Trajtuar me butësi – John MacDuff
“Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!”
“Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t’i flas zemrës së saj.”
“Prandaj” ka një lidhje të habitshme dhe të bukur në këtë varg. Populli i Perëndisë ishte tërhequr keq pas. Ai i kishte mbuluar me mëshira – dhe ata ishin fajtorë pasi e kishin çnderuar dorën e Tij! Ata i kishin marrë dhuratat – dhe kishin përbuzur Dhuruesin! “Ajo nuk kuptoi që unë i jepja grurë, musht dhe vaj dhe shtoja argjendin dhe arin e saj.” Jo vetëm kaq, por ajo kishte shkuar pas dashnorëve të saj – ajo qëllimisht kishte preferuar shtigjet e mëkatit – mbi udhët e Perëndisë!
Cilat do të jenë mendimet e Tij ndaj kësaj mashtrueseje? A mund të jenë ndonjë gjë tjetër përveçse shpagimi i merituar – ta dëbojë, dhe ta braktisë përgjithmonë? Kur dëgjojmë fjalën përmbyllëse “prandaj” presim që tani do të jepet përmbledhja e tmerrshme e mosmarrëveshjes së Tij – momenti kur Gjykatësi do të shpallë dënimin e drejtë. Presim – dhe ja, dëgjojmë vetëm shqiptimet e dashurisë! “Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje, do ta çoj në shkretëtirë dhe do t’i flas zemrës së saj. “Atëherë do t’i jap vreshtat e saj.”
Kjo është ende mënyra sesi Ai e trajton popullin e Tij. Ata shpesh e harrojnë atë në mes të shkëlqimit dhe lluksit të begatisë. Pastaj ai bën që të pushojë zhurmën e botës – i nxjerr në vetmi dhe në sprovë – dhe atje – ku gjenden të poshtëruar, të përulur dhe të disiplinuar – Ai derdh në veshët e tyre mendimet e Tij të dashurisë, faljes dhe “ngushëllimit.” Oh çfarë butësie e pafundme që i karakterizon mënyrat sesi na trajton ky Disiplinues qiellor! Sa i ngadalshëm që është Ai për t’i braktisur ata që e kanë braktisur! Ai përdor çdo mjet dhe mënyrë në vend që t’i braktisë në pasojat e hidhura të largimit të tyre fajtor!
Mendimet më të dashura njerëzore ndaj një ofenduesi janë ashpërsi dhe vrazhdësi në krahasim me mendimet e Tij. Cilat ishin mendimet – veprat – e rojtarëve tek Kënga e Këngëve ndaj Nuses, ndërsa ajo endej e shkretuar në kërkim të Dhëndrit të saj qiellor – duke ditur që kjo ishte pasoja e plogështisë dhe mungesës së vigjilencës nga ana e saj? Ata ia grisën velin – e qëlluan – folën keq për të – dhe e mbuluan me përbuzje! Por kur ajo e gjeti Zotin e saj, edhe pse e kishte lënë duke pritur mes vesës së ftohtë të natës – Ai nuk e godit – nuk e qortoi – asnjë rrokje zemërimi nuk doli nga buzët e Tij. Ai e solli në shkretëtirë dhe i folu me butësi zemrës së saj – dhe tabloja tjetër në alegorinë e frymëzuar, është ajo e të ripërtërirës që vjen nga shkretëtira “duke u mbështetur tek i Dashuri i saj!”
Lexues, a është duke të trajtuar Perëndia me vuajtje? A i ka tretur Ai shpresat e tua tokësore, “a i ka dhënë fund gëzimit tënd,” “a i ka shkatërruar hardhitë dhe fiqtë e tu,” a e ka bërë shkretëtirë gjithçka rreth teje? Mendo sesi do kishte qenë – nëse nuk do të kishte lejuar të vazhdoje në shtegun tënd të largimit fajtor – zemra jote përtace do të ishte zhytur edhe më thellë në karierrën e mëkatit! A nuk është mëshira e Tij – që Ai e ka zbehur atë shkëlqim të rremë dhe mashtrues të botës? Nuk do t’ia kishe vënë veshin zërit të Tij në begati. I more dhjetë mijë dhuratat e çmuara që Ai të dha – por nuk nxorre asnjë frymë falënderimi ndaj Dhuruesit të Pafundëm! Ndoshta ishe ulur – i vrazhdë, i grindur, krenar dhe mosmirënjohës – në momentin kur bollëku i Tij po derdhej mbi prehërin tënd!
Ai të ka sjellë “në shkretëtirë.” Sikurse bëri edhe Jezusi me dishepujt e Tij në lashtësi, kur do t’i përgatiste për sprovën që do të vinte – Ai të ka marrë në “vetmi mbi një mal të lartë,” – “në një vend të vetmuar” – larg botës. Atje të ka përulur dhe të ka sprovuar. Mund të të ketë lënduar – të të ketë prekur në kallo – t’i ketë larguar miqësitë e shenjta – t’i ketë rrëzuar në pluhur idhujt prej balte! Po, e gjithë kjo ishte vepër e Tij! “Prandaj, ja, unë do ta tërheq pas meje,” “do ta çoj në shkretëtirë,” “do t’i flas zemrës së saj.” Ai na çon në shkretëtirë – Ai na udhëheq përmes saj – dhe jashtë saj!
Ndërsa Ai na jep ngushëllimet tona: “vajin dhe verën tonë,” “leshin dhe lirin tonë,” “hardhitë dhe fiqtë tanë” – në të njëjtën mënyrë, kur Ai ta shohë si me vend ka për t’i larguar këto gjëra nga ne! Cilatdo qofshin zërat që Ai është duke më drejtuar tani, qofsha në gjendje që në to të dalloj mendimet dhe shqiptimet e dashurisë së pandryshueshme dhe të them, “Dëgjoj me kujdes atë që Zoti Perëndi po thotë, sepse Ai i flet për paqe popullit të Tij. Besnikëve të Tij.”
“Thoughts of God” by John MacDuff
Përkthimi nga www.fjaletejetes.com
SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!