi i kushteve

Në vitin 1370, Uiklifi botoi tri vepra të rëndësishme si masa kundër prishjes dhe shthurjes së kishës. E para, Rreth Sundimit Hyjnor (1373-1374), vinte në shënjestër autoritetin e papës. Uiklifi nuk mund të gjente asnjë bazë biblike për papatin. Në fakt, ai argumentoi që papati bie ndesh me autoritetin e vërtetë të kishës, i cili është Shkrimi, duke e zbehur fare atë. Vepra e dytë madhore ishte Rreth Sundimit Civil (1375-1376). Këtu Uiklifi iu kundërvu autoritetit të ushtruar nga Kisha Katolike e Romës mbi kurorën dhe fisnikërinë angleze. Ai u shpreh se nuk ekzistonte asnjë arsye se përse Anglia duhet të vazhdonte të mbështeste një kishë të korruptuar. Në veprën e tij të tretë të rëndësishme, Rreth së Vërtetës së Shkrimeve të Shenjta (1378), Uiklifi e zhvilloi edhe më tej doktrinën e autoritetit të Shkrimit.

Këto tri vepra ishin shumë jetike sa i përket krijimit të kushteve për Reformimin. Dy pedagogë që asokohe po vizitonin Oksfordin u kthyen me shkrimet e tij në vendlindjen e tyre, në Pragë, shkrime të cilat patën ndikim tek Jan Husi. Ai nga ana e tij do të kthehej në “Yllin e dytë të Mëngjesit” të Reformimit. Në shkrimet e hershme të Martin Luterit zbulojmë gjurmë të ndikimit të Gjon Uiklifit. Megjithatë, sado të rëndësishme të jenë këto vepra ato nuk mund të krahasohen aspak për nga rëndësia me kontributin e tij më të madh, Biblën Uiklif.

Reformimi Fillon nga Përkthimi

Në veprën e tij Rreth së Vërtetës të Shkrimeve të Shenjta, Uiklifi bëri thirrje që Bibla të përkthehej në Anglisht. Sipas ligjit katolik, përkthimi i Biblës në gjuhët e popujve përbënte një herezi që dënohej me vdekje. Zor se mund ta kuptojmë se përse kisha dëshironte ta mbante fjalën e Perëndisë larg njerëzve, sepse një gjë e tillë ndodh vetëm kur kisha dëshiron të sundojë mbi njerëzit. Uiklifi ishte aq i bindur për fuqinë e fjalës së Perëndisë sa nuk i trembej më pushtetit të papës. Si rrjedhim, ai dhe një grup kolegësh u zotuan që ta bënin të disponueshme fjalën e Perëndisë.

Jo vetëm që Bibla duhej përkthyer, por gjithashtu duhej kopjuar dhe shpërndarë. Kjo ndodhi para lindjes së shtypshkronjës (e cila u shpik në vitin 1440), prandaj kopjet duhej të bëheshin me shumë mundim me shkrim dore. Pavarësisht sfidave, u prodhuan dhe u shpërndanë qindra Bibla tek grupi i predikuesve të lidhur me Uiklifin, të cilët predikuan rreth Anglisë ndërsa fjala e Perëndisë arriti njeri më njeri. Ndjekësit e Uiklifit u quajtën Llollardë. Ata u shndërruan në vatra reformimi jo vetëm në Angli por edhe anembanë Evropës.

Këto përpjekje për përkthimin, kopjimin dhe përhapjen e Biblës në gjuhën angleze u nxitën prej një motivi të vetëm, të cilin Uiklifi e shprehu me këto fjalë: “Është e dobishme për të krishterët që ta studiojnë Ungjillin në gjuhën e nënës”. Nga fundi i jetës së vet, Uiklifi u përball me humbjen e përkrahjes nga kisha dhe fisnikëria në Angli. Natyrisht, papa e kishte halë në sy atë qysh prej shumë kohësh. Megjithatë, Uiklifi thoshte shpesh: “Jam gati t’i mbroj bindjet e mia deri në vdekje”. Ai mbeti i bindur për autoritetin dhe rolin parësor të Shkrimit dhe ia kushtoi jetën e vet thirrjes për t’i ndihmuar të krishterët që ta studiojnë vetë Biblën. Pasi vuajti dy goditje, Gjon Uiklifi vdiq më 30 Dhjetor 1384.

“Heretik” dhe Hero

Në vitin 1415 Koncili i Konstancës, i cili e dënoi me vdekje Jan Husin, e shpalli Uiklifin heretik. Kockat e tij u zhvarrosën, u dogjën dhe hiri u hodh në lumin Suift.

Por përpjekjet reformuese të Uiklifit nuk mund të shkatërroheshin nga flakët apo të pengoheshin nga deklaratat e një koncili. Ky Yll i Mëngjesit shkëlqeu në horizont duke paralajmëruar agun e një dite të re.

 


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*