Murgesha e Luterit
Katerina fon Bora
1499–1552
nga Kristin Tab
Një natë të ftohtë prilli, dymbëdhjetë murgesha hipën pa bërë zhurmë në një karro që përdorej për transport peshku dhe pritën që këshilltari i qytetit Leonard Kope të nisej, duke numëruar plot emocion sekondat e fundit të jetës së tyre prej murgeshe.
Këto gra u arratisën prej Kuvendit të Nimbshenit në Gjermani (falë planit të zgjuar të Martin Luterit), duke rrezikuar që të ndëshkoheshin si keqbërëse nëse kapeshin, por edhe duke e ditur se edhe nëse ia dilnin në ndërmarrjen e tyre i priste një e ardhme e pasigurt. E ardhmja e tyre varej tërësisht nga gatishmëria e familjeve të tyre për t’i pranuar dhe “fshehur” ata megjithëse ishin murgesha të arratisura. Murgeshat që nuk pranoheshin prej familjeve të tyre duhej të gjenin burrë, apo të zbulonin ndonjë formë të rrallë punësimi për gratë që të siguronin kështu jetesën në mënyrë të pavarur.
Njërës prej këtyre murgeshave, e cila quhej Katerina fon Bora, nuk iu afrua asnjë prej këtyre mundësive. Ndodhi që nga dy mundësi që pati për martesë nuk u bë as njëra dhe as tjetra, duke bërë që Luteri të ndihej përgjegjës për fatin e kësaj ish murgeshe. Çapkënia Katerinë më së fundi këmbënguli që do martohej ose me Martin Luterin ose me shokun e tij Nikolas fon Amsdorf. Me sa duket, Luteri e pranoi sfidën dhe u martua me këtë murgeshë të arratisur më 13 qershor 1525.
Bashkëshortja e Pastorit
Martesa me Luterin përbënte një zbritje në hierarkinë shoqërore për Katerinën, sepse qe lindur në një familje fisnike, e cila kishte prodhuar breza të tërë zotërinjsh feudalë. Kjo bëri që të shpërthente një skandal i vërtetë dhe që Katerinën ta përqeshnin për hapin e saj në dukje të gabuar. Madje punët shkuan deri aty sa Erazmi i Roterdamit parashikoi që nga ky bashkim do lindte vetë Antikrishti!
Pavarësisht trazirave që krijoi martesa e tyre në dukje e debatueshme, kjo lidhje doli që kishte në vetvete shumë ndjenjë, dashuri, frytshmëri, besnikëri dhe qëndrueshmëri. Çifti hyri në shtëpinë e tyre të re të quajtur “Manastiri i Zi” dhe Katerina u bë nismëtarja e një thirrjeje “të re” që në kohët mesjetare kishte munguar: bashkëshorte pastori.
Mëngjesin pas ditës së dasmës, Katerina ia nisi nga puna në thirrjen e saj të re duke i shërbyer mëngjesin disa miqve që kishin marrë pjesë në dasmë një natë më parë. Roli i Katerinës si bashkëshortja e reformatorit të famshëm, si nënë e gjashtë fëmijëve biologjikë dhe njerkë e shumë fëmijëve të birësuar, por edhe si menaxhere e shtëpisë (një tjetër risi kjo e reformimit) dhe e pronave të pastorit u kthye në një shembull për t’u ndjekur për gratë e pastorëve Protestantë të asaj periudhe.
Reformatorët e themeluan mirë këtë rol si një thirrje e lartë me një bazë teologjike dhe biblike duke u dhënë kështu një dinjitet të ri grave të krishtera, rol i cili ndërthurte punët e shtëpisë me shërbesën e ungjillit. Kjo solli për pasojë edhe transformimin radikal të modelit ideal të gruas së krishterë në krahasim me modelin mesjetar, model i cili bazohej tek ai i murgeshës së përshpirtshme.
Perëndia në çdo punë
Për Katerinën, kjo thirrje përfshinte përkujdesjen për Luterin, përkrahjen e punës dhe organizmin e udhëtimeve të tij, rritjen e fëmijëve të tyre, si dhe një larmi e madhe punësh që kishin të bënin me shtëpinë e pastorit. Ajo e rehabilitoi manastirin e braktisur augustinian që shërbente si shtëpia e tyre; mirëpriste vizitorët që qëndronin në dyzet dhomat e tij; u shërbente rregullisht ushqim tridhjetë deri dyzetë njerëzve si dhe organizonte gosti për më shumë se njëqind mysafirë. Po ashtu, e gatuante vetë bukën, si dhe bënte djathë dhe fermentonte birrë.
Në përputhje me pikëpamjen e reformatorëve që e gjithë jeta është frymërore, Katerina nuk bënte dallim mes punëve “praktike” dhe atyre “frymërore”, por inkurajohej që t’i kryente punët e saj të përditshme sa më mirë prej faktit edhe tek bënte punë ajo në fakt po i shërbente Perëndisë. Përfshirja e saj në diskutime teologjike kufizohej në pjesëmarrjen e saj në “bisedat rreth tryezës” që familja Luter mbante në shtëpinë e pastorit. Ajo e njihte mjaft mirë latinishten dhe Shkrimin e Shenjtë, aq sa ia dilte të përfshihej aktivisht “bisedat rreth tryezës” pas darke, një zakon të cilin me sa duket Luteri e inkurajoi.
“Do të ngjitem pas Krishtit”
Në vitin 1542 Katerina dhe Luteri mbajtën zi për humbjen e vajzës së tyre 13-vjeçare, Magdalenës, për të cilën Luteri shkroi: “Bashkëshortja ime dhe unë nuk kemi veç falënderime plot gëzim për largimin aq të hareshëm dhe fundin aq të bekuar [të Magdalenës]… megjithatë forca e dashurisë tonë të natyrshme është aq e madhe sa nuk mund ta bëjmë dot këtë gjë pa qarë dhe vajtuar në zemrat tona apo pa e përjetuar vdekjen vetë… Madje dhe vetë vdekja e Krishtit… nuk është në gjendje ta heqë tej plotësisht këtë përjetim, ashtu sikurse duhet”.
Ky vajtim do të barabitej vetëm me atë të Katerinës për vdekjen e Luterit në vitin 1546, gjë të cilën ajo e përshkruan në një prej letrave që ka ardhur deri në ditët e sotme:
Në të vërtetë jam trishtuar aq shumë sa s’mund t’ia shpreh dot sëmbimin e fortë të zemrës asnjë personi dhe nuk e kam idenë se si jam dhe ndihem. As më hahet dhe as më pihet. Madje nuk më flihet. Edhe sikur të kisha humbur një perandori të tërë nuk do të isha ndjerë aq keq se sa ndihem që kur Zoti ynë i dashur Perëndi ma mori këtë burrë të dashur dhe të denjë, jo vetëm mua por edhe gjithë botës që e donte.
Katerina i kaloi ditët që i mbetën duke kërkuar mbështetje nga bashkëpunëtorët e Luterit në përpjekje për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për shtëpinë dhe fëmijët e saj, derisa ajo vetë vdiq pasi ra prej një karroce në dhjetor 1552. Tek po jepte shpirt tha fjalët e mëposhtme: “Do të ngjitem pas Krishtit si rrodhja pas shajakut”.
Original Article from DesiringGod.org
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!