Siguria ngushëlluese – John MacDuff

“Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.” Mateu 6:32

Edhe pse në fillim këto fjalë u thanë nga Jezusi në lidhje me gjërat e përkohshme, kjo mund të merret edhe si një moto për fëmijën e Perëndisë në mes të gjitha rrethanave të ndryshme në historinë e tij që ndryshon. Si do të qetësoheshin dyshimet tona, si do të merrnin fund murmuritjet tona, si do të arrinim në një nënshtrim të përulur pa bërë pyetje – “Ati im e di se unë kam nevojë për të gjitha këto gjëra.”

Ku mund të jetë një fëmijë më i sigurt sesa në dorën e atit të vet? Ku mund të jetë besimtari më mirë sesa në duart e Perëndisë së tij? Ne jemi gjykatës të dobët për atë që është më e mira. Jemi nën një udhëzim të sigurt me një urtësi të pagabueshme. Nëse tundohemi që në një moment supozimi të nxituar të themi, “Të gjitha këto gjëra janë kundër meje,” lëreni këtë “fjalë” t’ju qortojë për pandehjen tuaj të nxituar dhe të padenjë. Urtësia e pagabueshme dhe dashuria Atërore kanë shpallur që të gjitha janë të “nevojshme.”

Shpirti im, a ka ndonjë gjë që po ta trazon paqen? Mos vallë po përballesh me provanitë e errëta të Perëndisë apo me kryqe të rëndë? Mos të janë hequr ndihmat frymërore, mos të janë pakësuar ngushëllimet e krijesës, mos janë pakësuar vallë dhe janë tharë si bari? Mbi secilën prej këtyre shkruaj “Ati yt e di që ke nevojë për të gjitha këto gjera.” Ishte Ai që e shtoi barrën tënde. Pse? “Ishte e nevojshme.” Këto gjëra po zinin vendin e Tij – Ai duhej t’i hiqte! Ishte Ai që i bëri të dështonin skemat e tua tokësore dhe i bëri të dështonin shpresat e tua të çmuara. Pse? “Ishte e nevojshme. Në shtegun që lakmoje gjendej një gjemb i fshehur. Kishte një bekim më të madh frymëror në përbashkësinë me Perëndinë. “Ai të parandaloi me bekimet e mirësisë së Tij.”

Përpiqu të çmosh frymën e një sigurie edhe më fëmijërore në vullnetin e Atit tënd Qiellor. Nuk ke mbetur vetëm dhe pa mik për t’u përballur me stuhitë e shkretëtirës. Mara-t dhe Elim-ët e tu janë caktuar prej Tij. Një shtyllë e hirshme shkon përpara teje. Ndiqe atë në ditë me diell dhe në ditë me stuhi. Ai mund të të “udhëheqë përreth,” por nuk ka për të të udhëhequr gabim. Butësia e patregueshme është karakteristika e të gjitha trajtimeve të Tij. “Bekuar qoftë emri i tij,” thotë një besimtar i vërtetë, “Ai mi bën këmbët si ato të drerit” (fjalë për fjalë “të barabarta” me to), “Ai i barazon për çdo rrëpirë, për çdo ngjitje dhe për çdo kërcim.”

Kush është ai që e thotë këtë fjalë qetësuese? Është vetë Ai që e ndjeu vlerën e çmuar të sigurisë gjatë vuajtjeve të Tij të tmerrshme, që të gjitha ishin të nevojshme, të gjitha ishin caktuar; që nga djepi i Betlehemit deri tek Kryqi i Kalvarit nuk kishte as edhe një gjemb të panevojshëm në kurorën e pikëllimit që Ai, Njeriu i Dhimbjeve mbajti mbi kryet e Tij. Çdo pikë në kupën e Tij të hidhur u përzje nga Ati i Tij: “A nuk do ta pi unë kupën që Ti po më jep të pi?” Nëse Ai mund gjente ngushëllim në këtë moment të agonisë së tij të paimagjinueshme, tek mendimi që dora e një Ati i zbuti flakët e furrës së zjarrtë – çfarë ngushëllim i fortë që gjendet tek e njëjta e vërtetë për të gjithë njerëzit e Tij që vuajnë!

Çfarë, një pikë më shumë, një sëmbim i panevojshëm, një kryq i panevojshëm! Mbyllja gojën këtij ateizmi të fshehtë! Ai dha Birin e Tij për ty! Ai e quan veten “Atin tënd!” Cilado qoftë sprova nën të cilën tani po përpiqesh lëre fjalën e një Shpëtimtari të hirshëm të jetë “si vaji që hidhet mbi detin e trazuar;” lëre të thajë çdo pikë rebele loti. “Ai, prindi yt që nuk gabon e di që ke nevojë për këtë gjë si dhe për gjithë këto gjëra.”

“Fjala jote është e sigurt, prandaj shërbëtori yt e do.”


“The Words of Jesus” by John MacDuff

Përkthimi nga www.fjaletejetes.com

SHËNIM: Ju lejoheni dhe inkurajoheni ta riprodhoni apo shpërndani këtë material në çdo formë të mundshme me kusht që të mos ndryshoni fjalët në asnjë mënyrë. Për postimet në internet, duhet të përfshihet linku i postimit origjinal nga faqja jonë!

You may also like...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*