Paqebërësi Protestant

Volfgang Kapito
1478–1541

nga Rick Shenk

“Cili është Perëndia në të vërtetë? Kujt duhet t’i shkojmë pas?” Shumë njerëz duhet t’i kenë bërë këto pyetje gjatë kohëve të trazuara, të cilat sot i kremtojmë si periudha e lavdishme e Reformimit. Reformatorët, kundër-reformatorët, humanistët, dhe anabaptistët debatuan (dhe nganjëherë u përleshën me njeri tjetrin) për të përkufizuar kuptimin tonë rreth Perëndisë dhe ungjillit të Tij. E bënë këtë sepse nuk ekziston asnjë çështje tjetër që të jetë më e rëndësishme sesa kjo.

Shumë nga njerëzit që u përleshën si bashkëluftëtarë (apo kundër njëri-tjetrit) gjatë Reformimit Protestant janë të mirënjohur për ne besimtarët e të njëzetenjëtit shekull. Mirëpo, vepra që Perëndia realizoi përmes reformimit u bë e mundur falë përpjekjeve të një reje prej qindra dhe madje mijëra personazhesh të panjohura për ne sot. Një prej figurave më të shndritshme të kësaj reje dëshmitarësh është edhe Volfgang Kapito (1478-1541), një reformator që dëshironte më tepër prej Perëndisë dhe që predikoi ungjillin teksa nxiste paqen mes bashkëbesimtarëve. Për këtë arsye shpesh hyri në telashe me miqtë e tij reformatorë.

Fillimet Humaniste

Volfgang Kapito lindi në Francë në vitin 1478. Babai i Volfgangut, Hansi, ishte një kovaç i varfër dhe kursimtar. Arsimimi i të birit ishte një gjë e rëndësishme për të, ja pse e dërgoi atë fillimisht në një shkollë Latine dhe pastaj që të ndiqte studimet e larta për t’u bërë doktor. Kur Hansi ndërroi jetë në vitin 1500, fjalët e tij të fundit që i tha Volfgangut ishin një urdhërim dhe një paralajmërim i ashpër që ky i fundit të mos bëhej prift.

Mirëpo, me nxitim ose jo, Kapito tashmë po shkonte drejt të bërit prift. Ai i la përgjysmë studimet e mjekësinë dhe studioi teologji. Më saktësisht, ai u trajnua si humanist i krishterë dhe u bërë një student dhe mik i ngushtë i Erazmit. Si humanist ai e donte fort tekstin dhe gjuhët biblike, dëshironte reformimin e Krishterimit (në mënyrë të veçantë reformimin e moralit të udhëheqësve dhe priftërinjve), por gjithashtu dëshironte fort paqen. Nuk kaloi shumë kohë dhe u shugurua që të shërbente si prift në Kishën Katolike.

Kapito u dërgua për të shërbyer në Bazel në vitin 1515. Atje tek shërbente në Katedralen e Bazelit u përfshi prej një transformimi frymëror, i cili filloi me largimin e tij prej katolicizmit, vazhdoi me përqafimin e humanizmit dhe me bërjen të tij pjesë të reformimit. Gjatë qëndrimit të tij në Bazel zuri miqësi me Zvinglin dhe mbajti letërkëmbim me Luterin. Gjatë kësaj kohe teologjia e Luterit e bëri konfuz. Fillimisht, ai iu përgjërua Luterit që të ishte më pak fyes ndaj atyre që kritikonte e veçanërisht ndaj papës.

Luteri nuk ia vuri veshin këshillave të Kapitos. Pavarësisht kësaj, Kapito i përhapi me zell veprat e Luterit në Evropën veriore në vitin 1518. Mirëpo duke qenë ende humanist, ai nuk arrinte ta kuptonte thelbin e tyre. Megjithatë ai e vazhdoi dialogun me Luterin dhe në vitin 1522 vizitoi Vitenbergun. Megjithëse u shqetësua nga i ashtuquajturi mëkati tragjik [shkëputja nga Roma dhe reformimi i kishës] me të cilin u ndesh atje, ai gjithsesi u ballafaqua me zemrën e Reformimit të cilën e zbuloi tek ungjilli: Perëndia gjeti zemrën e tij.

Një thirrje për paqe

Kur ndodhi që Perëndia e shndërroi nga një humanist në një reformator teologjik, Kapito e shpjegoi këtë ndryshim të madh me këto fjalë: “Kam kaluar nga ana e Papistëve dhe Luterianëve të përshpirtshëm të cilët kërkojnë vetëm shpëtimin e shpirtit dhe asgjë që ka lidhje me këtë botë; i këshilloj ata që të ruajnë unitetin e krishterë, për aq sa Perëndia të më japë hir ta bëj këtë” (Volfgang Kapito, fq. 94). Tani zemra e tij i përkiste Perëndisë. Megjithatë, trajnimi i tij humanist ishte në harmoni të thellë me thirrjen biblike për paqe.

Gjatë jetës sëvet, Kapito shkroi tre himne të krishtera. Një prej tyre ka mbijetuar në librat e himneve Gjermanisht dhe titullohet “Na jep paqe”.

Na jep paqen që na mungon,
Në mosbesim dhe vështirësi.
Ti nuk nguron ta japësh Fjalën
Të cilës më kot i rezistojmë.
Me zjarr dhe shpatë, kjo Fjalë e mirë
Përndiqet, shtypet nga disa.
Me gojë t’vërtetën disa e rrëfejnë
Në shenjtëri k’naq’si këta nuk gjejnë.

Edhe pse fjala e Perëndisë po predikohej fuqishëm anembanë Gjermanisë, Francës dhe më gjerë, brenda Reformimit kishte grupe që po përndiqeshin dhe po shtypeshin, gjë e cila e lodhi Kapiton dhe e bëri të binte në gjunjë për t’u lutur, por edhe që të merrte në dorë penën për të shkruar. Ai vazhdimisht i bënte thirrje Luterit dhe Zvinglit që të merreshin vesh rreth teologjisë së Darkës së Zotit dhe që të tregoheshin të mëshirshëm me anabaptistët.

Përgjatë jetës së tij si reformator, shumë njerëz i interpretonin thirrjet për mëshirë që i drejtonte kundërshtarëve të tij teologjikë si tregues i faktit që ai binte dakord me ta. Megjithatë, këto thirrje as sesi nuk duhen kuptuar sikur ai gjoja binte dakord me ta; dënimi prej tij i dhunës, shtrëngimit dhe madje i gjuhës fyese ishte në të vërtetë një thirrje për popullin e Perëndisë që të mos fuste duart në veprën e Frymës së Shenjtë për disiplinimin e kundërshtarëve të besimit të vërtetë.

Shërbëtori i Zotit

“Cili është Perëndia në të vërtetë? Kujt duhet t’i shkojmë pas?” Këto dy pyetje dhe të tjera të ngjashme me to ende vazhdojnë ta sfidojnë edhe botën e sotme. Ndërsa përpiqemi t’i bëjmë thirrje njerëzve që të gjejnë kënaqësi në Perëndinë e Luterit dhe Kalvinit, do të bënim mirë të ndiqnim shembullin e Kapitos dhe urdhërimin e Perëndisë: “Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm, duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën” (2 Timoteut 2:24-25).

Ne jemi thirrur që të përballemi butësisht dhe paqësisht me kundërshtarët tanë, madje edhe atëherë kur butësia dhe paqësia jonë rrezikojnë që të keqkuptohen prej të tjerëve.


Original Article from DesiringGod.org

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të sigurohet një link i këtij dokumenti në faqen tonë të internetit!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*

%d bloggers like this: