Mendime Shtjelluese Mateu 3

Ungjilli sipas Mateut kapitulli 3

nga J.C. Ryle

Mateu 3:1-12

Këto vargje përshkruajnë shërbesën e Gjon Pagëzorit, pararendësit të Zotit tonë Jezu Krisht. Shërbesa e tij meriton një vëmendje të afërt. Pak predikues arrijnë rezultatet të tilla. “Në atë kohë njerëzit e Jeruzalemit, nga gjithë Judeja dhe nga krahina e Jordanit rendnin tek ai.” Askush nuk ka marrë ndonjëherë lavde të tilla nga Kreu i madh i Kishës. Jezusi e quan atë “një dritë që shkëlqen në errësirë.” Vetë Peshkopi i madh i shpirtrave deklaron që, “ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori.” Prandaj le të studiojmë tiparet e spikatura të shërbesës së tij.

Gjon Pagëzori foli qartë rreth mëkatit. Ai mësoi për domosdoshmërinë absolute të “pendimit,” përpara se ndokush të shpëtohet. Ai predikoi që pendimi duhet të vërtetohet prej “fryteve” të tij. Ai i paralajmëroi njerëzit të mos mbështeteshin tek privilegjet e jashtme, apo tek bashkimi i jashtëm me kishën.

Ky është mësimi për të cilin kemi nevojë të gjithë ne. Natyrshëm jemi të vdekur, të verbër dhe të fjetur në lidhje me gjërat frymërore. Jemi të gatshëm të kënaqemi thjesht me një fe formale dhe t’i bëjmë qejfin vetes që nëse shkojmë në kishë do të shpëtohemi. Kemi nevojë të na thuhet, që nëse nuk “pendohemi dhe të kthehehemi” të gjithë ne do të humbasim.

Gjon Pagëzori foli qartë rreth Zotit tonë Jezu Krisht. Ai i mësoi njerëzit që dikush “shumë më i madh se ai” po vinte mes tyre. Ai nuk ishte asgjë më tepër se një shërbëtor – Ai që po vinte ishte Mbreti. Ai vetë mund të “pagëzonte vetëm me ujë” – Ai që po vinte pas tij mund të “pagëzonte me Frymën e Shenjtë,” mund të heqë mëkatet dhe një ditë do ta gjykojë botën.

Ky sërish është mësimi i duhur për të cilin ka nevoja natyra njerëzore. Ne kemi nevojë të na dërgojnë në drejtim të Krishtit. Të gjithë ne jemi gati ta lëmë rrugën në mes dhe të mos arrijmë tek Ai. Dëshirojmë të mbështetemi në lidhjen tonë me kishën, në përdorimin e rregullt të sakramenteve, dhe në pjesëmarrjen e zellshme në një shërbesë të themeluar. Ne duhet të na tregojnë nevojën absolute për t’u bashkuar përmes besimit me Krishtin Vetë. Ai është burimi i caktuar i mëshirës, hirit, jetës dhe paqes. Secili prej nesh duhet të ketë një lidhje personale me Të për hir të shpirtit tonë. Çfarë dimë për Zotin Jezus? Çfarë kemi marrë prej Tij? Këto janë pyetjet nga të cilat varet shpëtimi ynë.

Gjon Pagëzori foli qartë rreth Frymës së Shenjtë. Ai predikoi që ekzistonte një gjë e tillë si pagëzimi me Frymën e Shenjtë. Ai mësoi që ky ishte ofiqi i veçantë i Zotit Jezus për t’iu dhënë atyre pagëzimin me Frymën e Shenjtë.

Edhe ky është një mësim për të cilin kemi shumë nevojë. Kemi nevojë të na thuhet që falja e mëkateve nuk është nevoja e vetme për shpëtim. Ka edhe një gjë tjetër; dhe kjo është pagëzimi i zemrave tona prej Frymës së Shenjtë. Nuk nevojitet vetëm vepra e Krishtit PËR ne, por nevojitet gjithashtu vepra e Frymës së Shenjtë NË ne. Nuk duhet të kemi vetëm një të drejtë për në qiell përmes gjakut të Krishtit por duhet të kemi gjithashtu edhe një përgatitje për në qiell e cila arrihet në ne përmes Frymës së Krishtit. Le të mos prehemi kurrë derisa të përjetojmë pagëzimin e Frymës. Pagëzimi me ujë është një privilegj i madh. Por le të kujdesemi që të kemi edhe pagëzimin e Frymës së Shenjtë.

Gjon Pagëzori foli qartë rreth rrezikut të tmerrshëm të atyre që nuk pendohen dhe nuk besojnë. Ai u tha dëgjuesve të tij që ekzistonte një “zemërim që po vjen.” Ai predikoi për një “zjarr që nuk shuhet,” në të cilin do të digjet një ditë byku.

Edhe ky është mësim shumë i rëndësishëm. Kemi nevojë që të na paralajmërojnë në mënyrë të prerë që nuk është gjë e parëndësishme nëse pendohemi apo jo. Kemi nevojë të na kujtojnë që ekziston një ferr dhe një qiell, një ndëshkim i përjetshëm për të ligjtë si dhe një jetë e përjetshme për të perëndishmit. Ne jemi fatkeqësisht të prirur që ta harrojmë këtë gjë. Ne flasim për dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë dhe nuk kujtojmë aq sa duhet drejtësinë dhe shenjtërinë e Tij. Le të kemi shumë kujdes në këtë pikë. Nuk është mirësi e vërtetë që të fshehim tmerret e Zotit. Është gjë e mirë për të gjithë ne që të na mësohet se është e mundur të humbasësh përgjithmonë dhe që të gjithë njerëzit e pa-konvertuar gjenden në buzë të greminës.

Së fundi, Gjon Pagëzori foli qartë rreth sigurisë së besimtarëve të vërtetë. Ai mësoi që ekziston një “hambar” për të gjithë ata që janë gruri i Krishtit dhe që ata do të mblidhen atje në ditën kur Ai të shfaqet.

Edhe ky është një mësim shumë i domosdoshëm për natyrën njerëzore. Edhe besimtarët më të mirë kanë nevojë për shumë inkurajim. Ata janë ende në trup. Ata jetojnë në një botë të ligë. Ata shpesh tundohen nga djalli. Ata kanë nevojë që t’u kujtojnë shpesh që Jezusi nuk do t’i lërë kurrë dhe as nuk do t’i braktisë. Ai do t’i drejtojë me siguri përmes kësaj jete dhe më në fund do t’ju japë lavdinë e përjetshme. Ata do të fshihen në ditën e zemërimit. Ata do të jenë të sigurt sikurse ishte dhe Noeu në arkë.

Lërini këto gjëra që të zhyten thellë në zemrat tona. Ne jetojmë në një kohë me shumë mësime të rreme. Le të mos harrojmë kurrë tiparet kryesore të një shërbese besnike. Sa mirë do kishte qenë për Kishën e Krishtit sikur të gjithë shërbëtorët e saj të kishin qenë më të ngjashëm me Gjon Pagëzorin!

Mateu 3:13-17
Këtu kemi tregimin e pagëzimit të Zotit tonë Jezu Krisht. Ky ishte hapi i Tij i parë kur hyri në shërbesë publike. Kur priftërinjtë Judenj nisnin shërbimin e tyre në moshën tridhjetë vjeçare laheshin me ujë. Kur Kryeprifti ynë i madh filloi punë e madhe për të cilën erdhi në këtë botë u pagëzua në mënyrë publike.

Le të mësojmë nga këto vargje që ta konsiderojmë me druajtje sakramentin e pagëzimit. Ceremonia në të cilën mori pjesë edhe vetë Zoti Jezus nuk duhet marrë kollaj. Një ceremoni të cilëj ju nënshtrua Kreu i Kishës duhet të jetë gjithmonë e nderuar në sytë e atyre që rrëfejnë që janë të krishterë.

Të pakta janë temat e fesë në të cilat të kenë dalë më shumë gabime sesa pagëzimi. Të pakta janë ato tema që kërkojnë shumë ruajtje dhe kufij. Le t’i armatosim mendjet tona me dy paralajmërime të përgjithshme.

Nga njëra anë le të kemi kujdes që të mos i veshim një rëndësi BESTYTNORE ujit të pagëzimit. Nuk duhet të presim që uji të veprojë si ndonjë hajmali. Nuk duhet të supozojmë që të gjithë njerëzit e pagëzuar automatikisht marrin hirin e Perëndisë në momentin që pagëzohen. Të thuash që të gjithë ata që pagëzohen marrin të njëjtin përfitim, dhe se nuk ka fare rëndësi nëse vijnë me besim dhe lutje apo me një shkujdesje të plotë, të thuash gjëra të tilla duket që kundërshton mësimet e qarta të Shkrimit.

Nga ana tjetër le të jemi të vetëdijshëm që të mos e ÇNDEROJMË sakramentin e pagëzimit. Pagëzimi çnderohet kur lihet mënjanë dhe nuk duket kurrë publikisht në bashkësi. Një sakrament i themeluar prej vetë Krishtit nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë. Pranimi i çdo antari të ri në radhët e kishës së dukshme, qoftë i ri apo i rritur, është një ngjarje që duhet të ngjallë një interes të madh në asamblenë e krishterë. Kjo është një ngjarje që duhet të nxitë lutjet e zjarrta të të gjithë njerëzve që luten. Sa më shumë të jemi të bindur që pagëzimi dhe hiri nuk janë të lidhura në mënyrë të pandashme njëra me tjetrën aq më tepër do ndihemi të shtyrë për t’u bashkuar në lutje për bekim kurdoherë dikush pagëzohet.

Pagëzimi i Zotit tonë Jezu Krisht u shoqërua nga disa rrethana me një solemnitet të veçantë. Nuk do të ketë më kurrë një pagëzim të tillë për sa kohë të ekzistojë bota.

Na tregohet për praninë e të tre antarëve të Trinisë së bekuar. Perëndia Bir i shfaqur në mish është ai që u pagëzua. Perëndia Frymë zbret në trajtë pëllumbi dhe qëndron mbi Të. Perëndia At flet nga qiellit me një zë të dëgjueshëm. Me një fjalë këtu kemi praninë e manifestuar të Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë. Sigurisht që këtë mund ta konsiderojmë si një lajmërim publik që vepra e Krishtit ishte rezultati i marrëveshjeve të përjetshme të këtyre të Treve. E gjithë Trinia tha në fillim të krijimit, “le ta bëjmë njeriu.” Sërish ishte e gjithë Trinia që në fillim të Ungjillit duket sikur thotë, “le ta shpëtojmë njeriun.”

Na tregohet për “një zë nga qielli” gjatë pagëzimit të Zotit tonë. Kjo ishte një rrethanë me solemnitet të veçantë. Para këtij rasti nuk lexojmë për ndonjë ze nga qielli, me përjashtim të dhënies së ligjit në malin Sinai. Që të dyja këto raste kishin një rëndësi të veçantë. Prandaj Atit tonë në qiell ju duke e mirë që t’i shënonte të dyja këto raste me nderim të veçantë. Ai vetë flet në momentin e prezantimit të ligjit dhe të Ungjillit.

Sa të mrekullueshme dhe thellësisht udhëzuese që janë fjalët e Atit! “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.” Në këto fjalë Ati deklaron që Jezusi është Shpëtimtari hyjnor i vulosur dhe i caktuar nga përjetësia për të përmbushur veprën e shpengimit. Ai shpall, që e pranon Atë si Ndërmjetësin mes Perëndisë dhe njeriut. Ai duket sikur i shpall botës që është i kënaqur me Të si shlyerja, si zëvendësi dhe si ai që pagoi çmimin për familjen e humbur të Adamit, Ai është Kreu i një populli të shpenguar. Në Krishtin Perëndia sheh ligjin e tij të shenjtë “të lartësuar dhe të nderuar.” Përmes Tij Ai mund të “tregohet i drejtë dhe drejtësuesi i të pa perëndishmit.” (Romakëve 3:26).

Le t’i mendojmë mirë këto fjalë! Ato janë shumë të thella për t’u menduar. Ato janë plot paqe, gëzim, inkurajim dhe ngushëllim për të gjithë ata që kanë shkuar të strehoen tek Zoti Jezus Krisht, dhe ia kanë dorëzuar shpirtin e tyre Atij për shpëtim. Njerëz të tillë mund të ngazëllojnë duke menduar që edhe pse ata vetë janë mëkatarë megjithatë në sytë e Perëndisë janë llogaritur të drejtë. Ati i sheh Ata sikurse sheh Birin e Tij të dashur. Ai nuk dallon asnjë njollë tek ata, dhe për hir të Birit të Tij Ai është “i kënaqur.” (Efesianëve 1:6).


Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*